Në ato shoqëri ku mass mediat, për arsye të ndryshme, nuk i përmbushin dot nevojat e publikut për informacion, gjithnjë vlen të studiohen mjetet alternative të komunikimit publik. Për Shqipërinë, kryet e vendit mes këtyre mjeteve jo-standard të komunikimit do ta zinin thashethemet.
Dje
Nën totalitarizëm, thashethemet për çështje me interes publik lidheshin drejtpërdrejt me natyrën sekrete të veprimtarisë shtetërore; çka shfrytëzohej pastaj edhe nga Sigurimi i Shtetit për të dizinformuar, ose shpërndarë lajme përndryshe të pabotueshme nga mediat zyrtare.
Publiku, nga ana e vet, përfshihej në thashetheme sepse i shihte si të vetmen mënyrë për t’iu afruar sado pak së vërtetës, të cilën informacioni zyrtar, përkundrazi, e mbante të mbuluar.
Dihet se shteti totalitar ishte shtet i rrethuar me mur të padepërtueshëm, ose i fortifikuar në sekret. Koncepti i tejdukshmërisë nuk ekzistonte dhe publikut gjithnjë i mëkohej aq informacion sa ç’gjykohej i nevojshëm nga shefat e propagandës dhe drejtorët e drejtorive të shtypit; dhe në çdo rast qëllimi nuk ishte aq të komunikohej e vërteta për çka ndodhte, por të “edukoheshin” masat me frymën e Partisë, ose frymën revolucionare; ose të mobilizoheshin më tej në luftën për ndërtimin e socializmit.
Përndryshe, të gjitha veprimtaritë e rëndësishme në krye të shtetit – mbledhjet e qeverisë, mbledhjet e plenumeve të Komitetit Qendror, mbledhjet e Byrosë Politike dhe të tjera mbledhje ku praktikisht vendoseshin çështje me interes publik të dorës së parë, mbaheshin detyrimisht sekret. Sekreti ishte informacion që ekzistonte, por që nuk mund të arrihej prej publikut; fshihte të vërteta edhe të pranishme edhe të pakapshme; madje provë se diçka ishte vërtet e rëndësishme – për publikun, për individin, për shtetin.
Krejt veprimtaria e shtetit dhe e pushtetit mbahej sekret, me përjashtim të rasteve kur autorizohej shprehimisht për t’iu raportuar publikut. Publiku, nga ana e vet, e dinte tashmë se mjetet e informacionit nuk përcillnin të vërteta, por më tepër tekste me natyrë rituale, të cilat shumë-shumë mund të interpretoheshin, por jo të lexoheshin si qasje ndaj së vërtetës. Vetëm veprimtaritë vërtet publike shpresonin të përcilleshin me objektivitet – p.sh. mbledhjet dhe konferencat e transmetuara nga radioja e më pas televizioni, veprimtaritë politike dhe inskenimet e ndryshme si paradat, parakalimet, manifestimet dhe të tjera koreografi politike masive.
Nga ana tjetër, meqë publiku tashmë e kishte marrë vesh se fatet e vendit nuk vendoseshin as në parakalimin e 1 majit, as gjatë vizitës së Shokut Enver Hoxha në rrethet e veriut të vendit, atëherë komunikimi me mjetet e informacionit kishte natyrë më tepër rituale; në kuptimin që njerëzit duhej ta dinin se ç’thuhej në gazetë, në radio dhe në televizion, për të marrë pjesë në liturgjitë lokale e për të mos rënë në sy si indiferentë, të painformuar, ose si elemente që ushqenin armiqësi ndaj aktualitetit.
Përndryshe, informacioni qarkullonte gojë më gojë, në rrugë informale, në trajtë thashethemesh.
Thashethemet politike ishin cilësisht të ndryshme nga thashethemet e rëndomta për çështje seksuale, ose të tjera hollësi të jetës private të individëve; sepse të parat kishin të bënin drejtpërdrejt me çështje me interes publik dhe i qaseshin së vërtetës duke gjetur të çara në murin e sekretit që rrethonte veprimtaritë shtetërore.
Mjedisi ku qarkullonin dhe riprodhoheshin këto thashetheme ishte gjysmë-privat – rrethet shoqërore, kafenetë, pijetoret, qendrat e punës e të tjera vende ku njerëzit hynin në kontakt me njëri-tjetrin. Historitë e përcjella kishin zakonisht lidhje me personalitete të larta të shtetit të cilëve po u perëndonte ylli ose kishin marrë tatëpjetën; të dhëna rreth mbledhjesh sekrete të qeverisë dhe të Byrosë Politike; thënie të ndryshme të udhëheqësve më të lartë të PPSH-së dhe të shtetit; lajme për sëmundje, fejesa dhe skandale të mundshme të kastës që kishte në dorë pushtetin në Shqipëri.
Të tilla forma të ligjërimit asnjëherë nuk bëheshin për t’u zbavitur, aq më tepër që shpesh Partia ndërmerrte fushata për t’i ndalur thashethemet politike e për t’i ndëshkuar “thashethemexhinjtë”; edhe pse në shumë raste bashkëfajësia e të ndarit së bashku të një thashethemi veçanërisht të kripur i afronte njerëzit, duke ua forcuar lidhjet miqësore. Kjo theksohej veçanërisht në periudha krizash politike, si ato të spastrimeve në krye të shtetit, gjatë viteve 1973-1976, dhe 1980-1983.
Kishte edhe një lloj tjetër thashethemesh, që kishin të bënin me lajme të mira, ose sihariqe, e që zakonisht ushqeheshin nga dëshirat e njerëzve për të parë ndonjë përmirësim rrënjësor në kushtet e tyre të jetesës; të tilla si ato që u përhapën në Shqipëri pas vizitës të politikanit bavarez Strauss, ose të tjera që përhapeshin herë pas here, në Tiranë, për mundësinë që “të hapej Dajti”, ose të rifillonte transmetimi, prej ripetitorit të Dajtit, i emisioneve të RAI-t italian, i ndërprerë brutalisht në vitin 1973; me të cilat lidhej edhe një shpresë se, së shpejti, krejt Shqipëria do të mbulohej me sinjal satelitor nga TV-të e huaja.
Të tilla histori shfaqeshin gjithnjë si alternime të dy emocioneve njerëzore bazë: frikës dhe shpresës. Në thelb, sa më e fortë të ishte shpresa, aq më e fortë do të ndihej frika, çka nuk mund të mos i ndihte totalitarizmit drejtpërdrejt.
Ngjarje vërtet të rënda, si vetëvrasja e kryeministrit Mehmet Shehu, ose incidenti me bandën e Xhevdet Mustafës, shkaktuan thashethemnaja të përmasave biblike, ku ishte e pamundur të dalloje të vërtetën nga gënjeshtra dhe gënjeshtrën butaforike nga provokimi. Të tilla stuhi informacionale e vinin në krizë sistemin rutinor të qarkullimit të informacionit sipas kanaleve të mediave zyrtare ose të thashethemeve të kontrolluara nëpërmjet agjentëve të sigurimit, ose “indiskrecioneve” gjysmë-zyrtare, pak a shumë të komanduara nga lart.
Sot
Nga ana tjetër, në Shqipërinë post-totalitare ka pasur një harlisje kaq spektakolare mediash, tradicionale dhe elektronike, sa duket sikur këto ia kanë marrë krejt hapësirën thashethemit. Këtë iluzion e përforcon edhe fakti që ka gazeta, ose programe televizive, të specializuara në përcjelljen e thashethemeve për personat e konsideruar si në fokus të vëmendjes të opinionit publik.
Megjithatë, disa kushte që nxitnin qarkullimin e thashethemeve nën totalitarizëm kanë mbijetuar sot e kësaj dite: pasiguria e publikut, frika nga e nesërmja, dëshira e njerëzve për të jetuar më mirë, mosbesimi ndaj mediave, kurioziteti për të mësuar diçka më tepër për “të fuqishmit” dhe sidomos bindja e përgjithshme se shumica e punëve të rëndësishme të shtetit vendosen në prapaskenë ose larg syve të publikut vetë.
Thashethemi është gjithnjë nënprodukt i një orvatjeje të pandalshme për t’iu afruar së vërtetës të mbajtur të fshehur; sepse vetë fshehtësia, sidomos e ruajtur me fanatizëm, sugjeron rëndësi, peshë të veçantë, domethënie të posaçme. Sa kohë që ekziston sekreti, mbajtësit e sekretit kanë përparësi ndaj të tjerëve, atyre që nuk dinë asgjë, atyre që nuk janë të lejuar të dinë.
Më anë tjetër, shtypi pluralist lejon që disa thashetheme me natyrë politike, ekonomike ose policore të gjejnë rrugën deri në faqet e gazetave – histori të pavërtetueshme të korruptimit të politikanëve kryesorë, insinuata për ngatërresa në histori vrasjesh ose vjedhjesh madhështore; pa përmendur pastaj pseudo-thashethemet që kanë të bëjnë me jetën erotike të këngëtarëve, sportistëve ose – llahtarë – politikanëve.
Edhe pas 1990-ës kanë ndodhur ngjarje si vrasja e Arben Brocit më parë dhe e Azem Hajdarit më pas, ose kriza e shoqërive financiare, zbythja institucionale gjatë vitit 1997 dhe orvatja për grusht shteti në 1998, ose më në fund edhe incidenti i rëndë tani së voni në Gërdec, që janë të afta të gjenerojnë thashethemnaja me përmasa të papërballueshme nga mekanizmat e kontrollit të informacionit.
Ka edhe thashetheme të tilla, aq delikate e komprometuese, sa nuk e gjejnë dot rrugën në sipërfaqe të mediave; ose edhe kur e gjejnë, mbërrijnë atje kaq të ndotura me zhurmë, sa publiku nuk i intercepton dot, me përjashtim të publikut që e di tashmë se për çfarë të kërkojë.
Nëse mediat totalitare ishin të detyruara të ruanin një atmosferë informacionale krejtësisht të sterilizuar, këto të sotmet ia kanë hapur dyert luftës për ekzistencë midis kolonive dhe florave të ndryshme bakteriale, çka shpie, objektivisht, në të njëjtat rezultate – ritualizimin e informacionit mediatik, shndërrimin e diskursit të mediave në një diskurs për mediat, dhe në nxitjen e publikut që ta kërkojë të vërtetën me rrugë gjysmë private.
Për shembull, kur të gjithë politikanët portretizohen si të korruptuar në bazë fjalësh të mbledhura kuturu poshtë e lart ose interesash politike të hapura dhe meskine, por në mungesë përpjekjesh hetimore të pavarura dhe serioze nga ana e mediave akuzuese vetë, atëherë çdo media që vijon të flasë për korrupsionin është duke u parë, në të vërtetë, në pasqyrë.
Sa kohë që politika shqiptare do të vazhdojë t’i zhvillojë aferat e veta më të rëndësishme në mënyrë sekrete, publiku do të reagojë duke ngritur re thashethemesh të cilat qarkullojnë duke u shtyrë prej rrymash opinioni të paparashikueshme por gjithnjë kuptimplota; pa llogaritur pastaj kundër-thashethemet e hedhura në qarkullim nga organet e dizinformimit masiv.
I ftoj me këtë rast lexuesit që jetojnë në Shqipëri të ndihmojnë këtë diskutim me prurjet e tyre, për thashethemet që qarkullojnë sot atje, madje edhe ato më të pabesueshmet e grotesket.
Bath bath po një kokërr me demek.
*lexues i rregullt i këtij blogu.
përshëndetje.