Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

GOZHDA PËR ÇEKANËT

Kush merr pjesë në diskutime e debate, që nga salla hijerëndë e Parlamentit e deri në një dhomë chat adoleshentësh shqiptarë në Internet, do ta ketë ngjëruar argumentin e pozicionimit moral, edhe si marrës edhe si dhënës.

Ky argument, i cili është një lloj i invokimit të autoritetit mund të reduktohet në formulën e mëposhtme:

“Me tezat e tua, ti vë në diskutim ato parime morale të cilat na bashkojnë.”

Kjo do të thotë se argumenti i tjetrit nuk hidhet poshtë me kundërargumente, por denoncohet dhe dënohet si kundërvajtje, shkelje ose krim kundër parimeve të larta etike të cilat frymëzojnë folësin dhe, hipotetikisht, edhe të gjithë të tjerët (të krishterët, shqiptarët, të majtët, europianët, gratë e kështu me radhë).

Në praktikë, argumenti merr forma të ndryshme:

“Refuzoj të diskutoj me ty, sipas këtyre termave.”

“Nuk të lejoj ta quash diasporën fashiste.”

“Këto që thua ti, shpien ujë në mullirin e serbit/grekut.”

“Fjalët e tua fyejnë një popull të tërë/kujtimin e të gjithë atyre që ranë për atdhe/krejt malësinë.”

“Kush je ti, mor spurdhjak, që guxon të hedhësh baltë mbi figurën e Fishtës?”

“Ti të lash gojën njëqind herë, para se të zësh në gojë Qemal Stafën.”

“Si të bën zemra t’i thuash këto gjëra, në një kohë që të gjithë ne po përgatitemi për të festuar pavarësinë e Kosovës, një ditë që populli ynë e ka pritur prej shekujsh?”

“Të shkruash kështu për Nënë Terezën, është si të fyesh nënat dhe motrat tona, gratë dhe vajzat shqiptare heroike dhe të mrekullueshme.”

“Si nuk të nxihet faqja, që ngrihesh kundër popullit tënd?”

“Sa të paguajnë grekët, që i mbron këto teza?”

“Kështu me mua ka dashur të flasë MakMilani” (Hrushovi Enver Hoxhës, në një nga takimet gjatë Konferencës së 81 partive, në Moskë, në vitin 1960).

Pozicionimi etik në debatet ndodh kaq shpesh, saqë shumëkush e merr për normal dhe të rregullt; sidomos në rrethanat e debateve politike, ose kur është fjala për përplasje titanësh në mediat e në përgjithësi në publik.

Pakkush kujtohet të thotë se një pseudo-argument, që kërkon ta diskreditojë kundërshtarin duke e vënë ballë për ballë paragjykimeve popullore, tabuve, dogmave populiste, kombëtariste dhe fetare, dhe në përgjithësi të gjithë atyre tezave dhe qëndrimeve që mbahen si parimore ose themeluese për kohezionin e një grupi ose bashkësie çfarëdo, në të vërtetë nuk ka vlerë tjetër, përveçse të tregojë meskinitetin e atij që e përdor.

Muajin e shkuar të gjitha mediat u përfshinë në farsën e një debati në lidhje me kërkesën e bërë nga senati i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, për t’ia ndërruar emrin universitetit. I madh e i vogël, të larë e të palarë, të ditur e naivë u hodhën t’i tregojnë publikut se cili ishte Ismail Qemali, ose themeluesi i shtetit shqiptar ose plaku i Vlorës; me siguri ndonjë stacion televiziv në Shqipëri do të ketë shfaqur filmin “Nëntori i dytë” teksa kurora të freskëta lulesh do të jenë vënë te Monumenti i Pavarësisë në Vlorë; dhe hipokritë të të gjitha ngjyrave e të gjithë flamujve u hodhën në sulm, duke u betuar për vlerat e shenjta kombëtare dhe shenjtorët përkatës.

Mes kësaj zhurme të padurueshme, u kalua në heshtje e vetmja çështje e cila meritonte përnjimend të diskutohej – arsyeja pse kërkohej ndërrimi i emrit nga senati i universitetit, dhe sidomos nga rektori; sepse oratorët pothuajse u mbytën në shkumën kombëtariste që u gufmonte nga goja. Për një vëzhgues të çinteresuar, e gjithë kjo komedi nuk ishte veçse përpjekje e prima donna-ve të diskursit publik shqiptar për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes, duke u hequr si besnikë të kombit, njerëz të tabanit, kalorës të flamurit kuqezi, të gatshëm për të dhënë deri edhe jetën në podiumet dhe para mikrofonëve.

Pozicionimi moral e vret debatin, sepse e detyron kundërshtarin t’u përgjigjet pyetjeve kurth, të tipit:

“Çfarë të ka bërë ky popull, që kërkon ta mbash me kryet në hi?”

Denoncimi moral funksionon në atë masë që ngjall simpatinë e platesë, duke i shkaktuar një reaksion të ngjashëm me atë të maces kur i kruan bishtin. Prandaj edhe shpesh degradon në një ftesë për linçim, siç e dinte mirë edhe Enver Hoxha, i cili e përdorte rregullisht në gjyqet politike të kundërshtarëve që gjente ose sajonte periodikisht, plenum pas plenumi.

Për denoncuesit e këtij kallëpi, debati – çdo lloj debati – nuk ka për qëllim t’i qaset së vërtetës, as të ndihmojë për të gjetur mënyrën ose rrugën më të mirë për t’i dhënë zgjidhje një problemi, por vetëm e vetëm të konfirmojë atë sistem vlerash i cili ka pushtetin moral për momentin: kombëtarizmi, Kosova, adhurimi pa kushte i amerikanizmit, adhurimi i shqiptarëve të vjetër, bojatisja e imazhit të Shqipërisë në botë nëpërmjet gënjeshtrës shpesh flagrante e kështu me radhë. Këto vlera mund të jenë të mirëfillta dhe të denja për t’u përqafuar; meqë falsiteti i pozicionimit moral nuk ka të bëjë me sistemet e referimit, ose vlerat etike të cilave u referohet, por me abuzimin që u bëhet këtyre sistemeve, sa herë që thirren për t’u dhënë fund debateve që lindin dhe zhvillohen rreth çështjesh të tjera. Për shembull, një debat rreth dukshmërisë që iu dha Nënë Terezës nga ana e mediave dhe e propagandës zyrtare në Tiranë nuk ka pse të ngatërrohet me debatin tjetër, në lidhje me përkatësinë etnike të Gonxhe Bojaxhiut; një debat rreth vlerave artistike të poemës “Lahuta e Malsisë” nuk ka lidhje me luftën e egër kundër katolicizmit shqiptar të zhvilluar prej regjimit totalitar komunist; një debat rreth greqishtes që flitet në zonën e Himarës nuk ka pse t’i bashkëlidhet detyrimisht nevojës për të lëshuar invektiva kundër shovinizmit grekomadh; një debat rreth kriminalitetit të organizuar në Kosovë nuk është se e cenon as e mohon përkushtimin e pjesëmarrësve ndaj pavarësisë së atij vendi e ashtu me radhë.

Prandaj mëkati i të gjithë atyre që specializohen në argumente të tilla është i dyfishtë – sepse i shkatërrojnë debatet duke i vënë bashkëfolësit para dilemash të papranueshme; dhe sepse i banalizojnë vlerat etike me të cilat identifikohen, duke i ngatërruar në çështje praktike, që gjithsesi nuk ua rrezikojnë atyre vlerave as ekzistencën as mbisundimin.

Më kujtohet si, gjatë viteve 1980, po afrohej një përvjetor i Nolit, ndoshta njëqind vjetori i lindjes ose diçka e tillë; dhe gjasat ishin që bota kulturore në Tiranë ta përkujtonte atë personalitet të madh siç e meritonte. Papritur – nëse e mbaj mend mirë – u botua një material i Enver Hoxhës ku përmendej, ndër të tjera, fakti jo shumë i njohur se, dikur pas vitit 1939 Noli kishte bërë një përpjekje për t’u lidhur me Zogun, duke u treguar edhe i gatshëm të harronte mosmarrëveshjet e thella që kish pasur me ish mbretin shqiptar deri atëherë. Natyrisht, Hoxha shkruante se ky ishte një gabim i madh i Nolit dhe e analizonte të gjithë meselenë nga pozitat e veta; edhe pse koha se kur u publikua kjo të bënte të mendoje për një farë xhelozie ndaj Nolit, në mos nga Hoxha vetë, të paktën nga njerëzit që kishte rrotull. Pas kësaj, të gjithë megafonët që e morën fjalën në publik, për të kremtuar përvjetorin e Nolit, filluan t’i hapin e t’i mbyllin fjalimet, artikujt, kumtesat në konferencat shkencore, diskutimet në simpoziume, studimet, parashtresat, referatet, përshëndetjet dhe të tjera ligjërata me ritualin e dënimit të Nolit për kompromisin, sado të përkohshëm, që kish dashur të bënte me Zogun; dhe formula ishte pak a shumë si vijon: “edhe pse ne e nderojmë figurën e Nolit… nuk mund t’ia falim gabimin që….”. Pak nga pak, e për shkak të propagandës shurdhuese e të orkestruar mirë, kremtimi i përvjetorit të Nolit u shndërrua në një denoncim publik histerik të “gabimit” të atij personaliteti. I shkruaj këto nga kujtesa, mund ta kem gabim; prandaj ju lutem lexuesve të më ndreqin, nëse u kujtohet ndonjë gjë më tepër; edhe pse e mbaj mend mirë që kam mbetur gojëhapur para asaj farse të atëhershme, që ishte e tepruar madje edhe për propagandën totalitare, sidomos po të mbaje parasysh se, brenda teatrit të kësaj propagande, Noli ishte një figurë që gjithnjë u kishte shërbyer komunistëve.

Megjithatë, nga propaganda totalitare nuk mund të prisje ndonjë delikatesë, as respektim të rregullave të debatit e sidomos të masës në argument. Prandaj nuk mund të mos thartohesh, kur e gjen të njëjtën teknikë të zbatuar sot e kësaj dite, në kontekste të tjera, për të arritur të njëjtin efekt.

Vdiq para pak ditësh shkrimtari i madh rus Solzhenjicin, i cili pati meritën e madhe që, me artin e vet, por edhe me heroizmin e vet njerëzor, të minojë autoritetin moral të superfuqisë sovjetike në një kohë kur komunizmi ishte ende alternativë reale për botën mbarë. Kur vdesin personalitete kulturore të këtij kalibri zakonisht nuk mungojnë fjalët e mira, elozhet, kremtimet ndonjëherë të tepruara; edhe pse Sozhenjicinit, kur ishte gjallë, jo të gjithë ia kishin përshëndetur pozicionimet nacionaliste rusomadhe dhe në përgjithësi reaksionare.

Ç’ka shkruar Solzhenjicini për terrorin stalinist në Bashkimin Sovjetik e veçanërisht për kampet e përqendrimit duhej t’i shërbente si shembull e si katalizator kulturës shqiptare, për të bërë edhe ajo ndarjen me terrorin totalitar në Shqipëri; në mënyrë artistike, duke nxitur katarsisin dhe dënimin civil të kriminelëve, shumë prej të cilëve janë ende rrotull, madje edhe në krye të punëve e të oxhaqeve anembanë vendit. Leximi i veprave të këtij autori, për publikun shqiptar, do të vlente edhe si një proces pastrimi nga fajet, fajësimet dhe fantazmat e diktaturës së djeshme.

Megjithatë, kur u fol për shkrimtarin me rastin e vdekjes, pati nga ata – dhe jo pak – që shpallën se Solzhenjicinit nuk mund t’ia falnin që ishte deklaruar kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Natyrisht, argumenti është krejt pa vlerë; meqë Solzhenjicin kujtohet për impaktin e pashembullt të veprës së tij, për të cilën edhe është nderuar me çmimin Nobel, jo për qëndrimet politike në pleqëri – dhe për fat të mirë këtë e sqaroi mirë Ismail Kadareja, në një intervistë të atyre ditëve. Unë do të shtoja këtu, dhe në kontekstin e këtij shkrimi për farsën e pozicionimit moral, se ky argument pa vlerë, si edhe herë të tjera, erdhi nga njerëz që, për arsye të ndryshme, ndoshta nga naiviteti, ndoshta nga padija, ndoshta ngaqë kanë përfunduar në skllevër të atyre tre ideve që u kanë mbetur në kokë, hyjnë nëpër debate ose e hapin gojën për të folur vetëm e vetëm për të treguar se sa mirë janë konformuar me vlerat më të rëndomta, madje banale, të kulturës kombëtare sipërfaqësore; mes të cilave duhet llogaritur edhe supozimi se të gjithë shqiptarët, anembanë, janë kombëtaristë të kulluar dhe e përshëndesin ndërhyrjen e NATO-s në ndihmë të kosovarëve – pa çka se kjo nuk ka kurrfarë lidhjeje me veprën e një shkrimtari i cili u ngrit të denonconte hapur terrorin totalitar, i cili po e mbillte në atë kohë gjysmën e planetit me viktimat e veta.

4 Komente

  1. “ndoshta nga naiviteti, ndoshta nga padija, ndoshta ngaqë kanë përfunduar në skllevër të atyre tre ideve që u kanë mbetur në kokë, hyjnë nëpër debate ose e hapin gojën për të folur vetëm e vetëm për të treguar se sa mirë janë konformuar me vlerat më të rëndomta, madje banale, të kulturës kombëtare sipërfaqësore; mes të cilave duhet llogaritur edhe supozimi se të gjithë shqiptarët, anembanë, janë kombëtaristë të kulluar dhe e përshëndesin ndërhyrjen e NATO-s në ndihmë të kosovarëve – pa çka se kjo nuk ka kurrfarë lidhjeje me veprën e një shkrimtari i cili u ngrit të denonconte hapur terrorin totalitar, i cili po e mbillte në atë kohë gjysmën e planetit me viktimat e veta.”

    Xha, nuk besoj se eshte me faj cdo lloj niveli i te kuptuari dhe per rrjedhoj diskutuari, perderisa ashtu e mendojne.
    E para eshte pozitiv fakti qe dikush aktivizon te menduarit, pamvaresisht e llojit te te menduarit. E dyta vet fakti qe dikush nuk ka kuptuar thelbin e fenomenit bene qe dikush tjeter ta ket kuptuar, pra s’eshte fundi i botes. Dhe tjetra si pasoj e deshtimit te perbashket (me ata qe kuptojne edhe ata qe s’kuptojne) natyrshem vjen nje skepticizem ne shumicen e atyre qe s’kuptojne thelbin, te justifikuar, kur mendon qe shume deshtime vijne si pasoj e ideve te pa drit te atyre qe ideojne-drejtojne, pa mohuar edhe ate qe eshte shqetesimi yt ne kete shkrim; driteshkurtesia qe behet ndales ne idet per zhvillim.

    Per humor; nqs e bid dike se eszhte i pa aft, ai behet i tille. Mos eshte koha te bindemi qe jemi te afte, qe te behemi te tille?

  2. Vemendje thote:
    “E para eshte pozitiv fakti qe dikush aktivizon te menduarit, pamvaresisht e llojit te te menduarit. E dyta vet fakti qe dikush nuk ka kuptuar thelbin e fenomenit bene qe dikush tjeter ta ket kuptuar, pra s’eshte fundi i botes.”

    Ndoshta nuk eshte fundi i botes, por fundi i kazanit.
    Edhe nje pyetje; kjo “vet fakti qe dikush nuk ka kuptuar thelbin e fenomenit bene qe dikush tjeter ta ket kuptuar” cfare lloj silogjizmi eshte?

  3. Pohojme se s’kuptohemi, une mendoj se po them dicka, po ashtu edhe ti, nuk mjafton qe ti edhe pse une mendoj se je gabim, te vazhdosh te thuash po te njejten gje per mua. Dikush sheh qe ti frazen e “fundit te botes” e ironizon me ate te ” fundit te kazanit”, kjo s’eshte prove qe ti mendon, pervec se ironizon. Anshmera e vemendjes tende, them une, perndryshe, kombinuar edhe nga doza pa dije, O i ziu ujk.

    “vet fakti qe dikush nuk ka kuptuar thelbin e fenomenit bene qe dikush tjeter ta ket kuptuar”

    Njeriu flet per sa bote njeh, pamvarsisht se bota vazhdon edhe pertej njohjes se tij. Del nji tjeter njeri dhe flet se cfare s’njeh njeriu, prap pa siguruar llojshmerin e mosnjohjeve te tij. Pra na del qe diku, dikush di/njeh, ate qe njeh, per te kategorizuar mosnjohjen dhe shkallen e saj. Sic e sheh, ne shembull marr te dy skajet e njohjes dhe te mos njohjes se njeriut, dhe prap s’eshte fundi i se njejtes bote.

    Mundohen keta lloj njerzish per ta jetuar boten e tyre, ne marrdhenje, them ne postim. Thjesht bej toleranc te asaj qe s’di, se ajo qe di ka pergjegjesin per kontekstin. Dhe dija s’eshte pron njeanshmerishe, ajo cfaqet tek te gjithe llojet, grupet, individet, paperjashtim.

    ….
    Korigjim shprehjes ne postimin e pare: Per humor; nqs e bind dike se eshte i pa aft, ai behet i tille. Mos eshte koha te bindemi qe jemi te afte, qe te behemi te tille?

  4. Me duket se ti xha xha e ke kapur keq me demostrimet populiste te kombetarizmit. Une them shyqyr qe jane ato, qe te pakten e mbajne akoma mbi uje doktrinen ( kurre te formalizuar qarte) kombetare.

    Nuk mendoj se hyjnizimi i arsyes eshte mjeti i pershtatshem per te stigmatizuar ndonje pjese te spiritualitetit kolektiv. E quaj mjet te pershtatshem sepse mendoj se nuk ka demostruar eficence gjekundi, maksimumi ben per vete nje kategori te paperfillshme intelektualesh te mbrujtur me mitin iluminist. Deri me sot ka qene materializmi gradual i shoqerise, mjeti me eficent, do thoja me eficence gati stakanoviste.

    Nuk po kuptoj dicka, iluminizmi me elitizmin jane krejt te kundert, keshtu qe si arrin ti xha xha ti perputhesh ?

    Nga ana tjeter ende skam pare qarte nje raport te sinqerte me moralin, nderkohe qe me perpikmeri kantiane( banoret e koningsbergut rregullonin oret duke u bazuar tek xhiroja e perditshme e Kantit-thoshin me shpoti) shpreh dashurine ndaj racionalizmit.

    Kete teme une e shoh ne vazhden e temave ku sipas teje arsyeja duhet te triumfoje ndaj moralit, por nderkaq verehet kujdes i vecante per te bere te qarte se flitet per stigmatizim jo te moralit ne pergjithesi por te atij ‘te mykur’.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin