Ngjarja: Dritan Hoxha, themeluesi dhe presidenti i grupit mediatik privat “Top Media”, humb jetën në një aksident automobilistik në mes të kryeqytetit Tiranë.
Miti: Dritan Hoxha, një ëndërrimtar i pandalshëm, fluturues në krahët e ambicies së vet, njeriu që “me punën e tij ambicioze i dha një dimension të ri bashkëkohor teknologjisë së medias vizive në Shqipëri”. Mishërim i businessman-it shqiptar të suksesshëm, shembull frymëzimi për të gjithë ata që besojnë se diçka mund të bëhet në atë vend, përtej politikës dhe hajdutllëqeve (but I am repeating myself).
Top Media: televizioni ka përhapje të jashtëzakonshme në Shqipëri, edhe pse televizioni komercial, për mendimin tim, nuk e meriton të trajtohet si dukuri kulturore e mirëfilltë, pse i përket kategorisë së katalogëve të këpucëve, telefonatave të agjencive turistike, dhe pllakateve të birrës në autostradë; madje edhe sikur t’i hiqet krejt materiali drejtpërdrejt reklamues dhe të gjykohet për nga përmbajtja e emisioneve. Është një e keqe e nevojshme, sidomos në rrethanat e ekonomisë së tregut; një media private që mediatizon shitësit e mallit me blerësit, duke shitur para së gjithash vetveten.
Fataliteti: një veturë sportive Ferrari; një biznesmen nga më të njohurit, të admiruarit e të përfolurit; një vajzë e bukur përbri; një rrugë kryeqytetase natën; shpejtësi marramendëse, rreth 170 km në orë të paktën; një pemë që shihte punën e vet; një ligj i njohur i fizikës, që konfirmohet sërish, për fat të keq të eksperimentuesve.
Njeriu: nuk e kam njohur. Në botë vdesin rreth 155 000 vetë çdo ditë, mes të cilëve 26 500 fëmijë.
Legjenda: ngjarje të tilla, me mogulë mediash, Ferrari dhe vajza të reja në sediljen e pasagjerit (bimbo, për publikun e Top Channel-it), përplasje fatale me pemë natën, makina të mbledhura me lopatë pas aksidentit për të mos thënë asgjë për viktimat – nuk lejohet të ndodhin më në realitet; sepse i përkasin tashmë skenareve të telenovelave; madje kanë mërguar edhe që andej, për të ngritur fole në video-lojërat. Detajet e një aksidenti të tillë janë kaq tipike, sa nuk janë dot të vërteta. Aksidenti ndodh më tepër në një univers që u bindet ligjësive narrative pop të Top Mediave vetë; si për të konfirmuar se vdekja aksidentale e boss-it të tyre ishte në logjikën e botës që kërkonin t’ia shisnin dhe të modeleve që ia ofronin 24 orë në ditë publikut viktimë.
Gangsterët: nuk ka gangster shqiptar post-totalitar të mirëfilltë, që të mos ëndërrojë një vdekje të tillë, brenda një legjende të sajuar me copëza të shqyera prej legjendash të tjera; të lodhura e të përsëritura në shumë gjuhë e në miliona ekrane televizive. Rruga nga Top Media në Top Mafia po pret për lapidarin privat që t’i ngrihet buzë Lanës.
Mediat: klikimi mbi një nyjë e rastit në Internet më çoi pa dashur te një faqe ku transmetohej njoftimi i vetë Top Channel për aksidentin – për një moment m’u duk sikur kisha udhëtuar prapa në kohë, për të përjetuar makthin e vdekjeve të rëndësishme në totalitarizëm, me tonin funebër të një spikeri të balsamosur, të cilin e mbaja mend që atëherë, me po ato manierizma zëri si të kohëve kur vdisnin të pavdekshmit.
Kremtimi: siç pritej, kjo vdekje aksidentale i dha sinjalin e startit garës atletike të profkave publike.
“Zemra e Dritan Hoxhës ndaloi në mëngjes, pikërisht pak metra larg vendit, për të cilin ajo rrihte më fort, pranë studiove të Top Channel.”
“Dritan Hoxha do të mbahet mend gjatë për profilin e tij të veçantë publik, si krijues i një perandorie mediatike, e cila ndryshoi shijet e shqiptarëve dhe dha kontribut të posaçëm në liberalizimin dhe hapjen e shoqërisë shqiptare pas vitit 1990.”
“Sot vdiq një njeri nga ata që bëjnë histori. Tani i Topit arriti i vetëm për 7 vjet atë që vendeve si Shqipëria u duhen 70 vjet për të arritur. Ai jetoi me 300 km në orë dhe fluturoi larg, duke kapur ëndrrën e tij dhe duke ndezur ekranin e shekullit të ri në një Shqipëri që ende jeton pas perdes së shekullit të vjetër.”
“në një farë mënyre Dritan Hoxha është kudo, në çdo qelize të Top Medias, në çdo sekondë që ne transmetojmë në eter. Në eter aty ku tani endet edhe shpirti i personit që u njoh si Tani i Topit dhe si i tillë do të mbahet mend përgjithmonë.”
“Top Media u bë një pikë referimi për standardet e mendimit dhe fjalës së lirë, një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare, që i kalojnë kufijtë formalë të Shqipërisë. Nuk është aspak e tepruar të themi që falë kontributit të këtij njeriu, të gjithë ne, gëzojmë sot disa liri më shumë, për mbrojtjen e të cilave, shpesh herë, gazetarë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kemi qëndruar bashkë në të njëjtën llogore.”
Biznesi i një qytetari privat: s’ia kam bërë llogaritë Top Media-s, por duhet të ketë qenë mjaft fitimprurës. Shembulli i Dritan Hoxhës afarist i ardhur nga hiçi ose nga Lapraka që “e rriti si djalin e saj” (me përbërje të mirë, siç thuhej në kohën e Komisarëve), që krijoi brenda pak vitesh një kompani të tillë që të shtrihet në mënyrë kapilare në jetën e shqiptarëve e t’u japë formë e përmbajtje për mirë a për keq, meriton admirim, edhe vetëm për energjinë e shprehur, vendosmërinë dhe frymën pohuese. Mirë do të ishte që të kishim të tillë afaristë në fusha më jetike për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare, sesa televizioni komercial; por kjo nuk ia heq meritën Hoxhës, për çka kishte arritur. Të tjerë, që do ta ndjekin në fusha të tjera, nuk mund ta shpërnjohin si udhërrëfyes e model, sado simbolik.
Personazhi publik: megjithatë, publiku nënprodukt toksik i vetë Top Channel ishte kushtëzuar tashmë ta adhuronte pronarin e Top Media për bëma e dhunti të tjera – shpejtësinë, Ferrari-n, vashëzat në krah. Disa kundërshtarë politikë e përflisnin, të njëjtin hero, për mënyrat si i kishte siguruar fondet e nevojshme për të investuar në mediat, ose për të kaluarën e tij në Itali; nuk di ç’të them për këto thashetheme, por nuk mund të mos habitem kur shoh e lexoj se Dritan Hoxha admirohej edhe për veprimtaritë e paligjshme, sado të supozuara, në të kaluarën e tij; sikurse admirohej për jetën e shpenguar dhe të tjera yçkla që, përndryshe, e shumta vetëm do të toleroheshin. Suksesi ishte çelësi për shelbimin.
Shpejtësia: zakonisht, gjesti i kujt nget Ferrari-n si i marrë natën në mes të qytetit, duke vënë në rrezik jetën jo vetëm të vetën, por edhe të tjetrit që ka në krah e të kalimtarëve, mund të miratohet vetëm prej gangsterëve dhe psikopatëve; si kombinim fatlum i krenarisë arrogante, ekzibicionizmit provincial dhe paaftësisë për të parashikuar pasojat. Se çfarë e detyroi Dritan Hoxhën të përqafonte pemën buzë Lanës me makinën e vet, kjo ndoshta nuk do të merret vesh kurrë: alkooli, zënia me gruan ose të dashurën, një krizë depresive, atentati nga ndonjë prej kundërshtarëve të shumtë. Kur interpretoj dinamikën e vdekjes së tij, nuk dua të gjykoj personin vetë; por deformimin në perceptimin e të gjithë atyre që rendën ta kremtojnë atë si të ishte, njëfarësoj, domethënëse.
Mesazhe ngushëllimi: erdhën të tilla edhe nga Kosova e nga Maqedonia. Priten të vijnë edhe nga diaspora. Nuk do të çuditesha sikur nesër të ulej e të ngushëllonte edhe ndonjë top manager i Ferrari-t vetë… Konformizmi është ngjitës, nevoja për të qenë të pranishëm në mediat me çdo kusht – adiktive.
Absurditeti: gjithçka, edhe ngjarja më pikëlluese, edhe aksidenti më fatal e tronditës, shndërrohet në parodinë e vet, sapo rrëfehet me ekzagjerim dhe jashtë përpjesëtimeve; sepse ekzagjerimi e largon vëmendjen nga ngjarja vetë, për ta drejtuar drejt atyre që po e përcjellin, rrëfimtarëve, protagonistëve të jetës publike; në rastin e një vdekjeje, atyre që kanë mbetur ende gjallë e në kontroll të punëve. Për një makinë të përplasur në mes të natës, teksa udhëtonte pothuajse me shpejtësinë e parë kozmike, nuk mund të thuash shumë, përveçse të përmendësh brishtësinë e jetës, ose nevojën a imperativin për të jetuar gjithnjë sikur ta kishe vdekjen në prag të derës…
Ekspertiza ligjore: Edhe këtë e raportojnë mediat besnikërisht, duke përfshirë edhe Top Mediat:
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01. 50 minuta në Bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë, pothuajse përballë studiove të Top Channel, përballë ish ekspozita “Shqipëria Sot”. Sipas njoftimit të policisë makina Tip Ferrari ngjyrë e kuqe, me targa DK 3892 H, në pronësi të 40 vjeçarit nga Tirana ka dalë nga rruga dhe pasi ka përshkuar në një hapësirë të plotë prej 97.5 metra, është përplasur me pemën 3.1 metra, në lulishten e lumit të Lanës.
Material i bollshëm për numerologët, që ndoshta do të ndihmojnë për të ndriçuar rrethanat e ngjarjes.
Mr. Lady D.: Realiteti shqiptar i tranzicionit, edhe në aspektet e veta më aksidentale, më duket si i kopjuar keq nga një skenar i shkruar e i luajtur tashmë deri në mërzi, në vise të tjera të planetit. Nuk besoj të ketë pasur gjë të përbashkët, veç ekzibicionizmit, mes të ndjerit Dritan Hoxha dhe të famshmes Lady D.; por i njëjti skenar vdekjeje aksidentale i bashkoi, si eksponate në të njëjtin muze kukullash dylli, të heronjve publikë krijuar prej tabloidëve dhe filozofisë së tabloidëve.
Shqipëria: gjithnjë ka nevojë për njerëz me energjitë dhe kurajon profesionale të treguar nga Dritan Hoxha. Për fat të keq, reagimi i mediave më bind se një pjesë e mirë e energjive krijuese dhe e kurajos së vizionarëve të atjeshëm përfundojnë në barqet parazitare të shushunjave të politikës, përfituesve profesionistë, gangsterëve të rëndomtë dhe publikut përkatës.
Duke parë reagimet e komentuesve në rrjet, nuk e di se si paskam mundur të rroj deri më sot pa patur kënaqësinë e të parit të TopChannel-it.
S’e di se sa mund të kem humbur nga kjo mungësi në jetën time… ndoshta, vetëm hipokrizinë për të shprehur keqardhje për një vdekje banale pas atyre që shikojmë përditë (citoj Xhaxhain: Në botë vdesin rreth 155 000 vetë çdo ditë, mes të cilëve 26 500 fëmijë).
Ndoshta ngaqë jam përditë rrugëve dhe jam bërë “refrektar” ndaj vdekjeve në aksidentet automobilistikë (skenar pothuajse i përditshëm), por kur shikoj aksidente me të vdekur për shkak të shpejtësisë, alkolit e drogës, e vetmja gjë që më sjell ndërmënd një vdekje më banale është mallkimi i dikurshëm i jevgave: “Të shtyptë makina e m… komunales”
Një detaj jo pak i rëndësishëm që ju ka shpëtuar:
“…nje i ri i jashtezakonshem, i cili merrej me shpikje teknologjike per te care terrin informativ qe kishte vendosur regjimi komunist.”
Po ashtu, mësohet nga TCH se akademiku R. Qosja dërgoi që në orët e para të së premtes ngushëllimet e veta për humbjen e D.H.
Unë sapo pata një sherr me prindërit në telefon, viktima në fazën terminale të marrëzisë televizive shqiptare, të cilët në asnjë mënyrë nuk donin të pranonin faktin, se kur dikush udhëton mes përmes një qyteti me shpejtësi të paktën 170 kilometra në orë është në rastin më të mirë një i sëmurë psikik dhe në atë më të keq një kriminel dhe vrasës potencial, i cili pa përgjegjësinë minimale qytetare merr i vetëdijshëm në konsideratë faktin, se në çdo moment mund të vrasë bashkëqytetarë të tij, jeta e të cilëve në Republikën e Shqipërisë teorikisht mbrohet në mënyrë të barabartë nga ligji. Hipokrizia e shtypit shqiptar këtu nuk gjen fund, Gazeta Shqiptare te bënte për të vjellë, fliste pothuajse për një hero, madje Gazeta Shqiptare njoftonte edhe që minatorët e Bulqizës … ngushëllojnë familjen.
Çfarë cirku! Çfarë farse!
Me lejen e Xha Xhait, dot te shtoja dhe dy hallka ne zinxhirin e autopsise:
Ceremonia mortore (pjesa e parafundit e telenoveles): E denje per nje oligark
Varri (Finalja!): Germat e emrit prej floriri mbi gurin e varrit ne formen e nje Ferrari…
Ja dhe Robert Goro në “Shqip”:
Mund të pyetet nëse mass mediat janë pjesë apo ofrues të mjedisit. Megjithatë njeriu dëshiron që shqisat t’i ketë të vetat, dhe sa për Europën në Shqipëri nëpërmjet TV-së, këtë e kemi pasur që në vitin 1970, kur shihnim RAI-n.
Sipas së njëjtës logjikë, kur të vdesë nesër ndonjë boss i drogës do të thonë që ishte i vetmi që i çoi shqiptarët në botën e përtejme duke i lënë gjallë, që ta shihnin pastaj kontrastin kur t’i dobësohej drogës efekti.
Ka diçka Godard-iane shkrimi i fundit i Xha Xhai-t.
J’adore !
😉
Trajtim shumë i drejtë nga ana jote Xhaxha.
I shkruar shumë bukur artikulli.
Ditët e fundit kam lexuar shumë komente rreth mënyrës se si u përcoll lajmi në momentin e parë në TCH (pikëllimi i shprehur i gazetarit), si dhe për krahasimin e kësaj mënyre të dhënies së lajmit më atë të vdekjes së xhaxhit Enver. Në fakt, pikëllimin e shprehur të gazetarit, mund ta quaj normale, sepse Tan Hoxha për atë TV nuk ishte askushi, por ishte gjithkushi, ishte krijuesi i TCH.
Personalisht, jam prekur shumë kur dëgjova për vdekjen e tij, edhe pse nga TV-ja kam hequr dorë tash sa kohë. Kisha dëgjuar për Tan Hoxhën, por edhe ta quaj GJENI…besa…
Nuk ka si te jete ndryshe. Paligjesia e misheruar ne Tan Hoxhen i mban ata njerez me buke. Ne kete aspekt te gjithe Shqiptaret nuk jane tjeter pervec femije te Tan Hoxhes. Shqiperia eshte nusja ai eshte burri.
Sa pak kemi ndryshuar ne mendesi, sepse e kemi te veshtrire ta pranojme a te pajtohemi se ne jeten pas-komuniste ka te pasur a oligarke, ka nga ata e qe e shrytezojne lirine e krijuar.
Tan Hoxha mund te kete qene nje “hic”, por ndoshta ai priti e priti qe “dikushi” te bente dicka, e pastaj e beri vete. Arritja e tij nuk duhet mohuar.
Jam dakord me xha xhain; “se një pjesë e mirë e energjive krijuese dhe e kurajos së vizionarëve të atjeshëm përfundojnë në barqet parazitare të shushunjave të politikës, përfituesve profesionistë, gangsterëve të rëndomtë dhe publikut përkatës.”
Le të nxjerri edhe agjensia OBOBO News një deklaratë për shtyp ku të shprehi keqardhjen për ngjarjen pasi nuk ngeli asnjë institucion në Shqipëri a Kosovë pa shprehur ngushëllimet e veta (sigurisht nuk do mungonte MJAFT!).
Vë re se vëmendja kryesore e njerëzve lidhur me anën më substanciale të vdekjes së të ndjerit, pra me fatin e perandorisë së tij mediatike është fokusuar tek e ardhmja e saj. Shumë kush shpreh dyshimin, se humbja e e të ndjerit do të duhej të binte me vete automatikisht edhe humbjen e peshës së Top-Mediave në tregun informativ shqiptar, gjë që automatikisht merret në konsideratë si një humbje e tmerrshme për gjithë procesin e informimit në Shqipëri.
Mua kjo gjë më duket skandaloze, sepse në fakt liria e medieve në Shqipëri është e sanksionuar në Kushtetutën e Republikës dhe këtë liri nuk e solli gjë Tani i Topit nga Lapraka. Nga ana tjetër të ashtuquajtur „Mogulë të medieve“ nuk shquhen gjë si forca shtytëse progresive për ushtrimin intensiv e ekstensiv të të drejtës se fjalës dhe shtypit të lirë, përkundrazi, përqendrimi i medies në disa duar të pakta e dëmton herët a vonë detyrimisht cilësinë e mendimit të lirë. Në këtë kuptim i ndjeri ishte sigurisht një tregtar shumë i mirë, por që kryesisht ndiqte një qëllim të vetin ekonomik. Sot ndoshta nuk është vendi për t’u thelluar më shumë në rolin e medieve të monopolizuara e kartelizuara në procesin e shpërbërjes intelektuale të përdoruesve të tyre në mënyrë afatgjatë, por që t’i faturosh një koncerni mediesh suksesin e ushtrimit të lirë të të drejtës së një shtypi e mendimi të lirë është një injorancë vërtetë e frikshme.
Relativisht i provokuar nga histeria telenovelash e medieve shqiptare bëra sot disa telefonata me Tiranën dhe m’u desh të konstatoja, se gjendja atje ishte edhe më e rëndë se nga ç’kisha frikë unë. Siç duket Shqipëria është kaluar një moment zie kombëtare të pa shpallur zyrtarisht dhe njerëzit e telekomanduar përpara ekraneve sot bardhë e zi po e vuajnë pothuajse privatisht vdekjen aksidentale të të ndjerit. Për atë të dytën – gërdecasen e vetme të kësaj ngjarje – nuk ka humbur askush asnjë fjalë, ajo ishte siç duket qelbësira e rastit, e cila më siguri e kish patur fajin vetë që ishte gjendur atje ku ndodhi aksidenti.
Drejtimi i një automjeti me shpejtësi prej të paktën 170 km në orë në qendër banimi ka një ngjashmëri me shpërthimin e Gërdecit, ku në emër të një statusi social dhe ekonomik disa mijëra herë më të lartë së masa e zakonshme e qytetarëve mund t’i lejohet vetes çfarëdo lloj kapriçoje, pavarësisht së për shkak të saj mund të vdesin të tretë të implikuar rastësisht dhe pa fajin e tyre në ngjarje. Siç duket kjo qenka edhe Republika Demokratike që paskan shqiptarët, ku edhe të drejtat më themelore të jetës së dikujt tjetër janë në rastin më të mirë funksion i gjendjeve lunatike të të pasurve të rinj dhe në rastin më të keq të energjive të tyre kriminale.
Nëse vdekja e e të ndjerit është një fakt i një rëndësie konvencionale, show që e ndoqi atë ishte kontributi autentik shqiptar për një lloj rikornizimin e digjitalizuar të realitetit social mesjetar.
esh per te ardhur keq fakti qe analizoni ne kte form te detajuar jeten e 1 personi qe tashme nuk jeton me ..dhe qe per me teper ka ber per shqiptaret..do te ishte qesharake nqs do mohoej dhe kjo …ai dha ndihma per shum shqiptar..dhe emisioni fiks fare nuk la territor te shkret dhe te harruar nga qeveria pa vizituar …edhe nqs parat me te cilat ka ngritur TOP MEDIAN jan fituar ne 1 menyr jo plotesisht te ndershme..te pakten i shfrytezoi si te tilla…njerzit nuk e nderojn per shpejtesin me te cilen ai eci apo ke kish ne makin..e vlersojn per ate ckka ka ber per shqiptaret..ka sjell humor,informacione,ngjarje reale..te cdo shqiptar mbar boten duke i ber dhe ato te heqin mallin e shqiperis..qe askush tjeter skish marr guximin ta bente..ndryshe nga ju ai kishte IDE TE QARTA ne kok dhe nuk merrej me analizen e njerzve qe kan ikur nga kjo jet dhe Pati guximin te fliste lirshem..nqs ter ai popull e percolli ne ate menyr e beri se e ndjeu Dritanin ..jo se ja kerkoi kerkush!!!!njerez te ceket dhe te varur nga politika!!shikojini gjerat me vertikalisht..ato qe jan me te vertet per tu vlersuar!!!
Emma, nuk e kuptoj mirë se kujt po i drejtohesh pikërisht, por në qoftë se komenti yt ka të bëjë me shkrimin tim, të siguroj se unë nuk flas drejtpërdrejt për veprën e DH, cilado që të ketë qenë, por për reagimin e Shqipërisë mediatike ndaj saj; dhe se unë nuk kam asnjë arsye të spekuloj për burimin e parave me të cilat u themelua Top Channel, por kam parë që disa e kanë bërë edhe këtë, çka nuk mund ta injoroj në analizën time; dhe se, më në fund, më duket qesharake që merita për disa emisione të këtij kanali televiziv, të krijuara nga artistë shumë të talentuar që punojnë atje, t’i atribuohet tani businessman-it që ka bërë të mundur financiarisht prodhimin dhe transmetimin e tyre. Nëse nuk je këtu për të provokuar, jam i detyruar të të them se ndoshta ke hyrë, krejt gabimisht, në një forum që nuk të përshtatet. Gjëra që ndodhin; dhe është fat për të gjithë ne që ka kuvende të tjera, gjetiu në Internet, ku mund të flitet në atë nivel naiv të ndërhyrjes sate. Falemnderit.
“Kerricet e Pikelluar” (per ata qe e mbajne mend titullin e librit per femije te Astrit Bishqemit), duhet te jete titulli i i ketij karnavali kaqolesh qe i shkon pas arkivolit te D.Hoxhes. U ka vdek Baba, sa u vdiq Burri, dhe tashme, me heshtjen e Top-Channel-it po e kuptojne se jetojne se jetojne ne nje ‘rezervat natyror’ te krijuar posacerit per zbavitjen e te Medhenjve.
nuk mbetet gje tjeter pervec se te cilesohen banoret e ish-vilajetit osman te Shkodres : gjo e trashe.
kam nje vit qe kam heq dore nga tv shqiptare ne pergjithesi dhe nga TopChannel e Digitalb (me koken ulur e pranoj qe kam qene abonanent)ne vecanti si shembuj te tv Trash.
komentet e mia nuk kane te bejne me te ndjerin po me mentalitetin primitiv prej lakeu qe karakterizon stafin e tch dhe mungesen e theksuar te respektit ndaj shikuesve te saj.
Me pamje makabra e muzike funeber ka 3 dite qe edhe me optimistit i iken deshira per te pushuar.
ne nje bar rastesisht pashe qe kishin veshur me te zeza edhe pjesetaret e bigbrother.
XhaXha si i vjeter dhe i urte qe je ca emri i ve ti kesaj sjellje??
Hajdarmozi, hipokrizisë gjithnjë i mungon sensi i masës.
Një mik që punonte në Profarma, në vitet 1980, më tregonte për një specialist inxhinier italian që punonte atje dhe që, në 8 nëntor, kishte ardhur në punë i veshur shik, me kostumin më të mirë. Kur e kishin parë të tjerët me habi dhe e kishin pyetur se ç’kish bërë vaki, ky u kishte thënë, me një buzëqeshje nga ato tropikalet fare: “Abbiamo festa oggi, vero?”
“Iku me verte nje simbol i suksesit te kreativitetit dhe i organizimit ne nje vend ku nuk je i predispozuar per sukses.”
“Eshte vertet keq kur te vdesin njerez te tille, te medhenj ne ide dhe inisiativa, te tille ka nevoje Shqiperia dhe eshte fatkeqesi jo vetem ne boten e medias se lire por dhe te imazhit shume pozitiv qe vendi kishte ndermjet punes se palodhur te tij per krijimin e shtepise mediatike jo vetem me te miren ne Shqiperi por dhe ne Europe.”
“ngushellime Shqiperise qe humbi “prezencen” e fjales se lire…”
“pUNA JOTE PER FJALEN E LIRE NUK DO HARROHET KOLLAJ.”
“Iku nje ikone e biznesit, suksesit dhe fjales se lire”
“Dritan Hoxha dhe nje dore te bukur per median shqiptare duke i mesuar asaj shkallet e evropianizimit, dhe suksesin qe nuk njeh deshtim.”
“”Krijesa” e Tanit Top Media me komponentet e saj,eshte e vetmja e cila i ben Shqiptaret te ndjehen ne nje nivel me shtetet me te zhvilluara.Pa dyshim kjo eshte nje nga humbjet me te medha qe ka pasur Shqiperia keto vite.”
“Tani ishte i vetmi njeri qe i dha dicka te bukur popullit shqiptar i afroji ata ne standartet europiane.”
Këto janë komente të shkëputura nga grupi ‘Dritan Hoxha in Memory! Rest In Peace!’ hapur në Facebook. Ky eveniment totalisht konfirmoi se në Shqipëri edhe jehona e pordhës është e mediatizuar. Me anë të televizionit, Tani dhe Topi i mësuan publikut shqiptar, në mënyrë të përkryer pavloviane, si të përjetojë e përballojë ëndrrat, ankthet, dështimet dhe dashuritë e periudhes se tranzicionit – suksesi i Portokallisë ma konfirmon këtë. Por me ç’po shoh, nga reagimet e shumta ndaj kësaj ngjarjeje, si dhe asaj të Gërdecit, në Shqipëri ka varfëri emocionale. Varfëri e cila ushqehet nga një mentalitet dhe arsyetim pothuajse magjik dhe primitiv. Ç’është më e keqja, kjo varfëri buron nga mediat dhe më pas infekton masat. Televizioni i ka çarmatosur shqiptarët, duke i lënë gati gjysmakë, handikapatë e të pazhvilluar nga inteligjenca emocionale që e kërkon koha. Reagimet i marrin të gatshme nga gazetarët dhe kurrë nuk është shfaqur më qartë si funksionon kjo sesa në vdekjen e Tan Hoxhës. Që një figurë e rëndomtë publike të transformohet në ‘hero’ me përmasa mitike tregon se aparatet mediatike janë vërtet efikase. Perndryshe si mund të shpjegohen përseritjet e të njëjtave narrativa nga stafi i Top Media-s, mediat e tjera, politikanët dhe njerzit e thjeshte si Emma më sipër? Këta sikur e kanë gdhirë duke mësuar përmendsh përrallën e radhës të supermanit shqiptar që sfidoi çdo pengesë për të realizuar ëndrrën e tij. Çka është më e rëndësishme për moralin e përrallës është mundësimi që ai i bëri ëndrrës shqiptare.
Subkoshienca eshte nje ndermarrje e pa mundur te administrohet. Prodhon sinjale, imazhe reale (te jetuara ose jo) a ireale, per te cilat (m)bartesi i trurit perkates nuk mund te behet pergjegjes…
Dhe subkoshienca ime ne lidhje me kete teme, me ka bombarduar me nje imazh teper special, cuditerisht te ngjashem, teper te ngjashem, ne jete dhe ne vdekje, madje edhe ne mimike…
Hoffa…
Hoxha…
Santo o mafioso?
Ajo pjesa me KAPITALE mbi fjalën e lirë është një turp. Unë Tanin e kom pas njoh, gruan e vet e kam pas në pallat (jam lapraks) më vjen keq për humbjen, po Tani e ofronte TV e tij tek paguesi më i mirë. Dhe moralet mbi fjalën e lirë janë karagjozlliqe.
Eshte goxha interesante te lexosh sesi zilia dhe cmira ja erresojne shikimin njerezve te zakonshem dhe sesi perpiqen te tregohen cool sa here vdes ndonje njeri me emer, ngaqe i vetmi sukses qe kane pasur ne jete eshte qe kane shkruar nga nje kolone ne ndonje gazete te perditshme ne rastin me te mire.
Historikisht Shqiptaret u kane kenduar e thurur lavde kacakeve.
Binte dakord me kete edhe beu i Vlores, Ekremi.
Ketu e disa vjet më pare, Edi Rama ka shkruajtur tek “shekulli” nje nga “in memoriam”-et më prekës qe mund te me jete dhene te lexoj ne jeten time, per më tepër per nje njeri te jashtezakonshem (te mrekullueshem? te kulturuar? intelektual? unik ?- nuk di cila fjale do ishte më e pershtatshme) siç ishte arkitekt Agim Myftiu.
Jam shqyer sysh kur kam lexuar ate qe Rama i kish qendisur pardje ketij burrit te Top-it tek “Shqip”…
Ka dikush ndonje ide serioze ku ndodhet “gabimi” midis ketyre dy “in memoriam”-eve ??
tch,
nuk duket sikur këtu është duke u bërë gjë ndonjë diskutim sipërfaqsor. Pjesmarrësit në të mundohen aq sa munden të japin argumenta për çështje të rëndësishme siç është liria e mediave, monopolizimi i tyre në duart e investorëve dhe financuesve të fuqishëm, sipërfaqshmëria e opinionit publik shqiptar të manipulueshëm e të telekomanduar si dhe argumenta të tjera të ngjashmë që nuk merren edhe aq më fatin e të ndjerit, por me gjëndjen faktike të vlerave intelktuale e morale të shoqërisë shqiptare. Në këto rrethana ti ose nuk ke kuptuar dot asgjë nga këto dhe ja fut kot kur akuzon diskutuesit për zili, ose je këtu për të provokuar, dhe për këtë sigurisht që nuk ta ka gjë oreksin njeri.
Ndoshta mund të mbash dot parasysh një fakt, që pavarësisht se çfarë PAÇAVUREJE ishte dhe është programi i Topmediave përsa i përket anës përmbajtësore, ata që zakonosht shkruajnë në këtë blog ishin hapur dhe pa rezervë përkrah këtij karteli mediatik kur ky u sulmua nga ekzekutivi aktual në Shqipëri dhe u ndëshkua padrejtësisht me gjoba të rënda. Gjë që sigurisht e bënë pa e ditur që një farë Tani nga Lapraka kishte shpikur Topin.
Me gjithë momentin, që mbetet funebër, nuk munda të mos shfletoj faqen e sotme online të gazetës së habitshme “Tirana Observer”, e cila ka pranëvënë dy titujt e mëposhtëm:
1. “Top Channel” dhe gjithë Shqipëria i jep lamtumirën Dritan Hoxhës
2. Nga topi i leckës tek ai prej lëkure lope dhe derri i përzier me material sintetik
Këta tituj ose i shkruan dhe i kombinon një robot gjeni, ose ia lënë t’i hartojë ndonjë majmuni që u bie tastierave në një bodrum super-sekret, ish kantinë verërash franceze në Bllok.
Meqë po flasim për përshoqërime idesh të sugjeruara nga nënvetëdija, mua aksidenti i DH më solli në mend një aksident të gati 40 vjetëve më parë, i cili ia mori jetën një vajze të re, sikurse ia rrënoi reputacionin njërit prej politikanëve më premtues të Partisë Demokratike në SHBA – Ted Kennedy-t, vëllait të John Kennedy-t dhe të Bob Kennedy-t; pikërisht atij Kennedy që këto ditë kapi titujt e lajmeve për shkak të diagnozës që ia vunë, për kancer të trurit.
Në 18 korrik 1969, Ted Kennedy ishte i ftuar në një darkë festive në ishullin e vogël Chappaquiddick, afër Martha’s Vineyard, së bashku me të afërm e miq të tjerë dhe një grup prej gjashtë vajzash e grash që kishin shërbyer gjatë fushatës elektorale për president të vëllait të vet Robert Kennedy (të vrarë me atentat).
Sipas dëshmitarëve, Kennedy së bashku me Mary Jo Kopechne, që ishte gjithashtu mes të ftuarve, u larguan nga darka rreth orës 11:15 të mbrëmjes, me makinën e të jëmës, një Oldsmobile Delmont 88.
Kennedy rrëfeu më pas se ishte ngatërruar në errësirë dhe ishte kthyer gabimisht te një rrugë dytësore që çonte në Dike Bridge, një urë prej druri mbi një kanal, pa parmak anësor mbrojtës. Makina doli nga ura dhe ra në kanalin Poucha Pond, të fryrë për shkak të baticës. Kennedy rrëfeu se ai vetë ia arriti të çlirohej nga vetura dhe të dilte me not në breg të kanalit, por Kopechne mbeti nën ujë. Kennedy gjithashtu rrëfeu më pas se e kishte thirrur Kopechne-n me emër nga bregu disa herë, pastaj ishte përpjekur të zhytej, për të arritur veturën që kishte ngecur në fund të kanalit, e përmbysur; pastaj ishte kthyer me këmbë në vendin ku po vazhdonte darka festive.
Komentatorë të ndryshëm kanë vërejtur se, gjatë rrugës, Kennedy mund të kish marrë në telefon policinë për të kërkuar ndihmë, por nuk veproi ashtu për arsye që nuk janë sqaruar.
Sipas dëshmive të mëvonshme, disa prej darkëtarëve u kthyen pastaj te vendi i ngjarjes, së bashku me Kennedy-n, dhe u përpoqën të shpëtojnë Kopechne-n, por pa rezultat. Pas kësaj, Kennedy u tha të tjerëve: “Ju kujdesuni për gocat e tjera, se për aksidentin kujdesem unë.”
Kennedy vendosi vetë të kthehej në hotel, ku edhe e zuri gjumi, në krevat të vet, rreth orës 2 të mëngjesit.
Më pas, u zgjua andej nga ora 3 e mëngjesit, për t’iu ankuar të zotit të hotelit për zhurmën që vinte nga një festë përbri. Të nesërmen në mëngjes, Kennedy vazhdoi të mos tregonte asnjë shenjë se ish përfshirë në një aksident vdekjeprurës vetëm një natë më parë. Deri vonë atë mëngjes, Kennedy nuk kishte raportuar për aksidentin në polici, por kishte folur pa pushim nga një telefon me pagesë, duke u përpjekur të lidhej me avokatë dhe miq të ndryshëm.
Ndërkohë, dy peshkatarë e kishin pikasur veturën e përmbysur në fund të kanalit dhe kishin thirrur policinë. Policia dërgoi një zhytës në vendin e ngjarjes, i cili e zbuloi edhe trupin e Kopechne-s. Zhytësi dëshmoi më pas se trupi i Kopechne-s gjendej në një pozicion të tillë, që të linte të mendoje se vajza kishte mbijetuar për një farë kohe, duke marrë frymë në një flluskë ajri të formuar brenda në veturë. “Sikur të më kishin telefonuar 5 deri 10 minuta pas aksidentit, dhe unë të kisha arritur të zhytesha deri edhe 25 minuta pasi të kisha marrë telefonatën, vajza ka shumë të ngjarë që të kishte shpëtuar,” deklaroi zhytësi në gjyq.
Kennedy u paraqit në polici vetëm pasi vuri re që trupi i viktimës ishte zbuluar tashmë.
Pas një procesi të gjatë dhe të komplikuar, Kennedy u dënua me dy muaj burg, edhe pse dënimi pastaj u pezullua prej gjykatësit. Politikanit të madh demokrat gjithashtu iu hoq e drejta e patentës për një vit të tërë. Me iniciativën e vet, senatori u pagoi shumën prej 90,904 dollarë prindërve të viktimës Mary Jo Kopechne.
Ne nje rast ulerime eshte e pamundur te degjosh zera qe flasin e aq me teper zerat e heshtjes. Ulerima s’konkurohet ne ulerime, asaj heshtja i duket ulerim.
Eshte nji fill, e me te duan te tjerrin duar te ndryshme c’mendojne, dhe mendimet jane shume te ndryshme. Dikush vendos te kepusi fillin, dhe sa e ben ate, e saldon prap dhe rifillon tjerrjen, e po te njejtit fill.
Ai qe vdes i mbyll esapet. Ato jane te hapura per te gjallet. Te jesh gjalle dhe te kerkosh te jetosh eshte ndryshe nga, te jesh gjalle dhe te kerkosh si te vdesesh.
@TCH
Demaskimi i zilise prej perendive te Olimpit, eshte zeri me i fuqishem i mitologjise greke. Ne momentin qe TCH ka hyre tek Xhaxhai dhe ka demaskuar ziline, behet e qarte qe miti vazhdon. Zili te vdekurin TCH? Sinqerisht duhet te kete dicka te semure ne koken tende qe te mendosh se Xhaxhai, apo kushdoqofte te kete zili te vdekurin, kushdo qofte i vdekuri. Ne fund te fundit nuk tregon gje tjeter pervecse ziline tende. Dhe te keshilloj me shume perzemersi, ne qofte se deshironi qe Top Media te mbetet Top, te vazhdoni t’a ushqeni ziline ndaj yllit te shuar te Tan Hoxhes. Mund te hane koken disa te rinj te djegur adhurues te shpejtesise, por kjo nuk eshte vecse nje sakrifice legjitime ndaj eterit Olimpik te fjales se lire, apo jo?
Ah se mos harroj, per sa i perket fjales se lire. Ajo eshte ekskluzive e TCH, cdokund tjeter fjala nuk eshte e lire, por e detyruar, e skllaveruar nga zilia.
c`ti thomi tere kesaj llomoisje ketu: mendime logjike per ndjenja jo logjike, apo mendime jologjike per ndjenja logjike. e tere meseleja qendron pikerisht ketu, dhe qenkerka kasavet i madh
Stalker pyet:
“gabimi” qendron tek ai qe i ka shkruar. Une e kam njohur Agimin nga afer personalisht, si edhe, perciptaz, mardheniet e tij me Ramen. E kam lexuar “in memoriam” te Rames per Agimin, dhe i vetmi shpjegim qe mund te jepja per elozhet mund te shprehet me kete qe thote Xha Xhai me siper: hipokrizisë gjithnjë i mungon sensi i masës.
Politikanet jane kafshe qe mbijetojne duke u mbajtur fort mbas miteve.
O ujk,
po ta kesh njohur Agimin para ’90-es, i bie qe te njihemi dhe bashkë 😉
Hmmm, nje çike e thjeshte kjo (hipo)teza e (hipo)krizisë… Me duket se me se shumti ka te beje me ate qe mbetet jashte kllapave…
Stalker, sigurisht kriza dhe hipokrizia ushqejne njera tjetren.
P.S. Agimin e kam njohur si profesor dhe koleg pas 90-es.
Meqe rastisa ne Shqiperi para ca ditesh, degjova se kishte humbur jeten “bosi” i “kanalit te majes” keshtu perkthehet ne shqip. Nje person i sherbimit te hotelit, permendi se iu be varrim 100 mijesh(flasim per euro!!). Me tha edhe se ai bosi i kishte fituar “si i kishte fituar” parate, po pati merita. Te them te drejten edhe une kisha pare ca pjese vetem te portokallise, qe me kane pelqyer, nga kanali i tij. Zakonisht programet qe qemtojne politikanet ne pushtet preferohen me qejf edhe nga populli. Nuk ushqej asnje cmire per kete person qe humbi jeten ne menyre banale, per mua ai ishte nje si gjithe te tjeret bosa qe ka Shqiperia e qe bejne jete me tam-tame. Mendoj se nje njeri i ekuilibruar qe fiton me djerse e lodhje pasurine nuk joshet te tregoje se “kush eshte”. Atij vdekjen ia shkaktoi mentaliteti shqiptar si edhe te shume cunakeve te tjere me motociklete rrugeve te Tiranes. Po te ishte i pjekur mendoj se edhe me nje Mercedes te thjeshte mund te levizte neper Tirane. Rruget e Tiranes me siguri qe sjane te pershtatshme per automjete te tilla me emer Ferrari. Ne Shqiperi kam degjuar nje fjale te mencur prej me te moshuarve: “e ka prere bileten”- kupto per boten tjeter. Kete kishin thene edhe per te.
E pare ne kete prizem ky njeri “kaq i madh” nuk perben vecse nje nje prej njerezve te kapur ne Shqiperi.
Mua me teper me beri pershtypje se kanali i majes po jepte muzike funebre, punonjesit e stafit po jepnin “kujtimet”, ngrinin ne qiell meritat, te prekur thelle.
Une personalisht nga kjo nxorra konluzionin se ishin te shqetesuar per te ardhmen e tyre meqe iku Tani tani. Per kete i kuptoj, le te qajne le te vajtojne se ka lidhje me fatin e tyre. Fundi fundit kanal privat eshte, le ta qajne, e meqe paska qene kaq i madh, le te mbajne zi gjithe vitin.
Nuk di pse por kur mora vesh se Gramoz Pashko vdiq me erdhi me keq.(ai s’ishte kaq bos)
Eh, si jane keto pune.
Parrulla, ka edhe me keq! Lexo Ilir Kaninen sot ne gazeten “Shqip”:
i keni vene tere pikat mbi “i” me kete shkrim Xhaxha.ju pergezoj.nuk kam fare se çfare te shtoj.
Une as qe e kam ditur se ka egzistuar ky person i madh deri diten e lajmit te vetvrasjes. Kuptohet qe vetvrasja mu duk teper luksoze dhe egoiste (ka vrare dike tjeter gjithashtu) ne krahasim me vetvrasjet e perditshme te shqiperise me helm e me litar.
Ne sistemet politike neo-patrimoniale si ajo e Shqiperise, ku sfera politike-administrative eshte shume e lidhur me sferen private dhe klanore, elemente te tille kriminele duhen shperblyer ne nje fare menyre per besnikerine (loyalitetin) qe tregojne ndaj klienteles se tyre. Kjo eshte psikologjia e grupit dhe organizatave. Besnikeria realizohet duke i qendruar besnik jo vetem ceshtjes por edhe individive te grupit. Psikologjia e nje grupi te tille ujqerish shfaqet jo vetem ne natyren e saj te eger jashte por edhe ne dashurine dhe besnikerine qe ekziston brenda grupit. Jane anet e nje medalje. Keshtu qe mos i duket askush cudi pse gjithe ky lavderim, levdeta dhe ngritje ne piedestal te nje krimineli.
Grupi, klani, tufa e ujqerve ka nje realitet tjeter nga ai i kontextit shoqeror ne te cilen ky grup zhvillon aktivitetin e tij kriminal, politik ose cfaredolloj. Besnikeria i vlen grupit dhe jo shoqerise, madje edhe pragmatizmi ose autokratizmi nuk kane vend ne psikologjine e ketij grupit, pasi mbi te gjitha eshte besnkeria ndaj grupit qe mbizoteron cfare do lloj konvencioni qe mund te ekzistoj jashte grupit. Grupi eshte prioriteti, jo individi. Por kjo nuk do te thote qe grupi si nje njesi organike te mos sillet ne menyre pragmatike, te ndryshoj metoden e luftes (llogore ose sulm), ose te zhvilloj metoda bashkepunimi me te tjere.
Besnikeria ndaj grupit shperblehet me forma te ndryshme, kush ka para me levdata, kush do para paguhet. Por mbi te gjitha nuk jane keto shperblime (incentives) qe e shtyjne dike te qendroj dhe te integrohet ne grup (edhe pse keto e shtyjne ate te hyj ne grup), porse BESNIKERIA (Loyaliteti). Besnikeria si konstrukt perfshin shume elemente psikologjike. Si psh. pritshmerine, dmth. largon cdo pasiguri qe ka te beje me te ardhmen, siguron pra mbijetesen ne kete realitet te eger njerzor, largon friken dhe shton dashurine per specien (dmth. grupin.) Besnikeria eshte edhe elementi i kontrollit te grupit, disiplina e ketij grupit, ne te cilen shume elemente do te perfitonin pa realizuar asgje per grupin. Sidoqofte grupi i njeh elementet parazitar, madje ne nje menyre i nxit keta elemente te qendrojne ne periferi te grupit, por pa u futur ne berthamen e grupit. Keto elemente periferik nuk jane te lidhur mbas grupit, dhe besnikeria nuk eshte nje kusht per pranine e tyre rreth ketij grupi berthamor.
Si mund te realizohet ndryshe besnikeria pervec shperblimit (?), me besnikeri, dmth. me mbatjen e fjales, beses. Ky eshte elementi kryesor qe siguron mbatjen e grupit, realizimin e tij ne nje teresi organike. Premtimet per poste ose per para duhen mbajtur, perndryshe grupi shperbehet. Por ketu nuk jane shperblimet (incentives) qe e mbajne grupin, porse premtimet dhe mbatja e premtimeve per keto, pra mos te ngaterrojme efektet e ketyre elementeve qe jane shume te vecanta. Besnikeria nuk eshte nje instrument ne vetvete, por provohet me instrumente te tilla sic jane shperblimet. Pra Besnikeria eshte elementi kryesor i ketij mini-stistemi, cfare ne teorite e sistemeve do te quhej qellimi i vete sistemit (Goal). Ne sistemet neo-patrimoniale nuk eshte paraja, porse dashuria dhe besnikeria ky qellim i sistemit te organizimit, kjo eshte baza e sistemit vete. Prandaj keto sisteme jane aq te egra ne veprimtarite e tyre jashte, sa jane besnike brenda.
Instikti i grupit, dmth. besnikeria, eshte pra ajo cfare shkaktoi gjithe kete trajtim te kesaj ceshtje me superlativa dhe te ketij individi me kesi levdatash qe edhe J. Dean do ta benin te dukej si cunak i nje kopshti me dreke.