Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

KRYEVIRTYTI

Besa është një nga ato virtyte që përbën, sipas mitit shqiptarist, thelbin e të qenit shqiptar, ose burimin e të gjitha virtyteve të tjera kombëtare; aq i rrallë e unik, sa edhe fjala përkatëse të konsiderohet e papërkthyeshme.

Koncepti është, në vetvete, romantik sikurse të gjitha elementet përbërëse të mitit kombëtarist; por sikurse gjithçka tjetër romantike me të cilën mëkojmë sedrën kombëtare, e ka të vështirë të ballafaqohet me të tashmen.

Çfarë është pikërisht besa?

Megjithë përpjekjet që bëj, unë nuk arrij të dalloj veçse dy kuptime madhore të kësaj fjale: (1) Mbajtja e fjalës ose e premtimit dhe (2) procedura përkatëse në Kanun (po e lë mënjanë kuptimin disi arkaik të fesë ose të besimit fetar).

Tani, nuk ka asgjë unike në mbajtjen e fjalës e cila pranohet si virtyt anembanë botës, nga të gjitha etikat e mundshme, fetare dhe laike. Komunitetet nuk mund të funksionojnë normalisht, pa besimin e ndërsjelltë të anëtarëve tek njëri-tjetri, i cili besim parakupton, ndër të tjera, edhe besën; ose bindjen se tjetri do ta mbajë fjalën.

Nga ana tjetër, kategoria dhe procedura e besës në Kanun i përkasin një kodi shumë specifik për një zonë të caktuar dhe një mënyrë jetese të caktuar që nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët me jetën moderne; dhe që gjithsesi lidhen me mënyrën e trajtimit të mysafirit ose të mikut, dhe sidomos të atij që ka vrarë për gjak.

Besa si mbajtje e fjalës është parim etik i rëndësishëm, por jospecifik; besa si pjesë e Kanunit është procedurë specifike, por jo e rëndësishme për jetën e sotme. Nga ana tjetër, shthurja e komuniteteve shqiptare tradicionale, të paktën që nga 1945-a e këtej, lidhet drejtpërdrejt me shkeljen e fjalës së dhënë, ose nëpërkëmbjen e besës.

Brenda më pak se gjysmë shekulli, totalitarizmi arriti ta çrrënjosë edhe atë pak besë që u kish mbetur shqiptarëve nga koha e Ded Gjo Lulit dhe e Çerçiz Topullit, për ta zëvendësuar me pabesinë – si intrigë, shpifje, përgjim, spiunim, shpërnjohje, provokim, braktisje, raportim, denoncim dhe dëshmi të rreme.

Nëse ka mbijetuar ose është rikthyer besa në Shqipërinë e sotme, këtë e ka bërë kryesisht brenda familjes ose fisit, sidomos kur është fjala për tregti, sipërmarrje, kontrabandë dhe trafiqe ose allish-verishe; ose midis bashkëfajtorësh, kur është fjala për politikë ose kriminalitet të organizuar.

Të sjell një shembull konkret: huanë bankare dhe tjetërlloj.

Shumë qytetarëve shqiptarë u duhen pará, për të blerë apartamente, për të nisur një sipërmarrje, për të paguar mjekun ose avokatin, ose thjesht për të blerë viza ose arsye të ngjashme. Edhe firmat e ndryshme private, serioze ose maskuese ose fantazma, kanë nevojë për kredi që të funksionojnë normalisht. Korrupsioni, sidomos në nivelet e larta, e rëndon edhe më gjendjen, sepse njerëzit ose firmat duhet të marrin hua jo vetëm për të nisur një sipërmarrje, por edhe për të korruptuar zyrtarët përkatës, ndonjëherë me shuma marramendëse. Disa nga këto hua janë të rregullta, nëpërmjet bankave; shumë të tjera janë informale e nga burime private (loan sharks, ose miq të miqve).

Tani, termat e huas me bankën rregullohen me ligj (ose me marrëveshje të nënshkruar), por huaja që i merret një burimi të dyshimtë ose privat rregullohet me “besë”, ose me fjalën e dhënë e me një shtrëngim duarsh. Shpesh dëgjojmë në mediat për njerëz që vriten ngaqë nuk i kanë shlyer dot hua të tilla.

Ku është besa këtu? Tek ai që e shkeli pse nuk pagoi dot, apo tek ai që e respektoi, dhe ia numëroi pastaj shkelësit plumbin ballit?

Edhe disa sulme të dhunshme ndaj mjekëve kohët e fundit mund të interpretohen nëpërmjet një pervertimi të mekanizmit të besës, sa kohë që mjekët përfliten se pranojnë rregullisht shuma të mëdha pagesash nën dorë prej pacientëve (duke lidhur me ta njëfarë kontrate private).

Në të dy shembujt e sjellë, mekanizmi i besës motivon aktin kriminal; edhe pse nuk mund të fajësohet drejtpërdrejt për krimin.

Megjithatë, besa si kryevirtyt kombëtar nuk ka fare lidhje me realitetin e përditshëm, meqë habitatin e vet e gjen në fjalimet e mëdha kremtuese e në pozicionimet pompoze, si kryeklishe të cilën shpesh duam t’ua shesim të huajve bashkë me lahutat me bri dhie, zhgabën dykrenore dhe baladat me qeleshe; po aq e abuzuar sa edhe Nënë Tereza dhe Skënderbeu; njëlloj e zbrazur edhe nga kuptimi.

Ata që na përfaqësojnë publikisht – qeveritarë, pushtetarë, ambasadorë, gazetarë, publicistë, atdhetaristë vullnetarë – po e përdorin diskursin e besës për ta ekzotizuar shqiptarin deri në jetërsim; në emër të një orientalizmi të cilin e kemi zbuluar vonë, por vetëm për t’u dashuruar me të pikërisht kur po i del boja gjetiu.

Ku është pra, besa?

Sot më doli përpara, çuditërisht, në fjalimin e ambasadorit amerikan në Tiranë John L. Withers II, në një mbledhje kushtuar një ankete për korrupsionin në Shqipëri, të organizuar edhe me fonde të USAID.

Tha ambasadori, ndër të tjera:

Kushdo që e njeh popullin shqiptar, e di se [korrupsioni] është shkelje e kodit etik dhe moral të shqiptarëve.

Kultura shqiptare e vë ndershmërinë dhe integritetin mbi gjithçka tjetër. Për shqiptarët, fjala e dhënë është fjalë e mbajtur. Dhe principi i Besës [shqip në origjinal], virtyti themelor i shqiptarit, është një lidhje që nuk mund të këputet. Prandaj, […] kushdo që përsiat se korrupsioni është i natyrshëm për shqiptarët, e ka gabim; korrupsioni është shkelje e çka do të thotë të jetë shqiptar.

Fjalë të mira, fjalë prej ambasadori, por edhe prej dikujt që vërtet kërkon të ndihmojë.

Megjithatë, unë ende nuk po e kam të qartë nëse John L. Withers II po i ironizon, duke i paguar me të njëjtën monedhë, të gjithë ata që ia kanë çarë veshët, deri më sot, me “besën e shqiptarit” dhe ekzotizma të tjera kësisoj; apo nëse miklimi i papërballueshëm që u bëhet ambasadorëve të fuqive të mëdha në Timbuktunë shqiptare e ka bërë më indulgjent se ç’duhet.

Do t’i jepja të drejtë, sikur vërtet të ironizonte; sepse shoqëria shqiptare sot është shembull i gjallë i një shoqërie ku niveli i besimit të njerëzve te njëri-tjetri ka rënë në zero dhe ku fjala e dhënë nuk vlen as edhe sa kaloritë e shpenzuara për ta shqiptuar; dhe për këtë farë shthurjeje ose anomie nuk bëjmë dot me faj as grekun as serbin – por kombinimin djallëzor të fukarallëkut me grykësinë për t’u pasuruar me çdo kusht, nga njëra anë; dhe trashëgiminë etike prej 50 vjet komunizëm nga ana tjetër.

Nuk do t’i jepja të drejtë, sikur ta kish me tërë mend; sepse t’u thuash “shqiptarëve” që korrupsioni nuk është në natyrën tuaj sepse ju jeni të Besës, është t’u flasësh shqiptarëve si të jenë fëmijë, duke shpresuar se po i bën me turp. Edhe mua, kur isha gjashtë vjeç dhe më shpunë për të më hequr bajamet, më thanë: “mos qaj, se na ke dhënë fjalën që nuk do qash.” Dhe unë e mbajta besën, si shqiptar i vërtetë, dhe nuk qava.

A është e vërtetë, se kultura shqiptare “e vë ndershmërinë dhe integritetin mbi gjithçka tjetër”? Ndoshta po ndoshta jo. Cila kulturë vallë nuk e vë ndershmërinë dhe integritetin mbi gjithçka tjetër? Kultura amerikane? Kultura tibetiane? Kultura e tuaregëve? Unë kam frikë se çdo kulturë, sa kohë që konstituohet si kulturë e një komuniteti, e vë ndershmërinë dhe integritetin mbi gjithçka tjetër; por edhe ndershmëria, edhe integriteti vijnë e rrëgjohen kur njerëzve u duket vetja anës detit të palarë, anës dritës të paparë e anës sofrës të pangrënë, si shqiptarët sot. Për besë…

5 Komente

  1. “Për besë…”

    xha xha,
    per ke bese bene fjale ti, ne kete rast?!

    Per ate (rast) qe ironizon Besen, si nocion?
    apo,
    Per te pa beset, qe flasin ne emer te saj?!

    Ne rastin e beses si nocion: Referohem pas viteve dyzete te shekullit qe kaloj. Besa funksionoj, por, per “komunizmin”, ashtu si funksionoj para komunizmit, me otomanet, dhe ashtu si po funksionon edhe sot me pertej amerikaneve.

    Njeriu, bashkesia, shoqeria, me ate ngarkese kulturore qe ka, rreflekton veten, dhe kete shoh te kete bere edhe me besen Shqiptari.
    Me keq se eshte edhe keshtu si e kemi do ish nqs, besa nuk do rreflektonte nga ngarkesa e kultures se popullit tone, por thjesht, i parashikueshem ne nji kuptim te paragjykueshem per Bese.

    Mendoj se: Provincialiteti ne shekuj, izolimi, si tendenc e Shqiptareve, japin nje pershtypje se, nuk ka bese pervec per keq. Dikush i konsumuar nga izolimi, mundesite e mira qe ka, i jepet shanci t’i perdor per keq, dhe ate shohim me besen ne fjal. Por, jo se s’ka Bese. Kjo varet nga pika qe referohesh. A mund te mos kish aplikim te beses ne vitet e pas dyzetes e deri ne ato nentedhjete, pa bese? Por jo vetem me bese! Po, jame dakort. Nuk e shoh te jete ndryshe edhe me te tjeret, jashte kufirit tone. Pra, dal ne piken qe permenda me lart per izolimin; Ky izolim, i jep kujt do mundesi te xhongloj me besen ne fjale, se e dime se besa eshte per te realizuar dicka, dhe jo dickaja.
    Ne, Shqiptaret, duket te kemi Bese aq sa na tremb kur, e shikojme te mos na sherbej. Atehere ne, e kthejme ne kah te kundert, por , prap me Bese.

  2. Ndersa mua mu desh te me genjenin qe te fusnin ne sallen ku hiqeshin bajamet (pa anestezi)

    Ishte interesant se vete Withers nuk degjonte te pranonte shfajesimin shqiptar se ‘ketu i thone Shqiperi e jo Amerike, e prandaj korrupsion do te kete’. Halli eshte se, si Amerikan i mire qe eshte, Withers e moralizon problemin e korrupsionit. Duke e quajtur korrupsionin e gjithekundshem ‘imoral’ e te ‘pabese’, del qarte ku e ka fjalen Withers: Shqiptaret jane te pabese, dhe duhet te beheshin sikur ishin dikur. Me bese…vetem se atij kane harruar ti thone qe kjo puna e beses e burrnise te shqiptarit eshte si puna e ‘renies ne gjak’. Gjaksit ne pergjithesi e vrisnin njeri tjetrin PAS SHPINE.

    Me kujton nje video te bere nga fundamentalistet kristiane ne Amerike. Nje misionar kish shkuar diku ne Papua New Guinea. Kur u kthye kishte nevoje per kujdes mjekesor mendor. Vendasit i vidhnin pemen e ananasit qe e kishte si syte e ballit. Konkluzioni i tij ishte se ‘per keta te genjesh eshte mire. Te vjedhesh eshte mire’. Para ketij kodi moral ai u terhoq nga Papua me nervat e shkaterruara.

    E njejta gje u ndodhi edhe Anglezeve te SOE kur erdhen ne Shqiperi ne vitet 40te. Pershkrimet e tyre duhet te lexoje Withers…jo ato qe i thone ne Tirane.

  3. Kjo puna e Withers-it me kujton Bernard Kouchner-in qe dikur ne Kosove, ne nje konference shtypi, kur ju desh te thoshte diçka te mire per serbet, permendi “mikpritjen serbe”. Por menjehere nderhyne “disa” dhe i thane se “edhe mikpritja shqiptare eshte me famë !”.
    Fati i keq i Withers-it (per kete punen e beses) eshte se ne Shqiperi, nuk ka serbe. Jo per gje, por thjesht qe ti thonin te anasjellten e asaj qe i thane Kouchner-it e ta nxirrnin nga dehja romantiko-ballkanase…

  4. Popull i beses? Bah!!!!
    Nuk eshte ceshtja tek besa si nocion, si perceptohet, cfare percon dhe si imponohet, por tek populli. Besa ne vetvete eshte ajo qe ka qene, por per ata qe e respektojne ama. Populli, nga ana tjeter, as ka qene e as eshte, si zor te jete ne te ardhmen globale pan europiane te ciles ia kemi vene syne…
    Populli eshte nje nocion abstrakt, strukturalisht element i retorikes (se shkruar apo te folur). Shkenca politike tashme eshte e qarte se eshte e pamundur te identifikohet e gjithe bashkesia e njerzve qe banojne ne nje vend (shtet) te dhene si nje bashkesi unike, e quajtur popull. Ne vend te tij, dhe jo thjesht per lehtesi studimore, pasi ndezi “dritat”, shkenca u be e vetedijshme se kemi vecse grupe interesi, ne kuptimin politik dhe sociologjik te fjales.
    Nuk ka popull te beses, por njeri te beses.
    Besa, me thene te drejten eshte nga ato cilesi (mencuria, gjithashtu) qe individet perberes te nje shoqerie do te donin ta kishin te tyren ne cdo kohe – dhe ne kete kuptim (e vetem ne kete) ajo mund te konsiderohet si dicka e perbashket (apo qe bashkon), por shume me teper sesa cilesia per se, e perbashket eshte deshira, madje edhe kjo e fundit e ndjere ne nje gjendje siperore te njeriut.
    Ne perditshmerine tone, me gjithcka ajo nenkupton, besa (premtimi i mbajtur) eshte vecse nje konvencion i zakonshem, te ciles kur mundemi i qendrojme. Me sakte do te ishte “kur nuk mundemi, nuk i qendrojme”.
    Pragmatiste sikunder jemi (ky po, ky eshte nje tipar qe na identifikon “si popull”:)), ne na intereson qe Doruntina te vije, paj, se “kush e solli?”, “si?” dhe “pse e solli?”, le ta gjejne suplementet skandalistike te te perditshmeve skandaloze, pastaj…

  5. Në fakt e vetmja gjë që bëjnë shqiptarët të gjithë bashkë “si popull” është që flasin shqip. Kjo puna e besës është bullsh*t, madje nga ato që ende nxjerrin avull.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin