E kam përmendur edhe herë tjetër që ligjërimi totalitar dallohet për një përdorim të veçantë të modifikuesve të ndryshëm në fjali, i cili ka të bëjë zakonisht me nevojën për t’ia dhënë thënies rregullisht konotacionin gjithëpërfshirës.
Le të krahasojmë dy fjalitë e mëposhtme:
Populli i Matit u gëzua për vizitën e udhëheqësit.
I gjithë populli i Matit u gëzua për vizitën e udhëheqësit.
Roli i përemrit i gjithë, në fjalinë e dytë, nuk është aq të tregojë se vërtet nuk mbeti askush pa u gëzuar në Mat për vizitën e udhëheqësit, sesa për ta përdorur veprimin e shenjuar nga kallzuesi i fjalisë (gëzimin për vizitën), si mjet njësues ose njëtrajtësues; në kuptimin që, falë gëzimit të përbashkët për vizitën e udhëheqësit, populli i Matit konstituohet si agjenci kolektive e vullnetshme, konsistente dhe kompakte.
Njëtrajtësimi nëpërmjet operatorëve gjithëpërfshirës synon tepërinë e efektit, totalizues nëpërmjet rimarrjes, për çka na bind një fjali si e mëposhtmja:
I gjithë populli i Matit, i madh e i vogël, fshatarë e qytetarë, fusharakë e malësorë, si një trup i vetëm, u gëzuan pa masë për vizitën historike të udhëheqësit dhe shprehën njëzëri përkrahjen e tyre të palëkundur
Një nga rrugët më të thjeshta për ta realizuar efektin është me anë përemrash të tipit (i) gjithë, (i) tërë, krejt, mbarë; ose përemrave të tjerë të tipit gjithkush, cilido, gjithsecili, gjithsekush, gjithçka, çdokush etj.; ose nëpërmjet shprehjes së barasvlershme pa përjashtim:
I gjithë populli i Matit, pa përjashtim…
Analiza tradicionale do të dallonte këtu një hiperbolë; por folësi nuk ka aq për qëllim të tregojë këtu se vërtet shumë njerëz në Mat u gëzuan për vizitën, sesa të theksojë se gëzimi për vizitën u shndërrua në moment identifikues për përkatësinë në grupin kolektiv.
Një teknikë tipike për të përftuar efektin totalizues është zbërthimi i tërësisë në dy pjesë të përkundërta, dhe bashkimi i tyre a posteriori nëpërmjet lidhësës dhe (e): i madh e i vogël, fshatarë e qytetarë, vëllezër dhe motra, shokë dhe shoqe, fusharakë e malësorë, ditë e natë, mal e fushë, brenda e jashtë atdheut, komunistë e të paparti, burra e gra, nga Vermoshi në Konispol, nga jugu në veri, fund e krye, me mish e me shpirt, kokë e këmbë, të larë e të palarë, derri e dosa etj.
Kjo teknikë vepron nëpërmjet kontrastit: tërësia paraqitet në krye si e përbërë nga pjesë të ndryshme, shpesh të kundërvëna ose logjikisht të papajtueshme; të cilat megjithatë bashkohen pastaj, në një fazë të dytë, nëpërmjet lidhëzës dhe (e), çka e përforcon ndjeshëm efektin totalizues të veprimit të përshkruar nga thënia.
Subjekti kolektiv unik dhe i njëtrajtshëm përftohet edhe nëpërmjet metaforës së njësisë organike, të shprehur në mënyra të ndryshme:
si një trup i vetëm, grusht bashkuar, të gjithë së bashku, të gjithë së toku, bashkarisht, njëzëri, unanimisht, etj.
Efektet totalizuese mund të modifikojnë jo vetëm kryefjalën dhe kundrinat, por edhe kallzuesin dhe rrethanorët e ndryshëm; ose kohën, hapësirën dhe mënyrën e kryerjes së veprimit.
Hapësira, e materializuar në ligjërim me rrethanorët e vendit ose fjalitë e nënrenditura vendore, totalizohet tipikisht nëpërmjet ndajfoljesh dhe shprehjesh ndajfoljore të tipit kudo, gjithandej, gjithkund, anembanë vendit, anembanë botës, në të katër anët, në të gjitha drejtimet, pëllëmbë për pëllëmbë, mal më mal, në botën mbarë, në pesë kontinentet, në të gjitha fushat, etj.
Totalizimi modal, ose i mënyrave, nga ana e vet, nyjëtohet në pajtim me modalitetin. Një grup ndajfoljesh, të tilla si krejt, krejtësisht, tërësisht, absolutisht, katërcipërisht, totalisht, globalisht, pa përjashtim, fund e krye zakonisht tregojnë se veprimi i foljes shtrihet në krejt ekstensionin ose hapësirën logjike të kundrinës; një grup tjetër, të tilla si përfundimisht, definitivisht, në instancë të fundit, detyrimisht, domosdoshmërisht, kategorikisht, në mënyrë të pashmangshme shenjojnë më tepër domosdoshmërinë e një ngjarjeje ose veprimi, mundësisht të parashikuar prej kohësh nga doktrina (marksiste-leniniste) ose Partia vetë; një grup i tretë, si në të gjitha format, me çdo mënyrë, me hir a me pahir, si një e një bëjnë dy, pa kursyer asnjë sakrificë, pa lënë asgjë pas dore, pa lënë asgjë mangut, me çdo kusht, me çdo mjet, me mish e me shpirt, pa mëshirë, me të gjitha mënyrat, me të gjitha forcat; menjëherë, në mënyrë të menjëhershme, pa humbur kohë, kanë të bëjnë me përkushtimin total ndaj veprimit në fjalë; grupin e katërt e formojnë ndajfolje e shprehje ndajfoljore të tipit jashtë çdo dyshimi, pa (as) më të voglin dyshim, pa një pa dy, pa diskutim, të cilat totalizojnë efektin e thënies vetë, duke përjashtuar çdo objeksion, kritikë ose rezervë të mundshme.
Totalizimi kohor shprehet nëpërmjet modifikuesish, të ngjashëm për nga struktura me modifikuesit që përdoren për totalizimin hapësinor dhe modal; ose drejtpërdrejt nëpërmjet manipulimit të kallëzuesit. Si modifikues të drejtpërdrejtë përdoren mbiemra, ndajfolje e shprehje gramatikisht të barasvlershme të tilla si përherë, kurdoherë, gjithnjë, gjithmonë, përjetësisht, përgjithmonë; ditë e natë, pa pushim, paprerë, pareshtur, vazhdimisht, pa ndërprerje, pa u ndalur, pa pushuar asnjë çast të vetëm, pa mbyllur sy, deri në pikën e fundit të gjakut; i përhershëm, i përjetshëm, i pafund, në jetë të jetëve, etj.
Totalizimi nëpërmjet manipulimit të kallëzuesit është proces më i ndërmjetësuar, që konsiston në zbërthimin kohor të kallëzuesit sipas aksit e shkuar –> e tashme –> e ardhme, siç e tregon shembulli në vijim:
Partia jonë ka qenë, është dhe do të mbetet e lidhur ngushtë me popullin.
Manipulimi, në këtë rast, realizohet duke e nyjëtuar kallëzuesin në tri forma kohore të ndryshme: e kryer, e tashme dhe e ardhme. Vetë përftesa nuk përjashton përforcime të tjera stilistike:
Partia jonë gjithnjë ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet e lidhur ngushtë me popullin.
Partia ka punuar, po punon dhe do të punojë edhe në të ardhmen për edukimin komunist të masave.
Semantikisht, përftesa funksionon në mënyrë të ngjashme me atë të tipit i madh e i vogël, me mish e me shpirt, në sistemin emëror; meqë zbërthimi sintaksor i kallzuesit dhe përsëritja e foljes çojnë në një ripërkufizim totalizues të njësisë ose të unitetit të veprimit.
Efekti stilistik i triadës kohore të tipit ka qenë, është dhe do të jetë është i barasvlershëm me atë të operatorit universal i/të gjithë për sistemin emëror; dhe gjithsesi më i fuqishëm sesa i ndajfoljeve të tipit kurdoherë, gjithmonë, gjithnjë, të cilat e kërkojnë foljen në një kohë të caktuar, zakonisht të kryer ose të ardhme. Po të krahasohen thëniet e mëposhtme:
1. Partia jonë gjithnjë ka qenë e lidhur ngushtë me popullin.
2. Partia jonë gjithnjë do të mbetet e lidhur ngushtë me popullin.
3. Partia jonë ka qenë, është dhe (gjithnjë) do të mbetet e lidhur ngushtë me popullin.
Do të vihet re se përftesa në (3) ka forcë totalizuese më të madhe sesa thjesht përdorimi i rrethanorit gjithnjë në (1) dhe në (2), meqë e mbulon aksin kohor me forma foljore eksplicite.
Nga ana tjetër, kjo përftesë vlen vetëm për të treguar qëndrueshmërinë, konstancën ose pandryshueshmërinë e një politike, një veprimtarie ose një bindjeje; e cila, pikërisht duke mos ndryshuar, shërben si urë lidhëse ose njëtrajtësuese midis së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes.
Një përftesë tjetër totalizimi kohor, ka të bëjë me theksimin hiperbolik të pikënisjes ose të pikëmbërritjes së një veprimi, ngjarjeje, veprimtarie ose ndërmarrjeje:
Partia jonë, që me themelimin e saj, e ka pasur në programin e vet dhënien e tokës atij që e punon.
Shprehje ndajfoljore ose fjali të nënrenditura kohore që përdoren rëndom në këtë funksion janë që në fillim, që në krye, që në rrënjë, që me krijimin e vet, qëkur u krijua, që në hapat e para, që vezë, që në embrion, që në rrënjë, që në zanafillë, që nga dita e parë, sapo hapi sytë, që në bark të nënës, që në fillimet e para, që në fillimet e veta, me t’u krijuar, me të hyrë në fuqi, me t’u marrë vendimi, që nga momenti kur u krijua, me të mbërritur direktiva, që në mbledhjen e saj të parë, etj. për të shenjuar pikënisjen; dhe deri në fund, deri në përfundim, deri në realizimin e plotë të planit, deri në fitore, deri në fitoren përfundimtare, deri në pikën e fundit të gjakut etj., për të shenjuar pikëmbërritjen.
Qëllimi, si në një rast edhe në tjetrin, është të theksohet vijueshmëria, qëndrueshmëria, njëtrajtshmëria dhe pandryshueshmëria e vijës ose e platformës politike, ekonomike dhe ideologjike.
Edhe progresi, rritja ose transformimi ‘revolucionar’, sado që i kundërvihen logjikisht qëndrueshmërisë, permanencës, konsistencës dhe pandryshueshmërisë së parimeve, mund të totalizohen duke u cilësuar si të vazhdueshëm, të vijueshëm, të përhershëm, të pandërprerë, e kështu me radhë. Të krahasohet, për shembull:
Niveli i jetesës së masave punonjëse është rritur ndjeshëm.
Niveli i jetesës së masave punonjëse ka ardhur duke u rritur ndjeshëm.
Fjalia e parë e shenjon progresin si të ishte fakt i thjeshtë, i mëvetësishëm e pothuajse statistikor; e dyta e normalizon, ose e totalizon, duke i shtuar një element kuptimor vijueshmërie.
Efekti në fjalë realizohet me mënyra të ndryshme:
Niveli i jetesës së masave punonjëse është rritur përherë e më tepër/çdo ditë e më tepër.
Ta ngremë flamurin e fitoreve gjithnjë e më lart.
Populli ynë, i mobilizuar gjithmonë e më shumë për të arritur objektivat e planit VI pesëvjeçar…
Ja edhe një lajm i mbarë për shqipen pas-totalitare.
Ministri Pollo sot ka deklarue në Kuvendin e Shqipërisë se “së shpejti anglishtja do te jetë landë e provimit të maturës…”