Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE XXVII

Në kontekste totalitare, dhënia dhe sidomos përcjellja e urdhrit luajnë rol kyç në riprodhimin e indoktrinimit të masave me idenë se pushteti buron prej tyre dhe u takon atyre.

Komunikimi publik në këto kontekste shpesh konsiston në transmetim vertikal direktivash, udhëzimesh, orientimesh, këshillash, mësimesh dhe porosish, të cilat janë urdhra të lëshuara, në thelb, prej udhëheqësit suprem ose avatarëve të tij, e që nuk mund të vihen në diskutim as në dyshim, por vetëm të përsëriten e të rimerren nga një instancë në tjetrën, derisa të interiorizohen krejtësisht në nivelin e masave punonjëse. Edhe nga kjo pikëpamje, regjimi totalitar i ngjan modelit të vet të preferuar, ose institucionit ushtarak, i cili funksionon nëpërmjet riprodhimit dhe zbatimit mekanik të një vullneti të vetëm.

Idealisht, ky modalitet komunikimi duhej të shprehej nëpërmjet mënyrës urdhërore së foljeve, së cilës i bashkëlidhet veta e dytë njëjës dhe shumës, e ndonjëherë e treta. Mirëpo urdhërorja e foljes, e tipit “Zbatojeni planin pesëvjeçar para afatit!”, vetvetiu vendos një raport vertikal midis urdhëruesit dhe të urdhëruarit, i cili është i pandërsjelltë dhe po aq anti-demokratik sa edhe raporti midis oficerit dhe ushtarit në stërvitje ose në fushë të betejës. Për këtë arsye, në kontekste politike publike, urdhërorja zëvendësohet me forma të tjera gjuhësore, me impakt më pak traumatik.

Zëvendësimi i urdhërores është dukuri gjuhësore universale, nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me totalitarizmin, as me regjimet autoritare; por më tepër me psikologjinë e marrëdhënieve midis eprorëve dhe vartësve – në kuptimin që askush nuk dëshiron të shohë veten e sidomos të shihet prej të tjerëve i reduktuar në skajin marrës të një urdhri. Gjuha ofron një gamë të pasur mjetesh zëvendësimi, të cilat janë të specializuara sipas konteksteve:

Urdhër i drejtpërdrejtë: Hape dritaren!

Lutje: Hape dritaren, të lutem.

Pyetje: Do ta hapësh pak dritaren po deshe?

Fjalëz zbutëse: Hape pak dritaren.

Parafrazë: Sikur ta hapje një çikë dritaren?

Aluzion: Plasëm vape.

Një numër mjetesh gjuhësore specializohen për kontekste më formale, siç është ai i ligjërimit politik-autoritar:

Urdhër i drejtpërdrejtë: Arrestojeni Pashukun menjëherë!

Ndërtim me folje modale: Pashuku duhet arrestuar menjëherë.

Ndërtim me lidhore: Pashuku të arrestohet menjëherë.

Dallimet midis këtyre tri formave janë domethënëse. Urdhri i drejtpërdrejtë i ndan pjesëmarrësit në ligjërim haptazi në dy grupe: më një anë urdhërdhënësi, i cili mban përgjegjësinë e urdhrit ose shërben si burim i forcës ilokutive të ligjëratës; më anën tjetër zbatuesit e urdhrit, të cilët do të çojnë në vend vullnetin e urdhërdhënësit. Ndërtimi me folje modale (duhet), shërben për ta paraqitur urdhrin si shprehje ose pasojë e rendit të sendeve, ose e domosdoshmërisë objektive; duke ia hequr çdo nuancë arbitrariteti që kishte ndërtimi me urdhërore. Në shembullin e mësipërm, modaliteti i detyrimit e shndërron arrestimin e Pashukut në rezultat të pashmangshëm të një zinxhiri ngjarjesh paraprirëse (gabimet ose krimet e Pashukut), dhe urdhërdhënësin vetë në interpret të proceseve me natyrë objektive. Nga ana tjetër, ndërtimi me lidhore pavetore i shkëput të gjithë aktorët nga kontakti me procesin ose aktin e arrestimit, duke e përforcuar më tej natyrën objektive të procesit. Në të vërtetë, ndërtimi me lidhore mund të analizohet si një version eliptik i ndërtimit modal me foljen duhet, ose si një version ku folja duhet nënkuptohet.

Ligjërimi totalitar duket të parapëlqejë ndërtimet eliptike me lidhore, sidomos në kontekste propagandistike dhe formale; sepse ashtu largohet nga ligjërata edhe forma e fundit eksplicite e hierarkisë midis autoritetit dhe subjekteve zbatuese të vullnetit autoritar: folja duhet. Edhe pse folja vetë është e natyrës pavetore, meqë e shenjon domosdoshmërinë si të pavarur nga pjesëmarrësit në ligjërim, megjithatë vetëkuptohet se kjo domosdoshmëri përcaktohet nga personi ose entiteti ligjërimor që e prodhon thënien (personi që flet, ose subjekti i thëniezimit). Nëse unë them “Duhet hapur dritarja”, në rrethana interpretative normale është pak a shumë e qartë se çka dua të them është “Hape dritaren”, por për arsye të ndryshme parapëlqej ta maskoj vullnetin tim prapa modalitetit të detyrimit ose të domosdoshmërisë, thuase se nevoja për të hapur dritaren buron nga kushtet objektive të temperaturës në dhomë ose nga ndonjë marrëveshje paraprake për ta hapur dritaren, kur përmbushen kushte të caktuara.

Maskimin e urdhrave pas formash ligjërimore të zhdrejta mund ta quajmë edhe një formë të taktit totalitar. Si edhe në kontekste të tjera autoritare, qëllimi i ligjëruesve është të zbutin efektin traumatik të raporteve vertikale që përftohen sa herë që njëra palë urdhëron palën tjetër për të kryer diçka; si dhe efektin traumatik që ka urdhri mbi ligjërimin vetë, sa kohë që shenjon, sado tërthorazi, edhe nevojën për ta ndërprerë ligjërimin dhe për të vazhduar me veprimin e urdhëruar.

Brenda formave urdhërore të zhdrejta, ndërtimet me foljen modale duhet (dhe folje ose forma të tjera të ngjashme) janë funksionalisht të barasvlershme me ndërtimet me lidhore lakuriqe; edhe pse këto të fundit janë stilistikisht më të përkulshme dhe synojnë një efekt pothuajse hipnotik ndaj publikut. Ky efekt hipnotik, i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me zbutjen ose mjegullimin e dallimit midis subjektit dhe objektit të urdhrit ose urdhërdhënësit dhe urdhërzbatuesit, shfaqet sidomos në ato kontekste ligjërimore ku nuk është lehtë të identifikohet subjekti i thëniezimit, ose kush e ka prodhuar thënien.

Le të ndalemi një çast në analizën e thënies së mëposhtme:

T’u qepemi kodrave dhe maleve e t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat.

Është këtu fjala për një direktivë të njohur politike të regjimit, e cila urdhëron për shtim të sipërfaqes së tokës bujqësore në Shqipëri nëpërmjet shpyllëzimit masiv të kodrave dhe viseve malore.

Këtë direktivë e shihje rëndom të shkruar në vende publike – fasada ndërtesash, banderola e parrulla, pankarta etj. Specifika e formulave të tilla varet nga veta e parë shumës e lidhoreve t’u qepemi dhe t’i bëjmë; sepse veta e parë shumës i jep përgjigje të menjëhershme pyetjes se kush po flet pikërisht tek parrulla, duke përfshirë në një grup të përbashkët autoritetin urdhërues (Partinë) dhe subjektin zbatues (publikun ose masat punonjëse). Urdhrin e japim ne dhe e zbatojmë përsëri ne; pushteti buron nga populli dhe i takon popullit; urdhëruesi është pjesë e grupit të urdhëruar; autoritarizmi totalitar kamuflohet i tëri duke u interiorizuar në vetëdijën e konsumatorit të parrullës.

Format në lidhore në vetë të parë shumës, të përdorura në këto kontekste e me këto funksione, do t’i quaja lidhore mobilizuese. Shembuj të tjerë:

Të zbatojmë direktivat e Kongresit VII të PPSH

Të dalim me një deklaratë në mbështetje të rezolutës së mbledhjes

Ta realizojmë Planin IV Pesëvjeçar para afatit

Të çojmë në masat punonjëse frymën revolucionare

Ta bëjmë ushtrinë popullore një shkollë të madhe revolucionare, politike dhe ushtarake

Ta gjallërojmë më tej organizatën e Frontit Demokratik

Të vëmë në jetë vendimet e Plenumit IV të KQ.

Dallimi i këtyre formave nga lidhoret e vetës së tretë, ose lidhoret pavetore, ka të bëjë me distancën midis subjektit të thëniezimit (atij që flet, ose që jep urdhrin) dhe zbatuesit të urdhrit. Në përgjithësi, veta e tretë dhe pavetorja shenjojnë një dëshirë, sado instinktive, të subjektit folës për të mos u identifikuar shumë ose kryesisht me urdhrin:

Të merren masa të menjëhershme

Të gjenden shkaqet e disfatës

Fajtorët të nxirren përpara gjyqit të popullit

[Dhashë urdhër që] ky material të hiqet menjëherë nga qarkullimi

Armiku Hivzi Subashi t’u jepet organeve të drejtësisë

Armikut Llambi Teneqexhi t’i hiqet triska e Frontit

Fiqiriu të bëjë autokritikë të thellë para kolektivit

Masat të edukohen me frymë të partishme

Kuadri bujqësor në bazë të përgatitet për stinën e të korrave

[Propozoj që] shokut Dhimo t’i jepet edhe një herë dora

Sovjetikëve t’u jepet përgjigjja që meritojnë

Të mos lejohen këta njerëz të hyjnë e të dalin në territorin e bazës

Në disa prej këtyre shembujve, forma në vetën e tretë nuk mund të zëvendësohet nga forma në vetën e parë pa ia ndryshuar kuptimin thënies.

Të krahasohet:

Armikut Llambi Teneqexhi t’i hiqet triska e Frontit

Armikut Llambi Teneqexhi t’ia heqim triskën e Frontit

Masa ndëshkimore, në thënien e parë, paraqitet si rezultat i veprimit të një mekanizmi pothuajse automatik dhe burokratik, ose efekt i zbatimit pavetor të një rregulle administrative; në thënien e dytë, përkundrazi, e njëjta masë është produkt i vullnetit të një grupi, me të cilin identifikohet ngushtësisht autoriteti që propozon ndëshkimin në fjalë.

Ka interes të shihet edhe se si identifikohet subjekti i thëniezimit gjatë këtyre formave të zhdrejta të urdhërores.

Veta e parë shumës zakonisht nënkupton një thënie të prodhuar nga një subjekt kolektiv – i cili zakonisht përkon me masat punonjëse:

Të mësojmë nga shembulli i të përparuarve

Këtu askush prej lexuesve të thënies – që mund të jetë titull i një kryeartikulli të “Zërit të Popullit” ose një parrullë e shkruar me shkonja të mëdha në këndin e kuq të ndërmarrjes – nuk mbetet jashtë grupit i cili njëkohësisht urdhëron dhe e zbaton vetë të njëjtin urdhër. Veta e parë shumës është gjithëpërfshirëse; deri në atë shkallë sa nëpërmjet përdorimit të formave të tilla të riprodhohet edhe subjekti kolektiv në ligjërimin publik dhe në krejt marrëdhëniet e regjimit totalitar me qytetarët. Qëllimi në këtë rast është që vullneti autoritar të mos perceptohet si i imponuar nga jashtë, por si vullnet i përftuar së brendshmi, ose produkt i vetvetishëm i vullnetit kolektiv të masave punonjëse.

Përkundrazi, në thënien:

Armikut Llambi Teneqexhi t’i hiqet triska e Frontit

Urdhri vërtet mund të lëshohet ‘në emër të popullit’, por zbatimi i tij u mbetet organeve të diktaturës; çka mund të kuptohet edhe sikur subjekti i thëniezimit vetëm sa shpreh, ose kanalizon, vullnetin pavetor të ‘shtetit të proletarëve’ ose të një tjetër institucioni ose organizate mbi-individuale.

Në mënyrë të ngjashme përdoret edhe e ashtuquajtura lidhore lejuese, ndonjëherë e paraprirë nga pjesëza modale le:

(Le) të vendosë populli

Rezoluta t’i paraqitet plenumit për miratim

T’i propozohet Kuvendit Popullor

Këto dy muaj shoku Sheremedin (le) të shplodhet pak

Edhe në këtë rast, vullneti autoritar aktiv maskohet prapa një autorizimi të thjeshtë e ndonjëherë pavetor që diçka të kryhet ose të ndërmerret. Në thënien ‘Rezoluta t’i paraqitet plenumit për miratim’ nuk është e qartë as kush po e autorizon këtë pikërisht, as kush do t’ia paraqitë rezolutën plenumit; të gjitha këto veprime paravendohen si të përcaktuara me ligj, procedurë ose protokoll, ndërsa vullneti i subjektit të thëniezimit, ose autoritetit suprem, trupëzohet si katalizator procesesh reale ose objektive.

4 Komente

  1. ”Zëvendësimi i urdhërores është dukuri gjuhësore universale, nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me totalitarizmin, as me regjimet autoritare; por më tepër me psikologjinë e marrëdhënieve midis eprorëve dhe vartësve – në kuptimin që askush nuk dëshiron të shohë veten e sidomos të shihet prej të tjerëve i reduktuar në skajin marrës të një urdhri.”

    Është një farë eufemizmi zëvëndësimi i urdhërores?

  2. T., ka mundësi të ma sqarosh pak më mirë pyetjen? (edhe vetë pyetja ime këtu është një parafrazim i urdhërores ‘ma sqaro’).

  3. Është zëvëndësimi i urdhërores një mënyrë për të fshehur intetionem lectoris sidomos sot që mbizotëron në gjuhë, kryesisht në botën anglo-saksone, parimi i të qënit ”political correct”?

    Nuk do të ndruhet një i bardhë në ShBA për shëmbull të thotë një zezaku “Mbyll dritaren!”? A do ta kishte më lehtë të thoshte “Të lutem, mbylle pak dritaren.”. Në këtë mënyrë mund të arrijë synimin e vet (le të supozojmë se synimi ka qënë diskriminimi i zezakëve) pasi ka përdorur një formë shprehjeje që në rrethana të tjera nuk do ta përdorte.

  4. T., po të flasim për zezakë e të bardhë sot në SHBA, skenari më me gjasë do të ishte që i bardhi t’i thoshte të ziut:
    Would you be so kind as to let me close that window?
    ose:
    Would it bother you too much if I closed that window?
    Nga ana tjetër, kur flisja për raportet e urdhërores me lidhoren e kisha fjalën më tepër për një prirje të përgjithshme të gjuhës për t’i diferencuar këto dy mënyra foljore sipas kontekstit jogjuhësor (marrëdhënieve mes folësve, formale ose informale qofshin). Lidhorja ka edhe vetinë që shton një konotacion detyrimi ose shtrëngimi ose domosdoshmërie që urdhërorja vetë nuk e ka. Khs, babai të birit:
    Shko kërkoji mamit të falur!
    Të shkosh t’i kërkosh mamit të falur menjëherë!
    Një tjetër avantazh i lidhores urdhërore është mundësia për ta përdorur në vetën e tretë:
    (Thuaj atij rrugaçit) Të shkojë t’i kërkojë të falur mësuesit menjëherë!
    Kjo vjen e ngatërrohet pastaj edhe me dëshiroren:
    Khs:
    Rroftë NATO-ja! me
    Të rrojë NATO-ja!
    Lidhorja është gjithnjë më e butë, më pak agresive. Prandaj, bie fjala, do të përdoret rregullisht në formulën e ngushëllimit për vdekje:
    Të rroni vetë!
    (e barasvlershmja Rrofshi vetë! nuk përdoret).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin