Një mjek italian, kirurg në spitalin “San Luca” të Vallo della Lucania, ka paraqitur një padi pranë Prokurorit të Salernos, me anë të së cilës i kërkon komunës së Capaccio-s ku banon, krahinës së Campanias dhe shtetit italian një dëmshpërblim prej 2 milion eurosh, “për shkak të vuajtjes së theksuar, rrëmujës dhe degradimit” ku shtrëngohet të jetojë. “Italianët janë të paqytetëruar,” thotë mjeku 49-vjeçar Vincenzo Barlotti në padinë e vet. Dëmshpërblimi shumëmilionësh do t’i shërbejë për të nisur një jetë të re, për veten dhe familjen, në një vend tjetër, ku jetohet në një mënyrë të tillë që përkon me vizionin e tij për shoqërinë.
“Ndjenja e qytetarisë në vendin tonë tanimë ka prekur minimumin historik,” shpjegon Barlotti. “Padia ime është provokim, por deri në një farë pike. Ngjarjet e kohëve të fundit, që nga gjendja e jashtëzakonshme me plehrat në Napoli e plot të tjera, janë vetëm simptoma e një mungese qytetarie aq të përhapur, saqë nuk tolerohet dot më. Në Itali ekziston një mungesë edukate atavike, e favorizuar nga toleranca, permisivizmi, në mos nga hipokrizia e mirëfilltë. Shpresoj me gjithë shpirt që gjërat të ndryshojnë, por mbetem pesimist.” Për këtë arsye, Barlotti mendon se e vetmja zgjidhje e praktikueshme në nivel individual është të ikësh nga Italia. “Dy milion euro janë pak,” shpjegon mjeku italian. “Nuk kam fjalë për të përshkruar se çfarë kam hequr këto vjet, edhe pse kam punuar gjithnjë me përkushtim, pasion dhe ndershmëri.”
Ndonëse nuk është nga ata të OBOBO NEWS, lajmi i mësipërm më tingëllon absurd në përmbajtje, por shpresëdhënës për nga etika e gjestit të një qytetari të thjeshtë, i cili edhe pse i përket një shtrese relativisht të privilegjiuar si ajo e mjekëve kirurgë, në një vend të bekuar si Italia, përsëri i gjen forcat dhe motivimin për t’u ngritur në revoltë kundër rrugaçërisë, maskarallëkut, mungesës së qytetarisë dhe indiferencës së maskuar si tolerancë, ose permisivizëm. Jam i sigurt se Barlotti vetë fiton aq pará, me punë të ndershme e të pastër, për t’u llogaritur ndër ata italianë që jetojnë mirë, i kanë të gjitha komoditetet, duke filluar nga hapësira e bollshme e banimit, ushqimi i zgjedhur, mundësia për të ndjekur shkollat më të mira të Italisë, për të gjetur punë kudo në Europë e për të kaluar pushimet në vendet më ekskluzive të planetit; në një vend si Italia ku po të hapësh një gropë nuk nxjerr dhé, por kulturë. Megjithatë, Barlotti është i sinqertë në sëkëlldinë e vet qytetare; sepse nuk mund ta ndërtojë mirëqenien e vet dhe të familjes në një shoqëri të sëmurë, të zbërthyer dhe të korruptuar.
Provokim vërtet, por sa domethënës për të gjithë ne – që nuk kemi fatin të jetojmë në Itali. Barlotti i drejtohet shtetit italian, duke e vënë para përgjegjësisë pse ka lejuar që shoqëria civile atje të degradojë deri në atë shkallë ku një njeri si Barlotti, i cili kërkon të mbetet i ndershëm dhe qytetar i denjë i republikës së vet, e ka të pamundur të ruajë veten dhe të afërmit e tij nga pisllëku, rrëgjimi moral dhe pehlivanllëku i bashkëqytetarëve të vet. Në kushtet kur shteti, me institucionet e veta ekskluzive, nuk është në gjendje të ruajë rolin e rregullatorit ose të katalizatorit etik të jetës publike, komunitetet vijnë e nivelohen nga poshtë, ose i nënshtrohen ligjit të më të fortit, të më të pamëshirshmit, të më të paskrupulltit e më të dhunshmit. Gjesti i Barlotti-t, sado simbolik, na kujton se për qytetarin është e pamundur të ndërtojë një jetë dinjitoze, në një kontekst të maskarallëkut publik.
Shpresa e vërtetë për Italinë është se atij vendi i kanë mbetur akoma njerëz me guxim qytetar dhe ndjenjë shoqërore si Barlotti, të cilët revoltohen dhe veprojnë në emër të interesit të përgjithshëm, madje edhe atëherë kur revolta e tyre merr trajtat, paradoksale, të një kërkese vetjake për zhdëmtime, ose të shprehjes publike të dëshirës për t’u larguar nga komuniteti. Një nga dështimet më të mëdha të periudhës post-totalitare në Shqipëri, përkundrazi, ka të bëjë drejtpërdrejt me pamundësinë e shumë shtetasve të atjeshëm (nuk dua t’i quaj qytetarë sepse nuk e meritojnë) për të kuptuar se në një vend të qytetëruar kufiri midis privates dhe publikes është konvencional, dhe se mirëqenia private nuk mund të realizohet mirëfilli në rrethanat e mjerimit publik, të kaosit dhe të anomisë. Ta vësh para përgjegjësisë shtetin e sotëm shqiptar për gjendjen e degraduar të jetës qytetare të atjeshme, rendjen pas interesave private, shfrytëzimin e karrierës publike për t’u pasuruar materialisht, korrupsionin dhe shkatërrimin e trishtuar të mjedisit kërkon, para së gjithash, një vetëdijë qytetare e cila është e para viktimë e indiferencës së institucioneve.
Ahhh…. Sa keq qe shqiptaret nuk i njohin te drejtat e tyre..
Ne vete jemi injorantet me te medhenj persa i perket juridikut, biles dhe universitetet e juridikurqe jane bere si kerpudha nuk po nxjerrin gje ne vije!!!
Ne kemi shtetin ideal per te paditur, e kishim te tille, e kemi te tille, dhe nuk e di akoma per sa kohe do e kemi te tille!
Kjo më kujton çiftin napolitan që para disa muajsh i kërkoi Zvicrës… azil (plehëror?), për shkak të plehrave që ia kishin bërë të pamundur një jetë të shëndetshme në vendin e origjinës! Një kërkesë simbolike, meqenëse qytetarët e BE-së kanë të drejta të barabartë me Zvicerianët për sa i përket punësimit dhe banimit në Zvicër, por megjithatë, thuhet se përveç mediatizimit, çifti përfitoi edhe nga “solidariteti” i ndihmës sociale përgjatë kohës që do të ishte duke kërkuar punë…
Pyes veten se me cilat këmbë do të më prisnin sikur unë të kërkoja azil energjetik, intelektual, olfaktiv, auditif, ekonomik, psiqik, shpirtëror, informatik, ujor, pyjor, postar, spitalor, zgjedhor, … (lista vazhdon)?
…”Pyes veten se me cilat këmbë do të më prisnin sikur unë të kërkoja azil energjetik, intelektual, olfaktiv, auditif, ekonomik, psiqik, shpirtëror, informatik, ujor, pyjor, postar, spitalor, zgjedhor, … (lista vazhdon)?…”
Hem. Cfare nuk te vret te ben me te forte… thote (klisheja) 🙂