Ç’të bësh kur të hedhin në fytyrë akuza të pabesueshme, groteske, por megjithatë të tilla që të njollosin dinjitetin, të shkatërrojnë imazhin ose të rrënojnë reputacionin?
Këtë pyetje i bëja vetes kur lexoja një artikull të B92, ku thuhet, ndër të tjera, se një Shqipëri paskan ekzistuar, gjatë vitit 1999, klinika klandestine për t’u vjelë organe serbëve të kapur prej UÇK-së. Artikulli i referohet librit “Gjahu” të kryeprokurores së Hagës Carla del Ponte, i cili do të botohet në Itali më 3 prill të këtij viti, dhe ku autorja përmend disa informata që i kanë mbërritur zyrës së saj, sipas të cilave në verë të vitit 1999 rreth 300 serbë dhe të tjerë joshqiptarë të Kosovës janë çuar në Shqipëri të Veriut ku janë mbajtur fillimisht në kampe refugjatësh në Kukës dhe në Tropojë, për t’u çuar pastaj diku në afërsi të Burrelit, ku u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për t’ua marrë organet, para se të asgjësoheshin.
Artikulli citon edhe pjesë, pas gjase, nga libri ende i pabotuar i Del Ponte-s:
Një grup [serbësh] u vendosën në kapanone prapa një shtëpie të verdhë […] Një dhomë e asaj shtëpie shërbente si sallë operacioni, ku mjekët nxirrnin organet prej viktimave.
Më pas organet […] dërgoheshin jashtë Shqipërisë, nëpërmjet aeroportit të Rinasit […]
E përditshmja Večerenje Novosti përmend hollësi të tjera nga libri, ku thuhet se hetuesit nga Haga dhe të UNMIK-ut, së bashku me një numër gazetarësh dhe të shoqëruar nga një prokuror shqiptar, e vizituan shtëpinë e verdhë në vitin 2003.
”Shtëpia ishte lyer me bojë të bardhë tanimë,” shkruan Del Ponte. “Megjithëse hetuesit zbuluan gjurmë të një boje të verdhë, i zoti na tha se shtëpia nuk ishte rilyer ndonjëherë.”
Në afërsi të shtëpisë hetuesit gjetën copa garzash, shiringa të përdorura, dy qese plastike me solucion IV të “gurëzuara në baltë”, shishe barnash të zbrazëta, mes të cilave edhe relaksues muskularë, që përdoren gjatë ndërhyrjesh kirurgjikale.
Brenda në shtëpi ekspertët mjeko-ligjorë zbuluan gjurmë gjaku në muret dhe në dyshemenë e njërës prej dhomave […].
“Pronari i shtëpisë u dha një varg shpjegimesh hetuesve, në lidhje me origjinën e gjurmëve të gjakut. Në krye, u tha se e shoqja kish lindur një fëmijë në atë dhomë, shumë vite më parë. Më pas, kur e shoqja deklaroi se fëmijët i kishin lindur gjetiu, tha se familja e kish përdorur dhomën për të therur bagëti, me raste festash fetare myslimane,” shkruan Del Ponte.
Sa për prokurorin shqiptar që shoqëronte grupin hetimor, ky filloi të mburrej se kishte kushërinj që ishin anëtarë të UÇK-së.
“Këtu nuk ka varre serbësh,” tha zyrtari shqiptar. “Por nëse kanë sjellë serbë prej kufirit të Kosovës dhe i kanë vrarë, mirë kanë bërë.”
[…] Del Ponte shkruan se hetuesve iu desh të hiqnin dorë nga kjo çështje, sepse e kishin “të pamundur” të vazhdonin.
Reaksioni i parë, epidermik, ndaj akuzash të tilla është t’i mohosh si të pavërteta; produkte të propagandës serbomadhe të cilën vetë B92 e mishëron për bukuri, e që kanë për synim të kundërshtojnë disi imazhin e shkalafitur të Serbisë pas luftrave etnike në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990 dhe njëkohësisht për të dëmtuar reputacionin e shqiptarëve si viktimave të politikave serbomadhe gjatë asaj periudhe, si dhe gjatë krejt shekullit XX.
Mirëpo si të veprosh kur akuzat janë kaq të përgjithshme, saqë të mos jetë e qartë se kush duhet t’i mohojë?
Nëse akuzat bëhen kundër “shqiptarëve” në përgjithësi, vallë i takon një shqiptari cilido të ngrejë zërin e të bëjë be e rrufe për t’i mohuar?
Ky duket të jetë qëndrimi naiv që kanë zgjedhur të mbajnë shumica prej nesh, sidomos të ballafaquar me provokime sado banale, e sado trashamane si ky i mësipërmi. Mirëpo përhapësit e lajmeve të tilla synojnë të ngjallin pikërisht reaksione të tilla, të cilat si rregull veprojnë në favor të akuzës, sidomos në sy palësh të treta, pa interesa për të mbrojtur në konflikt.
A kanë kryer krime të tilla masive shqiptarët ndaj serbëve në Kosovë?
Përgjigjja e vetme në këto raste duhej të ishte: drejtohuni, ju lutem, organeve kompetente – gjyqit të Hagës, OKB-së, Parlamentit Europian; të cilat i kanë mjetet për të kryer hetime të pavarura.
Po të dëshironi e të keni besim, mund t’u drejtoheni edhe organeve shqiptare të drejtësisë, ose OJQ-ve të shumta që veprojnë në Tiranë.
Unë si lexues i rastit i faqeve të B92 nuk jam në gjendje të them asgjë më tepër sesa që unë vetë nuk kam marrë pjesë në masakra të tilla. Nëse më jepet kohë dhe hapësirë të mjaftueshme, mund edhe të shtoj se akuza të tilla më duken pasqyrim kokëposhtë i akuzave të njohura e tashmë të provuara, ndaj bandave nacionaliste serbe në Bosnje, në Kroaci, dhe në Kosovë.
Megjithatë, është e drejtë e familiarëve të atyre serbëve të Kosovës që janë zhdukur të kërkojnë të marrin vesh fatin e të afërmve të tyre; sikurse është e drejtë e familiarëve të atyre shqiptarëve të Kosovës që janë zhdukur që, edhe ata, të kërkojnë të marrin vesh fatin e të afërmve të tyre.
Vendet e qytetëruara këto çështje i zgjidhin duke iu drejtuar institucioneve të paanshme; jo duke lehur në sokakët e mediave e duke u ndezur gjakrat palëve përkatëse.
Duke lexuar komentet që pasojnë shkrimin e B92, më tërhoqi vëmendjen edhe mënyra si e kishin kundërshtuar atë shkrim bashkatdhetarë të mi, të cilët akuzën që u bëhet shqiptarëve për spastrim etnik e përjetojnë si fyerje të drejtpërdrejtë e personale; sikurse e konsiderojnë detyrë të tyren patriotike që këtë akuzë ta kundërshtojnë në mënyrë emocionale.
Nëse ndonjë prej këtyre shqiptarëve ka humbur njerëz të vetët gjatë konfliktit në Kosovë, mund ta kuptoj zemëratën e tyre përballë të gjithë atyre që tanimë po thyhen më dysh për serbët e Kosovës, të cilët kurrë nuk kanë qenë, as janë aq të kërcënuar sa ç’kanë qenë shqiptarët e atjeshëm përballë çizmes, padronizimit etnik dhe përbuzjes serbomadhe.
Mund ta kuptoj dhe të ndiej simpati për ta.
Çka nuk kuptoj, është naiviteti me të cilin i qasen këta kolegë debateve në mediat.
E përsërit pyetjen: a mund të kenë kryer grupe të caktuara shqiptarësh krime si ato që përsiat artikulli i B92?
Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh me një JO të prerë; sepse përgjigjen duhet ta japë grupi ose personat që akuzohen, jo një shqiptar çfarëdo. Nuk ka asgjë në karakteristikat kombëtare të shqiptarit, ose të kujtdo tjetër, që ta përjashtojë në mënyrë absolute mundësinë e krimeve të tilla.
Situata më sjell në mendje akuzën që ia bënte administrata Bush Irakut të Saddam Hussein-it, për armët e shkatërrimit në masë. U tha atëherë, me të drejtë, se askush nuk mund të provojë diçka negative; në kuptimin që unë mund të provoj se mbaj mace në shtëpi, por nuk mund të provoj se nuk mbaj mace.
Njëlloj, unë dhe 99% e shqiptarëve që lexojnë B92 nuk jemi në gjendje të provojmë se në Burrel ose kudo tjetër në territorin e Shqipërisë nuk u janë vjelë viktimave serbe veshka, mëlçi, ose organe të tjera të çmuara; prandaj çdo orvatje për ta mohuar këtë lloj akuze tingëllon, tek e fundit, patetike.
Dhe natyrisht nuk më vjen mirë kur bëhemi gazi i botës.
Pastaj ngrihet një i tretë dhe të kujton se ky ose ai shqiptar është arrestuar sepse ka trafikuar fëmijë ose i ka grabitur për t’i shitur pastaj gjetiu, për t’u marrë organet ose për synime të tjera më “paqësore”; dhe se kriminaliteti i organizuar në Shqipëri nuk është i imunizuar ndaj tmerresh të tilla, sidomos po të mbahet parasysh edhe se tregtia e organeve është jashtëzakonisht fitimprurëse.
Kuptohet se ky lloj debati nuk i sjell asnjë të mirë imazhit të shqiptarëve në botë; sepse ky imazh nuk është i mirë, as ka arsye të jetë i mirë (megjithë përshtypjet e mrekullueshme që i lamë Bush-it gjatë vizitës verës që shkoi); sikurse kuptohet se nxirja e mëtejshme e imazhit të serbëve, nuk na e zbardh sadopak kundërimazhin prej shqiptarësh, por vetëm sa na bën edhe më tepër qesharakë në sy të publikut, i cili tashmë kërkon kryesisht të dëfrehet.
Trajta e shkurtër na në fjalinë e mësipërme u referohet të gjithë atyre shqiptarëve që shprehen në forume diskutimesh në Internet e që u ra goja duke më ftuar, në të gjitha adresat e postës elektronike që kam përdorur gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, për të votuar në gjithfarë sondazhesh të organizuara nga gazeta skandinave ose kelte në lidhje me Kosovën ose nuk di çfarë tjetër. E vetmja gjë që më bashkon me ta është interesi për t’ia mbrojtur imazhin shqiptarit; por mënyrat se si do të realizohet kjo na ndajnë keqas.
Përmenda imazhin e Shqipërisë, sepse një finlandez ose brazilian që lexon artikullin e B92 herët a vonë do të pyesë veten: a ka të ngjarë që të ndodhin kësi krimesh në Shqipëri? Publiku, në kësi rastesh, nuk arsyeton siç do të arsyetonte një hetues, ose trupi gjykues ndërkombëtar.
Publiku nuk rreket të provojë, sepse e ka të pamundur; publiku vetëm beson, ose nuk beson.
Pastaj më përhihet edhe pamja apokaliptike e Gërdecit të rrafshuar nga shpërthimi i municioneve, të cilat përpunoheshin aty, prej gjithfarë qyqarësh praktikisht në mënyrë ilegale, për t’u eksportuar pastaj drejt vendesh si Afganistani, ku jeta e njeriut është edhe më kallp e badihava se në Shqipëri; ose i atyre të vrarëve e të sakatuarve atje, që u zunë vendin, gabimisht, atyre që duhej të ishin përpunuar, prej të njëjtit armatim, diku tjetër, larg, tutje, përtej malit, atje ku ha njeriu njerinë…
Thuase kombësia do t’u merrka parasysh, në gjyqin e fundit!
Ja kështu: më përhihet ky apokalips arbëror safi dhe them me vete: unë vërtet dua e përpiqem me aq sa mundem t’ia mbroj imazhin Shqipërisë dhe shqiptarëve, por maskarenjtë e atjeshëm nuk më lënë.
Me fjalë të tjera, autorët e B92 nuk kanë nevojë të lodhen shumë e të vjelin ide nga filmat e Hollywood-it sikurse personazhet e tyre vjelin organe prej viktimave përkatëse, sepse ua bëjnë shqiptarët punën.
E lexova para 2-3 ditësh këtë lajm dhe sinqerisht që më ngriu, përpiqesha të mos ta besoja se dora kriminale mund të arrijë deri në të tilla akte çnjerëzore.
U përpoqa ta vija vehten në pozicionin e një kosovari që kishte nevojë për ndonjë organ (duke patur parasysh periudhën e luftës, sepse helbete, luftë ishte)… sado që jeta është shumë e shtrenjtë, nuk besoj se kosovari do të donte që të bashkjetonte me mëlcinë ose ndonjë organ tjetër serb në gjoks për gjithë jetën.
Gjë që më shtyu të mendoja, se nëse vërtet një gjë e tillë mund të kishte ndodhur, ajo ishte shfrytëzuar vetëm nga organizatat kriminele që merren me trafikun ndërkombëtar të organeve.
Nëse vërtetohen akuzat dhe gjënden autorët, të gjithë ata që janë marrë me këto punë, të përfundojnë në LITAR.
Keto akuza, pikerisht sepse jane kaq jo-te-kesaj-dynjaje, kane nje vecori qe akuzat e zakonshme (me vrave, te vrava) nuk e kane; sa me shume te merresh me to ne perpjekje per ti pergenjeshtruar aq me shume legjimitet perftojne. Krijohet nje “kunderthenie” dhe dosja e “ceshtjes” vjen e trashet, ne pritje te teoricieneve te kospiracioneve 10-20 vjet prej ketej. Vetem kujto UFO-t e Roswell-it!!
Kura me e mire ndaj ketyre marrezive eshte thjeshte injorimi i tyre dhe braktisja e cdo debati qe ka lidhje me keto.
E quaj vetem nje trillim ogurzi dhe dashakeq dhe kaq.As qe e besoj qe te kete ndodhur.Dhe ku:ne Tropoje apo ne Burrel ku dhe”kasapet”ordinere per therjen e bagetive nuk jane aq te kualifikuar;ku u gjeten ata kirurge aq “specialiste”?Trillim i zi dhe me streson.
Dhe te mendosh qe B92 eshte media me e fisme e Satrapise Ruse te Serbistanit
Kam punuar ne vitin 1996 per hartimin e nje ligji ne Shqiperi qe lidhej me administrimin e bankave te gjakut dhe transplantet. Gjate punes pergatitore kam patur rast te informohem ne menyre te mjaftueshme per mundesite e kryerjes se transplanteve ne Shqiperi. Ne NUK kemi kapacitete mjekesore per te kryer asnje lloj transplanti organesh te rendesishme, ne maksimumi bejme transplante lekure. Ne NUK kemi as personel mjekesor per te bere harvesting (heqjen e organeve te perdorshme per transplant.) Perputhja e organit me pacientin kerkon shume teste e analiza qe ne nuk i bejme dot. Organet nuk mund te mblidhen e te mbahen ne ruajtje deri sa te dali kerkuesi, as mund te mbledhesh njerez dhe te vjelesh organe pa e ditur a ka kerkese per to.
Nga ana tjeter, procedurat e transplantimit te organeve ne vendet qe kane kapacitete mjekesore per te realizuar transplantim te suksesshem jane te paimagjinueshme, filtrat dhe kontrollet per prejardhjen e organeve jane te panumjerta. Nuk eshte aq e thjeshte te hysh ne databazen perkatese dhe te ofrosh organe, sepse organet nuk i blen njeri, ligjerisht te pakten, organet dhurohen. Natyrisht, nuk e perjashtoj mundesine e ekzistences se klinikave qe i anashkalojne keto procedura, por nje operacion i permasave te tilla, me qindra paciente ne Burrel???? nuk ka gjasa te jete i vertete.
Ne qofte se dicka e tille eshte e vertete, atehere te mos kursehen fondet per sqarimin e ceshtjes, dhe te dali e verteta ne shesh, edhe sikur gjurmet e organeve te filluara ne Kukes te perfundojne ne Tirane, Athine, Rome, Londer apo Bruksel, edhe sikur perfituesi i organeve te jete ndonje koleg i paduruar i Karla Di Pontes.
Nuk di gje. Lexoj xha xhan dhe artikullin qe referon per “infeksionin propagandistik”, dhe mohoj akuzen qe bene Karla Di Pontes. Nuk jame klient qe s’blen mall jasht tregut te drejtesis (ligjit). Shembull ky se: “Qytetrimi ” do te na paisi me imunitet te smundjeve me te avancuara te botes se “qytetruar”
Çështja është se ne këtu nuk e gjejmë dot nëse ka ndodhur apo nuk ka ndodhur krimi në fjalë, sepse ne nuk jemi as detektivë, as policë, as gjykatës.
As më duket se ia vlen të hamendësojmë nëse mund të ketë ndodhur ose jo, sepse në kohë të turbullta çdo gjë mund të ndodhë; dhe shqiptarët kanë dhënë prova se janë të zotët për gjithçka.
Arsyeja për të cilën e solla unë shkrimin e B92 kishte më shumë të bënte me mënyrën si infektohet infosfera nga lajme të tilla, të cilat mbeten varur pezull midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, por në mënyrë të tillë që më shumë besohen, sesa nuk besohen.
Flasim apo nuk flasim ne, kjo nuk ndikon fare në manipulimin e opinionit publik. B92 nuk ka për qëllim të manipulojë ose të infektojë mendjet e shqiptarëve, por të atyre që vendosin dhe do të vendosin edhe për shumë kohë akoma për fatet e shqiptarëve në Ballkan.
Prandaj nuk më duket se ndaj këtyre hipotezave mund të reagojmë duke i mohuar. Reagimi ynë mund dhe duhet të jetë pak më i sofistikuar. Nuk e kam fjalën për ne që bëjmë muhabet këtu në blog, por për palën shqiptare në përgjithësi, e cila shquhet për reagime të pamatura, të cilat ndonjëherë mund t’i quash edhe gafa.
Idenë mund ta formuloj edhe kështu: a ka mundësi të përpunohet një strategji e tillë mediatike, e cila ta ruajë vlerën pavarësisht nga vërtetësia e akuzës?
Nëse këmbëngulim se krimi i mësipërm ka pak të ngjarë të ketë ndodhur, sepse në Shqipëri mungon infrastruktura ose ekspertiza për të vjelur organe, atëherë ç’na mbetet për të thënë nesër, kur të zbulohet se, në të vërtetë, një infrastrukturë ose ekspertizë e tillë në Shqipëri ekziston?
Natyrisht, ekzistenca e infrastrukturës, ose e ekspertizës për të vjelë organe nuk provon se në Shqipëri janë sjellë serbë për t’u masakruar; por në kontekstin e debatit tingëllon keq, dhe ua shton besueshmërinë akuzuesve.
Nëse themi se kjo nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, atëherë ç’na mbetet për të thënë nesër, kur të zbulohet se, në të vërtetë, dikush diku ka tregtuar fëmijë për organe ose pisllëqe të tjera?
E kam fjalën që strategjia e mohimit nuk na çon asgjëkundi.
Strategjia e strucit, ose e zhytjes së kokës në rërë është përsëri kundërprodhuese; sepse nëse ne ndjekim sugjerimin e Tabakhones dhe nuk flasim, heshtjen tonë e përdorin të tjerët për të bërë zhurmë.
Nesër do të botohet libri i Del Pontes, dhe ky paragraf me siguri do të komentohet gjërë e gjatë. Nuk mund të mburremi e të themi se vërtet Del Ponte ka shkruar për këtë, por ne ama nuk ia varëm, edhe pse e dinim.
Për t’u kthyer tani te strategjia për t’u ndjekur, nga pikëpamja e public relations, kjo nuk mund të jetë veçse hapja ndaj hetimit. Ju thoni se paska ndodhur kështu dhe kështu? Drejtojuni organeve ndërkombëtare! Bëni padi në Hagë ose në Bruksel ose në Strasbourg ose në OKB ose në Tiranë ose në Prishtinë.
Kërkojeni të vërtetën ashtu siç duhet kërkuar – jo duke lëshuar shashka.
Ajo shtëpia e verdhë mund të jetë përdorur, bie fjala, për të mjekuar luftëtarë të plagosur të UÇK-së; ose mund t’u jetë dhënë në përdorim amerikanëve. Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, përdorimi është dashur të mbetet sekret.
Siç e përmenda, edhe mua hipoteza e krimit që përsiat B92, në bazë të rrëfimeve të Del Pontes, më duket shumë e dobët. Megjithatë, jam i sigurt edhe se opinioni im në këtë çështje nuk ka pikë rëndësie.
Përkundrazi, strategjia që propozoj unë ia lë përgjegjësinë e provës në derë akuzuesve. Në këtë rast, pavarësisht nga rezultati i hetimeve, pala shqiptare do të dilte e fituar, të paktën në fushëbetejën e opinionit publik, i cili e vlerëson hapjen më shumë se mohimin; dhe gatishmërinë për bashkëpunim më shumë se indinjimin provincial.
Xha Xha… ke te drejte ne te gjithe pjesen sa i perket reagimit, ndaj kesaj… Vec une qe jetoj ne Shqiperi me mungese dritash dhe ilaçesh te dores se pare, ku spitalet jane te ngjashme me qebabtoret, zor se e permbaj veten… me ja plas zonjes del ponte ne surrat… qe kjo eshte nje kafsheri…eshte shpifja me e ndyre qe eshte prodhuar ndonjehere…
O Karla burreli nuk ka spital… rrezik nuk ka a ska poliklinike…
O karla per ne Burrel ne 99 duheshin bere 8 ore rruge tani duhen 6 e pakta…
Ne Burrel sot duhet te kete te pakten 2 deri ne 4 ore mungese energjie, ne 99 ka pas 10 ore…
Kushtet per te bere keto operacione jane nder me te sofistikuarat, sa dime ne zyrtarisht mjeket me te mire te Tiranes, kane tre vjet qe shtyjne projektin e transplantit te veshkes (me i lehti thuhet), pasi nuk ja dalin dot te kene stafin dhe as kushtet per ta kryer kete….
Pastaj keto deshmite jane kafsheri me vete… Jane kryer ne nje shtepi… Kane gjet shenja gjaku….I kane mbajt ne nje barake… Keto jane te dhena te prodhura nga nje makineri propagande, jo me kot te vetmet qe i citojne deri tani jane media serbe
Nje fare…Mamir Stayanovich gjeneral i sherbimeve sekrete serbe qeka nje nga burimet me cfare duket. Ne kete linkun gjeni dhe te forta kafsherore te tjera…
http://www.russiatoday.ru/news/news/22913 eshte ketu njeri qe pretendon se te rrembyerve ne 99 u ka gjet varrin ne 2003 dhe aty ka gjet edhe copa trupash madje edhe nje femije te shkeputur nga barku i nenes… Po behet nje loje e ndyre nese eshte perfshire del ponte nuk jam fort i sigurte
Sidoqofte… une them qe nese eshte delponte… Bashke me keto gjeneralet serbe.. te ftohen ne Shqiperi ti cojme ke shtepia e verdhe ne Burrel, po bashke me ndonje mjek kirurge dhe te shohin nese e bejne dot aty nje trasplant….
Me lufte ka pasur te vrare shume shqiptare dhe disa serbe, qe sigurisht jane njerez dhe nese kane qene te pafajshem te paperfshire ne krime meritojne drejtesi (Ushtaret le tua kerkojne drejtesine kumandarve te tyre, kurse civleve duhet tua kishte gjet delponte)… Sidoqofte nuk ka pasur asnje mundesi qe nje gje e tille tu shpetonte mediave me prestigjoze dhe e habitshme eshte qe Del Ponte nuk citohet per asnje moment drejt per drejt… qofte edhe nga B92
Oh cmarrezi…OK, qe eshte jashte konceptit kjo nuk do kallaur sic thote populli. Sigurisht edhe mund te kete ekzistuar shtepi te tilla, por ato mund te kene qene ambulanca portative per te plagosurit e UCK-se.. Mbaj mend nje kosovar ketu ne Berlin ne vitin 1999, dhe ai me thoshte se diku ne Burrel i ishte dhene ndihma e pare vellait te tij ne plagosur ne lufte, dhe qe andej ai ishte derguar me avion ne Gjermani( pasi ka nenshtetesi gjermane) …Tani lexoj keto mbrockulla dhe me vjen ne mend kjo histori.. Nese ju qe keni hapur kete teme jeni ne lidhje me keto lloj agjenci qe perhapin panik, ju lutem thojeni edhe kete si fakt.
Mendoj se menyra me e mire per tju pergjigjur ketyre lloj provokimesh eshte te thuash qe ka organe kompetente per te provuar te tilla akuza. Po te fillosh te argumentosh qe Shqiperia nuk ka infrastrukture per te tille trafik argumenton ne menyre implicite qe nese do te kishte infrastrukture ky trafik do te ishte mese i mundshem dhe kjo le shije te keqe tek ata qe ndjekin diskutimet.
Megjithate te thuash vetem qe le te merren organet kompetente me keto akuza nuk mjafton pasi te le ne nje pozite mbrojtese. Duhet thene qe te tilla akuza krejtesisht te paprovuara nuk jane gje tjeter pervecse nje perpjekje e propagandes serbe per te shplare krimet e dokumentuara e te provuara (varret masive, perdhunimet) qe makineria ushtarake serbe ka kryer gjate te gjitha lufterave te viteve 90.
Me ne pergjithesi duhet qe pala shqiptare te mos mobilizohet vetem kur serbet fillojne e bejne akuza (sado te pabesueshme te jene ato) sepse e gjejme veten gjithmone ne mbrojtje. Pala shqiptare duhet te jete proaktive ne marrdheniet dhe luften mediatike me Serbine. Dhe raste per kete kemi. Ka disa muaj qe EU po i ofron Serbise leshime ne rrugen e saj per ne Europe pavaresisht se Serbia nuk ka dorezuar akoma kriminelet e saj te luftes per te mos folur per ndonje proces vetereflektimi te shoqerise serbe per krimet qe jane kryer nga lufterat e 90-tes. Eshte si te thuash qe Europa po i kerkon te falur Serbise qe po i merr Kosoven
Shqiperia duhet te jete kundershtare diplomatike shume e vendosur e ketij procesi duke argumentuar se Serbia akoma nuk ka kryer detyrat minimale, nuk ka patur akoma proces vetereflektimi shoqeror per pergjegjesite e krimet sistematike te luftes te kryera nga pala serbe, akoma nuk ka filluar distancimi nga e kaluara e zeze e viteve 90. Ne kete menyre mund te drejtohet vemendja mediatike tek krimet e dokumentuara e te provuara te luftes nga pala serbe. Gjithashtu edhe nga ana diplomatike nuk mendoj se do te ishim krejtesisht pa perkrahje ne nje perpjekje te tille pasi vende si Sllovenia apo Kroacia mund te na mbeshtesin.
Sidoqofte, ka apo nuk ka sukses diplomatik suksesi mediatik eshte shume i mundshem.
Duhet patur parasysh qe Serbia e hodhi Milloshevicin vetem nga presioni i jashtem (nga izolimi dhe gjendja ekonomike e keqe qe solli izolimi) dhe jo nga ndonje proces i brendshem vetereflektimi apo ndarjeje nga e kaluara. Prandaj nje politike e jashtme apatike apo se shumti e deklaratave te tipit si ato te Islandes nuk pijne uje. Duhet bere presion, natyrisht brenda rregullave demokratike e diplomatike. Vetem keshtu mund te dalim nga qarku vicioz i te qenurit pa dashur pjesetare te mekanizmave propagandistik te serbeve.
Eni, pyetjen që bëje për librin e Del Pontes e fshiva pa dashur! Me sa mund të të them unë, libri duhet të ketë dalë dje në Itali, por ceremonia e prezantimit është anuluar, për ‘mungesë interesi’.
o vllzer shqiptar nuk di qe ka shqiptare edhe mun ta ban ket pun po kjo eshte muntazhe e sigurimt shtetror te serbis e cila punon nate e dit qe te xhen menyra si ti akuzon shqiptart po kjo ka mujt me ndodhe ne serbi qe kan ba serbet ne popullaten shqiptare edhe kan desh me na njyllos me ket pun mirpo ne shqiptaret dim qe ne nuk kem zemer per ksi pun te kshia me ja morr pjest trupit njerzive po une sa di karla deponte ka frajerin serb edhe kjo qka ka then hypsi vet kjo ka shkru po kta pisa jan te afte per qka do me ba po mos i beson shum gazetave serbe ose b92 kta pisa kan qit edhe filma naper evrop naper bot qe ne kemi luftu kundra natos po mos ja nin fort se bota din shum mir qka jan shqiptaret edhe me ksi sen neve nakan da vet serbet kan then qe ka shtiptare me bishta
Sot e përditshmja britanike “The Guardian” kishte një artikull për këtë çështje.