Le ta fillojmë me pyetje retorike: “Organet dhe institucionet shtetërore a duhet të komunikojnë midis tyre?” “A ka rëndësi forma e komunikimit në administratën shtetërore?”, “A duhet të shprehet qartë shteti?”, “A ka të drejtë qytetari t’u kërkojë institucioneve qartësi në mesazhet e tyre?”.
Natyrisht, pyetjet e mësipërme nuk kanë nevojë për përgjigje. Mua më lindën këto ditë se po merrem ethshëm, dhe për të njëmijtën herë, me përkthime të disa materialeve zyrtare shqiptare. Një përkthyes gjenial shqiptar, që për arsye politike asokohe punonte në hije, më pati thënë një të vërtetë të madhe: “Vetëm përkthyesi ia nxjerr kleçkat gjuhës së shkrimtarëve dhe politikanëve”. Donte të thoshte se përkthyesi është i detyruar ta kuptojë materialin që ka në dorë. Ndryshe nga lexuesi ose dëgjuesi i thjeshtë, ai nuk ka alternativë, duhet t’ia kapë thelbin tekstit medoemos, sepse duhet ta riformulojë në një gjuhë tjetër.
Nuk them diçka të panjohur, por mendoj se tashmë problemi ka kaluar në fazën e mprehtë, ndaj edhe nevojitet nënvizimi: gjuha e shkresave zyrtare është për faqe të zezë. Nuk e kam fjalën vetëm për mungesat e pikave të “ë“-së, megjithëse për standardet e huaja edhe kjo do të ishte skandaloze. Do të mjaftonin gabimet e rënda drejtshkrimore, që vihen re nëpër komunikime, për të nxitur kritika të ashpra ndaj shtetit. Mirëpo gabimet drejtshkrimore përbëjnë të keqen më të vogël. Shkresat zyrtare përmbajnë rëndom gabime të rënda gramatikore, të shoqëruara lirshëm nga shthurje sintaksore që, kur nuk e shëmtojnë, e bëjnë tekstin të pakuptueshëm.
Për të mos pranuar fyerjen që ndjej si qytetar, ose për të mos cenuar krenarinë e pavetëdijshme, kam dashur t’i shfajësoj zyrtarët dhe burokratët tanë, me idenë se paqartësia u shërbente ndoshta për të luajtur mes kuptimesh. P.sh. ka pjesë ligjesh ose letrash zyrtare që, falë ngatërresave gjuhësore, janë të interpretueshme nga pikëpamja kuptimore. Mendoja se kjo bëhej qëllimisht, në mënyrë që të kishte hapësirë veprimi. Tani nuk jam edhe aq i bindur. Gjithsesi, dinakëritë nuk të çojnë asnjëherë larg, sepse ligji duhet të jetë krejtësisht i kuptueshëm dhe mundësisht i painterpretueshëm; përndryshe do të shkonim drejt rrëmujës, sepse gjykatësi, përveçse zanatin e tij duhet të mësojë edhe atë të leksikologut, që përsëri nuk do ta nxirrte nga balta.
Më kanë thënë se në jurisprudencë forma është brendi, thelb, lëndë. Në qoftë se është e vërtetë, atëherë edhe korrektësia e gjuhës dhe e terminologjisë ka një rol të rëndësishëm. Problemi është se shkencat, e sakta ose jo, nuk mund të ecin përpara pa terminologjinë e tyre, çka përbën bazën e dijes dhe të komunikimit brenda fushës. Mirëpo edhe shteti nuk mund të luajë në komunikim me qytetarët, brenda vetes ose me shtetet e tjera. Ndaj nuk duhet të habitemi për lulëzimin e anomisë në shoqërinë shqiptare, sepse emri që ka bërë në botë, i detyrohet pjesërisht edhe pështjellimit gjuhësor të ligjeve.
Kush e shikon domosdoshmërinë e gjuhës së saktë vetëm nga pikëpamja estetike e ka gabim. Kjo është vetëm njëra anë. Tjetra lidhet me saktësinë e kuptimit dhe me eliminimin e dykuptueshmërisë. Të dyja e dëmtojnë rëndë mbarëvajtjen e punës në vend. Nuk ka pikë dyshimi se të gjitha këto elemente shkojnë e lidhen në një farë mënyre me imazhin e shtetit dhe seriozitetin e tij. Pra gjuha e pastër dhe e saktë nuk duhet konsideruar si një optional në valixhen e kompetencave të zyrtarit shqiptar. Kjo vlen sidomos për shtetet relativisht të reja si Shqipëria dhe absolutisht të reja si Kosova.
Nuk mëtoj që zyrtarët dhe burokratët shqiptarë të jenë të përkryer. Tek e fundit, zyrtarë të tillë nuk gjenden as midis atyre që kanë mbaruar shkollën e administrimit shtetëror, që për fat të keq në Shqipëri nuk ekziston. Nuk po kërkoj as që të diplomohen për gjuhë-letërsi në Universitet (këtë nuk e lyp, sepse e di që për dy vjet maksimumi i ke të gjithë me diploma në dorë). Mirëpo, në jetëshkrimet e zyrtarëve të sotëm shqiptarë xixëllojnë lloj lloj gjuhësh. Madje, një pjesë e tyre kanë mbaruar studimet jashtë shtetit. Atëherë pse mos të kërkoj që shqipen ta mësojnë të paktën sa gjuhët e huaja?
Shqetësimi është shumë i drejtë. Shpërdorimi i shqipes zyrtare – ku në këtë rast kuptoj shqipen e përdorur në shkresat zyrtare – është një ndër dukuritë më të vajtueshme të tranzicionit të stërzgjatur.
Një krahasim i thjeshtë me të kaluarën do të nxirrte se – sikurse më thonë – shqipja shkresore e përdorur në zyrat e Zogut dhe të Enverit ishte të paktën më serioze dhe më e saktë.
Po ç’mund të bëhet që shqipja shkresore e zyrave të shtetit të jetë sa më e pastër dhe dinjitoze?
Problemi është shumë më i koklavitur se sa duket – do të ishte mirë, për shembull, që të kishe redaktorë me arësimin e duhur në zyra kryesore, por kjo nuk mjafton.
Janë shtypi, media e politikanët para së gjithash, ata që e capërlojnë si pa të keq gjuhën, pa përmendur mospërfilljen, dhe pse jo edhe përbuzjen ndaj shqipes të disa emigrantëve që e shëmtojnë edhe më shumë atë me italianizmat, greqizmat e anglicizmat e pafund gjatë vizitave të tyre verore në atdhe.
Gjithsesi, shkolla mbetet themeli i ruajtjes, forcimit dhe trashëgimit të shqipes. Po ashtu dhe Akademia e Shkencave, apo më mirë ish-Akademia e Shkencave.
Neqoftese do t’a krahasonim Shqiperine me nje sistem te mbyllur me ekuiliber jo statik, domethene, kur energjia e brendeshme totale eshte e tille qe krijon metamorfoza te ekuilibrit te te gjithe sistemit, kuptojme qe praktikisht shpejtesia me te cilen ndryshojne vlerat e pikave te referimit brenda sistemit eshte marramendese. Gjuha e shkruar apo e folur ne kete rast eshte nje element dytesor i skajeve pasive te ketij sistemi. Ajo (gjuha) sherben si shperndares i energjise dhe gjate ketij procesi ndryshon dhe i pershtatet komunikimit. Detyrimisht ne kete proces ndryshimesh behet dytesore per nga rendesia. Pra gjuha nuk sherben me si burim i energjise shprehese por thjesht si mjet pershkues i saj. Ne kete lajthitje edhe vete gjuha gjen ekuilibrin e vet , paraprakisht duke ndryshuar elemente thelbesor te saj. Ajo mundohet te ndjek kasaphanen totale me neollogjizma, huazime dhe pershtatje nga gjuhet e zhvilluara te vendeve perreth.
Thene shkoqur. Ka shume mundesi qe nje dokument zyrtar, ty(kritik) edhe mua(popull), qe na duket si i shkruar nga nje i lajthitur,realisht te jete nje forme e re shpeshtjellimi qe ne s’kemi patur fatin t’a njohim. Domethene qe sistemi i tij (i zyrtarit) i brendshem gjuhesor, po!! Ka pesuar nje lajthitje! Por te domozdoshme per pershtatjen e gjithe sistemit qe ai perfaqeson, me shume gjasa edhe per pershtatjen dhe mbijetesen e ekuilibrit mendor te atij qe e lexon. Ka shume mundesi qe kur te kthehemi ne atdhe nje dite prej ditesh, papritur e pakujtuar do te na duhet qe ti pershtatemi ketyre neo-standarteve te ekulibruara te komunikimit.
Sinqerisht! askushi.
Kriteri i punesimit ne administrate, i berjes gazetari, lancimit politik, madje edhe i kritikes ndaj mangesive eshte bazuar ne premisen e gabuar se te qenet i shkolluar (i diplomuar brenda/jashte shtetit) eshte i barabarte me te qenet i ditur, i zgjuar, i kulturuar. Diploma nuk te garanton asnje nga keto, as edhe qe di te flasesh e te shkruash korrekt gjuhen e nenes, pale ate te huajen.
Problemi qe prekni ju z.Pishak eshte me se real e mund te them shqetesues. Per shkak te moshes time, une mbetem me njohurite e tetevjecares per gjuhen shqipe, por me sa shihet sot ne dokumentacionin zyrtar shqiptar, nxjerr konkluzionin se formuluesit e tyre njohin me mire ndonje gjuhe tjeter boterore (anglisht apo italisht a frengjisht) sesa vete shqipen. Me nje fjale, futja si lende kryesore e gjuhes shqipe ne shkollat e mesme (qe brezi im nuk pati fatin) , nuk paska vlejtur sa duhet se edhe ne korespondencen zyrtare te sotme gjen shprehje qe te vene ne dileme te madhe per ta perkthyer ne kuptimin me te cilin e kishte menduar autori i saj. Ketu nuk dua te perfshij rastin e “gafave” pasi e pranoj se te gjithe gabojne. Duke polemizuar me komentin e “askushit”, nuk jam plotesisht i nje mendje me ate qe ka zhvillime e ne te kemi mbetur aq mbrapa ne perdorimin e gjuhes bashkekohore. Duke presupozuar kete per veten time, i jam drejtuar personave qe jetojne aktualisht ne Shqiperi per te me shpjeguar kuptimin e nje shprehjeje e nuk kane qene ne gjendje ta bejne. Mendoj se thelbi i kesaj mangesie duhet kerkuar ne “mentalitetin” e shqiptarit, qe preferon me teper mesimin e nje gjuhe te huaj (se ka me vlere, do me jape buke) se shqipen (shqipen e dine te gjithe).
Keshtu ndodh fenomeni qe ne dokumetat zyrtare te implementohen(futen) fjale te huazuara, te cilat po nuk i njohe mire ose nuk i perdor me vend, te cojne ne qorrsokak.
Mendoj se perdorimi i gjuhes me fjale sa me te thjeshta, “puro” shqipe (se edhe shqipja ka fjalor te pasur) e zgjidh problemin, por nuk mund te parashikoj nese burokratet e sotem e te ardhshem si dhe sa do ta arrijne kete.
Te me falni qe per shpejtesi nuk kam perdorur ë-rat dhe ç-rat qe ne dokumentat zyrtare nuk duhet te neglizhohen.