Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori / Sociologji

EDHE BARBARË, EDHE BORGJEZË

Fjalët janë dinake – shpesh rreken të kontrabandojnë kuptime të reja, në ambalazhe të vjetra e të besuara. Kjo vlen veçanërisht për fjalë të ngarkuara me emocione dhe investime mitike-ideologjike, të cilat ndonjëherë shkruhen me gjak: atdhe, flamur, demokraci, martir, vetëvendosje, shqiptar…

Nga ana tjetër, shpesh fjalët janë më të mençura se njerëzit që i përdorin, prandaj arrijnë t’i manipulojnë përdoruesit e tyre pa shumë mund. Të gjithë jemi pak a shumë viktima të këtij manipulimi, sepse përndryshe nuk do të ndiheshim pjesë e së tërës, ose e atij kolektiviteti që realizohet nëpërmjet komunikimit.

Natyrisht, sa më e vyer të jetë bankënota, aq më shumë mall mund të blihet me të. Dhe më e vyera e bankënotave, në tregun e politikës dhe të të drejtave, është fjala liri, një nga ata sfinksa leksikorë që të marrin në pyetje sa herë që kërkon t’ua zhbirosh arsyet dhe motivet.

Nuk është vendi këtu për t’u ndalur me kuptimin filozofik të lirisë, as me ballafaqimin e përkufizimeve që i janë dhënë këtij koncepti nga autorë të ndryshëm e në kohë të ndryshme; sikurse nuk është vendi për të analizuar abuzimin e fjalës liri në diskursin retorik kombëtarist të shqiptarëve: liria si çlirim nga zgjedha e të huajit, ose si e drejtë themelore e individit, ose si mundësi për të realizuar destinimin objektiv të historisë…

Edhe pse ky diskurs është tash më aktual se kurrë, në kontekstin e rrëfenjës që po thuret rreth pavarësisë së Kosovës; ose lirisë kosovare, e cila njëfarësoj ia shton lirinë krejt shqiptarëve, kudo që ndodhen.

Lexoja këto ditë një analizë të Michel Foucault (“Society Must Be Defended”, Lectures at the Collège de France, 1975-1976), të situatës historike në Francën e mesjetës së hershme, kur popullsia në thelb galike e romanizuar u nënshtrua nga kasta luftarake gjermanike e frankëve. Autori e përkufizon situatën sociale të atëhershme duke vërejtur se pushteti ishte minimal, ndërsa liria maksimale; edhe pse nuk ishte aspak fjala për liri në kuptimin e pavarësisë, as në kuptimin tjetër, të mundësisë për të respektuar të tjerët. Liria e kastës luftarake të frankëve, thotë Foucault, ishte në thelb liria e egoizmit dhe e lakmisë; ose e dëshirës për beteja, pushtime dhe plaçkitje; jo liria e tolerancës dhe e barazisë për të gjithë. Ishte një liri që mund të ushtrohej vetëm nëpërmjet sundimit. Me fjalë të tjera, një liri që realizohej jo nëpërmjet respektit, por nëpërmjet egërsisë.

Duke iu referuar etimologjisë së fjalës “frank”, Foucault citon një historian frëng (Freret), i cili kish arritur në përfundimin se kjo fjalë nuk do të thotë “i lirë” në kuptimin modern të fjalës, por më tepër “i egër, panënshtruar, krenar, arrogant, mizor”, ose ferox, në latinishte. Kjo pajtohet disi, vazhdon autori, edhe me imazhin që kishte filluar të krijohej aso kohe për barbarin, e që do të mbijetojë deri në kohët moderne, me Nietzsche-n, i cili lirinë e përkufizonte si shije për pushtet dhe lakmi, paaftësi për të shërbyer dhe dëshirë të vazhdueshme për të nënshtruar të tjerët. Ky është edhe përkufizimi i “bishës bjonde”, në historiografinë europiane të kohës së re.

Pasazhi i Foucault më bëri vetvetiu të mendoj për lirinë e disa bashkësive shqiptare tipike, si ato malësore të veriut deri në kohët moderne, ose të Himarës e të Sulit, së paku deri në fillim të shekullit XIX; ndoshta edhe të Kurveleshit e të zonave të tjera malore në jug; liri që aq i ka mahnitur romantikët europianë të atij shekulli, që nga Byron e deri te Lear, pikërisht ngaqë u ka ofruar modele vlerash ose “vlerash” të cilat liria borgjeze në Perëndim i kishte humbur prej kohësh.

Po cilat vlera pikërisht? Natyrisht, liria e një komuniteti të izoluar në majë të malit është liri për të mos iu nënshtruar ligjit, për të mos paguar taksa, për të mos lejuar rekrutimin ushtarak, ose për të mos shërbyer, për ta thënë me shprehjen e Nietzsche-s dhe të Foucault; por edhe liri për të plaçkitur, për të grabitur e në përgjithësi për t’ia mbajtur të mbyllura dyert qytetërimit.

Përkundrazi, liria qytetare – që është veçse një emër tjetër për lirinë borgjeze – nuk ka shumë të bëjë me këtë koncept romantik të bishës; sepse qyteti si komunitet mund të mbijetojë e të riprodhohet vetëm duke e riformuluar lirinë individuale në mënyrë të tillë, që një pjesë e saj të realizohet si liri e tjetrit; dhe ku diversiteti është nënprodukt i dëshiruar, jo anomali. Për një qytet të mesjetës ballkanike të vonë si Voskopoja, liria jo vetëm mishërohej në etikën e bashkëjetesës paqësore midis shqiptarëve, vllehëve, sllavëve dhe grekëve; por edhe në mundësinë e garantuar për të ushtruar zejet, për të bërë tregti pa u trembur prej plaçkitësve, për të paguar taksat në mënyrë të tillë që autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit dhe të mbrojtjes së rendit të funksiononin normalisht, për t’u marrë me art dhe për të komunikuar në nivel artistik. Kjo lloj lirie i dha qytetit Akademinë e mirënjohur, por edhe kishat me afreske të mrekullueshme, si shprehje supreme e krijimtarisë shpirtërore ballkanike.

Nuk është rastësi, prandaj, që Voskopoja përfundoi viktimë e lirisë tjetër, barbarike, të sanxhakbejlerëve të zonës; të cilët më në fund e plaçkitën dhe e dogjën, sepse nuk mund të vepronin ndryshe, meqë njëfarësoj natyra e qenies së tyre sociale i detyronte të luftonin për lirinë e tyre po aq sa ç’i detyronte natyra voskopojarët për të prodhuar qytetërim.

Diskursi kombëtarist shqiptar zakonisht i bën lëmsh këto lloje lirish; duke shpresuar, më kot, se adhurimi romantik për malësinë që refuzonte të paguajë taksa mund të shërbejë si bazë për të përligjur, emocionalisht, lirinë e Kosovës së sotme, që synon të integrohet në Bashkimin Europian duke ndërruar deri edhe ngjyrat dhe shenjat e flamurit. Nga ana tjetër, gjallërimi i krimit të organizuar në Shqipëri e në përgjithësi ndër shqiptarët e viteve 1990 mund të analizohet edhe nga perspektiva e një shndërrimi social regresiv, ose gjallërimi refleksesh të vjetra të lirisë si mundësi e pakufizuar për të qëndruar përtej hapësirës ku vepron ligji konvencional (kjo ndodh edhe sot e kësaj dite, me Kanunin). Perspektiva e ruan vlerën e vet analitike edhe kur është fjala për të interpretuar sjelljen e Shqipërisë, si shtet, në arenën ndërkombëtare; ose domethënien e sovranitetit, në rrethanat e integrimit kontinental.

9 Komente

  1. Liria ashtu sic eshte e konceptuar sot ketu ne globin tokesor eshte e bazuar mbi dhunen ose forcen. Shqiptaret nuk kane bere lemsh asnje koncept. Ata jane ne nje faze Shvejkiane sinqeriteti dhe perthithje te realitetit qe i rrethon.. Forca siguron lirine. “Liria” e individeve banore te perendimit ku bej pjese une e me sa duket edhe ti, eshte rezultat i forces ushtarake dhe dhunes ekonomike qe sistemi shoqeror perendimor ushtron kundrejt pjeses tjeter te njerezimit. Asnje ndryshim nga mesjeta e hershme e barbareve. Vetem se tani ne vend te nje klani “lirine” e gezojne pjestaret e sistemit.

  2. Ajo liria romantike perligjet deri diku xha xha. Te gjithe plackitesit, komitet, cetat etj ishin nje pergjigje ndaj nje sistemi te padrejte. Robin Hude te vonuar shqiptare. Backgroundi apo fillesa e veprimtarise te jashteligjshme prej tyre ishte ne shume raste nje padrejtesi ne kurriz te atyre vete.
    Po te mos ekzistonin, as nevoja per ndryshim sistemi nuk do te ekzistonte.
    Mitizimi, eshte (per mua te pakten) deri diku i ligjeruar.
    Po ashtu, nje figure tjeter bashkekohore – Kastro i Kubes. Shume nuk bien dakort me politiken qe ndjek, me ideologjine te ciles i qendron besnik, mirepo nuk i shpeton dot nga dora pa e mitizuar njeriun si simbol qendrese ndaj nje gjigjanti si USA.

    Per tu bere me lokal; Per mua nuk eshte e rastit lufta e Vlores ne 20′ ngritja e flamurit ne Vlore, kryengritja e Qershorit ne Vlore, protesta e deri para pak koheve kunder Petroliferes ne Vlore.

    Sigurisht liria e atehershme eshte koncept i ndryshem nga kjo e sotmja. Ketu bie plotesisht dakort me ty. E diskutueshme eshte gjithsesi se cila liri ishte me e madhe…

    Kufizimi i lirise vjen vete prej mentalitetit. Nuk mund te ligjerosh shfrytezimin maksimal, as te shfrytezuarin. Tendenca per te ligjeruar skajet, nxjerr ekstremitetet.
    Eshte si ai filmi ku njerezit e nentokes perdoreshin prej atyre te mbitokes por ndonjehere kur dilnin ne siperfaqe, ushqeheshin me ta…

    Sot per mendimin tim, koncepi i lirise shqiptareve u duhet edukuar. Si per te kuptuar cilat jane detyrimet e lirise se tij, ashtu dhe te drejtat.
    Shembuj mungesash ne kuptimin e kesaj lirie ka plot, ne te dyja skajet.
    Une i pranoj ato sjelljet agresive/negative te shqiptareve kryesisht jashte kufijve. Mirepo, besoj se nuk jane bere ne vetedije historike se kane qene barbare. Jane krijuar nga sindromi I mungeses. Kombetarja shqiptare eshte kapur duke vjedhur ne nje supermarket ne vitet e para te demokracise. Nuk ishin te vetedijshem se kishte kamera qe I shihnin. Te vetedijshem ishin qe nuk kishin leke t’I blinin.
    Coroditja mentale postkomuniste, i beri shume njerez te besonin ne instiktet e veta (sin e cdo rast coroditjeje xhanem).

    Por ke dhe raste te moskuptimit te kesaj lirie. Me beri pershtypje psh nje tv kishte nxjerre me kamera te fshehte sesi dy njerez luanin rolin e policeve dhe ndalonin nje autobuz te tere, zbrisnin pasagjeret dhe i ngrinin nga kembet per t’I kontrolluar…
    Ata pasagjere nuk ishin te vetedijshem per abuzimin me lirine e tyre…skena ishte me te vertete per te ardhur keq.

    Do te me pelqente te gjenim menyra per tu edukuar kjo liri. Nje shembull ishte sherbimi I detyruar ushtarak. Per mua gabim bene qe u hoq. Sherbimi I detyruar mund te perconte me tej te drejtat dhe detyrimet ndaj ligjit. Mendoni dike nga zonat e thella t’I jepet shanci per te zgjeruar horizontin e vet dhe kuptuar me drejt boten qe ka perpara. Po ne ushtri mund te mesonte dhe nje zanat, apo nje gjuhe te huaj…nuk eshte e pamundur…Turqia ushtrine e detyruar e ka nje nga bazat ku njerezit edukohen.
    Ndergjegjesimi shoqeror gjithashtu u duhet injektuar. Une gezohem me gjithe mend per cdo lloj proteste qe behet, pavaresisht arsyes.

    Me pelqeu shume tema. Nese ka material interesant do dukem ketej shpesh.

  3. Julius, kur flasim për konceptin e lirisë ndër shqiptarët në histori, nuk e ndajmë dot nga e drejta për të mbajtur armë, siç e vëren edhe Foucault për frankët në Galinë e romanizuar (duke iu referuar një historiani francez, Boulanvillier, të shekullit XVIII). Shumë konflikte, fërkime dhe kryengritje që i gjejmë në marrëdhëniet midis malësorëve shqiptarë, në Jug e në Veri, dhe Portës së Lartë, kanë pasur të bënin edhe me këtë të drejtë; madje shpesh kanë nisur me orvatjet e autoriteteve për të kryer çarmatimin e popullsisë.
    Natyrisht, kjo nuk vlen vetëm për komunitetet parashtetërore në Shqipërinë osmane; sepse konceptin e gjen edhe sot e kësaj dite në SHBA, madje të konsakruar në kushtetutë (amendamenti i dytë).
    Vetëkuptohet që në kultura më të qytetëruara, si në Europë, kjo e drejtë tashmë nuk ekziston (me ndonjë përjashtim); meqë atje është shteti që ua njeh disa qytetarëve privilegjin ose nevojën për të mbajtur armë zjarri, në kuptimin që e drejta në fjalë nuk konsiderohet më si natyrore, ose në një nivel me të drejtën e fjalës, ose të tjera të drejta të njeriut. Përsëri jam futur në një fushë ku nuk kam kurrfarë ekspertize, por shpresoj që ndonjë koleg të më ndihmojë për ta shtruar, të paktën, problemin…
    Kur filloi të konsolidohej shteti shqiptar, një nga objektivat parësore të administratës ishte çarmatimi i popullsisë, ose mbledhja e armëve; kjo zakonisht bëhet për të parandaluar krimin ordiner, por arsyet janë gjithnjë më të thella. Ka pasur disa fushata të tilla zyrtare në Shqipërinë e shek. XX; e fundit ajo pas ngjarjeve të 1997-ës, të cilat mund të këqyren edhe në këndvështrimin e një momenti kur liria triumfoi ndaj qytetërimit, sa kohë që popullsia u armatos e tëra dhe autoriteti i shtetit ra praktikisht në zero.
    Nga ana tjetër, në traditën kulturore të shqiptarit, e drejta për të mbajtur armë është mbajtur gjithnjë si e shenjtë, ndërsa çarmatimi është parë si poshtërim; shtëpia shqiptare, veçanërisht dhoma e miqve, s’mund të kuptohej pa armën e ekspozuar bukur, si shenjë (falike) të potencës ose virilitetit të të zotit të shtëpisë; prandaj nuk gaboj po të them se, tradicionalisht, liria për shqiptarin ka qenë liri për t’ia përkëdhelur pushkës tytën në kohë paqeje ose për t’ia shkrepur hasmit në lule të ballit në kohë lufte.
    Mund të pyetet, në këtë rast, se cili është funksioni i armës pikërisht – sepse të thuash është mbrojtja e personit ose e familjes nga sulmet e të tjerëve do të thotë të pranosh si normale një situatë të tillë ku personi ose familja nuk presin që t’u dalë zot ndonjë autoritet qendror për t’i ruajtur nga sulme të tilla; por edhe që praktika në fjalë i përgjigjet një modeli të bashkëjetesës ku sulmi ose agresioni fizik ndaj personit ose pronës ishte një formë normale komunikimi ndërpersonal.
    Që nga momenti kur shteti merr përsipër ruajtjen e rendit publik, atëherë arsyeja e mësipërme për të mbajtur armë nuk vlen më. Atëherë vjen në vështrim arsyeja e dytë, se arma duhet për t’u mbrojtur nga shteti, ose nga abuzimi që mund t’i bëjë shteti së drejtës që i jep vetes për të ushtruar dhunë të organizuar.
    Deri edhe në fund të shek. XX e gjejmë në Shqipëri këtë koncept që, përballë një shteti që vjen duke e humbur legjitimitetin e vet në sy të popullatës, atëherë kjo popullatë ka të drejtë të reagojë duke u armatosur, sikurse edhe ndodhi vërtet.
    Përkundrazi, në modelin borgjez-urban të qytetërimit, liria nuk shihet si doemos e kushtëzuar nga e drejta për të mbajtur armë, sepse qytetet mbrojtjen e tyre ua besojnë, tradicionalisht, forcave të jashtme – padronëve, mercenarëve, mbretit, etj. Historia e qyteteve italiane në Mesjetë është e pasur me shembuj kësisoj. (Nuk le dot pa përmendur edhe shembullin shqiptar të viteve 1970-1980, kur armët i gjeje në të katër anët, por jo municionin; ishte një lloj tredhjeje e vetë idealit të qytetarit të armatosur, si garanci e lirisë.)
    Tani, konflikti i vërtetë, besoj unë, ka të bëjë me bashkëjetesën e dy modeleve të qytetërimit, sikurse e ceka edhe në shkrimin më lart; sepse një komunitet malësor që është i armatosur mbetet gjithnjë i tunduar për t’i përdorur armët që të plaçkitë ose të grabitë zonat përreth, të cilat mund t’i jenë nënshtruar autoritetit qendror dhe të jenë çarmatosur.
    Histori cubnish gjen në gjithë Ballkanin; madje vetë historia e përftimit të kombeve dhe të shteteve ballkanike mund të lexohet si një proces i ngadalshëm i legjitimimit të cubave, meqë këta ofronin praktikisht të vetmen alternativë ndaj pushtetit osman në qendër, dhe autoritetit lokal, që zakonisht rrezatohej nga qytetet drejt provincave rurale dhe zonave të mbetura ose qëllimisht të lëna jashtë jurisdiksionit perandorak.

  4. “Liria e një komuniteti të izoluar në majë të malit” mund të jetë edhe liria e synuar nga njerëz që u ikin shfarosjes në zona më të ulta, ku hyhet lehtë nga të gjitha anët e ku ndryshe do t’i priste skllavëria ose nënshtrimi.

    Nga ana tjetër liria “për të mos iu nënshtruar ligjit, për të mos paguar taksa, për të mos lejuar rekrutimin ushtarak, ose për të mos shërbyer” është sheshit në të metropolet e botës, sot e ditën për diell. Mjaf të kujtosh statusin e paprekshëm të parajsave fiskale nëpër botë; skandalet e panumërta nga sojlij, qoftë si shkelje të ligjit në formën e bërjes apo ndryshimeve të tij sipas interesave të atyre që kanë ligjin në dorë, qoftë lidhur me detyrimet e tyre fiskale.

    Po sikur të bëhej fjalë për plaçkitje dhe grabitje të tregut, të pasurive natyrore, të burimeve njerëzore, nga ajo përqindje e vockël e popullsisë botërore që realisht zotëron thuajse gjithçka faqe rruzullit? Nafta, gazi, kafeja, forca e krahut, … shembuj pa fund. A mund të krahasohet kjo me një thes kripë të plaçkitur për të mbajtur frymën gjallë majë shkrepave? (“Puthe dorën që të theu turinjtë, pse kërkove një kafshitë…” – këndonte Fabrizio De André…)

    Qyteti si bashkësi, a nuk mbijeton e riprodhohet vetëm për epshin e perëndisë Treg? Shih si janë katandisur qytetet e mëdhenj në botë. Nuk i referohem dot Voskopojës sepse nuk e kam rrojtur. Brezi yt, Xha xha, dhe imi, kemi njohur qytetet – ato që ishin – të Shqipërisë 1970-1990 dhe qytetet e botës sot. Prej nga shumica do të iknin një orë e më parë, por ja që kanë ngecur në një rrjetë që quhet qytet. Interesante që ata që kujdesen për rrjetën, o rrojnë në enklava private, o në ishuj privatë, ose janë diku me pushime.

  5. Nuk jam i pari qe e shoh apo e them, por mua me duket se kultura shqiptare ka formen/karakterin e nje fosili te gjalle, i cili ka metabolizmin e vet dhe s`ka nevoje per te evoluar qe te siguroje mbijetesen.

    Pastaj mendoj se perendia e natyres eshte me e qendrueshme/forte/ bukur/vertet dhe jetegjate se sa perendia e priftit, i cili s`po duket se e ka ndare mendjen se cfare forme ti jape, ate te nje zjarri te madh, shkurreje, zogu, lope apo mbreti. tha..

  6. Megjithatë, Bato, qytetet janë e vetmja hapësirë që na ka mbetur. Lirinë e të egrit, në metropolet, e gjen në dy skajet e spektrit social: të varfërit e të këputur, të pastrehët e të paligjshmit nga njëra anë; të kamurit e mëdhenj, nga ana tjetër. Të parët i ndesh në hapësirat e ndërmjetme, në parqet e rrjepura të periferive, duke mbledhur bishta cigaresh e shishe të zbrazëta e kanoçe të shtrembra pijesh freskuese e birre, duke hequr pas vetes tufa langonjsh gërdallë e duke nanuritur mace gjumashe në supet e duke lypur në trenat e metrosë e duke ushqyer pëllumbat çalues në sheshet; e jetojnë qytetin si të ishte diçka natyrore, aksident gjeografik ose gërmadhë e një qytetërimi me të cilin nuk kanë të bëjnë, si urithi folenë e milingonave; njëlloj sikurse kanë jetuar dje burgjet, institutet korrektuese, spitalet psikiatrike, klinikat e çintoksikimit, sallat e urgjencave, persekutimet e asistencës sociale, mensat e supës bashkiake; janë të marrët, të goditurit, sakatët, të gjymtët, terminalët e SIDA-s, dementët, skizofrenët, narkoleptikët, psikotiket shtatzana, viktimat e voodoo-s, folësit me veten, transseksualët, predikatorët e nëndheut, të prapambeturit, ish-prostitutat herpetike, të lodhurit, të arratisurit kryekëput të dështuar nga provinca. Të dytët i sheh më tepër në gjurmët që lënë poshtë e lart në qytet, butikat e gurëve të çmuar, vilat e heshtura me dritare të mbyllura me grila, kongreset e bridge-it, emrat e gdhendur pllakave prej tunxhi në rotundat dhuruar parqeve, listat e donatorëve të orkestrave baroke, plehrat hyjnore që nxjerrin darkave anës rrugës, jahtet e ankoruara në port, blicet e fotoreporterëve kur dalin nga hoteli për t’u futur në limuzinat, septumin nazal gërryer e bërë shoshë nga kokaina, adresat që ua sheh në tabloidet. Të lartë dhe të ulët, princa dhe të varfër, patricë dhe plebej, nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin, madje me njëri-tjetrin ngushëllohen; si gjithnjë, janë sfida që ia bën perandoria republikës, ose përsëritja e frikshme e po atij rituali që konsumohej dy mijë vjet më parë në rrugët dhe në sheshet e Romës imperiale. Unë, që vij nga Tirana e atëhershme, i kujtoj edhe si arixhinj që shullëheshin ngeshëm në bar, teksa në rrugën përbri pa trafik fluturonte arrogant benz-i monstruoz i udhëheqësit; edhe njërën palë, edhe tjetrën, e perceptoja si mysafir të paftuar në qytetin tim; që e doja si qytet, jo si kryeqytet. E mbaj mend edhe lirinë që përjetohej në mëhallat të vjetra në Tiranë, e cila më shfaqej pikërisht si mundësi për të mbetur i padukshëm, edhe pse i rrethuar nga “kamerat” e familiaritetit. Një tjetër lloj lirie kam shijuar kur shkova për herë të parë në Romë (ku tjetër), e cila kish të bënte me shijen e anonimitetit, ose me sigurinë se asnjë farë kamere, e njohur ose e panjohur, nuk kish ngé të merrej me ty. Nga ana tjetër, jam i sigurt se edhe në komunitetet e të gjithë atyre që refuzojnë të flasin me pushtetet qendrore dhe izolohen në majë të maleve, liria është më tepër liri e komunitetit vetë, sesa e individëve që e përbëjnë e që e kalojnë praktikisht jetën duke riprodhuar kanunin, ose të tjera rite të riprodhimit të komunitetit. Një krahasim me Shqipërinë totalitare të viteve 1970-1980 më vjen detyrimisht në mendje: Shqipëria gëzonte liri në bashkësinë e shteteve sovrane, sepse nuk ia merrte dorën kujt për të vendosur se çfarë do të bënte – në një kohë që shqiptarëve individë liria u mohohej krejt. Në mënyrë të ngjashme, askush e asgjë s’i imponohet dot forcërisht, të themi, presidentit të SHBA; por nuk ka në këtë vend njeri që ta ketë të përditshmen e vet publike aq të “parashkruar” sa presidenti. Kam lexuar diku të thuhej për rumunët se nuk ishin komb, por profesion; ishte një batutë e aq, por tani më lidhet drejtpërdrejt me atë që skaji ndonjëherë nuk bën gjë tjetër, përveçse të ruajë të qenët skaj. Kujtoj edhe një varg të një kënge të Joni Mitchell: “she is too busy being free…” (nga “Cactus”). Gjithsesi, liria nuk duhet identifikuar doemos me përpjekjet për ta ruajtur, sikurse nuk mund të krenohesh ngaqë je krenar.

  7. “i kujtoj edhe si arixhinj që shullëheshin ngeshëm në bar, teksa në rrugën përbri pa trafik fluturonte arrogant benz-i monstruoz i udhëheqësit; edhe njërën palë, edhe tjetrën, e perceptoja si mysafir të paftuar në qytetin tim;”

    Ate qytet dhe vend qe ka kthyer shume nga qytetaret si vizitor te pa ftuar ne vendin e tyre. C’lexoj me siper duket si e ardhmja e perjetuar 30-te vjet para, si tynel i pa fund i “edhe barbare, edhe i borgjeze”

  8. Xha xha

    Nuk e kisha fjalën për skajin e poshtëm të kuptuar sipas ilustrimit tënd. Nuk mund të përqendrohem në të. Jo thjesht pse skajet janë përqindja më e vogël e spektrit, por për arsyen kryesore që qyteti nuk ekziston për hir të tyre. Skaji i sipërm e ka braktisur qytetin me kohë, vetëm sa e shfrytëzon. Skaji i poshtëm nuk kontribuon asgjë. E vetmja palë që mbetet realisht e interesuar për qytetin është pjesa mes dy skajeve, masa e njerëzve që gëlon qyteteve, ajo që konsiderohet, apo vetëkonsiderohet, e shëndoshë. Ajo që efektivisht paguan kostot marramendëse për ekzistencën e përbindshave të tillë ku turistët dhe të kamurit, kalojnë ca orë nëpër muzera, teatro dhe restorante ku duhet të rezervosh vend javë e muaj më parë. Muzetë, teatrot, kafetë e shtrenjta janë teorikisht të hapura dhe për ata që rropaten tetëorarëshit . Por… Dhe ja ku dalim te qafa ku doja të të nxirrja: unë do të shkretohem metrove, trafikut, tetë-apo-më-shumë-orarshit dhe brenda mureve të shtëpisë që do ta shlyej për 20 vjetë, për kë, për çfarë? Për ca vizita në muze. Dhe po nuk më tërhoqi kushedi çë arti, më pisk i kam punët.

    Duke vazhduar kështu, ne po humbim edhe qytetet.

  9. Xha Xhai thote;
    “Megjithatë, Bato, qytetet janë e vetmja hapësirë që na ka mbetur.”

    Ne fakt qyteti modern nuk eshte alternative ndaj qytetit mesjetar, por eshte alternative ndaj mjeteve te prodhimit dhe shperndarjes te sistemit feudal. “Gated communities”, apo komunitetet e mbyllura, dhe rezidencat e shumta te terhequra nga qyteterimi, jane me shume reminishence e asaj kohe (feudale), megjithese jane paraqitur si alternativa moderne. Ironia eshte se bota po shkon drejt nje qytet-fshati global, sidomos kur ke parasysh dukurine e “urban sprawl” ose periferite e shtrira pafundesisht, dhe dukurite me interesante sigurisht qe jane ekstremet. Qyteti klasik, apo mesjetar mbetet nje i tille. P.sh. rasti i Romes qe permend Xha Xhai eshte nje palimpsest marramendes, ku edhe kontrasti me periferine moderne – te pakten per nje vizitor – eshte shume interesant. Shfaqet nje lloj barbarizmi ne rrethinat e Romes.

    Megjithate, per t’u kthyer tek diskutimi mbi lirine, nocioni i lirise mesjetare mbetet thjesht nje nocion nostalgjik, dhe rralle utopik, kurse liria moderne eshte e vetmja alterntive ne fshatin global.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin