nga Ardian Vehbiu
botuar në Shekulli më 2 korrik 2006, por që sot fare mirë mund t’i kushtohej guximit qytetar të një Vladimir Arsenijevic-i
Në skicën me titull Rrëfenja e luftëtarit dhe e robinjës, përfshirë në vëllimin me tregime “El Aleph”, Borges përmend historinë e pazakonshme të Droctulft-it, barbar longobard, fisi i të cilit kish shkelur e plaçkitur Italinë e Mesjetës së Hershme dhe kish rrethuar qytetin e Ravenna-s. Droctulft-i, thotë Borges-i, ishte i bardhë, zemërak, i pafajshëm, besnik i prijësit dhe i fisit të vet. Por lufta e solli në portat e Ravenna-s, dhe atje pa diçka që s’kish parë kurrë… Pa ditën, qiparisat dhe mermerin. Pa një tërësi të shumëfishtë, por jo të çrregullt; pa qytetin, një organizëm prej statujash, tempujsh, kopshtesh, banesash, shkallaresh, urnash, kapitelesh, hapësirash të rregullta e të gjera. Pas kësaj, Droctulft-i i braktisi të vetët dhe u bashkua me ravenasit, duke luftuar krah tyre në mbrojtje të mureve që deri dje i kish mësyrë, deri sa mbeti i vrarë. Ravenasit, që gjithnjë çmeriteshin me pamjen e tij të frikshme e mjekrën që i derdhej mbi gjoks valë-valë, e varrosën në një tempull dhe i vunë te varri një shënim mirënjohës: “Na deshi ne e gjakun e vet përbuzi, duke e bërë Ravenna-n atdheun e vet.” Nuk ishte tradhtar, thotë Borges-i, se tradhtarëve nuk u mbishkruhen epitafe përdëllyese; ishte një i ndriçuar, një konverso.
Historia nuk është treguar zemërgjerë me Droctulft-ët, aq më pak historia e sherbetosur me të cilën na kanë mëkuar; edhe pse në mungesë të tyre e sotmja do të ishte ndoshta e tëra e gardhuar sipas topografisë së miteve ngadhnjyese. Longobardët, që gatiteshin ta shtronin Ravenna-n me zjarr e me hekur e t’ua shitnin gratë e fëmijët zënë skllevër tregtarëve saraçenë të Adriatikut, do ta kenë doemos damkosur si të pabesë ish-luftëtarin e vet e do t’ia kenë shuar emrin nga defteret. Ravenasit, nga ana e tyre, përnjimend e admiruan, por jo deri atje sa të përfytyronin ndonjë të tyrin të kapërcente ledhet e t’u bashkohej hordhive të longobardëve përtej. Në atë përplasje qytetërimesh, lë të kuptohet Borges-i, historia e kish vendosur se anën e kujt do të mbante; dhe pikërisht ky vullnet pothuaj mistik, ose ky shtjellim i ngjarjeve sado kaotike si progres nga më e keqja drejt më pak së keqes shprehet pikërisht në gjestin enigmatik të një Droctulft-i, variabël krejt i pavarur, i vetëm dhe i vetmuar midis dy kampesh, dy fisesh, dy grupesh dhe dy botësh, simbol i përkryer i individit që afirmohet përtej logjikës së grupit të cilit i përket.
Shumëkujt do t’i vijë në mend se edhe osmanët e Sulltan Muratit e quajtën tradhtar Kastriotin, kur ky u ktheu krahët në Nish, braktisi betejën kundër ushtrive të Huniadit dhe rendi të kthehet në Krujë “si pëllumb i shkruar”, për t’i shpallur sfidë vdekjeprurëse perandorisë – pikërisht atë Kastriot që për ne shqiptarët është shenjtori i parë i kalendarit kombëtar. Në tektonikën e përplasjes kontinentale midis osmanëve dhe Evropës së krishterë gjesti i vetmuar dhe logjikisht i pashpjegueshëm i një gjenerali arbëror deri atëherë në shërbim të Portës së Lartë do të mund të përligjej më shumë me nevojën për ekzistencë të Shqipërisë pesë shekuj më pas, sesa me mburojën që iu bë Arbëria Evropës atëherë, sa kohë që kish Skënderbeun në krye. Në një kuptim të gjithë ne që flasim e shkruajmë shqipen dhe i rrëfejmë shoku-shokut histori të tilla, u konceptuam kulturorisht nëpërmjet atij gjesti, edhe pse kuptimin sot vetëm mund t’ia marrim me mend.
Shembujt më elokuentë të këtij vullneti të historisë për t’u shprehur nëpërmjet gjestit individual ndeshen ndër Rilindësit, burra që shpesh zhbënë vetveten, duke bërë Shqipërinë. Si do t’i shpjegonim sot vallë fisnikë myslimanë si vëllezërit Frashëri që pranuan të bëhen apostuj të shqiptarizmit e të pavarësimit nga Turqia; Jani Vreton që shkoi e përshtati në shqipe të kulluar “Ervehenë” e një bejtexhiu modest e të harruar; Kristoforidhin geg që shkroi toskërishten; ortodoksët që iu kundërvunë fesë, kulturës dhe shkronjës greke; katolikët që trazuan pikërisht atë drejtpeshim forcash në Ballkan që u kish mundësuar deri atëherë mbijetesën? Si do ta arsyetonim, me logjikën e primatit të interesave të grupit, rolin e Ismail Qemalit, këtij burri shteti të perandorisë osmane, në pagëzimin e shtetit të parë shqiptar në histori? Nuk do ta arsyetonim dot. Krejt përftimi i Shqipërisë si entitet në hartën politike të Evropës mund të përshkruhej si një varg “tradhtish” të njëpasnjëshme, po t’u vihej vesh kundërshtarëve të vullnetit shqiptar për vetëvendosje. Tradhti në fe, tradhti në sërë, tradhti në klasë, tradhti në detyrë, tradhti në ideologji. Në të vërtetë, e me Borges-in, e kuptojmë se këta individë të shquar, duke interpretuar një vokacion që ndoshta edhe nuk e kanë ditur se e kishin, duke u “konvertuar” në besën e re që u sugjeronte progresi, i kanë dhënë trajtë historisë sonë moderne më shumë se të tjerët, besnikët e së djeshmes.
Ndoshta Droctulft-i real, jo ai i rrëfenjës, i braktisi të vetët sepse një prijës ia mori skllaven – si shekuj më parë Agamemnoni Briseidën Akilit; nuk do të ishte as i pari as i fundit rast kur zbulohet se sublimja i ka rrënjët në banalen, çka do t’u sillte edhe hare të pashoqe të gjithë atyre që historinë e lexojnë (e ndonjëherë e shkruajnë) me syzet e kalemxhinjve të skandalistikës. Shumëkush priret që varfërinë etike të protagonistëve të sotëm të historisë, ose të paktën “historisë”, ta projektojë së prapthi në shekuj, për t’u ngushëlluar që jeton në kohë të tilla kur ligjin duket se e bën maskarallëku dhe mungesa e skrupujve është kthyer në kusht për të pasur sukses. Në të vërtetë, që e sotmja nuk arrin të prodhojë veçse banalitet nuk e ka fajin historia, por kapja e saj peng prej grupeve që duan të hedhin në dorë pushtetin, ose kur e kanë të mos e lëshojnë më. Këtyre grupeve interesash u duhet faturuar edhe leximi krejt manikeist i së shkuarës, që deri edhe ilirët e trakët i disiplinon në të mirë e në të pamirë; pa përmendur fortifikimin ose groposjen e sotme, në pozicione të papajtueshme e në karshillëk total, të atyre që përndryshe duhej ta kishin mbajtur të hapur dialogun, kontaktin, komunikimin dhe shkëmbimin e vlerave shpirtërore.
Elitave politike dhe kulturore sot në Shqipëri u mungojnë Droctulft-ët, ose personalitetet e fuqishme e të vetëmjaftueshme që ta tejkalojnë logjikën e grupeve dhe të segmentimit patologjik, për t’u bërë interpretues të progresit në jetën shqiptare. Një proces i tillë polarizimi, ku skraparllinjtë u dalin zot skraparllinjve, tropojanët tropojanëve, poetët poetëve, vllehët vllehëve, lazaratasit lazaratasve, kosovarët kosovarëve, toskët toskëve, grekofonët grekofonëve, vahabitët vahabitëve, vreshtarët vreshtarëve, policët policëve, ortodoksët ortodoksëve, shahistët shahistëve, lezhianët lezhianëve, malësorët malësorëve e kështu pa fund, garanton pellgëzimin e pashpresë së jetës sociale në vend, duke i degraduar politikat e grupeve në format e veta më të skajshme. Nëse çdokush që ndihet sado pak i sfiduar apo i penguar në gjakimin e vet menjëherë nxiton të gjejë strehë në sqetullën e grupit krahinor, etnik, fetar e politik të cilit i përket, atëherë komunikimi vjen e zëvendësohet nga parrullat e gdhendura paluajtshëm në gurë të bedenave. Tek e fundit, Shqipëria ekziston pikërisht në hapësirat a intersticet midis segmenteve të ndryshme që e përbëjnë.
Duam apo s’duam ne, dritën në histori e sjellin gjestet kufitare, të guximshme, sfiduese të status quo-së imponuar prej të gjithë atyre që stanjacionin sa e krijojnë, aq edhe krijohen prej tij e këndellen në kutërbimin e ujit të ndenjur. Përkundrazi, perversioni etik i konfrontimit ose i tmerrit ndaj Tjetrit e ndaj kontaktit me të panjohurën ka çuar rregullisht në rrënim – siç e provon shkatërrimi e rrafshimi i pabesueshëm i Sarajevës së sotme nga topat e serbit, ose i Voskopojës së djeshme nga bejlurçinat e krahinave përreth; dy qytete që në Ballkan, edhe pse në kohë të ndryshme, tentuan të pamundurën, ose një qytetërim ndërmjetësish, po aq të brishtë e njëkohësisht po aq të mbrothët sa edhe një martesë e përzier, ose një pemë e shartuar a një poemë e përkthyer me mund të madh në një gjuhë ende foshnje. Çuditërisht, edhe pse historia nuk lodhet së sjelli shembuj kësisoj tragjikë e njëherësh frymëzues në pozicionin e tyre përtej skemave manikeiste të skajimit, shpesh kemi mbetur skllevër të idhujtarisë së grupit, ose të asaj vrime të zezë që na e thith identitetin vetjak.
Totalitarizmi i grupit, ose bindja autoritare se ne – cilëtdo ne – jemi të mirët e të drejtët, ndërsa ata – cilëtdo ata – të ligjtë e të mbrapshtët, larg së qeni pjellë e vonuar e entuziazmit fëminor në kinematë e filmave të qëkurshëm me partizanë e gjermanë, do parë më shumë si trashëgimi djallëzore e totalitarizmit të djeshëm, që synonte identifikimin urgjent të individit me shtetin. Rrëfenja për gjestin antiheroik të Droctulft-it, ose zbulesën e vullnetit individual në një kohë polariteti dhe besëlidhjesh grupi sa solemne, aq edhe frikësuese, mund të ndihmojë për t’ua shpuar sado pak bulçitë e fryra protagonistëve të jetës publike në Shqipëri. Vetë longobardët e rrethimit të Ravenna-s përfunduan, pas shumë brezash, në italianë; e siç kujton Borges-i, ndonjë Aldiger zbritur prej pyllit me ujk e derra do t’ia blatonte kulturës evropiane genet e Dante Alighieri-t. Krejt rrëfenja përcjellë prej Borges-it mund të lexohet tashmë si alegori e magjisë së komunikimit, ose të sakralitetit që ka fjala e shkëmbyer, orvatja për ta lexuar kundërshtarin, madje edhe dëshira e fshehtë e aq qytetëruese për të ndërruar vendet me të. Nuk është e rastit, tek e fundit, që historia përmend nderimin e ravenasve për gjermanikun barbar, jo përbuzjen e sivëllezërve të tij mbetur në errësirën përtej mureve.