Shtetit të porsalindur shqiptar në Ballkan një palë po i gëzohen si të ishte xhol që u mbiu papritur në dorë – duke investuar në të kuptime, projektuar dëshira e ëndrra, mbishkruar vlera dhe porosi planetare të shenjta; një palë tjetër i tuten lemerishëm, sikur të ishte shkarpa e fundit që do t’ia thyekësh shpinën e lodhur mushkës së stabilitetit global.
Kryendrikullat e foshnjes – SHBA dhe Europa e Bashkuar – folën frymëzueshëm për të drejta të njeriut, aspirata të popujve për vetvendosje, bashkëjetesë multi-etnike, liri dhe demokraci, integrim dhe paqe.
Shqipëria për një moment pa te Kosova materializimin e mrekullishëm të gjithçkaje ajo vetë s’e ka realizuar dot, ose kurorëzimin e lavdisë kombëtare totale. Sali Berisha madje foli për “600 vjet robëri”, thuase Kosova, sikurse Shqipëria vetë, nuk qenkësh produkt por vetëm viktimë statike e historisë…
Serbia pá në Kosovë rivrasjen e Serbisë së Vjetër kalorsiake e fisnike të Car Llazarit, jo këtë të tanishmen të poshtëruar e të nëpërkëmbur. Greqia pa Epirin e Veriut me aq shumë pakica greke sa të ishin shumica, Maqedonia trojet e barsura me shqiptarë shpresues, Qiproja gjysmën e vet të kafshuar, Rumania hungarezët e Transilvanisë…
Spanjës iu kërcënuan provincat baske, Francës Korsika. Një eksponent i Lidhjes së Veriut (Lega Nord) e përshëndeti dje pavarësinë e Kosovës si precedent për pavarësinë e Padanias prej Republikës Italiane. Debatet për 17 shkurtin u shndërruan në leksione të gjeopolitikës dhe të separatizmit në planet.
Pakkush në Kosovë do ta priste një qortim prej Sri Lankës; edhe pse zemërimi i Rusisë dhe thartimi i Kinës tashmë diheshin, edhe pse nuk duheshin.
Më prekësi i mesazheve mbërriti nga Tajvani i largët:
“Megjithë morinë e pengesave që i dolën përpara, populli i Kosovës këmbënguli për një ideal të cilit i beson, dhe ka të bëjë me arritjen e pavarësisë në rrugë paqësore, pa lejuar ta kërcënojë, as t’ia presë hovin kush. Vendosmëria e kosovarëve për ta arritur këtë ideal të lartë është vërtet për t’u admiruar,” lexohet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Taipeit.
Të mbushen sytë me lot, derisa e kupton se mesazhi flet, në thelb, për pavarësinë e Taivanit vetë prej Kinës…
Kosovën e pavarur e përshëndetën ngrohtësisht edhe separatistët e Québec-ut; Iñigo Urkullu, president i Partisë Nacionaliste Baske; nënpresidenti i qeverisë katalane Josep Lluís Carod-Rovira; ministri i jashtëm i Republikës Çeçene të Içkerias, Usman Ferzauli. Kush tha vallë që ne shqiptarët paskemi mbetur pa miq në botë?
Anembanë botës analistët e strategët u shqetësuan e shkulën leshtë se mos e njëjta gjë si në Prishtinë përsëritet tani me serbët e Bosnjës, abkhazët e Gjeorgjisë, kurdët në Irak, rusët moldavë të Trans-Dniestrit ose keçkemezët në Bejlurçistan (këtë të fundit e shpika unë, po në mos qoftë u sajoftë, siç e thotë fjala).
Në këtë labirint komentesh e kundër-komentesh, supozimesh e kundër-supozimesh, u harrua se çka ndodhi në Kosovë është reale dhe u përgjigjet zhvillimeve reale atje – ose vullnetit sovran të shqiptarëve kosovarë; dhe se historia ende nuk e ka shndërruar pavarësinë e Kosovës në metaforë, ose hieroglif për t’u interpretuar.
Pavarësia e Kosovës mund të qëllojë vendimtare për fatet e Abkhazisë ose të Katangës; mund të shkaktojë turbullira në Moldavi, në Mongolinë e Brendshme ose në grykëderdhjen e lumit Mekong; mund të rrëzojë qeveri në Kaledoninë e Re ose në Azerbaixhan – por liria e kosovarëve nuk është monedhë në tregun e stabilitetit planetar.
Në forumet shqiptare të Internetit, ku humoret e masës atdhetare mund t’i prekësh, si të thuash me dorë, euforia patriotike po e këqyr pavarësinë e Kosovës sikur të ishte zgjidhja e të gjitha problemeve të rënda të komuniteteve shqiptare në Ballkan.
Thuase shqiptarëve anekënd iu erdhi më në fund Mesia i shumëpritur.
Atdhetarë të vërtetë e sidomos të rremë, përveshën mëngët për gjyqin e fundit: ti shqiptar i mirëfilltë, ti jo. Ti me ne, ti kundër nesh. Pikërisht kur qëndistaret anonime në Prishtinë po ia shtonin flamurit blu yjet multietnike, kreshnikët e llafeve zunë të ri-armatosen për t’i qëruar serbët dhe grekët nga Ballkani.
Na u përhi Kosova si pasqyrë – për të parë vetveten në dëshirore. Ndoshta kështu ndodh sa herë historia na ndodh para syve, falë dëshmisë sonë, ose pavarësisht prej saj.
Xhaxha, shume dakord me ty ne gjithcka qe thua, sidomos besoj se “çka ndodhi në Kosovë është reale dhe u përgjigjet zhvillimeve reale atje”, eshte nje teze shume konstruktive, qe duhet pare dhe shqyrtuar me kujdes, duke i vendosur kufinj te nje realiteti lokal dhe historik, madje edhe moral ne qofte se vullneti moral ekziston, ketij eventi.
Por ke nje gabim te vogel kur thua “kreshnikët e llafeve zunë të ri-armatosen për t’i qëruar serbët dhe grekët nga Ballkani”. Mund te mos kem ndeshur ne te njejtat raste qe ke ndeshur dhe ti, por di te them qe me aq sa kam vene re, nuk kam hasur asnje qendrim kaq ekstremist apo puritan sa e paraqet ti. I kam ndeshur keto qendrime perpara shpalljes se pavaresise, qe me shume siguri besoj se kane ardhur nga pritja dhe frustrimi i gjate, por kam vene re qe keto zera pas 17 shkurtit jane ose adoleshentesh anonim, ose jane shuar krejt.
XhaXha: ne Kosove po nderrohet onomastika (nga Sllave ne Shqip). KAQ!
Lulian, nuk është kjo temë e këtij shkrimi, por megjithatë po të sqaroj. E kisha fjalën për brohoritje të tilla si kjo më poshtë:
KOSOVA VEND I LIRE!
S’ka mo’ shki,
S’ka mo’ shki
Gjithkund vetem shqiptari
së cilës iu dhanë kryet e vendit në një forum që edhe ti edhe unë e konsiderojmë si tribunë të mendimit të lirë shqiptar.
Kreshnik, tema e ndërrimit të onomastikës në Kosovë më intereson shumë. Më referon dot ndonjë burim?
Lere pastaj kur edhe Patrick J. Buchanan te Chronicles Magazine na thote se edhe Transneistria eshte duke kerkuar mevehetesi nga Moldavia.
A mos valle zhvillimet e dites se sotme ne Beograd po e ulin entuziazmin e te Djeles? Si eshte e mundur kur Kostunica doli vete dhe foli perpara nje turme shume mijeshe dhe me pas gjithshka ju la turmes ne dore pa asnje prani te forcave te rendit?
Mos ndoshta ti Xha Xha me titullin e sotem ke patur ndermend ta lesh vertet Kosoven imagjinare?
Me sa duket liria e Kosoves po behet monedhe e stabiltietit boteror.
Zbulim i rrallë në Arkivat Britanike. Kosova del qysh në një hartë të shekullit të kaluar në Ugandë të Afrikes. Shpallja e lajmit kësaj rradhe nuk i takon agjencisë së njohur OBOBO News. Për me teper:
——
Kosova në një hartë të Ugandës
Studiuesi dhe historiani Bejtullah Destani, zbulon rastësisht një
fakt të panjohur deri më sot
Nga Londra
Muhamed Veliu
Bejtullah Destani, studiuesi i arkivave britanike nuk ndalet në
zbulimin e fakteve të reja historike që kanë të bëjnë me Shqipërinë
dhe Kosovën. E jo vetëm për këtë arsye, me të drejtë ai është
cilësuar si një librari lëvizëse.
Dhe përkushtimi tij ka bërë të mundur zbulimin e një dokumenti të
rëndësishëm historik për Kosovën. Disa ditë më parë në “The National
Archives” (Arkivën Kombëtare ) ai ka gjetur tejet rastësisht një
hartë të shekullit të XVIIII, që mban numrin e references F02/785 me
vlera të padiskutushme për të kaluarën e Kosovës, tashmë që është një
shtet i pavarur. Siç informon Destani, ai e gjeti këtë hartë kur po
punonte për një projekt amerikan rreth Afrikës Ekuatoriale, pikërisht
gjatë hulumtimit të hartave që kishin të bënin me Afrikën
Perëndimore. Dhe në morrinë e tyre, Destani tregon se gjeti një hartë
të Ugandës e cila kishte disa gjëra interesante, që e bëri atë ta
kopjojë.
“Për mua si studiues kjo hartë paraqet një rëndësi të veçantë pasi në
tre vende shkruhet Kosova. Kjo hartë është prodhur nga anglezët pasi
Uganda ishte koloni e Anglisë. Kolonitë i kanë përdorur këto harta
për qëllimet e tyre nëpër institucione zyrtare”, u shpreh Destani.
Për të, rëndësia e kësaj harte qëndron në faktin se për herë të parë
përmendet emri Kosova. Por Destani thotë se duhet të bëhet kujdes në
interpretimin e saj pasi gjuhët e Afrikës kanë shqiptim ndryshe.
Megjithatë ai pohon se kjo hartë merr një rëndësi të veçantë pasi së
pari është prodhuar nga anglezët dhe së dyti shkruhet Kosova me A dhe
jo Kosovo me O siç prononcohet në anglisht fjala Kosovë