Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Paskajorja: gjuha shqipe midis Perëndimit e Bizantit

Me poshtë mund të lexoni një shkrim të Mehmet Elezit për paskajoren e gjuhës shqipe.

 

1.

Duke u ndalur vetëm te një çështje që lidhet me Kongresin e Drejtshkrimit (1972), del një pyetje: a kish arsye gjuhësore, pra jopolitike, me u flijue mënyra paskajore e foljes në themelet e standardizimit të gjuhës shqipe?

Deri më sot kurrkush nuk ka mundur të sjellë një argument të besueshëm për këtë.

Mënyra paskajore (infinitivi) si kategori foljore përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatikor në sistemon foljor të një gjuhe. Ajo përbën formën më përfaqësuese të foljes përkatëse. Kësisoj asgjësimi artificial i paskajores do të thotë asgjësim i vetisë më të lartë abstraguese gramatikore të gjuhës.

2.

Në shqipen e gjallë paskajorja ka mbijetuar plot jetësi. Sot e kësaj dite është një mënyrë shumë e përdorshme prej mbi dy të tretave të shqiptarëve.

Por jo vetëm prej atyre.

Ka pasur prirje që paskajorja të gjallojë edhe në toskërisht.

Një prekatar (virtuoz) i gjuhës shqipe si Faik Konica, i lindur në viset më jugore të Atdheut, e përdor herë pas here në toskërishten e tij elegante. “Po të më pyeste kush me dhanë... një mejtim mbi dukjen fizike të Shqipërisë…”, shkruan ai te “Shqipëria”. Ndërsa te një përkthim i Kalidasës, fragment prej dramës Sakuntala, ve shenimin: “Hindasit e kanë për mëkat me zanë peshq…”.

Në këngën qindvjeçare Për Mëmëdhenë të Mihal Gramenos vargu i dytë është “Vraponi burra se s’ka me pritë”.

Paskajorja gjindet edhe në disa këngë popullore beratase e korçare (“Ke me u pendue/ por atëherë ka me qenë vonë…”) e ngjeti. Ajo ka hyrë nëpër pjesë ligjërate, shprehje e lidhëza të toskërishtes si domethënë, meqenëse etj.

Në sesionin Institutit të Shkencave: “Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore në dritën e këtyre veprave” (Tiranë, 26-29 janar 1952) Dh. S. Shuteriqi, që printe në krye të politikës zyrtare për “gjuhën e përbashkët”, pohon: “Infinitivi ka mot që ka hyrë në toskërishte”. E për t’i dhënë dukurisë tharmin e duhur politik, shton”: “Masat punuese kanë filluar ta përdorin. “Zëri i Popullit” ilegal mund të dëshmojë mirë për këtë”.

Nëntë muaj më vonë, në sesionin e dytë shkencor kushtuar “problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare e problemeve të tjera të gjuhësisë sonë të lidhura me të” (Tiranë, 10, 11, 12 shtator 1952) ai shpreh mendimin me e përfshi paskajoren në gjuhën standarde. I referohet përdorimit të saj prej E. Hoxhës, në një citat të Stalinit, në raportin e kongresit të 2-të të partisë.

“Me drejtu mirë do të thotë:

“1. Me gjetë një zgjidhe të drejtë të problemit…

“2. Me organizu zbatimin e një vendimi të drejtë…

“3. Me organizu kontrollin e zbatimit të këtij vendimi… Për të gjetë zgjidhjen… duhet me i bashku…”.

Tjetërgjë se Shuteriqi, për të mos lënduar sadopak paracaktimin politik kundër pasurive të gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj, nisur mbase edhe nga trajta të cilën e përdor Hoxha, propozon një kryqëzim të njëmendtë mushkor (ndoshta në këtë rast mund të huazohet satira e Fishtës). Propozon që paskajorja në gjuhën e shkruar të ndërtohet në trajtën me punu, me dëfry (e jo me punue, me punuar ose me dëfrye, me dëfryer), ndërsa për foljet e tipit me bâ, me pi, me lanë propozon ndërtimin me bërë, me pirë, me lënë. Por duke pasur parasysh dëshirën e mirë që ka pasur në këtë rast, që gjuhës t’i ruhet një vlerë e pazëvendësueshme, dhe rrethanat politike të kohës, duhet pasur mirëkuptim për këtë shllim të tij.

3.

Ku mundohen me u kapë partizanët e përjashtimit të mënyrës paskajore nga sistemi foljor i gjuhës shqipe?

Ka ndonjë gjuhëtar që del jashtë vetvetes duke sjellë shqipërimin nolian të mëdyshjes hamletiane to be or not to be si “argument” për “zhdukjen” e paskajores e zëvendësimin e saj me lidhoren. Them jashtë vetvetes, sepse duke ikur prej hapësirave teorike që jep shkenca dhe duke u kapur pas një shembulli të shkëputur në një fjali të vetme, padashje pranohet se në hapësirën teorike të shkencës nuk gjindet lënda e domosdoshme me mbështetë veprimin, në rastin tonë dëbimin e paskajores.

Shqipërimi të rrosh a të mos rrosh është një zgjedhje e Nolit në një kontekst të caktuar. Një përzgjedhje e veçantë e një autori për një rast të veçantë nuk mund të mjaftojë kurrë si argument teorik kundër një kategorie të tërë gjuhësore. Një shqipërues tjetër mund të kishte bërë një zgjedhje tjetër poaq të arrirë duke e ruajtur paskajoren.

Ka ndonjë gjuhëtar që thotë se lidhorja gjindet te Buzuku, duke e shërbyer këtë si dëshmi për “zëvendësimin e paskajores me lidhoren”. As gjetja e lidhores te Buzuku nuk kallëzon ndonjë gjë më shumë se sa një moshë e një vlerë të caktuar të vetë lidhores. Paskajorja te Buzuku e te autorët e tjerë të vjetër është shumë më e pranishme se lidhorja, është krejt në shtëpinë e vet. Gramatika e gjuhës shqipe e ka njohur secilën si mënyrë të veçantë të foljes, siç njeh edhe dëshiroren, dëftoren, habitoren etj. Të gjitha mënyrat e foljes, pra edhe paskajorja e lidhorja, bashkëjetojnë në gjuhë, ato nuk janë alternativë e njëra-tjetrës.

Ka ndonjë gjuhëtar që thotë se paskajorja në shqip nuk është praktike në përdorim, meqenëse përbëhet prej dy pjesësh (me + folja përkatëse në pjesore: me punue, me qenë…). Harrohet për shembull se edhe anglishtja e ka paskajoren me dy pjesë (to + folja përkatëse: to work, to be…). Harrohet se edhe mënyrat e tjera të foljes në gjuhën shqipe, si lidhorja e përcjellorja, edhe ato ndërtohen me dy elemente (të punoj, duke punuar). Ndërsa e ashtuquajtura paskajore me për të, që shërbehet herë-herë si alternativë përbëhet jo prej dy, po prej tre elementesh (për të punuar…).

Ka ndonjë gjuhëtar që thotë se paskajoren e kanë zhvendosur greqishtja e disa gjuhë sllave të Ballkanit, që e kanë pasur dikur, ndaj në këtë hulli u dashka me ecë edhe shqipja. Kjo e vërtetë, që Fr. Mikloshiçi (1813-1891) e kishte vënë re qysh herët – ai kish pohuar se bullgarishtja, greqishtja e re, rumanishtja e pjesërisht edhe serbishtja e kishin zëvendësuar paskajoren me lidhoren – u lakua edhe gjatë e pas konferencës përkujtimore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (Tiranë, 11-12 nëntor 2002). U bënë përpjekje me e përdorë si një argument që, sipas tyre, përligj dëbimin e paskajores nga sistemi foljor i gjuhës shqipe.

Heqja e një palardhëseje (paraleleje) ndërmjet gjuhës shqipe e gjuhëve të mësipërme është një rrekje pa kuptim.

Eshtë rrekje pa kuptim sepse në ato gjuhë paskajorja është zhdukur gjatë një ecurie (procesi) të gjatë, të natyrshme, qindravjeçare. Ndërsa në gjuhën shqipe u përzu nga standardi me një votim “unanim”. Me një votim njëzëri si në kongreset e partisë ose si në zgjedhjet pa kandidatë alternativë, në vendin më pa liri të Europës, ku edhe vetë Zoti ishte shpallur i paligjshëm.

Eshtë rrekje pa kuptim sepse shqipja nuk bën pjesë as në grupin e gjuhëve sllave, si bullgarishtja e serbishtja, as në ndonjë grup me greqishten. Gjuha shqipe është një degë e veçantë, vëlla i pavëlla, brenda trungut të familjes indeouropiane. Edhe ato lidhje që i ka me gjuhë të tjera brenda këtij trungu, shkojnë në kah të kundërt me Bizantin, duke dëshmuar gjakun perëndimor të saj. Në këtë përfundim kanë dalë dy albanologët më të mëdhenj të kontinentit që përfaqësojnë njëherësh edhe majën e indoeuropianistikës G. Meyeri (1850-1900) e N. Jokli (1877-1942). Duke e përkujtuar N. Joklin në tridhjetëvjetorin e vdekjes, Çabej thekson se “në çështjen e lidhjeve t’afërisë me gjuhët indoeuropiane motra” N. Jokli “ka vërtetuar dhe thelluar rrugën që pat rrahur G. Meyeri, domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike…”. Pra me gjuhët baltike e jo me gjuhët sllave, as me greqishten.

Grekët dhe sllavët kanë rrjedhat e tyre, shqipja e shqiptarët të tyren.

Në qoftë se mënyrën paskajore e kanë zhvendosur greqishtja e disa gjuhë sllave të Ballkanit, anglishtja e ka më të gjallë se kurrë, frengjishtja, gjermanishtja e italishtja poashtu. Çabej shkruan se “Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj”. Sipas tij, “Midis gjithë vendeve ballkanike, – edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar – Dalmacia e Shqipëria, pastaj ishujt Jonikë, janë vendet që kanë qenë më tepër direkt të çelura ndaj influencës kulturore të Perëndimit”. Kjo çelje e ky ndikim dëshmohen edhe në rrafshin gjuhësor.

Atëherë pse u dashka që gjuha shqipe të detyrohet me vendime të politikës zyrtare me ndjekë shembullin e gjuhëve bizantine, kur vetvetishëm ka ndjekur shembullin e gjuhëve perëndimore, pse u dashka të shtyhet dhunshëm me e ndryshue shtratin e vet të natyrshëm, vetëm për t’ia bërë qejfin dikujt?

4.

Mënyra paskajorje në gjuhën shqipe ka një përdorim shumë të gjërë, si dhe në simotrat e mëdha europiane. Me paskajoren krijohen mënyra të tjera të foljes.

Ajo përdoret thjesht si dëftore:

«Kur po hin njeri n’at kullë

Me kujtue se ka ndrrue jetë… » (Eposi i Kreshnikëve, Martesa e Halilit).

Në një rol të ngjashëm gjindet dendur edhe në anglisht.

Ajo përdoret me krijue të ardhmen e dëftores (siç e ka dëshmuar Idriz Ajeti e të tjerë tipi i së ardhmes me kam + paskajore është më i vjetri në gjuhën shqipe), si dhe disa forma të tjera të së ardhmes, të cilat nuk është rasti me i shtjellue këtu.

Ajo përdoret me krijue mënyrën kushtore me ndihmën e foljeve me pasë, me qenë ose edhe pa to (kisha me shkue, kisha pasë me shkue):

«Me e pasë pa Behurin gjallë

Shpirti tutësh u kishte dalë» (Eposi i Kreshnikëve, Muji e Behuri);

«Ju te ura nestra me ardhë (në qoftë se vini – ME)

Kem me u vndue në vorr për të gjallë» ( Murimi në Urë);

“-Me e dijtë vashë sa fort të due

Shet gjergjefin e m’merr mue;

Me e ditë djalë sa fort të due

Shet jelekun e m’merr mue” (lirikë popullore).

Ajo përdoret me krijue mënyrën urdhërore në një trajtë të sjellshme, pa dhënë urdhër të drejtpërdrejtë, atë që njihet edhe si paskajorja ndaluese (“infitivi prohibitiv”):

«Me u çue burra» (Eposi i Kreshnikëve, Muji e Behuri).

E të tjera, që meritojnë studim.

Fuqia shprehëse e kësaj mënyre të foljes në poezinë shqipe shkon deri në kufijtë e magjisë. Në këngën e Aga Ymerit rrjedh si krua:

«Kanë ardhë letrat për me shkue

Për me shkue n’at t’zezë ushtri

Për me shkue e mos me ardhë

Për me mbetë nana pa djalë

Për me mbetë gjoku pa zot

Për me mbetë sarajet shkret…».

Cila mënyrë lidhore ose e ashtuquajtur paskajore në trajtën “për të shkuar” mund ta zëvendësojë paskajoren gurgulluese të këtyre vargjeve, pa e përgjakur artin e baladës? Cila mënyrë ose trajtë foljore mund ta paralajmëronte tragjedinë kaq rëndë, pa oh-e e klithma, si paskajorja e këtyre dy vargjeve te Omeri prej Mujit:

«Kish nevojë drita mos me dalë

Kish nevojë dielli mos me ra…»?

Për mos me u ndalë te paskajorja e një kryevepre si Ajkuna qan Omerin, ku që nga varri djali u thotë yjeve:

«Thuej m’kanë mblue me dhé të zi

Drita e juej mbrendë mos me hi

Vaji i nanës-o mos me u ndie

Lodja e nanës-o veç me mbrri…»!

Në një tjetër lirikë popullore vajza përshkruan bjeshkën e shkretuar të fillimvjeshtës, ku ka mbetur fillikat djali i dashur me dele:

“Ka nisë bjeshka me u vetmue

Nis çetina me fishkllue

Kanë nisë kershat me u rrëzue

Ka nise gjêja me u afrue…”.

Pamja thuajse e fundbotshme me vetminë e tutshme, me fishkëllimën vajtuese të veriut nëpër pisha e me shkëmbinjtë që shemben prej shkreptimash e shirash, ndërkohë që ujqët (“gjêja”) e uritur guxojnë me u afrue deri te dera e stanit, shoqërohet me jonen e grupit ue të paskajores. Vjen herë si një orkestër harqesh e herë si një gjamë lugjesh e merueshme, që paralajmëron se gjithçka mund të ndodhë. Besnik i kësaj gjetjeje poetike-muzikore e i përftesës ndjesore e estetike të saj, poeti i panjohur endet me të njëjtin lloj rime edhe nëpër përfytyrimet intime të çikës për të dashurin e vetmuar në atë vjeshtë në bjeshkë:

“…S’ka kush shtratin me ta shtrue

S’ka kush qenit me t’i përvlue

Shkon te kroni ku më gjajshe mue

Nuk mund ndalesh pa lotue…”.

Çdo rrekje me e zëvendësue paskajoren e kësaj lirike me lidhoren ose me formën “për të…” është kthisje e orkestrës, çakordim. Kjo lirikë ose qëndron kështu siç është, ose vdes. Asgjësimi i paskajores do të ishte asgjësim i saj.

Asgjësimi i paskajores është asgjësim i shumë vlerave artistike të papërsëritshme e të pazëvendësueshme në gjuhën shqipe, përfshi fjalë të urta e shprehje frazeologjike.

5.

Të gjithë ata që ndihen të lumtur se shqipja standard është bërë pa paskajore, njëlloj si greqishtja e si disa gjuhë sllave, mund t’i përgjigjen, në mundshin, një pyetjeje të vetme: çfarë fitoi gjuha shqipe prej “çkishërimit” të paskajores, në ç’pika është bërë ajo më e pasur, më tingëlluese, më shprehëse?

Nëse e argumentojnë bindshëm këtë përballë shqiptarëve të sotëm e brezave që do të vijnë, atëherë mbyllet kjo çështje për sot e për mot. Nëse nuk e argumentojnë dot, siç nuk e kanë argumentuar deri më sot, atëherë morali i studiuesit dhe morali njerëzor këshillojnë me e ripa skajimin të cilit i janë përmbajtur me fanatizëm.

Shumë vite më parë Faik Konica kishte shkruar një fjali që mund të vlerësohet si profetike. Ai thotë se “Me ca përjashtime të paka shumica e madhe e njerëzve që urdhërojnë fatin e gjuhës në Shqipëri janë njerëz të rritur me frymën e shkollave të Turqisë e të Greqisë edhe kanë një psikologji a shpirtësi të veçantë”.

Me këto pak fjalë mendja e tij shkreptitëse ka bërë edhe një parashikim të dhimbshëm për fatin e gjuhës shqipe në epokën komuniste e më pas. Veçse në vend të shkollave të Turqisë duhen vënë shkollat e Rusisë.

6.

T’i shtrosh këto çështje e të tjera të ngjashme nuk do të thotë se je kundër standardit a kundër njësimit të gjuhës, siç paragjykojnë disa me mendime të trashëguara parafabrikate. Ky do të ishte një interprtim bardhë e zi i tipit orwellain.

Standardi mund dhe duhet të rishikohet, për të parë ku ka sjellë të mira e ku është bërë pengesë e ku ka sjellë shkatërrim. Gjuha duhet zhbunkerizuar. Ajo duhet lejuar të marrë frymë. Rrjedhat e kullueta nga të gjitha trojet ku flitet shqipja duhet të derdhen në lumin e saj. Rregullat e standardit duhet të jenë gjithëpërfshirëse për pasuritë e saj, jo përjashtuese.

Dëshiroj me përsëritë një gjë që e kam thënë edhe më përpara: problemi nuk shtrohet pse e pësoi gegërishtja. Madje çdo parashtrim të çështjes: gegërishtja apo toskërishtja, e gjykoj të papranueshëm.

Problemi shtrohet: gjuha shqipe, degë të së cilës janë si gegërishtja edhe toskërishtja. Eshtë gjuha shqipe, pa janë dialektet e saj.

Mehmet ELEZI

Tiranë, më 06 mars 2004

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin