Kohë më parë, urimet bëheshin përballë gotës së rakisë dhe qengjit në hell, me trokitje gotash e shtrëngime duarsh, përballë sofrës së mbushur dhe zjarrishtës së nxehtë. Më vonë erdhi epoka e kartolinave, pastaj ajo e telefonit, së fundi e sms-ve dhe e internetit. Asnjëra prej epokave nuk e zëvendësuan tërësisht pararendësen, por vetëm sa iu mbivendosën pjesërisht njëra tjetrës, duke e pasuruar kutinë e mjeteve për dërgimin e urimeve.
Me “shqipen totalitare”, hapësirën virtuale në të cilën notojmë sot rregullisht, do ta quanim ekspansioniste. Sepse interneti anon të zëvendësojë shumë gjëra, kryesisht çka i mungon individit në jetën normale. Prandaj edhe shndërrohet shpesh në odë burrash, në dhomë grash, në të dyja bashkë, në tryezë bisedimi, në kafene takimi, në shtrat psikanalisti, në llogore heroike, në tabelë emulacioni, në banjë publike, në shëtitore qyteti, e kështu me radhë.
Në mungesë të tavolinës me gjel deti në mes, pra në mungesë të kontaktit fizik, shqiptarët kanë filluar t’i dërgojnë urimet nëpërmjet celularit dhe internetit. E keni venë re sa janë shtuar urimet on line? Madje disa lista diskutimi kthehen këto ditë në afishe virtuale. Diskutimet normale suprimohen nga ligje interneti të padukshme. Si të thuash, vendoset një farë shtetrrethimi me lajmërime të nënkuptuara të llojit: “Nga data 24 deri në datën 31 dhjetor, nuk lejohen diskutime që nuk kanë si objekt urimet për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Çdo kundravajtje do të ndëshkohet rreptësisht”. Dikush fut në lojë edhe telepatinë. Me fjalë të tjera të gjithë shqiptarët, telepatikisht, vendosin të pezullojnë zallamahinë e zakonshme për të bërë urimet për vitin e ri.
Tsunami i urimeve, që vjen rregullisht në periudhën e festave të fundvitit, ka arsyet e veta. Fakti është se njohjet janë shtuar progresivisht këto vite. Tek e fundit, njohjet nuk mund të kufizohen me shokët e ushtrisë apo shoqet e takuara në maternitet. Sot mjafton të futesh në rubrikën e Outlook-ut të dikujt dhe nuk del pa urime. Pa le të jesh regjistruar në disa lista diskutimi: mbytesh në urime. Qofshin edhe lista serioze akademike apo të shpallura si të tilla. Nga ana tjetër, distancat ndërpersonale në Shqipërinë e sotme janë ku e ku me ato të dikurshmet. Emigracioni i ka përzgjatuar më shumë largësitë midis njerëzve. Kjo ka bërë që pesha e tyre të ndihet në mallin e ndërsjellë, që nxjerr kokë, indirekt, në urimet e vitit të ri. Ekspertët e publicitetit do të përdornin këtë slogan: “Je vetëm një e-mail larg“, ose “Kushërinjtë e miqtë tuaj? Sa afër me sms-të tona!“.
Megjithatë, ka njerëz që nuk bëjnë urime as për mall, as për njohje. Ja disa kategori urimdërguesish modernë:
1. Të shoqnisë – këta janë të papërtueshëm. Urojnë se u pëlqejnë të urojnë. E ndjejnë veten në shoqëri përherë, si virtualisht ashtu edhe rreth gotës së konjakut me shokët e maturës. Edhe me shokët e fillores ndonjëherë.
2. Sporadikët – urojnë rrallë, por nuk e kanë nga përtesa. Këta janë pasardhësit e “mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova”.
3. Të përgjegjshmit – këta dërgojnë e-mail ose sms vetëm me funksionin “përgjigju”. Si në celular ashtu edhe në kompjuter. I konceptojnë urimet si detyrë, ose borxh. I kthejnë, nuk i bëjnë. Nuk është se s’kanë iniciativë. Përkundrazi. Por e mbajnë hundën paksa përpjetë. Modelin e komunikimit të urimeve e kanë huazuar nga Bibla: “Dhëmb për dhëmb” = “Urim për urim”.
4. Institucionalët – Këta edhe kartolinat virtuale i fillojnë: “Më lejoni që me këtë kartolinë…”
5. Snobët – Për t’u dalluar çfarë nuk bëhet. Deri dje ishin të parët që luanin me tastierat e celularëve dhe kompjuterëve. Sot, përderisa masa i përdor normalisht për urimet, ata nuk denjojnë.
6. Ekspertët e komunikimit – Meqë edhe mungesa është prani, ekspertët nuk bëjnë asnjë urim as me sms, as me e-mail. Nuk e bëjnë për snobizëm, e bëjnë për të treguar se janë të zotë në “PR” dhe se e kanë kuptuar skemën e konsumuar të komunikimit: dhënësi – kanali – marrësi.
7. Të vetmuarit – Ky grup nuk dihet sa i madh është, pasi urimet i përdor si alibi për mos pranuar ftohtësinë e vetmisë. I dërgon urime edhe vetes. Për këtë arsye ka hapur edhe shumë adresa e-mail.
8. Rutinorët – Këta i dërgojnë urimet për inerci. U është kthyer në shprehi. Të njëjtin model pune adoptojnë edhe kur bëjnë seks me gruan.
9. Formalistët – Kur forma ngadhënjen mbi përmbajtjen shfaqen formalistët e urimeve. Këta nuk kanë ndërmend t’i dërgojnë urime kurrkujt, por kur në postën e tyre elektronike i vjen një pemë me xixa, ose ndonjë imazh tjetër farfuritës, ua postojnë të gjithë anëtarëve të rubrikës. Ndokush i quan “kopjacë të dështuar”, sepse gabojnë duke ia çuar urimin edhe atij nga i cili u erdhi fillimisht.
10. Origjinalët – Këta mendojnë gjithë vitin për formulën origjinale të urimeve. Shkojnë e bezdisin poetët klasikë e modernë. U vjedhin vargje për t’ua përcjellë të gjithëve. Nuk dihet përse ua merr gjithnjë dikush në kthesë, d.m.th. në citim.
11. Të lodhurit – Te kjo kategori hyjnë ata që i kanë dërguar urimet me të gjitha mënyrat: me gojë, kartolinë, telefon, faks, sms, e-mail. Tani janë të lodhur. Me mjetet tradicionale.
Jam i bindur se ndër shqiptarë ka kategori të tjera urimtarësh. Galeria është sigurisht më e pasur.
Po sikur në këtë çast, t’ju dërgoj urimet e mia për vitin e ri 2008, pra të gjithë lexuesve të këtij blogu, në çfarë kategorie futem?
Shqiptarëve mbetet veç t’u uroj shnet e shtet!
Gëzuar e me begati Viti i Ri!
I lexova disa herë ato kategoritë (shumë të lezetshme) dhe nuk arrita të vendos se në cilën prej tyre bëj pjesë. Zakonisht më pëlqejnë përkatësitë shumëse dhe mund të them se kam aplikuar disa nga ato kategori për njerëz të ndryshëm të cilëve u kam bërë urimet. Duke qenë se në fund të fundit më duket pa shumë kuptim vrapi i urimeve last minute, “gishti më i shpejtë” që arrin të uroj i pari, kisha vendosur që këtë vit mos të merrja pjesë në lojë. Megjithatë atmosfera të përfshin dhe pasi lexon mesazhet e para që të arrijnë të duket vetja si tip pa edukatë po mos ti përgjigjesh. Pasi ke nisur pothuajse 20 sms përgjigjesh mendon se ndoshta ja vlen të urosh dhe ti ndonjë me iniciativën tënde, dhe në atë moment e ndien që bën pjesë dhe ti në familjen e uruesve të festave të fundviti.
Gëzuar
:):)
Pishak,
Me duket se ti vete hyn tek te “vetmuarit”. Mos ndoshta nuk ke pasur kujt ti urosh dhe u shtyve te shkruash gjithe kete flete-rrufe?
Gjithsesi une vete e ndjeva metamorfozen e kalimit ne cdo grup kete dy javeshin e fundit… Tashi jam i lodhur, dhe mezi po me bejne gishtat te te them…
Gezuar 2008
Nuk besoj se ka shume rendesi grupi se ku perket, e bukura eshte qe arrite te percjellesh nje mesazh urimi:)
Gezuar 2008!
me ka argetuar jashte mase ky shkrim Pishak.Pak rendesi ka se k,ne ç’grup futesh , mendoj se ke zgjedhur nje menyre te shkelqyer urimi:) Si perhere nje analize shume e kendshme e ketij fakti te ri social.
Kam kohe qe bluaj ne mendje diçka ne lidhje me keto ndryshime ne jeten tone virtuale ,prandaj ndjeva kenaqesi kur u perballa me kete shkrim. Mbase dikur shkruaj diçka dhe une, por do te ve ne pah me shume diçka tjeter.
Te falenderoj dhe ndonese me vonese [gje qe shkaktohet nga mundesia ime per ta lexuar bllogun tuaj wordpress vetem nga nje kompjuter pasi wordpressi eshte ende i bllokuar ne Turqi:(] , te uroj ty dhe tere stafit te Xhaxhait nje vit sa me te mbare dhe shkrime sa me te kendshme:)