Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media / Sociologji

NGADHNJIMI I MONOLOGUT

Eseja e Ardian Vehbiut me titull “Mjerimi i monologut”, botuar tek gazeta “Shekulli”, vuri theksin mbi një nga problemet më të mprehta të kulturës shqiptare: mungesën e dialogut. Analiza e thellë e dukurisë u pasurua, si zakonisht, nga stili i tij i këndshëm dhe efikas. Mirëpo, Vehbiu nuk mori asnjë përgjigje ose reagim nga kolegët e tjerë intelektualë. Të jetë kjo një nga provat se i kishte rënë pikës?

Vërejtja se në tryezat mediatike po rrethsillen të njëjtat tema më duket tepër me vend. Arsyet për përsëritjen e temave gjithashtu. Citoj: “Themelorja i detyrohet përsëritjes së vetë problemeve në jetën reale, nëse çështja e dosjeve totalitare mbetet e pazgjidhur, atëherë edhe mediat do t’i rikthehen herë pas here; po ashtu, sa herë që ndodhin krime të frikshme, ose veçanërisht të pashpjegueshme, do të ketë grupe ose qarqe që do të kërkojnë rishikimin e Kodit Penal, për t’i ashpërsuar dënimet”.

Temat me karakter kulturor lidhen edhe me ardhjen e brezave të rinj. Kemi të bëjmë me “rituale iniciatike”, nëpërmjet të cilave brezat futen në debatin publik për të pohuar, midis të tjerash, ekzistencën e tyre. Vehbiu e thotë qartë. Cili është problemi atëherë? Çështja qëndron në faktin se debati publik shfaqet në media në formë rrethi. Kthehet në fillimin e tij pa ruajtur asnjë lloj kujtese të mëparshme. Mekanizmi gjendet në shumë filma fantastiko-shkencorë. Personazhi kthehet në të njëjtin vend, sepse është në asnjë vend. Me fjalë të tjera, shumë tema rimerren nga autorë të ndryshëm ex novo, pa mbajtur parasysh çfarë është shkruar herët e tjera nga kolegët e tyre. Do të shtoja, se në këtë kategori fshihen edhe kopjacët, të cilët lexojnë çfarë është shkruar më parë, por nuk citojnë. Arsyet dihen.

Që “ende na mungon kultura për të vlerësuar dhe cituar njëri-tjetrin” është e vërtetë, po aq sa është fakti se shumë editorialistë u referohen vetëm të mëdhenjve të mendimit bashkëkohor, por jo mendimit shqiptar. Krahas këtyre flenë edhe ata që citojnë profesorët e profesorucët që takojnë sa andej këndej nëpër mastera e kurse specializimi. Të dy palët mëkatojnë sepse injorojnë kontekstin ku mendimi i tyre lind e rritet. Kësisoj mendimi vyshket si ajo lulja që lihet në errësirë. Sepse shkëmbimi ka rëndësi për mendimin aq sa dielli dhe uji për bimën.

Në filmin The Golden Child (me aktorin Eddie Murphy) ka një skenë domethënëse (edhe pse filmi është i dorës së dytë). Eddie është në kërkim të kamës së shenjtë. I duhet të kalojë nëpër disa kurthe alla Indiana Jones. Një nga këto është një dhomë dyshemeja e së cilës nuk duket nga tymi. Duken vetëm kokat e disa trungjeve të ngulura vertikalisht. Heroit i duhet të kërcejë nga një trung tek tjetri. I bindur se kishte të bënte me iluzion optik, merr një monedhë dhe e hedh poshtë. Me buzëqeshje dinake rri ne pritje të tingullit klasik. Asnjë zhurmë nga humnera e vërtetë.

Në përmasat e mia modeste e kam provuar personalisht atë heshtje. Hedh një mendim, ndoshta provokator e revolucionar në qëllim, por nga hapësira publike shqiptare nuk mbërrin asnjë zë. Më pas mund të vijë ndonjë reagim, por duke iu referuar Habermasit, si të thuash indirekt, me tabelë. Me të drejtë Vehbiu konstaton se “ligjërimi publik katandiset në kakofoni monologësh”. Ndër arsyet renditet mungesa e kulturës së dialogut. Për mendim tim, këtu duhet futur edhe ngarkesa polarizuese që politika i jep debatit publik. Duke mos pasur një kulturë të mirëfilltë dialogjike, hapësira publike perceptohet si arenë gladiatorësh, pra palësh në luftë. Ka raste që edhe vetë ndërluftuesit e shohin veten në këto pozita, pa hezituar ta ushqejnë këtë imazh edhe pranë opinionit publik. Nga ana tjetër, etiketat e partishmërisë (lexo anshmërisë) përdoren rregullisht nga forcat politike, por edhe nga publiku apo vetë aktorët e debatit. Armë që dëmtojnë protagonistët në radhë të parë. Por ndoshta më shumë dialogun, çka do të thotë publikun ose të mirën e bashkësisë. Këtu, nuk është e vështirë të dallohen genet totalitare.

Monologu ngadhnjon kudo. Politika flet për hesap të vet, intelektualët deklamojnë veçmas, publiku dëgjon pa vëmendje. Sepse kultura e dialogut merr jetë edhe midis lexuesit dhe editorialistit, për shembull. Ardian Vehbiu, si rrugë kryesore për ta pasuruar mendimin kombëtar, sheh kultivimin e vetëdijes pluraliste në dialog. Recetë e saktë. Për mendimin tim kjo mund të realizohej nëpërmjet një elite të vetëdijshme për rolin e saj, në themelet e së cilës të vendosej etika e përgjegjësisë. Karakteri heterogjen i elitës së sotme shqiptare vetëm sa i ngre volumin korit të çakorduar të individualiteteve, duke shkaktuar pështjellim në opinionin publik dhe ngazëllim tek politika instrumentalizuese. Ndërkohë, shpresoj që vetmia e monologut ta bëjë efektin tek interpretuesit e saj, në mënyrë që mendimi shqiptar të mos marrë formë vetëm në temat e diplomave të studentëve që janë ekspertë të citimit të hapur e të fshehtë. Shpresa tjetër i detyrohet internetit, ku volens nolens dialogu mësohet që në kliket e para. Edhe pse në këtë hapësirë virtuale – ku jetësohet edhe blogu ynë – ndonjëherë është dialogu që gjen mjerimin e vet.

6 Komente

  1. Zoti Pishak,

    Shenimet tuaja dhe shkrimi i Vehbiut, pa nenvleftesuar aspak problemin, mua me kujtojne ate historine qe dime te gjithe, “ka 40 arsye pse nuk bien kembanat: e para, nuk kemi kembana, e dyta,…”

    Qe te kete dialog, diskutim, shkembim mendimesh e cdo forme tjeter nderveprimi intelektual, duhen te pakten dy pale. Neve here pas here kemi nje pale qe ngre nje shqetesim (Vehbiu, Lubonja e ndonje tjeter), por na mungon pala tjeter. Se duhet aftesi, duhet dije, duhet deshire per te mesuar edhe kur s’di, duhen perpjekje per te kuptuar, duhet perunjtesi per te pranuar superioritetin intelektual te debatuesit, duhet tolerance per te pranuar mangesite e argumentit….duhet e c’nuk duhet… (duhen kembana) per te patur debat intelektual.

    Gati 99 perqind e atyre qe mbushin faqet e gazetave sot ne Shqiperi, per mua, hyjne ne kategorine e atyre qe dikush i quajti “Anilat e shtypit”….ai 1 perqindshi qe mbetet, intelektualet e vertete elitare, duket sikur flet me veten ose qameti qameti jep e merr neper blogje.

    Me keqardhje

    L.

  2. Z. Pizhak,

    Mendoj se arsyeja qe nuk ka reagim ndaj shkrimit te Vehbiut, eshte se ne kete shkrim ai eshte elitist ne stil, metode dhe subjekt, kjo jo per efekt pamundesie nga ana e autorit. Heshtja qe ju bie juve ndersy mund te thuhet se ka te beje me teper me natyren e kultures se vendit, nje kulture kjo me paterne vertikale. Me duket mua se te gjitha raportet qe eshte ne gjendje te krijoje kultura shqiptare jane raporte varesie dhe jo ndervaresie. Ndertimi i tyre, me shume se me cdo gje, ngjan me ndertimin e raporteve ne familjen shqiptare ku femijet tane mesohen se pari se si te hedhin poshte, te mos pranojne. Ata nuk mesohen se si te zgjedhin. E drejta per te zgjedhur, mundesia per te zgjedhur, aftesia per te zgjedhur , te gjitha keto krijojne kushtet per debat, per diskutim, per dialog, sipas nivelit perkates, dhe kjo, kam idene se tek ne mungon. Ne rastin me te mire, nje shqiptar i merr dhe i njeh vlerat e kutures se vet ne menyre pasive, thjeshte nga te qenit nje anetar i shoqerise qe jeton nen kete kulture. Ne rastin me te keq, (dhe ne kete kategori ben pjese Vehbiu) ai perpiqet te beje nje interpretim personal te gjerave, kjo e mbeshtetur mbi nje studim sistematik te njerezve dhe fenomeneve.

    Megjithate autorit i do bere e ditur qe auditoriumi i tij nuk eshte fare bosh.

  3. Nuk besoj se eshte aq tragjike sa c’mendon autori.
    Mendoj se artikulli eshte goxha kontradiktore ne pjesen e dyte te tije.
    Predikohet huazimi i shembujve dhe i mendimit te huaj dhe ne te njejtin moment autori i referohet atyre.
    Per mua nuk eshte dhe shume e rendesishme se ne cfare bazohesh per te bere nje vleresim kritik,( te nje eseje, romani, ngjarjeje politike , etj) por, eshte e rendesishem menyra sesi arrihet ne nje perfundim dhe nese perfundimi eshte me te vertete nje rezultat analize dhe deduktimi kritik i te gjithe materialit qe po analizohet.. Eshte e rendesishme qe ne cdo gje te merret pjesa me e dobishme dhe normalisht te lihet ajo e kalbura.

  4. “Ne rastin me te keq, (dhe ne kete kategori ben pjese Vehbiu) ai perpiqet te beje nje interpretim personal te gjerave, kjo e mbeshtetur mbi nje studim sistematik te njerezve dhe fenomeneve.”

    Mund te jem i influencuar me shume nga ai imazhi i femijes qe nuk pranon ketu, se sa nga kendveshtrimi objektiv se jeni duke performuar te njejtin gjest. Sidoqofte, pavaresisht Vehbiut, nuk arrij t’a kuptoj se ku qendron e keqja e nje interpetimi personal? Ne pergjithesi interpretimi personal eshte, por mund edhe t’a keni per ndonje rast te vecante. Apo ku qendron e keqja tek mbeshtetja e ketij interpretimi mbi nje studim sistematik njerezish dhe fenomenesh? Po qe se interpretimi mbeshtetet me te vertete ne nje studim sistematik, a nuk do t’i jepte pikerisht keto nuanca kjo mbetshtetje, dhe jo nuanca te personalizuara?

    Por ndoshta kete keni dashur te thoni edhe ju, dhe atehere perulem para genit ironik, perndryshe, nuk e kuptoj kete rastin me te keq?

  5. Debati prezupozon një ambient të shëndetshëm nga ana e përmbajtjes dhe metodës me të cilën kjo përmbajtje kalon në opinion. Në momentin që një intelektual, analist, shkrimtar, gazetar shkruan diçka që në mënyrë cilësore ushqen debatin (të nënkuptuar si konstruktive dhe jo si vetushqyes për polemikën në kuptimin e saj negativ) duhet të gjejë një terren pjellor, ku stimuli të perceptohet si i tillë. Në një debat të shëndetshëm “kundërshtarët”, ata që kanë një pikëpamje të ndryshme mbi realitetin që na rrethon mezi presin që pala tjetër të shprehet dhe ata të kenë mundësinë të arrijnë nëpërmjet argumentimeve logjike të përforcojnë pozicion e mendimit të tyre duke arritur dhe ta modifikojnë atë nëse pala tjetër arrin të jetë shumë bindëse. Në ambientet tona por në përgjithësi në ambiente të mitura kulturalisht konsiderohet si ndjenjë inferioriteti citimi i një “të ngjashmi me veten”. Eshtë shumë më e lehtë të citohen të mëdhenjtë e mendimit, filozofisë, artit sepse janë diçka e konsoliduar pa rreziqe të mëdha dhe që bëjnë pjesë në një pasuri të përbashkët ku të gjithë e ndiejnë veten të autorizuar për furnizim. Të njohësh vlerat e dikujt që është afër teje konsiderohet si disfatë personale nëse nuk je në gjendje të hapësh mendjen. Albert Einstein thoshte se “ mëndja është si parashuta; shërben vetëm kur hapet”. Ti hapësh mendjen debatit, të mësohesh të vësh në diskutim bindjet e tua për ti pasuruar akoma më shumë është si një parashutë që na ndimon mos të biem në injorancën e konformizmit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin