Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (XXII)

Kur vinte fjala për të përfaqësuar e përmendur në ligjërimin publik njeriun e ri, skematizmi merrte përparësi ndaj krijimtarisë, kryesisht ngaqë imazhi i njeriut të ri ishte i përcaktuar ideologjikisht dhe nuk lejonte shmangie nga klishetë, as fluturime të tepruara të fantazisë, si në rastin e portretizimit të armikut.

Para se të paraqitej si individual, njeriu i ri ishte pjesë e klasës ose e kolektivit ose e një grupi që vepronte në mënyrë korale: masat e gjera, masat punonjëse, fshatarësia kooperativiste, klasa punëtore, bijtë dhe bijat e popullit, rinia jonë heroike, nënat dhe motrat, inteligjencia popullore, veteranët, heronjtë e luftës dhe të punës, heronjtë e heshtur, shokët në terren, ata që jetojnë me djersën e ballit, shokët në bazë, njerëzit tanë

Natyrisht, edhe kur flitej për masat e gjëra punonjëse, ligjërimi totalitar ruante parapëlqimet e veta, në kuptimin që figura e metalurgut do të merrte përparësi ndaj, të themi, bletërritësit ose argjendarit. Kjo materializohej pastaj edhe në temat dhe personazhet e pikturave dhe të skulpturave, ose në imazherinë e pllakateve të propagandës “revolucionare”. Kategori të caktuara punonjësish do të vinin duke u mitologjizuar kështu deri atje sa të shndërroheshin në elemente të thjeshtuara narrativash njëlloj të thjeshtuara, për proceset ekonomike dhe sociale në Shqipërinë e kohës: naftëtarët, tornitorët, frezatorët, shkrirësit e bakrit, saldatorët, montatorët, ndërtuesit, tekstilistet, traktoristët, zetoristët, mjelëset, kombajnerët, fillrojtësit, minatorët, tipografët, novatorët, punëtorët e partisë, veprimtarët shoqërorë, sulmuesit, vullnetarët, aksionistët, kufitarët, pilotët. Ekzaltimi i këtyre figurave algjebrike u bënte jehonë politikave totalitare për zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga ana tjetër, grupi shoqëror, kategoria profesionale ose klasa shoqërore pikturoheshin si reale, ndërsa individi rezultonte më tepër fryt i një procesi abstraksoni ose sinekdoke, të ngjashëm me tipizimin si metodë të letërsinë realiste.

Heroi pozitiv në ligjërimin publik vinte me një bagazh të përcaktuar mirë virtytesh morale, të cilat rregullisht do t’i përshtateshin vizionit totalitar për njeriun e ri si skllav, kur ishte fjala për të punuar, dhe ushtar, kur ishte fjala për të luftuar.

Klikës totalitare i duheshin shqiptarë që të punonin kokulur për ta shndërruar Shqipërinë në kështjellë të pamposhtur në brigjet e Adriatikut, por edhe që të ishin pastaj gati për të dhënë (edhe) jetën në luftë për ta mbrojtur kështjellën. Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, nocioni i gatishmërisë është kyç për të kuptuar mënyrën e ndërtimit të mitit. “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë” ishte ndoshta parulla më e rëndomtë në manifestimet politike publike, nëpërmjet së cilës masa i shprehte besnikërinë udhëheqësit.

Skllavi përshkruhej si gjithnjë i gatshëm për punë, palodhur, i thjeshtë, i papërtuar, fjalëpak, i punës e i veprave, në krye të detyrës, në pararojë, shërbëtor i popullit, këmbëngulës, i pakursyer, me duar të arta, me duar me kallo, kapitali më i çmuar, që i përvishej punës me frymë (vrull, zell, vendosmëri) revolucionare, që nuk mbyllte sy, që nuk ia bënte Partisë fjalën dysh.

Ushtari, nga ana e vet, ravijëzohej si përherë i gatshëm për betejë, për të marshuar, për t’u hedhur në sulm, për t’u sakrifikuar e për të derdhur gjakun në mbrojtje të fitoreve; vigjilent, syhapur, syshkëndijë, me barutin thatë; i besës, i fjalës, që nuk dorëzohej kurrë, i paepur, i pathyeshëm, i patundur, vetëmohues, shkëmb graniti, i pamëshirshëm me armikun, i pushkës dhe i penës.

Edhe skllevërit edhe ushtarët përfshiheshin në skenën publike vetëm pasi t’i ishin nënshtruar me sukses procesit të indoktrinimit ideologjik, i cili i shndërronte në të formuar, të brumosur me frymën e klasës, që e vinin interesin e përgjithshëm mbi interesin vetjak, të partishëm, zemërzjarrtë, me qëndrim të mirë, me tendenciozitet klasor, të edukuar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, e natyrisht, të gatshëm për të ngrënë edhe bar, për të mos i shkelur parimet.

Kjo mizëri skllevërish e ushtarësh kish nevojë për mbikqyrësit e komandantët e vet, sikurse kish nevojë për të adhuruar idhullin sublim të autoritetit, ose Udhëheqësin; pa të cilin jo vetëm makina totalitare nuk do të funksiononte dot, por edhe vetë ligjërimi publik do të bëhej i pamundshëm.

Në jetën sociale, Udhëheqësi funksiononte si burimi suprem i motivimit; në ligjërim si burimi suprem i kuptimit. Edhe në jetën sociale, edhe në ligjërim, Udhëheqësi ishte pika imagjinare e referimit, interlokutori abstrakt, ose prindi e gjykatësi autoritar para të cilit duhej përligjur gjithçka.

Si edhe në fusha të tjera, kur ishte fjala për karakterizime të Udhëheqësit, metaforat ushtarake zinin kryet e vendit: komandant legjendar, komandant i lavdishëm, strateg, arkitekt i fitoreve të socializmit, largpamës. Duke u mëshuar cilësimeve të tilla, ligjërimi totalitar i referohej edhe përfytyrimit popullor për shqiptarët si popull tradicionalisht luftarak e për shqiptarin që “nuk e ka qitë lokja prej barkut, por huta prej çarkut”.

Nga ana tjetër, Udhëheqësi do të paraqitej edhe si i thjeshtë, zemërflori, njeri i shtresës, popullor, pa salltanete; sikurse ai vetë do të kujdesej ta karakterizonte veten si besnik i Partisë, ushtar i Partisë, ushtar i revolucionit, shërbëtor i popullit. Kjo modesti, në vetvete skandaloze, duhej të përligjte pastaj të gjitha kërkesat për sakrifica, gatishmëri dhe vigjilencë.

Kreu i regjimit totalitar – ose Enver Hoxha, në rastin konkret të totalitarizmit shqiptar – duhej paraqitur në mënyrë të tillë që publiku, në atë masë që i ekspozohej paraqitjes, nuk mund të konstituohej veçse si ushtar ose si skllav ose si pjesë e një mase të panumërt, e cila e gjente identitetin vetëm duke adhuruar Kreun.

Në ligjëratat e veta publike, Enver Hoxha rregullisht e identifikonte veten me Partinë, nëpërmjet një loje të hollë deiktike që kish për synim ta paraqiste çdo kundërvënie ndaj tij si kundërvënie ndaj vijës politike ekzistuese. Kjo pasqyrohej edhe në një nga parullat më domethënëse të ligjërimit totalitar: “Ne themi Enveri dhe nënkuptojmë Partia; ne themi Partia dhe nënkuptojmë Enveri.” Loja deiktike konsistonte në atë që “Partia” ishte emri me të cilin i drejtohej vetes Udhëheqësi, në vetën e tretë; çka mbështetej në atë që Sekretari i Parë ishte njëfarësoj i lejuar, madje i autorizuar, të fliste në emër të Partisë, e ta personifikonte atë në sytë e publikut.

Përndryshe, në kontekstet e ligjërimit publik, shoku Enver manifestohej si fjalë, çka përputhej me rolin themelor të kësaj figure në përfytyrimin kolektiv, si burim primordial të vetë ligjërimit publik. Fjalët e Udhëheqësit duheshin jo vetëm dëgjuar, por edhe studiuar, përsëritur, zbërthyer, përvetësuar dhe riprodhuar; sepse vetëm ashtu ligjërimi politik do të fitonte legjitimitetin e nevojshëm. Nga kjo pikëpamje, vepra e shkruar e Enver Hoxhës ishte njëkohësisht burimi dhe destinimi i vetëdijes kolektive të totalitarizmit shqiptar. Nuk ishte rastësi, as thjesht produkt i megalomanisë, që krerët e regjimeve totalitare e shihnin të arsyeshme të shkruanin për të gjitha çështjet dhe temat e mundshme: nga nafta te gjuhësia, nga vreshtaria te gjeopolitika, nga jurisprudenca te metafizika arabe. Ligjërata e Enverit merrte kështu detyrimisht atributet e programeve, në bazë të të cilave funksiononte ligjërimi publik; programeve të cilat përcaktonin kuptimet dhe ngjyrimet emotive, tonin dhe regjistrin e ligjëratave; por edhe që i ofronin të gatshme ato të vërteta të cilat pastaj, tautologjikisht, duheshin “provuar” e argumentuar nëpërmjet veprimtarisë ligjërimore rutinë.

4 Komente

  1. Xhaxha, kam dicka te paqarte, te cilen shpresoj te m’a sqarosh, ne lidhje me kete pjese. Kur behet fjale per figuren e skllavit, kam te ngulitur ne koke, minimumi zinxhiret, apo kamzhikun si shfaqje publike. Nuk dua te them qe zinxhiret dhe kamzhiku ne ate kohe nuk ekzistonin, si rrjedhoje perdorimi i figures se skllavit eshte pa vend. Thjesht dua te ve ne dukje qe skllaveria ishte e heshtur, mjetet e skllaverimit, jo publike, por private, ne dhoma torture te sherbimit sekret. Rrrjedhimisht edhe shfaqja e figures se skllavit, nuk ka qene publike, por private.

    Sic edhe kam vene re, mbase edhe gabim prej meje, qellimi i ketij cikli prej teje, me duket konteksti i gjuhes totalitare, sic edhe shprehet ne titull. Si e tille, skllaveria ishte dicka nga e cila regjimi na clironte, sic edhe e ke shprehur ne vende te tjera ne lidhje me clirimin prej vargonjeve te huaj, apo prej kulakeve, apo prej armiqeve, etj. Keshtu pra, ne kontekstin e gjuhes totalitare, me duket gabim te perdoresh “skllav, kur ishte fjala për të punuar”, pasi skllaveria nuk eshte pjese e kesaj gjuhe. Skllaveria eshte e crrenjosur nga gjuha publike totalitare jo vetem per ate qe partia na cliroi, por gjithashtu sepse punetori si skllav mund te gjykohet i tille vetem nga perspektiva e sotshme, pra nga konteksti i sotshem, i cili ne njefare menyre eshte i crrenjosur nga konteksti i djeshem.

    Mungesa e lirise vertete justifikohej me gatishmerine, por ne qofte se do t’a kapesh edhe me thelle, mentaliteti ishte determinist, dhe ajo qe e justifikonte me teper mungesen e lirise, ishte “puna vullnetare”. Keshtu edhe paradoksi i nje “lirie me rrenje” ne gjak, te shprehur disi tek pjesa e meparshme, mund te kete marre trajtat e vullnetit. Te jesh skllav, do te thote te deshirosh lirine prej zinxhireve. Mirepo nga ana tjeter, ne qofte se keto zinxhire jane puna, atehere keto ishin zinxhire te vullnetshem, do te thote qe nuk ka pasur nje deshire per clirimin prej ketyre zinxhireve, do te thote qe figura e skllavit eshte e pavlefshme, perderisa deshira per t’u cliruar ka munguar.

    A mund te me sqarosh?

  2. Lulian, e kuptoj mirë vërejtjen tënde; edhe pse unë me “skllevër” kam parasysh njerëz që nuk vendosnin dot nëse do të punonin apo jo, dhe se ku dhe për kë do të punonin; të cilëve shteti ua shfrytëzonte punën deri në fund, por i detyronte të të mendonin se punonin “për veten e tyre”; e më në fund, të cilëve u thuhej, ditë e natë, se ishin çliruar prej shfrytëzimit kapitalist, ose prej detyrimit për të punuar “për beun” – sidoqë ndërrimi i punëdhënësit nuk përbën ndonjë çlirim, dhe në rastin e regjimit komunist përbën një hap prapa, në raport me tregun kapitalist të punës. Ti thua se dëshira për t’u çliruar nga vargonjtë e punës mund “të ketë munguar”, me ç’rast figura e skllavit del “e pavlefshme”; por unë të them se në Shqipërinë totalitare, po të refuzoje të punoje atje ku të dërgonin, mund të dënoheshe me burg, meqë kishte edhe një nen të kodit penal që parashikonte dënim për “parazitizmin”; pavarësisht se shpesh dënimi reduktohej në internim. Mua më duket se pjesa më e madhe e punonjësve nuk dëshironin të bënin atë punë të cilën detyroheshin ta bënin; mirëpo natyra e marrëdhënieve të regjimit me individin ishte e tillë, që dëshirat vetjake për punësim nuk merreshin parasysh. Po këtyre njerëzve regjimi u mohonte deri edhe lirinë për të ndërruar vendbanimin brenda territorit shtetëror (famëkeqi pasaportizim). E kam thënë edhe në një kapitull tjetër të kësaj teme, se puna e quajtur vullnetare ishte, në të vërtetë, punë e detyruar, ose vazhdim i punës angari të dikurshme; dhe se ndërrimi i emrit nga “e detyruar” në “vullnetare” ishte një nga ato ironitë orwelliane me të cilat dëfrehej propaganda totalitare. Të falënderoj, megjithatë, për vërejtjen, e cila më ndihmon jashtëzakonisht.

  3. Falemnderit Xhaxha, dhe shume dakord. Thjesht doja te vija ne dukje se termi “skllav” nuk perdorej per te prezantuar punetoret, cka do ishte edhe e verteta e pathene, ose e thene por me pasoja, por per te prezantuar skllaverine e tyre te meparshme, vargonjte e te ciles thuhej publikisht se partia i keputi.

  4. Edhe nje te vogel ne lidhje me kete, c’ka edhe mund t’a kesh permendur dhe nuk me kujtohet. Perderisa Partia merrte mbi vete rolin e cliruesit, te kerkoje te cliroheshe prej asaj qe thoshte partia, do te thoshte te kerkoje te mos ishe i cliruar. Ne kete aspekt vjen edhe justifikimi ligjor i parazitizmit, apo i pasaportizimit. E thene ndryshe, “C’thote Partia ben Populli. C’do Populli ben Partia”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin