Koncepti totalitar për kohën dhe historinë i mëshonte kontrollit total të rrjedhës së kohës nga regjimi, nëpërmjet projektimit të së ardhmes mbi baza të pashmangshmërisë objektive. Ky koncept ideologjik do të gjente shprehjen e vet në të gjitha nivelet e ligjërimit totalitar publik.
Nga njëra anë, koha historike përthyhej në ligjërim nëpërmjet metaforës së shtegut, të vijës së drejtë, ose të ecjes përpara e të progresit; ku historia nuk ishte veçse një zhvendosje e vetëdijshme drejt së ardhmes, nën drejtimin, udhëheqjen dhe frymëzimin e regjimit, i cili gjithsesi ruante kontroll të plotë mbi të gjitha hallkat e procesit.
Nga ana tjetër, koncepti totalitar për këtë proces ishte i tillë, që e tashmja nuk arrinte dot të përballonte trysninë e ushtruar mbi të nga e shkuara dhe e ardhmja. Shkrimtari frëng André Gide, pas vizitës që bëri në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, vërejti se atje “e djeshmja ishte asgjë, e nesërmja gjithçka”; dhe të tjerë studiues të stalinizmit kanë vënë re prirjen e gjithëpranishme për t’ia sakrifikuar të tashmen së ardhmes (shih për këtë Jeffrey Brooks, Thank You Comrade Stalin!, Princeton University Press, 2000).
Edhe totalitarizmi shqiptar, si modeli i vet stalinist, ishte njëlloj i preokupuar me projektimin e së shkuarës në të tashmen: jo vetëm nëpërmjet krahasimit standard me gjendjen nën regjimin e Zogut dhe treguesit ekonomikë të vitit 1938, por edhe nëpërmjet këmbënguljes zyrtare me festat, kremtimet, përvjetoret, ditët e shënuara, jubiletë dhe të tjera manifestime të panumërta të riprodhimit simbolik të së shkuarës – lapidare, pllaka përkujtimore, monumente, skulptura publike, emërtime objektesh, botime veprash historike e kujtimesh të protagonistëve të atëhershëm, deklarata publike të vijueshmërisë dhe të besnikërisë ndaj “amaneteve” të të rënëve. Ideja e përgjithshme ishte që e tashmja të shihej si rezultat i drejtpërdrejtë i konfliktit primordial të Luftës Na-Çl, i cili konflikt edhe e legjitimonte klasën në pushtet.
Një nga detyrat kryesore të së tashmes ishte të prodhonte histori: jo vetëm kongreset ishin “historike”, por edhe vendimet e KQ, konferencat e kooperativave të artizanatit, vizitat e Enver Hoxhës në zonat e thella, fjalimet programatike të udhëheqësve, inaugurimet e veprave të mëdha.
Manipulimi i së tashmes nga e shkuara nuk manifestohej vetëm në rrafshin simbolik, por edhe në skenarin praktik të llogaridhënies, ku individët ose përfaqësuesit e grupeve ose organizatave njoftonin autoritetet për rezultatet e punës së tyre, zakonisht në formë statistikore:
“Duke punuar me goditje të përqendruar, kemi riparuar 12 makina shirëse.”
“Sektori ynë i pularisë pararojë i ka dhënë tregut 6,400 vezë më shumë se tremujorin e parë të këtij viti.”
“Sektori i historisë së periudhës së Rilindjes ka përgatitur një sesion shkencor me 14 kumtesa dhe 2 bashkëreferate.”
“Kemi dërguar 23 ekspedita në terren, dhe drejtuar punime shkencore të 72 mësuesve të fshatit.”
“Vetëm gjatë muajit tetor, kemi shkulur 480 dhëmballë.”
“Kemi punuar, në formën e edukimit, fjalën e shokut Enver Hoxha në takimin kombëtar të gurskalitësve.”
“Kemi ndërtuar 3 poligone të reja qitjeje dhe kemi kursyer 16 litra vaj topash.”
Këto lloj thëniesh ndërtohen rreth foljesh në kohën e kryer, e cila gramatikisht shenjon një veprim që ka përfunduar së kryeri në të shkuarën, por që i ruan lidhjet me të sotmen. E kryera është mjeti gjuhësor ideal për t’ia varur së tashmes në shpinë të shkuarën, por edhe marifeti më i rëndomtë për të maskuar varfërinë në përmbajtje të së tashmes vetë.
Nga ana tjetër, vetë ekzistenca e shtetit të diktaturës së proletariatit nuk ishte veçse një dukuri kalimtare në rrugën drejt ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste, ose një periudhë e revolucionarizimit të përhershëm të jetës publike, për t’iu afruar edhe më objektivit final. Në këtë kuptim, e sotmja nuk mund të ishte veçse konteksti kohor ku përgatitej e ardhmja:
“Në një kohë kur masat punonjëse në mbarë vendin janë mobilizuar për të vënë në jetë vendimet e Kongresit VII të PPSH, edhe kolektivi ynë…”
E ardhmja ekzistonte në vetë realitetin e ndërtimit, sa kohë që destinacioni i objektit të ndërtuar nuk lidhej drejtpërdrejt me ndërtimin vetë, përveçse në rrafshin simbolik. Ndërtimi ishte një proces shndërrimi dialektik, njëkohësisht i realitetit material dhe i ndërtuesve vetë; edhe pse nëpërmjet ndërtimit nuk prodhohej asgjë përveç të ardhmes.
Shteti totalitar, nëpërmjet udhëheqësve ose përfaqësuesve të vet me autoritet, rëndom u drejtohej masave për t’u ilustruar planet për të ardhmen e ndritur, ose për t’u përmendur fitoret që mbeteshin për t’u korrur, ose sukseset për t’u arritur.
“Në vitin 2020 të gjitha qytetet e Shqipërisë do të lidhen me rrugë hekurudhore.”
“Brenda pesë vjetësh, kapaciteti i portit të Vlorës do të dyfishohet.”
“Së shpejti do të jemi në gjendje të prodhojmë avionët tanë luftarakë.”
Premtime të tilla nuk janë specifike për totalitarizmin, as mund të thuhet se nuk i përgjigjeshin realitetit. Në vitet 1950-1970, falë ndihmës bujare të vendeve të Lindjes më parë, e të Kinës së Maos më pas, udhëheqja shqiptare arriti t’i realizonte një pjesë të mirë të zotimeve të veta në lëmë të ekonomisë, nga të cilat ai për elektrifikimin e plotë të vendit ishte ndoshta më i bujshmi.
Megjithatë, si edhe në aspekte të tjera të jetës politike të vendit, premtime të tilla legjitimoheshin, edhe ato, nga eksperienca e Luftës Na-Çl, kur komunistët arritën t’i mobilizojnë masat në luftë duke i premtuar lirinë nga okupatori dhe shkatërrimin e rendit shoqëror tradicional. E vërteta është se një pjesë e mirë e planeve të atëhershme u bënë realitet; dhe një grusht ëndërrimtarësh, idealistësh, aventurierësh dhe rrugaçësh ordinerë arritën të marrin në dorë drejtimin e mbarë vendit, kundër të gjitha gjasave.
Në rrafshin ligjërimor publik, e ardhmja do të shfaqej kryesisht nëpërmjet aktit gjuhësor të zotimit, ku ligjëruesit si përfaqësues e drejtues kolektivash punonjëse, ose edhe si individë, merrnin përsipër të ushtronin kontroll ndaj së ardhmes, duke i kuantifikuar objektivat e punës së tyre.
Në të vërtetë, e në atë masë që i referohet një të ardhmeje ideale, ligjërimi marksist ka qenë gjithnjë i detyruar ta përdorë kohën e ardhme me tone të forta zotuese:
“Botën e vjetër ne do ta shkatërrojmë/ që nga themelet dhe pastaj/ me duart tona do [të] ndërtojmë/ botën e re në vend të saj.”
Këto vargje, të shkëputura nga përkthimi shqip i “Internacionales” së poetit frëng Eugène Pottier, përmbajnë dy shembuj të kësaj të ardhmeje gramatikore zotuese; ku vullneti, në këtë rast i proletariatit botëror, i jep trajtë dhe drejtim historisë.
Krahas me dhënien llogari, zotimi ishte një nga format themelore të komunikimit të individit me pushtetin ekonomik dhe ideologjik; sepse, edhe në rrethanat e një ekonomie të planëzuar deri në imtësi, akti zotues mbante të gjallë iluzionin se masat punonjëse ishin në kontroll të realitetit dhe e sendërgjonin vetë të ardhmen e tyre.
Njëkohësisht, zotimi ishte edhe përthyerje, në rrafshin e veprimtarisë individuale, të praktikës gjithëpërfshirëse të planëzimit.
Gjuhësisht, zotimi është akt ligjërimor; ose një akt që realizohet nëpërmjet ligjërimit vetë. Prandaj thënie të tipit:
“Unë zotohem para kolektivit se deri në fund të vitit do të kem plotësuar…”
“Ne punonjësit e ndërmarrjes X i premtojmë Partisë se do të…”
“Unë i jap fjalën Partisë se gjatë dy vjetëve të ardhshme…”
“Ne nxënësit e Shkollës së Rezervave të Punës zotohemi solemnisht se…”
“Marr angazhim se brenda muajit mars do ta ngre përqindjen e notës mesatare…”
nuk janë vetëm thënie, por edhe akte performative që i kapërcejnë kufijtë e ligjërimit vetë, nëpërmjet të cilave të ardhmes reale i mbivendosej një shtresë, sado voluntariste, e të ardhmes së dëshiruar, ose të profetizuar.
Në nivel shtetëror, ky lloj zotimi gjente shprehje në formulimin dhe zbatimin e planeve pesëvjeçare, të cilat e riorganizonin kalendarin ekonomik në forma të tilla, që t’u përshtateshin synimeve politike të regjimit. Realizimi i planeve pesëvjeçare ishte edhe objektivi kryesor i krejt veprimtarisë ekonomike të vendit, nga ndërmarrjet e mëdha deri në nivel individual; kësisoj bëhej e mundshme edhe që bilanci i veprimtarisë publike të gjithkujt të mund të shprehej në mënyrë statistikore: numri i vagonave me mineral, i nxënësve me notë mesatare më të lartë se 7.0, i karameleve mente, i faqeve të daktilografuara, i filmave të prodhuar brenda vendit, i pallateve të ndërtuar me punë vullnetare, i fëmijëve të lindur në maternitet…
Megjithatë, planet pesëvjeçare duheshin realizuar dhe zakonisht realizoheshin para afatit, jo vetëm për t’iu afruar më shpejt objektivit final, por edhe për t’ia dhënë sa më shpejt sihariqin shokut Enver dhe shokëve të tjerë kryesorë, që rrikëshin me veshin te telefoni. Jeta publike e vendit vinte e i ngjante ashtu një gare sportive, ku individët dhe kolektivat ishin në garë me njëri-tjetrin, ose në emulacion, çka duhej kuptuar si versioni socialist i konkurrencës “çnjerëzore” të botës së kapitalit.
Plotësimi para afatit shkaktonte edhe një lloj relativizimi të kohës, dhe shtypi rregullisht njoftonte për mjelëse ose traktoristë që “punonin për vitin 2012”, ose që banonin një hapësirë kohore të ndryshme nga ajo e vdekëtarëve të tjerë; këtyre krononautëve u bëheshin nderime të mëdha, madje deri edhe fëmijët e shkollave çoheshin në pelegrinazh për t’i parë nga afër e për t’ua prekur traktorët, lopët e kominoshet, si artefakte magjike nga një kohë tjetër, e përtejme.
Kontradikta midis voluntarizmit dhe relativizimit të kohës nga njëra anë, dhe permanencës absolute të pushtetit totalitar nga ana tjetër zgjidhej, si rregull, nëpërmjet retorikës të një shtrese leksikore të posaçme brenda ligjërimit publik. Fjalë të tilla si përgjithmonë, i përhershëm, i pavdekshëm, i përjetshëm, i pashlyeshëm, i përjetshëm, i pathyeshëm, i pandalshëm, i pakthyeshëm, i papërkulshëm e të tjera të kësaj familjeje morfologjike e semantike, në thelb, e zëvendësonin të sotmen ose kontingjencën – kalimtare me përkufizim – me permanencën, ose përjetësinë metafizike të regjimit totalitar, si pikë referimi e pandryshueshme, përballë së cilës perceptohej dhe matej shndërrimi i përgjithshëm (“dialektik”) i realitetit material dhe shpirtëror.
Kështu, Shqipëria ishte kështjellë e papushtueshme, heroizmi i partizanëve – i pashembullt, revolucioni proletar – i pashmangshëm/i pandalshëm, veprat e klasikëve – të pavdekshme, kufijtë e vendit – të paprekshëm, dashuria e popullit për Partinë – e pakufishme, autoriteti i Partisë – i padiskutueshëm/i pakundërshtueshëm, vija e Partisë – e pagabueshme, vendosmëria e kryengritësve – e paepur, mbledhja për themelimin e celulës – e paharrueshme, qëndrimi i përfaqësuesit shqiptar në OKB – i palëkundshëm, besnikëria ndaj idealit – e patundur, disfata e armikut – e paevitueshme, lufta kundër kulakut– e pamëshirshme, kriza e kapitalizmit – e pakapërcyeshme, e vërteta për veprimtarinë armiqësore të puçistëve – e pamohueshme, ushtria jonë heroike – e pamposhtur, shpirti revolucionar – i papërkulur…
Në thelb, një mbiemër si i pavdekshëm don të thotë “që nuk mund të vdesë; që nuk vdes kurrë”; sikurse i palëkundshëm don të thotë “që nuk mund të lëkundet; që nuk lëkundet kurrë”; i pakthyeshëm “që nuk mund të kthehet mbrapsht; që nuk kthehet dot mbrapsht kurrë”; i pandalshëm “që nuk mund të ndalet; që nuk ndalet dot kurrë” e kështu me radhë. Mbiemra të tillë e shprehin cilësinë ose atributin duke e nxjerrë nga një kontekst hipotetik kundërshtimi ose mohimi, madje edhe atëherë kur ky kontekst nuk është i shprehur drejtpërdrejt në strukturën morfologjike – meqë edhe nderimi i përjetshëm është nderim që nuk shuhet (shterret) kurrë. Nga ana tjetër, e njëjta cilësi ose atribut shprehet në mënyrë të pavarur nga rrjedha e kohës, pikërisht nëpërmjet elementit përbërës semantik KURRË, i cili e përjashton vetvetiu mundësinë që diçka të ndodhë dikur. Në këtë mënyrë, morfologjia i vinte në ndihmë ligjërimit totalitar, duke ia restauruar elementin monolitik të permanencës, ose metaforën – në këtë rast gramatikore – të pushtetit absolut jo vetëm në praktikë, por edhe në kohë.