Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

AUTORITETI DHE KRIMI

Shtimi i krimit makabër nga njëra anë, korrupsioni i shfrenuar nga ana tjetër: tundimi për t’i trajtuar së bashku, si aspekte të ndryshme të së njëjtës dukuri, mbetet i fortë. Megjithatë, disa nga ngjarjet e fundit të kronikës së zezë nuk mund t’i kuadrosh lehtë në analiza sociologjike: sepse në to përfshihen, si autorë ose si viktima, njerëz të gjymtë mendërisht, të cilët me përkufizim i përkasin zgripit të shoqërisë.

Vetëm para pak ditësh, në një fshat të Beratit, një kalama i klasës së shtatë vrau dhe përdhunoi një grua 47-vjeçare pas gjase për ta parë të zhveshur lakuriq; pa përmendur krimin e Peshkopisë, që i solli tmerre të tilla në qendër të vëmendjes së mediave.

Nga ana tjetër, lajmet për vetëvrasje, ose tentativa për vetëvrasje, nga ana e të miturve, për motive ndonjëherë të paqarta e ndonjëherë të dobëta, ka vite që përcillen, edhe pse askush nuk është në gjendje të shpjegojë se ç’i shtyn këta të mitur të kërkojnë t’i japin fund jetës.

Më në fund, komunitetet e lënduara nga ngjarje të tilla të rënda, traumatizohen dyfish, nga kërcënimi tanimë rutinë i vetëgjyqësisë, i cili ende guxon të maskohet prapa kanunit të Lekës. Frika e gjakmarrjes ka bërë të ngujohen, në Dibër, 15 familje të lidhura farefisnisht me Shpëtim Zizën, që akuzohet se ka përdhunuar e vrarë një fëmijë 10-vjeçar.

Çfarë po ndodh kështu me shqiptarët? E kemi thënë edhe më parë, në blog, se një prej shkaqeve për këtë psikozë kolektive është shpërbërja e kapitalit social, ose segmentimi i komuniteteve; deri në atë shkallë sa familja të ketë mbetur, sot për sot, e vetmja njësi mbi-individuale që ende po i reziston atomizimit. Këtë e vërteton, tërthorazi, edhe fakti që vetëgjyqësia po mbështetet gjerësisht në konceptin se përgjegjësinë për një krim të rëndë e mban familja (fisi), jo individi që e ka kryer.

Shoqëria shqiptare, me përjashtim të një elite në kryeqytet, është në regres; sidomos ngaqë reagimi ndaj krimit po merr trajta gjithnjë e më primitive, mesjetare dhe tribale. Shthurja e komuniteteve të bën të pyesësh edhe se ç’i mban bashkë të gjithë këta njerëz, përtej parametrit abstrakt të qytetarisë – përveç televizorit.

fotot që solli Parrulla Armiqësore të bënte përshtypje sesi murosja e ballkoneve në pallatet e banimit, ose verbimi i kontaktit të drejtpëdrejtë me rrugën, ishte kryer paralelisht me instalimin e antenave parabolike të televizionit; aq sa të dukej sikur ajo Shqipëri kish vendosur që komunikimin me botën ta kryente tash e tutje të ndërmjetësuar nëpërmjet ekranit televiziv.

Çfarë po ndodh, pra, me shqiptarët? Shpërbërja e komuniteteve, ose shpërdorimi i kapitalit social nuk mund të jenë i vetmi shkak i anomisë; sepse shpjegojnë shumëçka, jo gjithçka. Ndoshta duhet kërkuar një arsye tjetër, më gjithëpërfshirëse, që të ndihmojë për të kuptuar kolapsin e jetës publike në Shqipëri, korrupsionin, degradimin etik të institucioneve e të individëve që i përfaqësojnë, mbizotërimin e jetës publike nga pasionet materiale, e në përgjithësi profilin e shëmtuar të shqiptarit tipik të suksesshëm, ose “të fortit”.

Një faktor i përbashkët i këtyre shëmtive mund të ishte kriza e autoritetit, sidomos në kontekstin e një shoqërie tradicionalisht patriarkale e të mësuar të qeveriset në mënyrë autoritare, si ajo shqiptarja. Unë autoritetin e shoh të dobësuar në disa aspekte: familjar, komunitar, edukativ, institucional, shpirtëror. Nuk më duket e rastit as që zbythja e autoritetit institucional, e amplifikuar edhe nga mediat, ka ndodhur paralelisht me shkatërrimin e familjes patriarkale, ose me dobësimin në mos zhdukjen e autoritetit të prindërve ndaj fëmijëve; çka pasqyrohet pastaj edhe në zbehjen e autoritetit të mësuesve në shkolla dhe të udhëheqësve shpirtërorë ose role models në jetën publike.

Për ta thënë me terma të një freudizmi fare të thjeshtuar, shoqëria shqiptare ka mbetur pa super-ego, ose pa një kritikë morale të vetvetes. Në një nivel, mungesa e super-egos shfaqet si garë e paskrupullt për pasurim e për pushtet, nëpërmjet korruptimit të hareshëm majtas e djathtas. Në një nivel tjetër, më primordial, e njëjta mungesë shprehet si mbizotërim i sjelljes nga impulset e turbullta të id-it: pasioni për seks, për objekte të fetishizuara (mall, para) dhe për vdekje/vrasje ose zgjidhje të konflikteve nëpërmjet dhunës fizike.

Këtë lloj shoqërie unë do ta quaja të egërsuar (angl. feral); njëlloj si ato kafshë shtëpiake që për arsye të ndryshme kthehen përsëri të jetojnë të shkëputura nga njeriu; në pyll por të pamësuara me pyllin, gjakatare me njëra-tjetrën dhe shkatërruese për mjedisin, gjithnjë të uritura e vjedhacake, mbetur as këtej as andej, ose pengje të një gjakimi të keqorientuar për liri.

Në një shoqëri të qytetëruar, autoriteti ofron edhe një mënyrë për ta administruar frikën në mënyrë racionale; qoftë edhe duke e sublimuar në motive pak a shumë etike të sjelljes. Në një shoqëri të shqytetarizuar, si kjo e tanishmja, traumat më të rënda u detyrohen jo vetëm impulseve dionisiake të nëndheut, por edhe përpjekjeve – sado anakronike e dëshpërimtare – për t’u gjetur derman e për t’u vënë fre atyre impulseve.

Natyrisht, në rrethanat ekzistuese edhe këto përpjekje nuk mund të jenë veçse shprehje e të njëjtit regres, ose të njëjtit projektim drejt mekanizmash të ndryshkur dhe arkaikë: dënimi me vdekje, kanuni, vetëgjyqësia, higjienizimi social. Vetë kalbëzimi merr kështu përmasa vertikale.

2 Komente

  1. “Një faktor i përbashkët i këtyre shëmtive mund të ishte kriza e autoritetit, sidomos në kontekstin e një shoqërie tradicionalisht patriarkale e të mësuar të qeveriset në mënyrë autoritare, si ajo shqiptarja. Unë autoritetin e shoh të dobësuar në disa aspekte: familjar, komunitar, edukativ, institucional, shpirtëror.”

    Dhe më tepër se autoriteti i dobët i familjes, shoqërisë, institucioneve dhe atij shpirtëror, (dhe me këtë më kanë “cilësuar” shpesh si nostalgjik), do të shikoja FALLIMENTIMIN e këtyre subjekteve ose mënyrave të përdorura prej tyre në edukimin dhe ngritjen shpirtërore individuale.
    Megjithëse nuk jam besimtar, shikoja anën pozitive të Fesë në këtë periudhë tranzicioni, si element që me punën për pastrimin e shpirtërave, të mbante lart (pse jo, në nivele akoma më ideale) ato vlera morale që njeriu i ka treguar ti gëzojë përtej çdo ideollogjije ose besimi…. faktet tregojnë që edhe ky element, nuk është ai që do “nxirrte në dritë” shqiptarët që ishin “privuar” forcërisht nga besimi në fe.

    Shoqëria dhe inctitucionet, janë tashmë të para si elementë abstraktë “të panevojshëm”, disi sepse, “punët e mija i di vetë” dhe, mungesa e besimit në institucionet për shkaqe që ndoshta vetë ato institucine kanë ofruar për tu dukur si të padenja për tu marrë si shembull referimi.

    Ngelet si i vetmi model edukimi FAMILJA, që pak mund të bëjë kur është e rrethuar nga një shoqëri që përndjek vetëm modelet e ofruara prej televizionit … modele të një bote dhe jete të ndërtuar në luks dhe mes femrash të bukura që, o
    – të nxisin të kërkosh të arrish me çdo mjet ato standarte (dhe rruga më e lehtë për të realizuar këto “ëndërra” mbetet si gjithmonë krimi, në pamundësi të një mundësie për ti siguruar me punë… por edhe nëse ishte mundësia për punë, sërish, krimi mund të ofronte “kapitalin” e nevojshëm për të përballuar jetën prej RokFeleri që gjithkujt në fund të fundit do ti pëlqente ta bënte)… ose
    – të bëjnë që të ndihesh një “krimb” i paaftë për të arritur atje ku të gjithë kanë/ose duket sikur kanë arritur… gjë që justifikon dhe rritjen e depresionit dhe shkaqet që shpesh shoqërojnë vetvrasjet që gjithnjë e më tepër jemi mësuar ti shikojmë në faqet e kronikave të zeza.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin