Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (XV)

Një nga mënyrat më tinëzare të manipulimit të gjuhës nga ideologjia totalitare ishte modifikimi deri në shpërfytyrim i kuptimit të fjalëve kyçe të ligjërimit politik, të huazuara si leksema ose si koncepte nga ligjërimi politik perëndimor.

Semantizmi i ligjërimit totalitar gjithnjë e kërkonte dyzimin, ose polarizimin e koncepteve, në pajtim me vizionin manikeist të konflikteve sociale, ideologjike dhe kulturore. Kështu, internacionalizmi proletar gjithnjë do t’i kundërvihej kozmopolitizmit borgjez, sikurse patriotizmi do t’i kundërvihej nacionalizmit (shovinizmit).

Përmbytja e ligjërimit publik me terma të rëndë të filozofisë bëri që edhe fjalë të tilla, relativisht të pafajshme si idealist e materialist t’i nënshtroheshin reformës semantike. Idealist, që normalisht shenjon një njeri i cili i përkushtohet idealit, erdhi e u specializua për të shenjuar ithtarët e idealizmit në filozofi; sikurse materialist iu referua kryesisht materializmit.

Përndryshe, korruptimi leksikor do të arrinte, madje edhe me fjalë jo të specializuara, përmasa orwelliane: puna e detyruar, e rinisë shkollore në ndërtim ose në bujqësi, do të quhej punë vullnetare; ose imperialistët dhe lakenjtë e tyre ishin njëkohësisht zjarrvënës, kur ishte fjala për të nxitur luftra “grabitqare”, dhe zjarrfikës, kur ishte fjala për të shtypur lëvizjet revolucionare… Pacifistët borgjezë nuk kishin asgjë të përbashkët me paqedashësit, dhuna revolucionare ishte e kundërta e dhunës kundërrevolucionare; terrori i kuq e kundërta e terrorit të bardhë (pa folur për terrorin e zi); sektarizmi s’ishte veç formë e oportunizmit; sovjetikët vetëm sa ndërhynë në Hungari në 1956, por e pushtuan Çekosllovakinë në 1968 e kështu me radhë.

Manipulimi semantik mund të ndiqet edhe në koncepte themelore të ligjërimit politik publik, si liri, diktaturë, parti dhe demokraci.

Një fjalë e tillë si liri, në bashkëvajtje me çliroj e çlirim, do të përfundonte e përdorur kryesisht në kontekste që i referoheshin Luftës II Botërore dhe luftës për liri, në të cilat kontekste liria do të kishte për subjekt popullin ose masat, jo individin. Kjo sepse totalitarizmi e kishte vetvetiu të vështirë të trajtonte, konceptualisht, lirinë e individit ose të drejtat dhe liritë e njeriut. Filozofikisht, liria do të përkufizohej si “njohje e domosdoshmërisë”, në frymën e Fichte-s e të Engels-it, por një përkufizim i tillë nuk mund t’u ofrohej përdoruesve të përditshëm të konceptit. Prandaj, në ligjërimin zyrtar, prirja do të ishte që liria t’i bashkëlidhej gjithnjë sovranitetit popullor ose shtetëror ose lirisë ndaj diktatit “të huaj”, jo sovranitetit të personit.

Përkundrazi, një koncept vetvetiu i frikshëm si diktatura duhej bërë njëfarësoj i pranueshëm për ligjëruesit, sa kohë që vetë shteti komunist e shihte veten si diktaturë të proletariatit, madje edhe kur pranohej zyrtarisht se proletariati në Shqipëri ishte zëvendësuar tashmë prej klasës punëtore. Ironikisht, Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) e përkufizon diktaturën e proletariatit si “tipi më i lartë i demokracisë”, duke i ngushëlluar ligjëruesit se diktati, ose imponimi me dhunë i vullnetit shtetëror, ushtrohej ndaj borgjezisë, klasave të përmbysura dhe, në përgjithësi, “armikut të klasës”.

Brenda sistemit konceptual të kulturës perëndimore, partitë politike janë grupe ose organizata që shprehin dhe mbrojnë interesat e pjesëve të një shoqërie; prandaj edhe partitë nuk mund të ndahen nga pluralizmi (meqë e tëra nuk mund të ketë një pjesë të vetme). Natyrisht, regjimi totalitar dhe pluralizmi nuk mund të bashkëjetojnë, dhe brenda një sistemi politik si ai që adoptuan komunistët në Shqipëri as që mund të përfytyrohej ekzistenca legale e grupeve ose organizatave që të shprehnin e të mbronin interesa të ndryshme ose (ruajna zot) të kundërta me ato të “klasës punëtore”. Prandaj Partia e Punës u shndërrua në pjesën e vetme të së tërës, pavarësisht nga protestat e logjikës; duke u konfiguruar, vit pas viti, si kastë aristokratike, urdhër kalorësiak ose fetar, me tipare të shoqërive sekrete të cilat i ruajti praktikisht deri në vitin 1990.

Një tjetër nocion problematik ishte demokracia, ose ai sistem politik ku pushteti ushtrohet nga populli, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet përfaqësimit; ideologët e regjimit, nëpërmjet akrobacish semantike të admirueshme, e ripërkufizuan demokracinë duke e paraqitur si formë të diktaturës – së borgjezisë ndaj proletariatit, në rastin e demokracisë borgjeze, së proletariatit ndaj borgjezisë, në rastin e demokracisë proletare. Natyrisht, klima politike në Shqipëri ishte e tillë që i vetmi koncept i demokracisë i përdorur rëndom në praktikat ligjërimore kishte të bënte me “pushtetin e turmës”, ose armiqësinë e hapur dhe agresive ndaj intelektualëve dhe të gjithë atyre të tjerëve që kërkonin të ruanin një farë profili individual. Forma e shprehjes së kësaj demokracie ishte gjithnjë plebishitare, dhe konfliktet zakonisht zgjidheshin nëpërmjet linçimit të pakicës.

Një tjetër lloj manipulimi semantik dhe pragmatik ndeshet në nocionin dhe në praktikën e votës, e cila në sipërfaqe dukej sikur e afronte totalitarizmin me demokracitë perëndimore standard. Në të vërtetë, ndoshta edhe në pajtim me frymën e demokracisë athinjote, vota në Shqipërinë totalitare konceptohej kryesisht si detyrë qytetare, në një kohë që në Perëndim ishte shndërruar tashmë në të drejtë, pas një vargu përpjekjesh shpesh të mundimshme nga të majtët dhe socialdemokracia. Nga ana tjetër, në Shqipëri liria për të votuar kundërshtohej ballazi nga pamundësia për të zgjedhur mes kandidatëve, çka e shndërronte procesin e votimit në një ritual për riprodhimin dhe legjitimimin e pushtetit totalitar. Nëse në një sistem demokratik konvencional akti votues ka gjithnjë më pak rëndësi sesa vendimi i zgjedhësit se për cilin kandidat të votojë, në Shqipërinë totalitare raporti i përparësisë ishte përmbysur brutalisht; rëndësi kishte pjesëmarrja në zgjedhje dhe akti votues, jo vendimi për t’ia dhënë votën këtij apo atij kandidati. Shumë zgjedhës të asaj kohe as që e dinin fare se për kë po votonin; por nuk mund të refuzonin të votonin pa iu ekspozuar rrezikut të përndjekjes politike.

Prandaj vota në të dy sistemet, megjithë ngjashmëritë formale në protokoll, u referohej praktikave thelbësisht të ndryshme. Nëse votuesit në Perëndim nuk mund të mos zgjidhnin mes një numri kandidatësh, votuesit në një sistem totalitar nuk mund të mos votonin; çka shpjegon edhe përqindjen jashtëzakonisht të lartë të pjesëmarrjes në votime nga këta të fundit. Në një kuptim, ndryshimi themelor në praktikat e zgjedhjeve pas kolapsit të totalitarizmit në Shqipërinë e viteve 1990 ishte që qytetarët fituan të drejtën për të mos votuar, madje shumë më herët sesa të fitonin shprehitë politike të nevojshme për të zgjedhur midis kandidatëve në bazë të interesave vetjake.

1 Koment

  1. Xhaxha, ç’është e vërteta, një ideologji nuk ka pse të jetë thjesht totalitare, për ta vënë gjuhën në shërbim të vet. Unë do përmendja këtu rastin e forumeve nacionaliste ballkanike apo luftës së videove që bëhet në Youtube, në të cilat kam hasur fjalë që do t’ia ngrinin qimet përpjetë filologëve të ndershëm. Përmendim këtu – të më falni për gjuhën disi brutale: gayreek: homoseksual grek; monkeydonian: majmun maqedonas; nëse je nacionalist helen, fjala vetvetiu bëhet fyromonkeydonian. Nëse fqinjët tanë kanë prerë (have coined) fjalët Anal-banania dhe Ηλιθία = Ιλλυρία (Illyria), nga ηλίθιος: idiot, ne nga ana jonë kemi dhënë kontribute gjuhësore jo më të pakta, si monteniggaz: negër malazezë, etj, etj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin