Në Kapeni skizofrenin, Xha Xhai preku në një plagë që është më e thellë se ngjarja në Peshkopi. Nuk jam shumë e bindur me argumentin që ofron kur thotë që shthurja sociale vjen prej mungesës së burrave, për faktin që emigracioni kryesisht është familjar ose nga meshkuj beqarë dhe ka qenë më i fortë në zonat rurale. Jam dakord që largimi i meshkujve ka patur nje efekt çrregullues por ma ha mendja që edhe sikur struktura familjare të mos ishte trazuar nga emigracioni keto probleme do të shfaqeshin gjithsesi. Dua të them që mungesa e burrave maskon mungesën e autoritetit qoftë edhe ‘patriarkal’ që gjithmonë e më shumë ndihet në strukturat shtetërore e administrative, sesa në ato shoqërore ku femra (nëna, mësuesja) vazhdon të luajë nje rol aktiv, edhe pse ky rol nuk më duket aq ekskluziv sa në disa shoqëri të tjera kur femra është kryesore.
Për t’u përftuar, kapitali social e kulturor ka nevojë për një hapësirë ku të shkëmbehet. Që efekti ‘eyes on the street’ të marrë kuptimin e duhur, hapësira publike jo vetëm duhet të ekzistojë fizikisht, por edhe të përdoret. Sot fatkeqësisht hapësira publike sa vjen e zaptohet. Nëse dikur rruga ishte shembulli më i përafërt që kishim për hapësirë publike, sot po kjo rrugë është në funksion të makinave e të kalimtarit anonim. Ky transformim i rrugës ka shumë të bëjë me kalimin e një numri funksionesh socializimi televizorit. Më poshtë dua të jap disa shembuj të rrudhjes së hapësirës publike që lidhen disi me aktualitetin e temës dhe shpresoj që lexuesit të më ndihmojnë duke shtuar mbresa të vetat. Nuk kam për qëllim të jap ndonjë pikturë idilike të së kaluarës, edhe pse për moshën që kam pasur atëherë, ajo kohë më është dukur e ëmbël. As nuk dua të ndëshkoj gjendjen e mjerueshme sot, sepse e di që as kjo nuk ekziston në vakuum.
Në anën e qytetit ku kishte gjyshja ime shtëpinë, mjaftonte të kaloje rrugën që të dilje në një pemishte mollësh, ku grate mblidheshin çdo pasdite e shtronin ndonjë batanije poshtë ndonjë peme. Një hapte dyshekët e leshit për t’i ajrosur, tjetra përgatiste pajën e dasmës së gocës, një tjetër arnonte çorapet për vjeshtën që po afronte. Sado të preokupuara me punë shtëpiake e thashetheme, mendjen e kishin gjithmonë të fëmijtë, sepse punët mund t’i bënin fare lehtë edhe secila në shtëpinë e vet. Nuk mbaj mend kur filluan të ndërtonin godina të reja atje, por sa hap e mbyll sytë një varg pallatesh të stilit firzamonikë u shfaqën buzë rrugës që deri vonë ka qenë e paasfaltuar dhe funksiononte më shumë si shesh se rrugë, gjë që e bënte më të afrueshme nga fëmijtë.
Hapësira mes ndërtesave, të cilën gratë e pallateve e pastronin sipas një liste të rregullt, ende ftonte një gjallëri zërash e lëvizjesh. Sot s’ke për çfarë të kujdesesh. S’ka asgjë publike. Aty ku nuk ka mbirë akoma ndonjë kioskë për fruta-perime, gjen depo të betonuara që të nxjerrin mallin e bunkerëve të dikurshëm ‘fshehur’ mes mollëve. Aty ku nuk ka depo, sheh themelet e ndonjë shtepie private. Ndërsa aty ku ka mbetur pak hapësirë e lirë ndesh në plehrat dhe në makinat e parkuara.
Ky pushtim i hapësirës publike vihet re akoma më dhimbshëm brenda pallateve. Në pallatin e gjyshes çdo kat kishte një ballkon në sheshpushimin mes shkallëve që linte dritë e ajër të qarkullonte, e ku në çdo çast mund të dilte gjyshja apo ndonjë komshije të kontrollonte kalamajtë e të bërtiste që nga sipër nëse na ngacmonte dikush. Brenda natës ballkonet u bllokuan për t’u shndërruar në depo personale të murosura, dhe secili ballkon përfundoi pronë e hyrjes që e kishte më afër. Kush nuk e pati këtë fat e gjeti të lehtë të ngrejë një barrakë mu në oborr të pallatit për të mos thënë gjë për hyrjet e katit të parë që kanë bërë shtesa si këmbët e oktapodhit. Po këta banorë që dikur hapnin dyert e apartamentit për të ndriçuar udhën sa herë hypte e zbriste dikush shkallët, apo ndiznin gazeta te dera kur mungonin dritat, u bënë hasm me njëri-tjetrin, në vrrullin se kush të privatizonte i pari.
Jo shumë larg prej këndej, edhe rruga ku kam kaluar një pjesë të mirë të fëminisë pësoi diçka të ngjashme. Shtëpitë dykatëshe kishin nga një oborr të vogël që pas 1990-ës u dyfishua në përmasa duke marrë sipërfaqe nga rruga. Nëse më parë një gardh modest mjaftonte për ta ndarë oborrin si hapësirë “private”, sot gardhi është bërë mur tullash ose rrjetë teli me gjemba, mbi nivelin e syve. Dhe ballkonet private të çdo apartamenti pësuan një fat të ngjashëm, duke u shndërruar në shtesa kuzhinash ose banjo. Me këto fortifikime banorët i kanë kthyer kurrizin rrugës pa e vrarë fare mendjen për hapësirën publike. Sapo vjen ora katër pasdite, gratë i gjen të ngulura para televizorit për të ndjekur serinë e telenovelave. Rrezikut të rrugës ia kanë gjetur zgjidhjen komode, duke i ulur fëmijët para televizorit. Gratë thjesht janë zhdukur nga skena publike. Nuk ka sy në rrugë, sepse rruga si hapësirë publike nuk ekziston më.
PA,
Ke harruar te kreditosh Jane Jacobs, 🙂
Nejse, me aq sa arrij te kuptoj une realitetin social shqiptar sot, situata nuk eshte dhe aq jo-publike sa c’e paraqet shkrimi. Normal, qe hapesirat publike ne pergjithesi po zaptohen nga privati. Kjo eshte e paevitueshme. Ne Shqiperi, gjithshka eshte ne shitje. Telekomi, banka, rruga (shtesat e pallateve!) dhe shkalla.
Nga ana tjeter, kultura shqiptare (ne kuptimin antropologjik te fjales kulture…aka “lowercase c culture”) eshte e tille qe e ben privaten gjithmone publike. E kam te veshtire te gjej shembuj te kesaj, pervec faktit qe sa here qe jam ne Tirane me duket vetja sikur gjithandej po me shkelet privacia personale. Te gjithe i dine te gjitha, flasin per te gjitha, dhe te pyesin per te gjitha (sa e ke rrogen? po qirane? cfare do besh, do rrish a do kthehesh?). Me nje fjale, shume gjera qe une do i quaja personale, atje jane pa frike publike.
Rruga, nga ana tjeter, eshte hapesire interesante. Perplasen (shpesh dhunshem) individualitet e atyre ne makina, dhe sic thua ne shkrim, kalimtari shkelet, shtypet, mosperfillet. Cila eshte domethenia? S’e di. Po ia vlen te mendohet.