Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

MJEKIM ME KARAMANJOLLË

Në vendet ku është hequr dënimi me vdekje, gjithnjë do të dëgjohen zëra për ta rivendosur, sidomos kur mediat përcjellin kronika krimesh të shëmtuara. Aq më e vërtetë është kjo në Shqipëri, ku në zona të tëra e për shtresa të mëdha të popullatës rendi publik është i komprometuar nga dukuria e gjakmarrjes, rituale ose të improvizuar. Çështja nëse shteti e ka të drejtën t’i marrë jetën dikujt apo jo meriton debat të nivelit më të lartë, prandaj mua më duket sipërfaqësore dhe e papërgjegjshme heqja e këtij dënimi nga kodi penal shqiptar me arsyen “se ashtu e kërkon Europa”, sadoqë vetë jam krejtësisht kundër vrasjes formale të individit nga shteti. Gjithashtu, mendoj se edhe në ato vende ku dënimi me vdekje ende zbatohet, kjo bëhet me qëllim parandalimi të krimit nëpërmjet frikësimit, jo për të marrë hak ndaj krimit tashmë të kryer, e as për të parandaluar hakmarrjen ose vetëgjykimin.

Në kolonën e vet të fundit botuar në “Mapo”, me titull “Drejt Europës apo drejt drejtësisë?” analisti Sokol Balla i rikthehet kësaj çështjeje, duke shtruar pyetjen:

Krimi i Shpëtim Zizës, përdhunimi dhe vrasja e një 10 vjeçari me lidhëset e tij të këpucës, tek shumë veta shtruan pikëpyetjen: a duhet apo jo dënimi me vdekje?
Ky diskutim, që rihapet sa herë ndodh një krim monstruoz, zakonisht mbetet në nivelin bajat të hakmarrjes. Por i vënë në kuadrin e vlerave që pasqyrojmë si shoqëri, ky debat nxjerr një konkluzion të frikshëm dhe të rrezikshëm… për regjimin politik të vendit.

Siç është shpjeguar gjerësisht nga mediat shqiptare, prej të cilave është informuar edhe Sokol Balla vetë, Shpëtim Ziza është një njeri me prapambetje mendore, ose një nga 6,000 skizofrenët e lënë të lirë, siç e cilësoi “Shekulli”. Për njerëz të tillë problemi nuk është të dënohen apo jo me vdekje, por të dënohen apo jo; sepse ligji modern dënon vetëm ata individë që janë në gjendje ta rrokin konceptin e krimit, ose që janë të përgjegjshëm për veprimet e tyre. Prandaj, duke e mpleksur një shqetësim pak a shumë legjitim si dënimi me vdekje, me një shqetësim krejtësisht mesjetar, siç është dënimi i të sëmurëve mendorë, Sokol Balla i turbullon ujërat pa nevojë, duke diskredituar, në thelb, edhe pjesën e shëndoshë të shqetësimit të tij publik.

Shkruan Balla:

Ne jemi një shoqëri e pazhvilluar. Historia e shoqërisë sonë civile është e shkurtër. Edhe më e shkurtër është historia demokratike e saj. Eshtë e vërtetë se ne nuk i vëmë dot kushte Europës, por pyetja ime është a mos vallë nuk duhet të kërkojmë të futemi në të?
Me këtë system gjyqësor që kemi, me këtë korrupsion vagant, që blen deri jetë njerëzish, ajo që çdo prind normal do të bënte, nëse vihej – largqoftë – në pozitën e prindërve të Bekimit të shkretë, do të ishte hakmarrja. Kush ka dilema, mjaft të marrë në dorë vendimet e gjykatës së rrethit, e cila me kërkesë të prokurorit, mbështetur në raportin e mjekëve ligjorë, liruan Shpëtim Zizën, duke i dhënë atij mundësi të vrasë në mënyrë macabre.
Por edhe sikur kjo të mos kish ndodhur, Shpëtim Ziza megjithë buzëqeshjen e tij të frikshme, sot në kushte ideale nuk mund të dënohet më shumë se burgim i përjetshëm. Por kush nga shqiptarët do të donte që vrasësi dhe përdhunuesi – o zot – i një foshnjeje, të vazhdonte ende të merrte frymë?

Propozimi për të hequr dorë nga gjakimi institucional për Europën meriton edhe ai vëmendje përtej caqeve të këtij debati, sepse nuk është aq absurd sa ç’mund të duket në vështrim të parë; por koston e të qëndruarit jashtë kontinentit ku na ka ngulitur gjeografia nuk ka pse t’ua faturojmë shtresave margjinale, mes të cilave, edhe të sëmurëve mendorë.

Shoqëria civile në Shqipëri nëpërmjet përfaqësuesit të saj Sokol Balla, në vend që të bëjë trysni për legjislacion të përshtatshëm dhe infrastruktura të posaçme për trajtimin e të sëmurëve shoqërisht të rrezikshëm, kërkon si pa të keq eliminimin e tyre fizik, duke u mbështetur në arsyetimin paralogjik (magjik) të nevojës për hakmarrje. Kësisoj, vetë teza qendrore e artikullit vërteton premisën e arsyetimit të autorit, ose prapambetjen e shoqërisë shqiptare – e cila shfaqet më shumë në këto thirrje populiste për gjak, sesa në në aktin e shëmtuar të një qenieje të sëmurë e të papërgjegjshme si Ziza, të lënë pa mjekim dhe pa mbikqyrjen e duhur nga institucionet.

 

7 Komente

  1. Nuk i kuptoj personat si Balla…kaq pak i informuar te jete, sa te mos ta dije qe denimi me vdekje nuk kthehet me ne Shqiperi, perveç rastit kur kjo vete-shpallet diktature, heq dore si pakistani nga kushtetuta qe ka, heq dore nga traktatet qe ka nenshkruar etj etj…
    Nuk shoh as arsye te denimi me vdekje, perveç hakmarrjes gjakftohte, vrasjes me arsye te kulluar…. perfshirjes se shtetit dhe shoqerise ne krim… Fundit fare eshte e provuar dhe sterprovuar se vende qe nuk e kane denimin me vdekje, kane shume me pak krime se vende qe e kane kete denim… Pse mendoni qe mund tia dale varja ne shesh e ketij x (per te cilin ende eshte e paqarte cfare semundje ka dhe per me shume ende nuk ka nje vendim gjykata qe e shpall fajtore edhe pse trajjtohet si moster), qe te ndaloje te tjere ta zeme si ky apo si nje y, te kryejne nje veper te ngjashme…. Dhe ne fund a i ka ndaluar vrasesit seriale ne SHBA, denimi me vdekje… me sa di une jo….
    Krejt dakort me ty Xha Xhai

  2. “Analiste” si Sokol Balla jane nje pasqyre e vertete jo vetem e prapambetjes sociale kulturore dhe arsimore ne Shqiperi, por edhe e premisave qe ka ai vend per te ardhmen!
    🙁
    Eshte per te ardhur shume keq, gati per te qare, po une kam filluar te besoj, se nivel aktual intelektual ne Shqiperi as nuk ka as nuk do te kete, bile ai luftohet e mbytet nga turma mediokre, qe ne emer te “demokracise” i ka dhene te drejte vetes ta beje kete!

    Besoj se te gjithe neveritemi qe nga menyra e te folurit ne paraqitjen e lajmeve, apo te nje bisede televizive. Besoj se shume nga ne vene duart ne koke, kur shikojme se si ne gjithe median shqiptare mbizoteron cdo gje mediokre deri dhe e cmendur e absurde, por rralle rralle nivel i larte!
    E me keto bombardohen mendjet e njerezve te thjeshte, e te rinjve te paformuar (qe dalin “te formuar” te deformuar pas kesaj)!!

    Shkon ne Shqiperi dhe atje eshte normale, te merren te drejtat e njeriut neper kembe, jashte cdo logjike! Si rasti i Zizit ka me mijra, qe pa dale akoma akuza me vertetim, gazetat mbushen me emrin dhe foton e tij duke e cilesuar monster e duke kallur tmerrin te shqiptaret, se e paskan pushtuar monstrat aliene!!!

    Aq me keq akoma, gjenden kufoma dhe shkruhet “…u gjend qe kufoma eshte e seksit femer me emer Filane Filani e cila ka qene prostitute…!!!”
    Keto cmenduri qe nuk “censurohen” dot ne emer te “lirise se fjales” vetem ne nje vend ku niveli me i larte i edukates eshte ai i alabakut apo mediokrit mund te ndodhin!!!!

    Me vjen keq, po une i kam humbur perfundimisht shpresat per ate vend, te pakten sa kohe te jem gjalle une… 🙁
    (jam e re akoma 🙂 )

  3. Një mem që po qarkullon tani dendur në mediat e Tiranës, dhe pas gjase edhe në opinionin publik në Shqipëri, është thirrja për “ta varur Shpëtim Zizën në mes të Peshkopisë”. Lexoj sot në “Shekulli” se deri edhe nëna e vrasësit, Melita Ziza, e paska deklaruar këtë në televizion:

    Melita Ziza, nëna e të akuzuarit për vrasjen monstruoze të 10-vjeçarit Bekim Çenga thyen heshtjen, duke kërkuar drejtësi të vërtetë për krimin që ndodhi pak ditë më parë në Peshkopi. Në një intervistë për “Top Chanel”, nëna e Shpëtim Zizës pohoi se i biri duhet të varet në mes të qytetit, nëse rezulton fajtor për vrasjen e 10-vjeçarit.

    Thirrjes për ta dënuar Zizën me vdekje i janë shtuar tani dy elemente të reja: përcaktimi i dënimit si varje, dhe sidomos ekzekutimi publik i fajtorit. Në të vërtetë, dëshira për ta parë kriminelin të varur në mes të qytetit, ose për shndërrimin e dhunës shtetërore kapitale në spektakël publik është një dëshirë kolektive gjysmë-automatike, që e dëgjon të shprehur poshtë e lart sa herë bie fjala për krime të rënda.
    Humbja e besimit në shtetin ligjor, ose në aftësitë e ekzekutivit dhe të gjyqësorit për të dhënë drejtësi, bën që njeriu i rrugës t’i zërë besë vetëm vrasjes publike, e cila nuk mund të zhbëhet as të përgënjeshtrohet më. Nga ana tjetër, dëshira për ekzekutimin publik të kriminelit do interpretuar si pasojë e nevojës së turmave për sakrificë njerëzore, në rrethanat e frustracionit të madh të shkaktuar sa nga vrasja, aq edhe nga situata sociale në Shqipëri.
    Është po ky frustracion që shpie në absurditete të tilla si ky i mëposhtmi:

    Pas arrestimit të të birit […] policia mori në mbrojtje Melita Zizën, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme.

    Çka don të thotë edhe shpërbërje e plotë e qytetarisë; madje edhe në kundërshtim flagrant me kanunin, i cili nuk duhet ngatërruar fare në këtë barbarizëm, real ose të supozuar. Një i sëmurë me prapambetje mendore braktiset nga institucionet derisa kryen një krim tronditës; turmat kërkojnë kokën e vrasësit, madje në spektakël publik në mes të sheshit, si në Mesjetë; televizioni bën thirrje për rikthim të dënimit me vdekje; nëna e vrasësit ndihet e kërcënuar nga familjarët e viktimës… Ky nuk është primitivizëm, por më keq: është degradim.

  4. Mendoj se ky rast paraqet nje mundesi te shkelqyer per te ballafaquar mendesine civile te Diaspores me ate mesjetare te Shqiperise. Ndoshta nje artikull i botuar ne shtypin e perditshem do ti sherbente ketij qellimi. Polemika mund te cohet edhe me tej me ane te nje peticioni.

    besoj se ka ardhur koha ti mesohet ‘atyre te Shqiperise’ qe, ne shkembim te 1 milard USD valute qe i sjellim ne pertej detit, ata duhet te mesojne disa gjera.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin