Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

ANALISTË KËRKOHEN…

Polarizimi që shoqëroi periudhën postotalitare në Shqipëri nuk kishte si të mos prekte kategorinë e analistëve. Aktualisht analistët që qarkullojnë nëpër faqet e shtypit shqiptar, me pak përjashtime, janë të polarizuar po aq sa vetë shoqëria shqiptare. Mirëpo kjo ndarje skajore nuk do të përbënte problem po të verifikohej vetëm në nivel vlerash e bindjesh të thella; problemi është se pjesa më e madhe e analistëve i konceptojnë gazetat si llogore, nga ku gjuajnë me breshëri kundër armikut të radhës.

Mirëpo analistët nuk mund të shihen vetëm si protagonistë; jashtë kontekstit social brenda të cilit ushtrojnë protagonizmin e tyre. Tek e fundit ata janë sa krijues aq edhe produkt i një situate mediatike tipike shqiptare. Me fjalë të tjera, mungesa e analizave objektive, intelektualisht të vlefshme, nuk mund t’u faturohen vetëm mediokritetit të “kolumnistëve” shqiptarë. Vetë gazetat kanë kontribuar me zell për krijimin e një klase opinionistësh që opinionin nuk e shoqërojnë me argumente e analiza, por vetëm me klishe dhe fyerje. Si të thuash, gazetat e dinë fare mirë se janë shndërruar në llogore, pa e kuptuar se lufta që po bëjnë, edhe pse vetëm nga pikëpamja mediatike, ka vetëm një mbiemër: “civile”.

Nga ana e vet politika nuk ka qëndruar indiferente. Analizat dhe opinionet e intelektualëve i ka parë gjithnjë si halë në sy, ose si bajonetë në dorë, në vartësi të rolit pozitë/opozitë. Fushatat e denigrimit të llojit “cili je ti z. Filan”, ose “në emër të kujt i thua këto gjëra”, i kanë rrënjët në plenumet e dikurshme dhe synojnë vetëm uljen e autoritetit të analistëve në sytë e opinionit publik. Vetë organet e shtypit nuk kanë hezituar t’u skanojnë biografitë opinionistëve të ndryshëm.

Politika ka qenë këto vite demokratike valvul e vetme prestigjioze e elitës shqiptare. Të paktë kanë qenë ata që i kanë mbyllur veshët me dyllë përballë kësaj sirene joshëse. Kështu opinionistët, duke kaluar nga një zyrë shtypi në drejtën, nga një post në tjetrin, kanë marrë damkën e përkatësisë partiake, meqë edhe vetë publiku shqiptar nuk është ende i përgatitur të kuptojë se sensi kritik mund t’i rezistojë ndonjëherë edhe borderosë.

Pra arsyet e ndarjes dyjare, në të mirë e të këqij, të tanët e të tyreve, edhe në kategorinë e analistëve, duhen kërkuar edhe në kulturën shqiptare të pasluftës. Por edhe vitet postotalitare nuk paraqiten të varfra në këtë drejtim. Sot e kësaj dite kultura shqiptare është e përshenjuar nga përçarje të thella, që për fat të keq lidhen më shumë me raportet me pushtetin se sa me ideologjitë apo vizionet e ndryshme politike.

Në qoftë se gazetat shqiptare – e përsëris, përjashto disa analistë që dallohen nga të tjerët edhe për nga cilësia intelektuale – vajtojnë sot për mungesën e analizave të vlefshme, kjo i detyrohet edhe pështjellimit (jo vetëm metodologjik) midis roleve të analistit, opinionistit, editorialistit, gazetarit, politikanit, manipuluesit, amatorit, fletërrufeistit, intelektualit, pseudointelektualit, kronistit, botuesit, publicistit, politologut, qoftexhiut, kalemxhiut, e kështu më radhë.

Dy mungesa e kanë rënduar situatën. Mungesa e etikës nga një anë dhe mungesa e organeve alternative nga ana tjetër. Në kuptimin që gazetat shqiptare kanë qenë valvul kryesore e mendimit shqiptar, meqë periodikët e tjerë kanë hyrë në krizë për motive që duhet zhbiruar ende. Ato pak që ekzistojnë sot, mbijetojnë me ndërprerje, praktikisht të paafta të fitojnë një lloj autoriteti në publikun shqiptar dhe t’i japin azil mendimit intelektual shqiptar. Këtu nuk mund të lihet mënjanë edhe mungesa e editorëve të pastër. Në të vërtetë, gazetat shqiptare janë zgjatesa të veprimtarive të ndryshme biznesi dhe politike. Si të tilla kanë lindur për objektiva të tjera, jo për objektivitet. Si rrjedhim, dyert e tyre hapen për “partizanët”, jo për ithtarët e mendimit kritik.

Anshmëria e këtyre opinionistëve i bën konkurrencë edhe vetë politikanëve të zjarrtë. Fakti është se një pjesë e madhe e analistëve e koncepton politikën si arenë beteje, vetën e shikon me kamë në dorë dhe publikun brohoritës me emrin e tyre në gojë. Partizanshmëria e tyre kalon pashmangshmërisht në obsesion. I bihet të njëjtin fyell automatikisht. Kundër njërit apo tjetrit lider. Në këtë pikë është e pamundur t’i bësh thirrje logjikës. Nuk mund të rri pa përmendur thirrjet e një analisti shqiptar për të bërë vetëgjyqësi popullore, për të djegur vilat e politikanëve të korruptuar dhe për të marrë më gurë makinat shtetërore… Fjalë të pakomentueshme. Mjerim i vërtetë për mendimin publicist shqiptar.

Që vetë hapësira publike shqiptare e ndihmon shikimin bardhë e zi nuk ka dyshim. Sepse kjo hapësirë është ndërtuar në formë fushe, ose ringu: o andej o këtej. Kurse roli i arbitrit, në realitet i pakërkuar, është zënë nga ambasadorët e radhës me seli në Tiranë. Shembujt pozitivë nuk kanë munguar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Nga brenda, falë aftësisë së disa intelektualëve për t’i shpëtuar llumit dhe ciklave të shumta që vijnë nga të gjitha anët, nga jashtë, falë disa intelektualëve në emigracion, të cilët ndihmohen pikërisht nga qenit jashtë energjisë negative. Të dyja palët e përçojnë mendimin e tyre me sakrifica të mëdha, si ekonomike ashtu edhe intelektuale. Me shpatën e Damokleut mbi krye, të brishtë e pezull; sepse mikrofonin e kanë në dorë, por pultin e komandimit e ka dikush tjetër dhe mund t’ia heqë të drejtën e fjalës kur t’i teket. Sepse paanshmëria, koherenca, objektiviteti, mendimi i lirë, nuk paguajnë as me para, as me prestigj, as me pushtet.

Ndërkohë brezat e rinj po rriten me ylberin që pikturohet dyngjyrësh dhe tryeza bashkëbisedimi në formë ringu. Në rastin më të keq bëhen tifozë të çmendur, në rastin më të mirë kthejnë kokën nga ana tjetër me indiferencë. Viktima më e shquar: ndjenja civile, dëshira për të dhënë kontributin e vet në favor të bashkësisë, përtej dasive klasike apo moderne.

15 Komente

  1. Si edhe shumë role të tjera të shoqërisë civile sot në Shqipëri, edhe ky i analistit shpesh shihet si trampolinë për ndonjë pozicion më të sigurt – p.sh. ministri, ose ambasadori. Prandaj shumë nga ata që nisen si analistë, bitisen si propagandistë ose lehës të rëndomtë.
    Ka pastaj edhe pushtetarë të mirëfilltë, ministra e drejtorë drejtorish me këpucë të ngushta, që i nderojnë ndonjëherë rubrikat e editorialeve, por që nuk shkruajnë dhe aq mirë; siç nuk ndihen mirë ushtarakët kur veshin rroba civile; ose si qeni me brekë.
    Një takëm i tretë, përfaqësohet nga ekspertët dhe teknokratët, që shkruajnë ex cathedra; ose tjerrin çështje teknike, ose e përdorin pa teklif autoritetin që u jep ekspertiza; ose ndonjëherë edhe super-diplomën e të qenit jashtë Shqipërisë.
    Ka analistë, përndryshe të zotët e të penës, që specializohen të zhgarravitin vetëm për një person, p.sh. Sali Berishën; duke e shndërruar në lodër me të cilën merren obsesivisht.
    Më në fund, një grup i pestë analistësh qëndisin letra nga poshtë, ose fletërrufe të tipit “deri kur”; por gazetat gabojnë kur u hapin vend në faqet e opinioneve, sepse ashtu fyejnë analistët e mirëfilltë që botojnë krah për krah tyre.
    Problemi këtu ka të bëjë edhe me mënyrën si e organizon informacionin gazeta në përgjithësi; sepse është pak e tepruar t’ua lësh prestigjin e fjalës në dorë vetëm analistëve, të cilët, tek e fundit, funksionojnë mirë në qoftë se krejt gazeta funksionon mirë.

  2. “Nuk mund të rri pa përmendur thirrjet e një analisti shqiptar për të bërë vetëgjyqësi popullore, për të djegur vilat e politikanëve të korruptuar dhe për të marrë më gurë makinat shtetërore… Fjalë të pakomentueshme. Mjerim i vërtetë për mendimin publicist shqiptar.”

    Mund t’a kem shume gabim, eshte opinioni im krejt personal ky, duke pasur parasysh gjithe faktoret qe i kane bere analistet tentakula te forcave te ndryshme poltike, por kur perfundon detyra e analistit si pershkrues i simptomes, dhe ku fillon detyra e tij si rekomandues ndaj semundjes? Apo nuk eshte fare detyra e analistit te rekomandoje ilac? Mos keni gje parasysh ftohtesine objektive analitike te Amerikes veriore kur e ndani kaq lirshem partizanshipin nga analiza? Shkurt muhabeti, kaq i lig qenka aktivizmi, qofte edhe i njeanshem?

    E keqja e Mustafa Nanos, (qe me vjen cudi qe e implikoni si shembull por nuk ia permendni emrin, a thua se eshte subjekt qe i shmanget te drejtes te nje subjekti tjeter per t’a pasur si objekt) eshte se ne kete rast ka dhene nje rekomandim te sakte. Vlera e ketij rekomandimi nuk do ishte aspak me e madhe ne qofte se do jepej nga nje analist me objektiv. E vetmja menyre qe udheheqesit tane te kuptojne mungesat materiale elementare te popullit, (ujin, dritat) eshte po te ndjejne forcen materiale te zjarrit dhe te gurit mbi kurriz. Kjo nuk eshte anarshi. Nuk eshte as partizaneri obsesive. Ky eshte nje ndergjegjesim ndaj nje gjendjeje urgjente qe kerkon nje veprim urgjent. Cdo kendveshtrim tjeter ndaj kesaj gjendjeje hyn ne ate “takemin e trete” te xha xhait. Cdo kendveshtrim tjeter ndaj ketij rekomandimi perfundon te jete objektivitet i tepert, ndaj nje subjektiviteti i cili nuk me duket edhe aq i tepert, subjektivitet i cili perkundrazi, ne kete rast, fatkeqesisht mungon ne mase.

  3. Lulian, kisha futur një link tek fjala “analisti”, në mënyrë që lexuesi t’i konsultonte vetë idetë e Mustafa Nanos. Por për arsye teknike nuk paska dalë. Lidhja është kjo http://www.shekulli.com.al/news/52/ARTICLE/16670/2007-10-13.html
    Emrin nuk ia vura që në fillim, sepse nuk më tingëllonte mirë (në këtë rast veçanërisht) që të vijonte pikërisht pas fjalës “analist”. Problemi i Nanos – që duhet marrë thjesht si shembull – është se ngatërron rolet e analistit me atë të tribunit, të gazetarit me atë të revolucionarit, të intelektualit me atë të jakobinit.
    Sa për aktivizmin në përgjithësi nuk mund të them asgjë negative. Tek e fundit edhe kjo që po bëjmë së bashku është një lloj aktivizmi në sferën publike. Mirëpo nuk do të desha që dikush të ma krahasonte aktivizmin tim me atë të kamikaxeve apo terroristëve gjithfarëlloj. Sepse në kategorinë e gjerë të aktivistëve hyjmë pak a shumë të gjithë. Por jam për qartësinë e roleve dhe për etikën e përgjegjësisë. Kur dikujt i rri ngushtë kostumi i editorialistit, le të shkojë e të paraqesë kandidaturën si politikan. Me votat që do të marrë të veprojë sipas dëshirës.
    Personalisht do kisha dëshirë që dikush të më shpjegojë se ç’po ndodh në Shqipëri, në politikë, kulturë, shoqëri. Nuk dua mitingje mediatike, se jam i mbushur deri në fyt me to. Dua të kuptoj. Dua të mësoj.
    Natyrisht, e di fare mirë se objektiviteti i pastër në natyrën njerëzore nuk ekziston. Gjithkush ka idetë e vlerat e veta. Unë në këtë rast po u kërkoj thjesht koherencë.

  4. E tmerrshme…, falemnderit për atë lidhjen mbi analistin. Eshtë e pabesueshme gati…

  5. Pishak,
    Faleminderit per gjuhen e paster, per mendimin e qarte, lidhjen logjike dhe lehtesine me te cilen e ke transmetuar mesazhin tend. Perpos atyre qe ke permendur ti, keto jane disa mangesi te tjera qe vihen re analizave qe qarkullojne ne shtypin shqiptar. Ceshje qe shkakton reagim, sepse s’ka alternative tjeter te servirjes se problemeve…por, ngelet deshtake pikerisht per shkak te polarizimit, borderove, miqesive, interesave dhe me beso, edhe per shkak te mungeses se aftesive analitike qe shfaqen neper rreshtat e “analizave”. Sa keq! Por akoma me keq eshte se promovimi per njeri-tjetrin po e rrit koeficentin e pa-aftesise (per fat te keq)

  6. Per bese, M. Nano me duket robi me i sakte qe me tregon mua se sa pervers eshte sistemi ‘demokratik’ i ish-RPSSh. Ai me tregoi qe ‘kushtetuci’ nuk eshte as hartuar as votuar nga vete populli, qe pushtetaret e Tiranes i pergjigjen Brukselit e jo Rrush-Bullit, dhe se amputimi te shpeton nga gangrena (Digjjauni vilat).

    Problemi i Nanos – që duhet marrë thjesht si shembull – është se ngatërron rolet e analistit me atë të tribunit, të gazetarit me atë të revolucionarit, të intelektualit me atë të jakobinit…Personalisht do kisha dëshirë që dikush të më shpjegojë se ç’po ndodh në Shqipëri

  7. Hej Pishak, dakord me gjithcka qe thuhet. Por kini parasysh edhe kete tjetren. Obsesioni i Mustafa Nanos me Sali Berishen, nuk eshte as me shume as me pak se sa obesioni i gjithe shqiptareve me kete figure, figure e cila edhe pas deshtimit total te ’98es arriti te kthehej ne fokus te shqiptareve. Ne kete aspekt nuk mund te bej tjeter pervecse te pranoj obsesionin e M. Nanos me objektin e tij te analizes. Mustafa Nano eshte analist radikal, por kjo nuk e ben me pak analist se bie fjala Artan Fuga i cili do mund te konsiderohej akademik. Ne nje fare menyre, shenjimi i te keqes tek analiza radikale, tek ngaterrimi i intelektualit me jakobinin, nuk eshte ne vetvete nje analize me pak radikale, e cila ka per synim ndarjen e shapit nga sheqeri, shkeputjen e pershkrimit nga veprimi. Nano ne kete mes jo vetem qe i ben nje analize radikale simptomes, por edhe e misheron kete analize. Keshtu qe, kjo lloj proteste, ku analiza dhe veprimi jane ne esence te njera tjetres, nuk mund te konsiderohet e mediatizuar, por imediate. Perndryshe nuk e kuptoj se cdo te thuash.

  8. Shkrimi i pasur ndoshta do ishte pasuruar akoma me shume nga nje ilustrim i shkurter historik i zhvillimit te rolit te analistit ne Shqiperine pas-totalitare. Domethene, nga dolen? Kush jane? Si u vete-promovuan?

    Kjo me duket e rendesishme pasi ve ne pah mjetet intelektuale qe kane ne dispozicion dhe kufijte shume te ngushte qe i kufizojne. Ketu pastaj do dilnim, ndoshta, edhe tek budallalleku i rrezikshem i Muc Nanos, i cili nuk operon ne nje hapesire abstrakte te dialektikes se veprimit me aksionin, por nje kontekst ku dhuna arbitrare dhe shkaterrimi ne kufijte e luftes civile kane lene shenja shume te keqija. Ne nje kontekst te tille, fjalet duhen matur, jo perdorur si bajoneta. Por ja qe fjala ka pesuar nje inflacion te tmerrshem.

  9. Disa mendime të mëtejshme për analistët në mediat shqiptare.
    – Të filloj nga vetë termi analist, që me këtë kuptim ka zënë vend në përdorim vetëm këto 10-15 vjetët e fundit. Pse pikërisht analist? Vërtet të jetë fjala për autorë të specializuar në “analiza”? Nuk besoj. Fatos Lubonja, Mustafa Nano, Kiço Blushi, Andrea Stefani, Artan Fuga, Mero Baze, Kastriot Myftaraj, Edison Ypi, Çelo Hoxha e të tjerë të njohur e më pak të njohur përfaqësojnë një dukuri të re në shtypin e Tiranës, meqë më parë roli i të komentuarit filozofikisht rreth ngjarjeve të ditës rezervohej vetëm për autoritete shtetërore ose akademike. Këta janë diçka më tepër se gazetarë, sepse nuk shkruajnë për gazetat, por shkruajnë në gazetat – çka përkon edhe me përkufizimin e intelektualit prej Umberto Eco-s. Prandaj termin analist unë do ta shihja si eufemizëm për tabunë intelektual; sepse ndër elitat kulturore në Shqipëri askush nuk të lejon ta quash tjetrin ‘intelektual’.
    – Kush i ndjek forumet e diskutimeve në Internet, do ta ketë vënë re një irritim të përgjithshëm me këta ‘analistë’, i cili nuk ka aq të bëjë me përmbajtjen e shkrimeve të këtyre të fundit, sesa me autoritetin që këta kanë fituar, ose që pretendojnë të kenë, në mediat e Tiranës. Të jetë vallë ky irritim shprehje e anti-intelektualizmit? Në të vërtetë, edhe pse ka analistë që janë thjesht megafonë të partive ose të grupeve të interesave, fjala e tyre qëndron më lart, edhe etikisht edhe intelektualisht, sesa ligjërimi politik bruto i elitave me pushtet. Unë gjithnjë do të preferoja Edi Ramën e “Refleksioneve” ndaj Edi Ramës të fjalimeve që u mban veteranëve të luftës e të punës. Tek e fundit, vetë prania e analistëve në skemën e sendeve është burim sëkëlldie për të gjithë ata që e mjelin këtë skemë; që këtej edhe kundërvënia ose irritimi ndaj tyre, që është edhe kundërvënie dhe irritim ndaj fjalës së lirë.
    – Një pjesë e kritikave ndaj analistëve, si rol mediatik, ka të bëjë me raportin midis fjalës dhe veprimit; meqë këta qenkan të zotët për “llafe” e “teorira”, por nuk sugjerojnë rrugëdalje konkrete për problemet e trajtuara. Këto kritika nuk marrin parasysh dallimin, përndryshe themelor, midis një shkrimi që kërkon të përkufizojë ose të shpjegojë një problem të caktuar, dhe një shkrimi tjetër që synon të sugjerojë hapa konkrete për zgjidhjen e atij problemi. Të dy këndvështrimet janë legjitime dhe të nevojshme; madje suksesi i zgjidhjeve që sugjerohen për probleme të ndryshme varet në masë të madhe nga mënyra si janë formuluar këto probleme; që përgjigjet të jenë efikase, duhet që edhe pyetjet të formulohen mirë. Për fat të keq, një pjesë e opinionit publik në Shqipëri ende beson se problemet politike, sociale dhe kulturore të atjeshme njihen mirë, janë të qarta si drita e diellit, dhe mjafton vetëm vullneti i mirë për t’i zgjidhur; dhe nga kjo pikëpamje, çdo reflektim, përsiatje ose filozofim i mëtejshëm duket si humbje kohe. Pakkush mendon se dështimet e hatashme të politikës shqiptare, këto 15-20 vjetët e fundit, shpjegohen jo vetëm me maskarallëkun dhe paaftësinë e elitave në pushtet, por edhe me pamundësinë e këtyre elitave për t’i identifikuar drejt problemet që ka vendi. E kam fjalën që publiku u kërkon analistëve “zgjidhje”, në një kohë që para zgjidhjeve duhen qartësuar problemet që kërkojnë zgjidhje.
    – Mirëpo pushteti politik nuk është gati t’u japë e t’ua njohë autoritetin e nevojshëm intelektualëve, ose ajkës së shoqërisë civile; sepse intelektualët, idealisht, ose ushqehen me lirinë e mendimit e të shprehjes dhe u qëndrojnë jashtë mekanizmave korruptive ose të kontrollit, sipas të cilave funksionon sot katrahura shqiptare; ose nuk janë më intelektualë. Po a mund të funksionojë shoqëria shqiptare sot pa intelektualët? Kam frikë se jo. Kultura shqiptare, si kulturë e një shoqërie moderne, themelohet mbi figurën e Mësuesit Shkrimtar, së cilës i atribuohet pak a shumë po ai prestigj dhe autoritet si edhe figurës së një udhëheqësi shpirtëror (fetar) në shoqëritë europiane tradicionale; kjo sepse shqiptaria është e ngritur jo mbi identitetin fetar, por mbi identitetin gjuhësor. Deri dje ky rol realizohej nëpërmjet letërsisë artistike, por sot, në rrethanat kur letërsisë i është ngushtuar sfera funksionale, autoriteti i fjalës u ka kaluar atyre që shprehen në mass mediat.
    – Më në fund, pse pikërisht në mass mediat. Gazeta nuk është vendi më i përshtatshëm për të kultivuar logos-in që do të ndriçojë publikun shpirtërisht; mirëpo në rrethanat e sotme është i vetmi. Televizioni vërtet ka shtrirje më të madhe se mediat e shkruara, por televizioni është një mjet për dëfrim dhe reklamë, ku gjithçka tjetër i nënshtrohet synimeve komerciale; prandaj edhe diskutimi më serioz në ekran do të gjykohet, para së gjithash, nga vlera për t’i dëfryer shikuesit ose nga kuotat statistikore të interesimit nga publiku. Prandaj, mendimi i sotëm intelektual, në Shqipëri, është i detyruar t’u falet faqeve të gazetës; meqë vetëm atje mund të shpresojë ta ruajë një kontakt çfarëdo me publikun. Përndryshe, revista intelektuale, filozofike, letrare e politike praktikisht nuk botohen më; forume intelektualësh nuk ekzistojnë, përveçse kur është fjala për të dhënë ose për të marrë çmime; librat e botuara mbeten të pashitura, nuk përcillen nga mediat, nuk u nënshtrohen recensioneve kritike, as u rekomandohen studentëve si material bibliografik. Krejt veprimtaria praktike në sferën e shkencës, të kulturës e të artit, është e përqendruar në fusha ngushtësisht aplikative, çka lidhet deri diku edhe me fondet e përdorshme. Analizat në gazeta, përkundrazi, ofrojnë një rrugëdalje laterale nga ky qorrsokak, sa kohë që mendimi shqiptar është ende në fazat e veta foshnjore; meqë, ndryshe nga leksionet në auditoret e universitetit dhe botimet akademike në Shqipëri ose gjetiu, këto shpresojnë që të arrijnë t’i flasin publikut, dhe po atij publiku të cilit i drejtohet edhe propaganda politike ose ligjërata komerciale e reklamës për shitje.
    – Termi ‘analist’, me fjalë të tjera, është një eufemizëm për intelektualin publik, ose atë figurë që, idealisht, përfaqëson publikun në logosin kombëtar; dhe me këtë kam parasysh atë figurë që flet në emër të publikut dhe mbron interesat e publikut, por duke e mbajtur të lartë nivelin e ligjërimit; pra jo aq avokatin e konsumatorit, sesa të interesit publik. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për tkurrjen e sferës publike në Shqipëri, për shkak të identifikimit të saj me pronën shtetërore, të kontrolluar nga institucionet shtetërore; sikurse jemi të vetëdijshëm edhe se institucionet e një shoqërie që e duam demokratike nuk mund të ekzistojnë, as të funksionojnë, përveçse në një hapësirë publike të shëndetshme. Analistët, të vetëm, nuk mund të garantojnë asgjë në lidhje me institucionet e shoqërisë civile dhe të drejtat përkatëse; por institucionet, grupet dhe shoqatat mund e duhet të koagulohen rreth vatrave të fjalës së lirë, të cilat mbahen të ndezura edhe prej përpjekjeve, shpesh të virtytshme, të atyre autorëve.

  10. “sepse intelektualët, idealisht, ose ushqehen me lirinë e mendimit e të shprehjes dhe u qëndrojnë jashtë mekanizmave korruptive ose të kontrollit, sipas të cilave funksionon sot katrahura shqiptare; ose nuk janë më intelektualë. Po a mund të funksionojë shoqëria shqiptare sot pa intelektualët? Kam frikë se jo.”

    Paragrafi i mesiperm i Xha Xha-it permbledh saktesisht dilemen, ne mund ta quaj keshtu, te pozicionit te intelektualeve ne shoqerine shqiptare. Desha te shtoj megjithate, qe intelektualet (analistet, meqe flitet per ta) edhe pse teorikisht dhe individualisht mund te “ushqehen me lirine e mendimit e te shprehjes dhe u qendrojne jashte mekanizmave korruptive te kontrollit,” jane gjithsesi te ndikuar prej ketyre mekanizmave. Dua te them qe keta intelektuale nuk jane te mbyllur ne kullen e tyre te fildishte; nderveprimi qe ata kane me mediat e ndryshme (gazeta, televizion apo radio) eshte deri diku i prekur nga vete mekanizmi korruptiv e kontrollues te cilit metojne t`i kundervihen. Vete natyra dhe organizimi, e nganjehere dhe vete qellimi qe mediat e siperpermendura kane ne Shqiperi, ua flashk performancen intelektualeve tane. Keta te fundit asnjehere nuk do kene nje reagim cilesor permjet nje mediumi si gazeta (edhe vete populizmi qe ndonjehere eksitojne, rrethrrotullohet prapeseprape neper qarqe te caktuara e ne hapesira krejt te ngushta) nese si analiste nuk jane ngritur njehere ne lartesine e elitizmit. Dhe ketu vime prape ke ceshtja qe shtjellon Xha Xhai: a mjafton vetem t`i njohim dhe analizojme shkoqur problemet, apo duhet edhe te ofrojme zgjidhje te njemendta? Nuk shoh kundershti; te dyja anet qendrojne vetiu, dhe ndarja mes tyre nuk eshte thelbesore, por ama edhe te merresh vetem me te paren pa guxuar t`i afrohesh te dytes me duket mungese e pallogaritshme.

    “Analistët, të vetëm, nuk mund të garantojnë asgjë në lidhje me institucionet e shoqërisë civile dhe të drejtat përkatëse; por institucionet, grupet dhe shoqatat mund e duhet të koagulohen rreth vatrave të fjalës së lirë, të cilat mbahen të ndezura edhe prej përpjekjeve, shpesh të virtytshme, të atyre autorëve.”

    Dhe me kete paragraf tjeter me duket se Xha Xhai adreson pikerisht te dyten; cdo institucion, grup apo shoqate (mendoj qe duhet perqendruar me shume ne institucionin e shkolles), edhe me perhapjen e nje mediumi tjeter si interneti, kane perparesi dhe lehtesi per t`ju shmangur disi censures ndaj fjales se lire, dhe mund t`u krijojne intelektualeve nje oksigjenim te nevojshem per tezat e mendimet e tyre. Cdo shkolle e larte apo gjimnaz mund te krijoje forumin perkates intelektual, nje tip blogu kolektiv, ku here pas here mund te ftohen intelektuale apo postohen shkrimet e tyre; kjo gje te pakten do u jepte studenteve nje alternative e nje stervitje mendore aktuale dhe praktike ne te gjitha kuptimet, pervec davaritjes se mendjes neper biseda e ambjente kafenesh e shfletime gazetash te interesit.

  11. “- Një pjesë e kritikave ndaj analistëve, si rol mediatik, ka të bëjë me raportin midis fjalës dhe veprimit; meqë këta janë të zotët për “llafe” e “teorira”, por nuk sugjerojnë rrugëdalje konkrete për problemet e trajtuara.”
    “…publiku u kërkon analistëve “zgjidhje”, në një kohë që para zgjidhjeve duhen qartësuar problemet që kërkojnë zgjidhje.”

    Xhaxha, më duket se e nise arsyetimin tënd nisur nga reagimet e “internetianëve” ndaj analistëve dhe kam idenë se ata shqiptarë që rrinë përballë kompiuterit, një ide mbi problemet e kanë, mund të dinë shkaqet dhe pasojat e atyre problemeve , por, nuk kanë ‘ZË’ që të dëgjohen sa disa prej ‘analistëve’ të cilët citoje në komentin tënd.
    Sepse janë të rrallë ata analistë (personalisht adhuroj Lubonjën, Vehbiun e ndonjë ‘shpërthim’ të ndonjë tjetri), të cilët më tepër se të hyjnë dhe të flasin për ngjarje të momentit, dijnë që në emër të asaj ngjarje të analizojnë fenomenin që solli/zhvilloi atë ngjarje, shkaqet dhe pasojat, arsyet dhe qëllimet se përse ky fenomen ndodhi ose mund të ndodhë përsëri.
    Madhështia e analistit shikohet nga madhështia me të cilën ai trajton fenomenet dhe objektiviteti me të cilin këto fenomene shikohen prej tij, aq më tepër kur këto analiza janë larg hipokrizisë për tu bërë i dashur me njërën apo tjetrën bandë të pushtetit në fuqi.

  12. Si do te reagonte nje “analist” ndaj shtjellimit te pakundershtueshem qe ben Xha xhai? Mundesite me te medha jane qe do ta shperfillin, sepse e verteta e tij djeg. Por, per te ndjere nxehtesine e saj, duhet ta zoterosh ndjesine, te ciles analistet shqiptare duket se nuk ia dine fort mire kuptimin (sic del ne persiatjet e tyre te shpeshta, qe bejne xhiro pa fund rreth vetes se pare dhe individit, duke lene zbuluar fenonomenet apo idete qe gjenerojne ato).

    Analisteve shqiptare ju mungon kthejlltesia e mendimit, pavaresia e tij, mungesa e “ushqimit” per te ruajtur freskine dhe risine ne cdo prurje. Kjo vjen ngaqe leximi i vetem ditor i tyre kufizohet me analizat e kolegeve neper faqet e tjera, pa u konsultuar me botime te huaja. Nese shquhet me lehtesi ndonje stil apo prurje e re, thjesht vjen ngaqe autori eshte jashte Shqiperise ose ne kontakt te vazhdueshem me librat dhe botimet analoge edhe kur eshte brenda saj. Shumica e analisteve nuk mendojne ne menyre analitike, dhe as furnizohen me informacion alternativ. Prandaj do te vazhdojne te jene ne kerkim ne Shqiperi.

    P.s. Shume terheqes percaktimi per te pranuar me mire Edi Ramen e refleksioneve sesa Edi Ramen e fjalimeve per veteranet!

  13. Bie dakort me Xha Xhain qe mospajtimi i publikut me rolin e analistit buron nga nje antagonizem me intelektualin dhe eliten, ne kufi te peshtirosjes. Ndoshta mbizoterimi i analistit si profesion mediatik maskon mungesen dhe krizen e nje klase intelektuale. S’po them qe analisti sot nuk eshte intelektual, edhe pse personalisht kam shume rezerva; por u referohem mundesive per hyrjen ne skene te nje brezi te ri analistesh. Analistet e trasheguar nga 15-10 vitet e fundit jane zgjatur e zgjeruar ne rol sa per te mbuluar krizen e formulimit te nje prezence intelektuale te re, aq edhe per ta penguar kete prezence. Perndyshe nuk arrij ta kuptoj protagonizmin sa ne shtyp ne televizor. Kush ka mendim te kthjellet ne lidhje me çfare shkruan, nuk e ka te nevojshme te dale e te jape shpjegime ne Top Show, ku mendimi shkon nga fryn era.

    Ketij diskutimi i duhet kushtuar vemendje, se kam nje parandjenje qe analisti do zbythet totalisht para se te rifitoje statusin publik qe meriton – dhe ketu nuk kam parasysh autoritetin absolut as adhurimin e verber. Dhe kur them analist, shpesh here kam ne mendje qytetarine e publikut dhe nisem nga analisti si shembulli me i dukshem i kesaj qytetarie.

    Personalisht, une vleresoj me shume trashegimine e ligjerimit qe analistet lene pas, sesa ç’thone individualisht si analiste apo histerizmat qe u shpetojne ndonjehere. Ngaqe analisti eshte shendrruar tashme ne personalitet mediatik (celebrity), po u veme me shume veshin individeve dhe tikeve te tyre, sesa ligjerimit qe keta prodhojne. Akoma me e ndjeshme eshte mungesa e dialogut midis tyre, qe ne te shumten e rasteve katandiset ne sharje e replika te fryra. Shume here ka ndodhur qe nje analist te marre mundimin te shkruaje vetem ne pergjigje te nje tjetrit. Te mos harrojme qe analisti nuk eshte i njejte me opinionistin edhe pse analisti shpreh shpesh here mendimin e vet. Ka dhe nje ngaterrese te madhe kur analisti kuturiset sa ne politike ne sport e ne kulture pa ndryshuar fare tonin, a thua se po shkruan per te njejten gje.

    E meta kryesore vetem tani ka filluar te shfaqet dhe kryesisht ne lidhje me vete rolin e analistit. Shume autore kane demtuar e cenuar vleren e te qenit intelektual ne pergjithesi, kane ulur standartet e vetedijes qytetare dhe profilin e atyre qe do t’i ndjekin pas. Nuk me behet shume vone per Mustafa Nanon apo Edison Ypin si autore, sepse keta normalisht jane reflektim i rrumpalles e shperberjes ne Shqiperi, dhe s’do mend qe dhe analistet do t’i kemi si veten. Nese deri me sot u jane lejuar akrobacite ne cirkun mediatik, ku analistet doemos nisin te miklojne turmen, flasin popullorçe e “ulen gju me gju” me popullin, heret a vone do dale nevoja qe keta te ndryshojne stil, ose per veteseleksionim madje edhe vetecensure. Kerkesat ndaj analistit ne periudhen e tranzicionit per te qene me i afrueshem e per t’i qare hallet popullit nuk ka sesi te jene te njejtat me kerkesat sot, kur publiku kerkon nga intelektuali nje figure qe ta udheheqe ne menyre simbolike. Perndryshe analistet po e terheqin zvarre mendimin intelektual neper talk shows alla Jerry Springer.

  14. Ne Shqiperi mbizoterojne qellimet, sepse gjendja eshte e tille qe nuk eshte ne rregull ne shume plane. Ne kete ambjent mjeti nuk ka rendesi. Analiza ne nje gazete eshte njesoj si analiza akademike. Pyetjet me vend jane te domosdoshme per nje pergjigje me vend, sic thote xha xhai. “Qartesimi i problemit” patjeter qe eshte i vlefshem. Mirepo situata urgjente, nuk eshte krijuar nga analistet. Bumi i tyre neper media dhe statusi i tyre ne dac i percmuar, ne dac i vleresuar, eshte efekt i kesaj situate. Ne kete aspekt prezenca e kudo ndodhur e analisteve eshte si rruazat e bardha te gjakut, dhe ngritja e temperatures mund te jete njesoj alarmante sa edhe qetesuese. Alarmante sepse analisti nuk e ka te drejten te veproje pervecse te konstatoje problemin, dhe kush ka ne dore te veproje nuk e ben. Qetesuese sepse problemet pak a shume dihen. Po xhaxha, problemet madhore dihen. Ndoshta jo deri ne detajin me te imet, por dihen. Te me falni per banalitetin, por kur na ka mbuluar muti, pak rendesi ka na ka ardhur deri ne brez, apo deri ne gryke. Te presesh per sqarim te metejshem te gjendjes do te thote t’a trajtosh shoqerine Shqiptare si te ishte nje pacient me nje semundje aq te rralle, e aq te cuditshme, sa qe ke frike te trajtosh me tej. Problemet e kesaj shoqerie, sa nga njeri, sa nga tjetri analist, zbulohen. Ajo qe mungon, tek e cila duhet perqendruar dhe qe nuk eshte mire vetem te permendet sa per te kaluar rradhen, eshte vullneti politik, si nga lart dhe nga poshte.

    Sa per percmimin ndaj intelektualit, kjo nuk eshte as me shume as me pak efekti i krimit dhe i degjenerimit qe u be ndaj kesaj figure ne te gjithe kampin totalitarian komunist, duke filluar qe nga tmerret staliniste e deri tek ato enveriste. Ky eufemizem nuk eshte i nevojshem ne vendet perendimore, ku kufiri mes analistit te mirefillte dhe intelektualit eshte i qarte.

    Se fundi, cdo diskurs mbi mungesen e elitave sot ne Shqiperi, eshte nje diskurs fallco, i cili shfaq jo vetem impotencen e debatuesit per te qene pjese e ketyre elitave, por edhe rrethimin ekonomik dhe hilet mediatike qe keto elita zoterojne.

  15. pershendetje
    me ben shum pertypje shkrimet tuaja ne kete faqe.
    un qe po lej kete koment jam student qe diplomoj per marredhienie me publikun,dhe po bej nje tem diplome ,per analistet. me konkretisht profili i analisteve dhe roli i tyre ne median shqpitare, dhe se esht e habitshme se keta qe ndihmojne gjoja ne thojnza,opinion publik kta bejn te kunderten
    un personalisht duke shfrytezuar dhe disa lidhje, e kam pas te pa mundur te takoj disa nga keto analistet e famshem, e kam fjalen kta qe jan ber pjes e pa ndashme e ekraneve televizive , kuptohet qe jo te gjith futen ne nje thes. duke pasur parasysh se eshte nje tem qe nuk esht se ka shum gjera te shkruara i vetmi burim kan qen intervistat, nuk kapa dot afatin e pare pasi qe analistet justifikoheshin se ishin shum te zenme fushaten elektorale(zgjedhjet per parlamentin shqiptar te 28 qeshorit) dhe kshu qe mu desh te shtyja temen per ne shtator, por dhe tani keta intelektual jane shum te zen.

    e imagjinoni dot se ckodues te ligjerimit te politikaneve ka opinioni publik shqiptar?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë