Liria në internet është një nga temat më të debatuara aktualisht. Debatohet në vendet perëndimore për ta kufizuar, debatohet në vende jo demokratike për ta shtrirë ose shtrënguar më tej lirinë e përdorimit. Polemikat e shumta janë rrjedhojë e formave moderne të komunikimit, të cilat përdoren rregullisht edhe nga organizatat kriminale.
Deri pak kohë më parë terma si cybercrime ishin të pakonceptueshme jashtë letërsisë fantashkencore. Sot janë në rend të ditës, sidomos po të kihen parasysh dukuritë e vjetra, por të shfaqura sërish me dhunë në përditshmërinë tonë, si terrorizmi, pedofilia, pastrimi i parave, etj.
Për këtë temë Shqipëria duket disafish e vonuar. Nga një anë, forcat e rendit nuk duket se po pajisen me njohuritë dhe infrastrukturat e nevojshme për ta luftuar krimin që shfaqet në rrjet. Për hir të së vërtetës duhet shtuar se vendi ynë nuk është i vetmi i vonuar në këtë drejtim. Por vetë ardhja e internetit në Shqipëri, disi rrokapjekthi, si vetë ekonomia e tregut, ka krijuar një mjedis xhungle, ose më saktë mjedis kaosi, meqë xhungla, mirë a keq, i përmban disa rregulla.
Nga ana tjetër asnjë debat lidhur me lirinë e përdorimit të internetit nuk është ndërmarrë në publik. Sepse edhe liria ka nevojë për rregulla. P.sh. e drejta për privacy. Si gjithnjë rrezikojmë t’i bëjmë gjërat nxitimthi, kulturorisht të papërpunuara, nën diktatin e direktivave të organizmave ndërkombëtare.
Mendoj se diskutimi publik për lirinë dhe internetin është mëse i domosdoshëm në Shqipëri. Midis të tjerash, për faktin se hendeku që ndan lirinë nga diktatura, ose kaosin nga censura, bëhet shpeshherë i ngushtë, gati i padukshëm.
Ka ardhur koha që në Shqipëri, në institucionet publike të ofrohen vende pune dhe për informaticienët që studiojnë dhe përgatiten jashtë. Lufta me pushkë dhe me thikë ka mbaruar, kurse sulmet cyber po thellojnë më shumë krizën që po e pllakos botën. Franca ka marrë masa duke punësuar një efektiv që garanton sigurnë kombëtare 24 orë në ditë, po ashtu dhe vendet e tjera. Shqipëria është mbrapa, por ndoshta akoma nuk është vënë në shënjestër nga kriminelët virtualë.