Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (XII)

Si forma gjuhësore e një përpjekjeje për ta vënë shoqërinë shqiptare në shërbim të riprodhimit të kastës politike, ligjërimi totalitar rrekej t’i bindte njerëzit se po e sakrifikonin të tashmen në emër të së ardhmes. Që këtej, kryemetafora e progresit do të luante rol kyç në organizimin e atij ligjërimi, sikurse do të luante rol kyç në racionalizimin e realitetit social, përndryshe të pakëndshëm, në mbarë vendin. Në gojën e pushtetarëve, progresi ishte një lëvizje sociale dhe shpirtërore drejt socializmit si sistem ekonomik, politik dhe kulturor superior, e cila furnizohej me energji nga lufta e klasave.

Progresi vetë nyjëtohej sipas dy akseve kryesore:

MBRAPA -> PËRPARA

dhe

POSHTË -> LART.

Zhvendosja përpara, në imagjinatën publike, i ruante të forta lidhjet me kryemetaforën ushtarake-luftarake, meqë ndërtimi i socializmit ishte edhe një tërësi betejash të njëpasnjëshme për t’u fituar.

Që këtej buronin shprehje si:

Ecim përpara, marshojmë përpara, bëjmë përpara, çajmë përpara, sulmojmë, mësyjmë objektivat, përparojmë, avancojmë, përparime të mëdha në të gjitha drejtimet, bëjmë hapa përpara, edhe një hap tjetër përpara drejt…, revolucioni marshon, hop cilësor, më shpejt më lart më larg…

Kjo zhvendosje kryhej, si rregull, në vijë të drejtë; ose sipas vijës së përcaktuar nga Partia, që në thelb nuk ishte veçse vijë e masave. Metafora e vijës merrej me seriozitet të madh në forumet më të larta të pushtetit; sepse jo rrallë kuadrot e Partisë dhe shtetit dënoheshin rëndë pse ishin orvatur të shtrembëronin vijën, ose të devijonin, pa folur pastaj për deviacionistët e deviatorët, që i priste skuadra e pushkatimit.

Natyrisht, vijën e Partisë e përcaktonte në hartë Udhëheqësi, ose ai që hiqte udhën; në një kohë që të tjerët e ndiqnin nga pas, mundësisht në njëshkolonë (partizane), e gjithsesi me një hap të vetëm.

Në kushtet kur progresi nuk mund të ishte veçse marshim luftarak, merrte rëndësi të veçantë pararoja; aq sa edhe vetë Partia paraqitej ndonjëherë pararojë e klasës punëtore, pa folur pastaj për punonjësit pararojë, sportistët pararojë, minatorët pararojë e të gjithë ata që u çanin rrugën të tjerëve.

Gjithsesi, rruga ishte një dhe e vetme; aq sa shprehja nuk ka rrugë tjetër ishte nga më të përdorurat në propagandë, së bashku me simotrat rruga drejt socializmit, rruga drejt revolucionit e më në fund vetë “Rruga e Partisë”, revistë teorike e komunizmit shqiptar.

Jo të gjithë arrinin të dilnin në pararojë: disa do të mbeteshin prapa e do të përfundonin të prapambetur; edhe pse në më të shumtën e rasteve prapambetja ishte e trashëguar, dhe mbijetonte në trajtë zakonesh prapanike që duheshin çrrënjosur.

Meqë progresi ishte shprehja më elokuente e procesit social në Shqipëri, atëherë kuptohej se veprimtaria e armiqve të shumtë do të përqendrohej në pengimin e këtij progresi, duke u përpjekur të na ndalnin e të na vinin shkopinj në rrota – prandaj mbiemri i pandalshëm do kthehej në cilësor praktikisht të detyruar të të gjitha metaforave të rrugëtimit: përparim i pandalshëm, marshim i pandalshëm.

Shprehja popullore që e përmblidhte dialektikën e këtij procesi metaforik ishte:

Qentë le të lehin, karvani shkon përpara.

Një nga grup-metaforat përdorur rëndom për të dramatizuar idenë e progresit kishte të bënte me lundrimin, ku Shqipëria do të përfytyrohej si anije që çante dallgët, gjithnjë e pamposhtur dhe e pandalshme, në luftë me stuhinë, shtrëngatën, furtunën, shqotën, tramundanën, detin e egërsuar.

Metafora e anijes të sugjeronte metaforën tjetër kyçe të timonierit, edhe më e efektshme se ajo e kapitenit për ta shenjuar udhëheqësin totalitar, ose atë që shihte më larg se shokët (largpamësin) e që nuk i dridhej dora teksa drejtonte anijen mes shkëmbenjve të nënujshëm, dallgëve dhe erës së tërbuar. Në këtë detyrë sa heroike aq edhe historikisht të pashmangshme, timonierin e ndihmonin busulla e pagabueshme e marksizëm-leninizmit dhe Ylli Polar i mësimeve të Partisë, për të përcaktuar kursin, ose drejtimin në det të hapur.

Imazhi i anijes në stuhi ndihmonte për të kuptuar edhe dobinë politike të një situate alarmi total e permanent, meqë ashtu vetvetiu përjashtoheshin llafet e tepërta, pikëpyetjet, diskutimet “pa bukë” e demokracia pluraliste – si në parabolën e njohur të Sokratit; e meqë anija e kërcënuar por triumfuese ndaj elementeve e përligjte mrekullisht kultin fashist të veprimit të pandërprerë ose baletit deciziv të muskujve mashkullorë.

Krahas anijes, edhe lokomotiva do të luante njëfarë roli në metaforizimin e dinamizmit social dhe politik; kryesisht për të theksuar aspektin e pandalshëm të lëvizjes, ose forcën e papërballueshme të revolucionit proletar.

Megjithatë, momenti suprem i kryemetaforës së progresit ishte Parakalimi i 1 Majit, ku procesi i ecjes përpara në histori përthyhej e projektohej sipas një përmase hapësinore skenike-urbane, duke u rimetaforizuar.

Paradat komuniste kishin trashëguar diçka nga procesionet fetare të së shkuarës, sikurse kishin trashëguar shumëçka nga karnevalet e ndonjë element sipërfaqësor edhe nga “rides” në parqet dëfryese; por prania e udhëheqjes supreme në tribunë e ripërkufizonte krejt procesin teatral, duke ia mohuar elementin ludik, ose vetëpërqeshës.

Në thelb, parakalimi i literalizonte të gjitha grup-metaforat e progresit, meqë masat punonjëse, fshatarësia kooperativiste, ushtarakët, veteranët, rezervistët, nxënësit e studentët, nënat dhe motrat, rinia heroike, minatorët, rritësit e patates, fillrojtësit, traktoristët, brigadierët sulmues, racionalizatorët, prodhuesit e bukës në vend, udhëheqësit e çetave, kombajnerët, valltarët popullorë, gurgdhendësit, pionierët e të tjera kategori sociale themelore të shoqërisë totalitare përnjimend materializoheshin në bulevard me uniformat, makinat shirëse, trëndafilat prej letre dhe parrullat përkatëse, për të ecur përpara e për të marshuar përpara me ritmin e bandës e nën vështrimin legjitimues të patriarkëve – koreografi e bujshme dhe festive e një ideje që mbetej, në thelb, metaforë.

I rimetaforizuar ose jo, progresi realizohej gjithnjë në mënyrë njëpërmasore, meqë lëvizja përpara nuk mund të kryhej veçse duke u shtjelluar në kohë. Përkundrazi, aksi tjetër i kryemetaforës, ai i drejtimit poshtë-lart, do t’i shtonte kësaj përmase hapësirën morale aq të nevojshme, meqë lartësia do të mbishenjonte (konotonte), si rregull, sublimen, heroiken, poetiken dhe revolucionaren.

Lart e më lart, si urim, zakonisht i drejtohej flamurit i cili duhej mbajtur gjithnjë lart, si shenjë e ogur fitoresh; por lart mund të ngriheshin edhe koncepte abstrakte, si fryma revolucionare.

Edhe pse e kishte vetvetiu të vështirë të vendoste një raport të natyrshëm e të vetvetishëm me qiellin, totalitarizmi e zgjidhte dilemën duke u fokusuar në teknologjinë e pushtimit të lartësive, ose duke ripërtypur metaforat e lodhura të fesë kombëtariste.

Brenda ligjërimit kombëtarist të Rilindjes, lartësia rregullisht ishte shprehur nëpërmjet invokimit të maleve kreshnike e të majave të larta; por edhe lisave të gjatë të cilëve u këndonte me mallëngjim Naimi – pa harruar këtu as vlerën religjioze-mistike të malit të Tomorrit të mbuluar me borë a me re të bardha. Poetët e realizmit socialist e vazhduan më tej këtë traditë metaforike, duke u shtuar maleve dhe lisave shqiponjat që fluturonin lart, sokolat, lartësitë e pesëvjeçarëve e deri edhe pilotët sypatrembur. Në penën e bardëve pseudoproletarë të viteve 1960, obeliskë të industrializimit si oxhaqet e nalta, shtyllat e larta të tensionit, antenat e radiostacioneve, puset e naftës dhe kullat e TEC-it vlenin edhe si përmendore të virilitetit falik të sipërmarrjes socialiste në Shqipëri.

Lartësia, nga ana e vet, mbetej komponente themelore e kryemetaforës tjetër, të pazëvendësueshme, të ndërtimit të socializmit, meqë ndërtimi doemos do të përfytyrohej si i shtjellueshëm nga poshtë lart.

1 Koment

  1. Në kohën e xhaxhit Enver, tek ne në Pejë tregohej një barcaletë për progresin e Shqipërisë socialiste.

    Në një pikë furnizimi me karburant, që tek ne i thoshin pompë benzine, kishte ardhur një kamion nga Shqipëria, nga ata që bënin eksport-import me Kosovën. Kur punëtori që punonte aty, i tha shoferit shqiptar që ta ngaste kamionin pak mbrapa, ky ia kthen:
    Ne nuk shkojmë mbrapa, ne shkojmë vetëm përpara!

    Në atë kohë, në Radio Tirana, shpesh dëgjonim shprehjen “Qentë lehin karvani, shkon përpara!” Aq shpesh përsëritej, sa kisha përshtypjen se kurrë më nuk do të bënte efekt tek unë; derisa nuk e dëgjova në Gjermani, por të “rrotulluar” mjeshtrisht.
    Në një debat parlamentar në Bundestag-un gjerman, kancelari Schröder, në fund të fjalimit të tij, i drejtohet opozitës me këto fjalë:
    Rrini të qetë, karvani shkon përpara!
    Kjo ndikoi aq shumë tek Helmut Kohl, që në atë kohë ishte udhëheqës i opozitës, sa filloi të tundej nga qeshja e papërmbajtur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin