Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TË FIKEN DRITAT

Kemi folur disa herë këtu në blog për gjendjen e studimeve albanologjike në Shqipëri.

Intervista që i ka dhënë dje “Gazetës Shqiptare” Jorgo Bulo, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ndihmon për të ndriçuar disa rrethana kritike të këtyre studimeve, të cilat jo gjithnjë mbahen parasysh, veçanërisht nga kritikët e Akademisë.

Thotë Jorgo Bulo:

Ne vazhdojmë të punojmë mbi bazë të projekteve shkencore të mëparshme, sepse puna nuk fillon sot. Vazhdojmë të punojmë mbi tema të nisura më herët dhe projekte të rëndësishme, por sigurisht që situata e krijuar, as në qiell as në tokë, nuk ndikon pozitivisht në motivimin e punonjësve shkencorë. Nga ana tjetër është kufizimi në maksimum i fondeve që ka sjellë edhe uljen e numrit të botimeve. Nëse ne botonim në vit 12-13 tituj, sivjet nuk ka pasur fonde dhe dihet që pasqyra e një institucioni shkencor janë botimet. Mungesa e fondeve ka kufizuar realizimin e ekspeditave, të pjesëmarrjeve në veprimtari shkencore ndërkombëtare, kërkimet në arkiva e biblioteka si dhe në realizimin e projekteve të rëndësishme. Pavarësisht se ne jemi përpjekur që veprimtaria dhe puna shkencore të vazhdojë normalisht, kjo gjendje amullie ka pasoja të padëshirueshme. Në institutet tona ka punë që bëhen me ekipe dhe këto dëmtohen nëse s’kanë garanci në punën e tyre. Kjo sjell rrjedhimisht edhe rrjedhjen e trurit, duke prishur kështu bërthamat shkencore të specializuara për një punë të caktuar.

Mirëpo një institut studimesh albanologjike që nuk arrin të botojë vepra dhe revista shkencore, të specializojë kuadrin, të shfrytëzojë arkiva e biblioteka e të financojë ekspedita kërkimore, ekziston vetëm si vend parkimi për të gjithë ata specialistë e forca ndihmëse që nuk kanë se ku të shkojnë tjetër.

Bulo i thotë pastaj dy fjalë edhe për reformën, e cila praktikisht e riformuloi krejt strukturën organizative të instituteve albanologjike:

Ne reformën nuk e kuptojmë si disa lëvizje mekanike, shkurtim njerëzish, spostime institutesh. E kuptojmë si modernizim të përmbajtjes së kërkimit shkencor, si modernizim të metodologjisë dhe teknologjisë, pa përjashtuar edhe ristrukturime të nevojshme, të cilat mund të bëheshin fare mirë edhe nën çatinë e Akademisë së Shkencave. Akademia është një institucion shkencor i pavarur dhe që siguron pavarësinë e kërkimit shkencor. Kalimi i instituteve tona që në të ardhmen do të formojnë Qendrën e Studimeve Albanologjike nën vartësinë e ekzekutivit, është një veprim që bie ndesh me konceptin modern të kërkimit shkencor. Ekzekutivi ndryshon në kohë dhe secila shumicë vjen me oreks tjetër politik. Është e rrezikshme që ta vënë shkencën nën direktivat e politikës.

Natyrisht, reforma që propozon Buloja do të kryhej nga vetë Akademia, me ndihmën dhe mbështetjen financiare të shtetit. Megjithatë, mua më duket se albanologjisë i vjen rrezik më i madh nga mungesa e fondeve, sesa nga vënia nën vartësinë e ekzekutivit; aq më tepër që vetë Buloja e pranon që albanologjia shqiptare arritjet e veta më të mira i ka pasur pikërisht nën totalitarizëm, kur kontrollohej në mënyrë absolute nga pushteti qendror:

Pavarësisht se në kushtet e një shteti totalitar ku diktati ideologjik kufizonte mundësitë dhe pavarësinë, me punën që kanë bërë institutet albanologjike gjatë gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, bënë që të krijoheshin shkencat kombëtare dhe të zhvendosej qendra e albanologjisë nga jashtë, brenda vendit. Kjo është një arritje e madhe.

Mirëpo katastrofa e studimeve albanologjike në Shqipëri, e cila tejduket edhe nëpërmjet fjalëve të Bulos, nuk mund të parandalohet me anë reformash organizative, sa kohë që shteti nuk e çan kryet për të financuar studimet, meqë i duket se nevojat kulturore për dije albanologjike mund t’i përmbushë edhe nëpërmjet pseudo-dijes.

Për fat të keq, atmosfera etike sot në Shqipëri është e tillë që brezat e rinj nuk tërhiqen më nga fusha të tilla si albanologjia, ku mundësitë për të shkëlqyer shoqërisht janë minimale, edhe pse investimi jetësor që kërkohet është kolosal. Albanologjisë i ka humbur prestigji dhe bashkë me prestigjin do t’i humbë tani edhe tradita e një shkolle studimesh që nuk zëvendësohet lehtë.

8 Komente

  1. Falënderoj Xha Xhain që solli këtu intervistën e Jorgo Bulos, i cili me autoritetin e vet mbështet idenë se qendra e albanologjisë, gjatë gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, u zhvendos nga jashtë shtetit në Shqipëri. Thashë të njëjtën gjë pak ditë më parë dhe m’u kundërshtua ashpër.

    Sa për financimet e studimeve duhet thënë se politika është më e interesuar për pseudodijen se sa për shkencën vetë. E para paraqitet më e përpunueshme ideologjikisht, pra mund të manipulohet sipas dëshirës, e dyta jo. E them edhe në përgjithësi. Por ndoshta e kam gabim.

  2. Pishak,

    perkundrazi.

    Po t’ishe ti i vetmi qe e ve qendren n’Tirone, un s’isha tute edhe qaq shume. Por, je me shoke, me shume shoke, autoriteti i t’cilve s’garanton saktsi. Edhe kam thane n’shumes qe juve t’Republikes asht pune me ju qite n’logos.

    Ta kam qele rrugen per permiresim, si per ty si per vete, problemi asht se sa dojme me e permiresue vetveten. Konkretisht, cka e ban nji gja qender? Natyrisht jo pohimet e Pishakut a Jorgos. T’lus me ma kallxue noj punim a studim, a nji rrjedhe logjike, ku kallxohet qe pa Tironen albanologjia s’kish ba pune, a ku cdo studim albanologjik asht mvare kryekput prej Tirones. Edhe i here, ka pase pune e studime e vepra kapitale qe jane krye pamvarsisht Tirones e pa izen e saj. Kjo, perkunder prishjes s’sedres s’Tirones, i rri per bukuri shkences s’albanologjise e ajo duhet krenue me ket pune. E, per to un pres me lexue prej jush, e jo per intepretime qejfi se ku po e vnojme mullarin e sanes. Ama infromaten, un kam krye me e interpretue vet. Qe jo, lem t’shprehna qe shprehja “logjika e repubikaneve t’Shqipnise” asht oksimoron.

    Kandi tjeter. Ti je shprehe qe qendra ishte nja e e vetme, e ajo ishte bash Tirona. Jorgo la vend per interpretime t’ndryshme. Thote qendra brenda vendit; cka do me thane vend? Mos do me thane qe albanologjia u ba prej atyne qe shqipen e kishin gjuhe amtare, karrshi kohnave t’maparshme, kur qendra ishte jashte e u bajke prej atyne qe gjuhe amtare e kishin nji gjuhe tjeter? Mandej, Jorgo s’asht eskluziv n’qender si t’vetme. Thote “qendra”, n’t’shqueme, por kjo la mundsi t’interpretimi qe ky a fokusue n’qendren e vendit, e s’e perjashton mundsine e pasjes s’qendrave edhe jashte, e per ma teper s’i thote qender e gravitetit. Edhepse, jam i bindun e e mbroj qendrimin qe edhe ai mendon bash si ti, e Mixha ju mbron juve te dyve, e kjo asht ajo qe m’mbushe me frike, se i merrni n’qafe t’rijte.

    Po rrshas e po pyes: Mixha diku e permend prapavendosjen e nyjes n’shqipe e rumanishte. Nese s’asht Besim Bokshi shkenctari ma i madh n’ket lami, kush asht? Albanologut t’ri e qe i intereson kjo cashtje, ku i thue me shkue e me e studjue, n’Tirone, apo te Besimi?

    Perdite e ma i frikshem ky vend, po me shprese qe Athena e ban punen e vet e ju qet n’terezi.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

    qe ta jep lejen me gabue, por jo mos me u permiresue.

  3. meqense ardiani shkrun sic flet, po munohem edhe un ta imitoj tu perdor dialektin tim.

    qendrat duhen per kerkime masive, si p.sh. atlase dialektologjike, studime n’fushen e fonetikes eksperimentale e fjalore qe kerkojne mjete teknologjike dhe financiare qe nje individ nuk mund t’i kete. kerkime t’ngushta n’fusha ma specifike ku mjafton me u ul, me lexu e me mendu natyrisht qe s’kane nevoj per nje qender. kolec topalli p.sh. ka shkrujt shume gjona jasht akademis por askush nuk mund t’i hyj n’menyr individuale krijimit t’nji atlasi qi kerkon koordinimin e shume gjuhtarve qi t’shkojn neper fshatra e t’mbledhin t’dhonat. pas ksaj, gjithshka duhet mledh e vu neper harta mundsisht t’informatizuara. natyrisht, ata qe punojn n’qender (ose afer qendres) do t’ken mundsi me i perdor kto t’dhona per interesin e tyne ma t’ngusht duke perfshi n’ket rast edhe trajtat e shkurtra e nyjat. sa per studjusin e ri, ai mund t’shkoj n’bibliotek e t’studjoj shkrimet e selman rizes, shaban demirajt, ethem likajt, bile, edhe besim bokshit. por n.q.s. don me e pa si shfaqet nyja gjeografikisht neper t’gjitha t’folmet shqiptare, shansin ma t’mire e ka n’kartoteken e institutit.

  4. Lezhe,

    diku diku mire e the. Pytja jeme asht: kjo qe e thue, a asht ba vetem n’Tirone e ekskluzivisht aty, apo ka pase edhe qendra tjera? Kto studime t’mdha, a jane ba vetem n’Tirone, si psh puna e FGjSSh, apo edhe n’Prishtine?

    Nese puna per, t’themi, etnologjine, qe ma merr mendja asht pjese e studimeve albanologjike, e e cila asht ba n’Prishtine, pri prej Anton Cettes, asht margjinale, at’here mosvet per mue e per Antonin. Ose, teorite per gjuhen e etnine qe i ka shtjellue Rexhep Ismajli, paj, s’jane per mos me e eklispue edhe Diellin.

    Le t’jete Tirona ma e madhja, ma e bukura, ma e frytshmja, ma e hijshma, ma zoja, more, qysh t’kesh qejf thuej, per mos me ju vare buzte po ja blej edhe i cokolade, por pse po e la t’vetme e po i perza krejt tjert jashte tue ju nencmue punen? Cilsimi “qender ku kane gravitue tjerat” asht bukur i rande, e pres me m’kallxue qe Tirona s’asht nji diellzuc qe te tane po kane qejf me kane, po me t’vertete e duron ate rol. Qendra duhet me krijue mendim e me imponue mendim, jo vetem me mledhe t’dhana e me ba dosje.

    S’e di sa njeri shkon per seminare e konferenca albanologjike n’Tirone, po n’Prishtine qe bukur sa vjet gravitojne lloj-lloj shkenctari e sharlatani me fole per shqypen e shqyptarte, e qebesa, edhe do vetve prej Tirone ju bje shtegu andej pari.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

    i cili po shkrou qysh fole, kush s’e kish marre vesh.

    Mos t’harroj me t’kallxue qe qendren e ban edhe nji njeri i vetem. Meqe s’di shembull ma t’mire se ai i zanatit tam, po t’lypi mirekuptim e mos prito e kerko se qysh u ba qender gravituese e krejt mekanikes kuantike Nils Bori (Niels Bohr). Kush s’ka shkue te ai, s’ka ba fizike po ka shite qyfte t’papjekuna mire. Hallakat per interpretimin e Kopenhages.

  5. Ardian dhe Lissus. Me pelqen rebelimi i te shkruajturit ashtu si flitet, pasi e tille eshte gjendja sot dhe kjo eshte nje forme e nje kerkimi te vlefshem per ndryshim. Por, nqs qendrat, si thoni ju, duhet te prodhojne mendim dhe jo vetem arkiva, kjo qe po beni eshte e kunderta e asaj qe po thoni, per tre arsye kryesore. E para, dialektika e mendimit humbet gjate ilustrimit te dialektikes se gjuhes ku perfundimi eshte nje arkive plot me dialektika te ndryshme gjuhesore mes te cilave nuk mund te shquash dialektiken e mendimit. E dyta, nderkohe qe kjo metode e te shkruajturit sic flitet mund te sjelli rezultate afatshkurtra ne ndergjegjesimin ndaj nje standarti te keq, e lene me aq, ka nje mungese premtimi, qe ne rast se standarti do rregullohej, nuk do te vazhdonim te shkruanim ashtu si flasim. Dhe e treta, te shkruash si flet dhe te pohosh kete pa asnje sqarim, pa asnje premtim, te jep pershtypjen se dialektika e mendimit te kesaj metode eshte pikerisht pra, se duhet shkruar ashtu si flitet.

    Edhe nje here, perpiquni t’i qendroni temes. Nuk ka te beje me Tiranen si qender absolute, por me mungesen e fondeve ne nje qender te caktuar, qe ne kete rast qellon te jete Tirana. Une kembengul se zgjimi i interesit te fonddhenesve ndaj dijes se vertete eshte per faj te atyre qe mbartin dijen e vertete dhe nuk jane ne gjendje t’a komunikojne. Nqs fonddhenesit, qofte shteteror qofte privat, nuk e kuptojne qe eshte ne interes te tyre te investojne ne dije, atehere ky eshte nje deshtim i dijetareve dhe jo i atyre qe e drejtojne parane atje ku mendojne me mire. Gjithcka tjeter e thene nga dijetaret eshte justifikim i papranueshem i ketij deshtimi.

  6. Me fal se s’e kisha vene emrin ne fund te mesazhit tim aq me teper qe, nese je Ardiani qe mendoj une, kemi qene ne nje klase tek gjuhet e huaja ku une te kuptoja mire ashtu sic flisje (ndac shkodrance ndac frengjisht). Megjithate, kete mesazh une po e shkruaj thjesht ne shqip…

    Per sa i perket qendres, natyrisht qe qendrat behen nga krijimtaria e individeve dhe s’ka asgje te keqe qe te kete shume qendra qe specializohen ne fusha te ndryshme. Meqense jemi nje komb i vogel dhe me pak mjete financiare, nuk e kemi luksin e financimit te cfaredolloj qendre. Praktikisht, insituti ne Tirane eshte financuar per shume vjete dhe duam s’duam ne, ka qene nje qender e studimeve albanologjike – aty jane bere te gjithe fjaloret si edhe jane koordinuar studimet dialektore. Po keshtu edhe Prishtina, per arsye gjeografike, politike, patriotike, etj. ishte bere nje qender kerkimore per fusha qe ndonje here ishin paralele. Natyrisht, duke qene ne rrethana te ndryshme, Prishtina zhvilloi edhe shume drejtime ku, per aresye ideologjike, Tirana nuk merrte dot pjese.

    Por sot problemi nuk eshte cila eshte qendra, sepse, te pakten Tirana po zbehet gjithnje e me shume. Puna dhjetravjecare e shume gjuhetareve te Tiranes po shitet fare lire si ne Prishtine ashtu edhe tjeterkund neper bote. Sic e the edhe ti, kush ka idete, kush ka energjine krijuese terheq si interesin ashtu edhe financimet. Sobolev, nje rus shume energjik ne Gjermani po boton nje pas nje atlase dialektologjike ku perfshihen edhe te dhena nga Shqiperia. Korrektori i vetem ortografik i shqipes prodhohet nga nje grup sipermarresish ne Kosove me te dhena nga kartotekat e Tiranes. Ndersa gjuhetaret e Tiranes vetem sa luftojne per mbijetese dhe ankohen per vdekjen e ngadalshme qe po i afrohet shpejte.

    Une nuk e nencmoj punen qe behet nga individe neper bote, aq me teper qe edhe une vete, ashtu si ti, jam tjeterkund ne bote. Thjesht, i jam mirenjohes institutit per gjithcka ka bere dhe me vjen keq kur shume gazetare apo politikane mundohen ta perdhosin edhe pas gjysem shekulli pune madhore dhe ne kushte te veshtira. Lexoj artikuj te shkruar e te botuar nga studiues amerikane apo europiane ne vitin 2007 qe akoma i referohen artikujve te botuar ne Studime Filologjike dhjetra vite me pare. Praktikisht, Tirana ka mbaruar se qeni qender prej te pakten nje dhjetvjecari. Ajo qe me shqeteson eshte se akoma nuk po shoh nje “qender” te re, akoma nuk po shoh studime apo botime qe te fillojne te citohen nga albanologe apo studiues te tjere neper bote. Sic ka shkruar nje tjeter Ardian (Vehbiu), ne Shqiperi po mbijne si fara e keqe pseudoshkencetaret me pseudoteorite e tyre. Dicka do e zere vakuumin e krijuar…

    Shume te fala,

    Sandri

  7. Me duket se gjithe debati mbi ‘qendren’ perpiqet te legjitimoje autoritetin; por kjo gje ka gjasa te jete nje nderrmarrje e kote.

    Qendra e shumeperfolur, kur vjen puna ke studime linguistike apo me gjere, albanologjike, eshte e paqene. Sigurisht, monopolizimi i “te drejtes” i perdridhet gjithkah nacionalizmave, qe shume here, ndikojne edhe hulumtimet, edhe fundrezultatet.

    Sic e tha me fjale te tjera Anonimus, “qendra” s`ka kuptim ne vetvete, perderisa edhe nje individ i vetem mund t`a “uzurpoje” ate fare vendi.

    Nese na shqeteson puna e qendres, them se me drejt do duhej te na shqetesonte pyetja e Xha Xhait ne “Gjuhe dhe Gjak” se cfare kerkojme, paraardhesit e gjakut, kultures apo shpirtit. Nese pretendojme qe kemi nje qender, ne Prishtine a Tirane, do duhej qe gjuhetaret tane t`i pergjigjeshin kesaj pyetje, dhe bashke me hulumtimet e mirefillta mbi albanologjike, te mpaknin dhe zhvleresonin ngashnjimin dhe entuziazmin qe albanologjia alternative ka mbjelle ne popull.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin