Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

ARTI MIGRANT

Arti është pazgjishmërisht i lidhur me humanitetin, sepse realizohet nëpërmjet dhe brenda tij. Porse gjithshka fillon nga humaniteti i artistit, ajo magmë e papërcaktuar ndjenjash, ndjesish, intuite, emocionesh, që kërkon një rrugëdalje nga thellësitë e shpirtit; për t’u derdhur e për të marrë formë më pas në copë, gur, mermer, letër, ekran. Ka një lidhje të pamohueshme ndërmjet historisë, jetës, provave, gëzimeve, dashurive, zhgënjimeve, vuajtjeve, në pak fjalë ndërmjet anës humane (njerëzore) të artistit dhe prodhimit të tij artistik. Ndonëse vepra e tij, pasi firmoset, rrëshqet fatalisht larg, mes mjegullnajave të së panjohurës, si anija e përuruar me shishen tradicionale të shampanjës, diçka i mbetet brenda nga krijuesi i saj; diçka e pareduktueshme, përjetësisht e skalitur, diçka personale.

Përcaktimi “migrant” stonon për artistin, si çdo etiketë për çdo jo-artikull, si çdo cilësor për artin e pastër. E megjithatë qenia e tij midis shumë botëve, pezull midis kulturash, bashkëekzistenca me e në shumë dimensione, ka vetëm një zgjedhje: të shndërrohet në ngjyra, përvijime, profile, imazhe, fjalë, tinguj. Është proces artistikisht spontan, i rrjedhshëm, i domosdoshëm për ekuilibrin e shpirtit. Gjithshka merr jetë në atë zonë ku artisti dhe migranti takohen, shkrihen, bashkohen. Është univers i veçantë, ku ndryshmëria kuptohet vetëm si pasuridhe forcë krijuese.

Është fuqia e takimit. Midis njerëzve dhe kulturave. Është thyerja e qetësisë, e rutinës, e së parashikueshmes. Migrimi i shpirtit mbështetet nga karakteri fizik i takimit. Avantazh i mirë për artistin që dëshiron të zbulojë horizonte të reja. Por edhe përgjegjësi e madhe. Sepse dora e tij duhet të hedhë vija të reja, por më forcën e rrënjëve dhe krenarinë e përfaqësimit. Përndryshe magjia e shkëmbimit përhumbet në gjysmëhijet e mimetizmit. E gjithë kjo ndodh ndërsa kupa qiellore ndryshon, busulla çmendet, koordinat ndërthuren, ndër tundjesh identitare, të pakapshme e të padërprera njëkohësisht.

Veprat artistike janë shpesh fryt i takimit midis historive, ndjeshmërive, ideve të ndryshme. Shumë prej këtyre nuk i rezistojnë impaktit me Tjetrin, por të tjera pasurohen për të shkuar më tej. Artisti është gjithnjë në kërkim të emocioneve të reja për të komunikuar, çka del e vështirë dhe e lehtë njëherazi. E lehtë sepse në vorbullën e vrullshme ku piqen përvojat e ndryshme, midis mijëra gjuhësh, stilesh, kodesh, mund të zbulohen gjithnjë projekte stimuluese, shkëndija të njëmendtta. E vështirë sepse të jetosh në e mbi kufi, midis përkatësive të turbullta, midis gumëzhitjes së babelit dhe zhurmës së modernitetit, mund të shkaktojë konfuzion çoroditës. Artisti i vërtetë dallohet pikërisht sepse ecën në telin e tendosur të identitetit, i sigurt në artin e vet, pa frikë se bie, me forcën e atij që e dashuron thellësinë. Vetëm kështu, midis detajeve dhe diferencave, kontrasteve dhe ngjashmërive, ngjyrave dhe nuancave, do të zbulojë se sfondi është gjithnjë i njëjtë, i përtrajtësuar me humanitet, me njerëz që duan të jetojnë. Në paqe. Artisti është vetëm një prej tyre.

3 Komente

  1. Arti(sti) migrant me kujtoi gjykatesin-pendestar te Kamyse ke “Renia”. Tangent, me sakte.

    Po e dashuroi kaq shume thellesine artisti i vertete, sic thua, Pishak, pse do ju dashka te ece ne telin e tendosur te identitetit me kaq kembengulje? E thua me kuptimin qe nuk e braktis identitetin e tij/saj? Por a nuk eshte artisti edhe me i ndjeshmi midis humaneve te tjere? Me duket se nuk je shume i qarte ne ate qe don te thuash, ose une s`po te kuptoj…

    Them se nese i vertete, artisti eshte shkaterrimi (metaforik ose jo) i vetes (se vet) dhe “berja” e te tjereve (humaneve qe duan te jetojne ne paqe).

  2. Artisti, si krijues, do ta preferoja brënda ‘atmosferës’ së tij dhe larg tundimit për të ndjekur rrymën ose modën e momentit.
    Mvaret pastaj se sa Ai dhe dishepujt e tij janë në gjëndje që të krijojnë një ‘rrymë’ të re, me një identitet të konturuar dhe njohshëm prej gjithukujt si ‘dora’ e tij.
    Sot është më e vështirë që të ndjekësh artin pa u njohur paraprakisht me artistin nëpërmjet makinës së reklamës dhe automatikisht, veprat e tij duhen ose urrehen, në funksion të asaj se kush e sponzorizon dhe jo nëpërmjet vlerësimit të veprës si vepër në vetvehte (kuptohet, nëse mund të quhet e tillë).
    Ndoshta iahte pa vënd komenti im, por krijimet e një shoku tim kur ishte ‘tapë’ gjithnjë më kanë pëlqyer shumë më tepër se sa ato kur ai sforcohej për të bërë diçka për të qënë brënda kontekstit të kërkesave të kritikës dhe të atyre që ‘kujtojnë se dinë gjithçka’.

  3. Teksti i Pishakut duhet lexuar me ne mendje konceptin modernist te ndryshimit perhershem, si inerci e momentit te fuqishem baudelairian, shperthimit vullkanik marksist, tensionit abismal nitzchean, apo ne frymen reaksionare moderniste te gjendur ne postmodernizem. Sidoqofte Pishak, kjo tendence duhet te konstatohet, provohet dhe shqyrtohet me shembuj konkrete nga arti i aplikuar sot, ne menyre qe te lere gjurme.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin