Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Sociologji

SHKENCA SHQIPTARE?

Më duket se ekziston një farë pështjellimi në lidhje me termin “shkenca shqiptare”, të cilin e ndesh të përdorur me kuptime të ndryshme, ndonjëherë të papajtueshme mes tyre.

Këto kuptime, në parim, mund të grupohen kështu:

  1. Shkenca shqiptare është tërësia e veprimtarisë kërkimore-shkencore në fusha që kanë të bëjnë me shqiptarët, historinë dhe kulturën e tyre, trojet e banuara prej tyre, e kështu me radhë; këtë e quajnë zakonisht edhe albanologji.
  2. Shkenca shqiptare është tërësia e veprimtarisë kërkimore-shkencore që kryhet nga institucionet përkatëse në Shqipëri, Kosovë dhe në troje të tjera shqiptare, pavarësisht nga fusha e kërkimeve.
  3. Shkenca shqiptare është tërësia e veprimtarisë kërkimore-shkencore të kryer nga shkencëtarë shqiptarë ose me origjinë shqiptare, pavarësisht nga fusha e kërkimeve dhe përkatësia e institucioneve ku këta punojnë.

Ky zbërthim të sugjeron që termi “shkenca shqiptare” të përdoret vetëm në kuptimin administrativ-burokratik të veprimtarisë shkencore të kryer në institucione kërkimore shqiptare, p.sh. në Shqipëri, në Kosovë, e në Maqedoni; por jo në kuptimin 1, sepse atë e shpreh më mirë e më saktë termi albanologji; dhe kurrsesi jo në kuptimin 3, i cili është në thelb anakronik.

Me fjalë të tjera, “shkenca” mund të quhet “shqiptare” me kusht që të kryhet në institucione të cilat u përkasin shoqërive që e identifikojnë veten si shqiptare. Përndryshe, shkenca ose është e njëjtë me vetveten, pavarësisht se ku kryhet dhe prej cilëve, ose është pseudo-shkencë.

Pështjellimi në lidhje me përdorimin e këtij termi ka të bëjë me një shtrembërim grotesk i cili në Shqipëri depërtoi nëpërmjet ndikimit kulturor sovjetik, që prej vitit 1945. Kultura totalitare e Bashkimit Sovjetik të Stalinit prej kohësh e kish bërë të vetën termin “shkenca sovjetike”, e cila i kundërvihej shkencës në vendet kapitaliste dhe kishte, pas gjase, përparësi ndaj tyre, të cilat buronin nga metoda dialektike, por kishin lidhje edhe me entuziazmin revolucionar të njeriut të ri sovjetik.

Në mënyrë të ngjashme dhe pak a shumë në të njëjtën kohë po merrte trajtë, në Gjermani, koncepti i “shkencës ariane” (e cila duhej t’i kundërvihej “shkencës hebreje”), e që i kishte rrënjët në një voluntarizëm sa kombëtarist, aq edhe racist. Ngjyrimi kombëtarist nuk i mungonte as shkencës sovjetike, sa kohë që kalemxhinjtë e atjeshëm e rishkruan krejt historinë e dijes, në frymë ruso-centrike.

Në Shqipërinë totalitare, shkencës shqiptare i binte barra të provonte epërsinë e thellë të sistemit socialist ndaj sistemeve të tjera; por në të vërtetë arritjet shkencore ishin vërtet modeste, siç mund të pritej – për mungesë fondesh, tradite, interesi dhe specialistësh të përgatitur. Kjo ndoshta ka bërë edhe që, për shumicën e shqiptarëve, shkenca të përfytyrohet vetëm në aspektet e saj aplikative ose teknologjike, por jo si qasje ndaj së vërtetës, ose rrugë drejt njohjes.

Meqë kur përmendet shumica vetvetiu do të bjerë fjala për demokracinë, kjo mund të shpjegojë edhe pse sot e kësaj dite, jo vetëm publiku por deri edhe institucione të shoqërisë civile, presin prej “shkencës shqiptare” që t’i shërbejë idealit kombëtar; ose i vënë asaj objektiva me natyrë ideologjike.

Nga ana tjetër, të tjerë nuk lodhen së habituri me diplomat universitare e doktoraturat e mbrojtura nga shqiptarë në universitete anembanë botës, të cilat ndonjëherë i njoftojnë me komente të ekzaltuara në mediat qendrore; pa përmendur profile panegjirike specialistësh dhe shkencëtarësh shqiptarë të suksesshëm, të cilët shërbejnë në laboratore, qendra kërkimore e katedra universitare anembanë botës.

A ka arsye këtu për t’u mburrur?

Unë mendoj se nuk ka.

Do ta kuptoja sikur me këta shkencëtarë shqiptarë të mburreshin institucionet të cilat ua shfrytëzojnë djersën e ballit; ose sikur për arritjet e tyre, të cilat nuk i vë në dyshim, të shkruanin të njëjtat gazeta që rrëfejnë ngazëllyeshëm krimet e bandave të shqiptarëve poshtë e lart në Perëndim.

Një gjë më duket e qartë: këta shkencëtarë e studiues nuk punojnë për Shqipërinë e për shqiptarët, as paguhen prej tyre. Administrativisht, punojnë për universitetet, institutet ose korporatat përkatëse; etikisht, si shkencëtarë që janë, punojnë për të hedhur dritë mbi të panjohurën.

Prandaj nuk mund t’i trajtojmë si futbollistët shqiptarë që luajnë për Bundesligën!

As si balerinët shqiptarë të spektakleve televizive të RAI-t!

Kur hap një gazetë shqiptare, unë pres madje shpresoj të lexoj se çfarë ka zbuluar aksh studiues në një laborator të UT; në një arkiv privat në Shkodër a në Prizren; në ekspeditë gjeologjike në malin e Munellës; në gërmime arkeologjike në Mallakastër e në Drenicë; por përkundrazi, më del përpara portreti hagjiografik i shqiptarit të radhës që paska mbrojtur doktoratën në Indiana.

Thuase ky qenkësh majmuni i parë që foli!

Presupozimi që fshihet prapa kësaj praktike provinciale më neverit e më fyen: shihni, edhe ne shqiptarët qenkemi në gjendje të mbrojmë doktorata…

Nga ana tjetër, prekem sa herë dëgjoj për shkencëtarë e studiues shqiptarë të cilët vërtet punojnë për institucione e korporata anembanë botës, por i kanë ruajtur lidhjet me origjinën, dhe përpiqen me mënyra të ndryshme, herë si individë e herë të organizuar në grupe e shoqata, për të ndihmuar institucionet kërkimore-shkencore në atdhe.

Veprimtaria e Institutit Alb-Shkenca është shembulli më elokuent përpjekjesh të tilla.

Vetëm se gatishmëria për të ndihmuar, frymëzuar nga ndjenja të atdhetarisë nuk është shkencë; sikurse nuk është shkencë as dhënia e një burse ose financimi i një studimi ose një ekspedite ose organizimi, sado i mundimshëm, i një konference për t’i bashkërenduar këto veprimtari të virtytshme e të admirueshme.

Jo çdo gjë që bëjnë shkencëtarët është shkencë!

Jo çdo gjë e mirë a e vlefshme që bëjnë shqiptarët është vetvetiu në shërbim të idesë kombëtare!

Për arsye që dihen mirë, shkenca sot në Shqipëri e në trojet shqiptare gjetiu në Ballkan mbijeton kryesisht e bashkëlidhur me institucionet e arsimit të lartë. Përndryshe, shkencëtarët e atjeshëm kanë shanse më të mëdha t’i qasen së vërtetës në fushat albanologjike, duke shfrytëzuar epërsitë e natyrshme që u jep përkatësia etnike dhe të qenit vendas.

Mirëpo sot albanologjia shqiptare – në kuptimin e studimeve shqiptare të kryera nga shqiptarë në institucione shqiptare – gjendet në krizë; jo vetëm për mungesë fondesh dhe interesi, por edhe për faj të trysnive të ndryshme nga politika, shoqëria civile dhe publiku, të cilët i kërkojnë qiqra në hell, ose përralla ngushëllimtare për dështimet shpesh fatale të Shqipërisë dhe të shqiptarisë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.

I dëbuar pas gjase përfundimisht nga ekonomia, voluntarizmi foshnjor po hedh rrënjë në përfytyrimin që kërkon të ketë shoqëria shqiptare për vetveten.

Studiuesve seriozë po ua zënë vendet dhe rolet, në komunikim, lojëtarët dhe marifetçinjtë e shkathët, manipulatorët e humorit të turmave, spekulatorët dhe tregtarët e sheqerkave ideologjike për të miturit e plakur.

Kombëtarizmi albanologjik, i gjallëruar vitet e fundit në trajta veçanërisht agresive, po rrezikon jo vetëm ta fundosë krejt albanologjinë profesioniste në Shqipëri e në Kosovë, duke e shurdhuar e duke e zëvendësuar me dije kombëtariste absurde dhe surrogato; por edhe ta komprometojë krejt vetë nocionin dhe pozicionin e shkencës dhe të kërkimit shkencor në vetëdijen dhe në kulturën kombëtare.

Prandaj le t’i mbajmë veç shkencën dhe shqiptarinë; për hir të vlerave që kanë secila e që u duhen ruajtur.

6 Komente

  1. “Nga ana tjetër, të tjerë nuk lodhen së habituri me diplomat universitare e doktoraturat e mbrojtura nga shqiptarë në universitete anembanë botës, të cilat ndonjëherë i njoftojnë me komente të ekzaltuara në mediat qendrore; pa përmendur profile panegjirike specialistësh dhe shkencëtarësh shqiptarë të suksesshëm, të cilët shërbejnë në laboratore, qendra kërkimore e katedra universitare anembanë botës.”

    Ne momentin e krizes se identitetit qe po kalon shqiperia dhe shqiptari kete diploma sherbejne si a) kundrapeshe per te thene qe edhe ne mundim ose b) si vertetim qe ne jemi rrace (pervecse ariane, e kam degjuar se fundi kete term ne diskutimet midis shqiptareve ne internet, te perdorur si mburrje) e zgjuar dhe e justifikojme statusin e kerthizes se botes.

    Me tej, une shoh nje problem ne pergjithesi ne mentalitetin shqiptar: kerkohet te gjendet mitikja, e jashtezakonshmja, e vecanta. Kudo. Nje tendence per te kerkuar piedestalin me cdo kusht. Koncepti i punes se zakonshme, qe nuk te sjell fame por thjesht nje sadisfaksion personal e nje rroge ne shtepi eshte sinonim i deshtimit.

    Ne nje gare te tille humbasin informacionet apo dijet e verteta. Apo mekanizma. Psh: se fundi lexova rastesisht per nje doktorande shqiptare. Shkruesi i reportazhit ishte tejmase patetik emocional, edhe pse nuk e njihte vajzen, as se cfare ajo bente, as ne se puna e saj kishte ndonje domethenie, por sepse po takonte kete shkencetare shqiptare, qe na ishte edhe shume e sjellshme e zemer mire ashtu sic ja kerkon gurra popullore. Ne te vertete prapa ketij ekzaltimi humben nje sere informacionesh: vajza eshte thjesht studente e doktoratures, mnjfjale mbase nje shkencetare e se ardhmes nese ajo do vazhdoje kalvarin e mirepercaktuar te curriculumit akademik. U harrua te shpjegohej se per cfare punonte, cfare kerkonte dhe pse ishte ky kerkim i rendesishem per dijen.

    Ajo qe harrohet te thuhet ose nuk thuhet sepse perndryshe demistifikohet shkencetari dhe shkenca eshte se vajza ne fjale eshte nje nga dhjetera mijerat e studenteve te doktoratures qe popullojne laboratoret e shkences. Nje nga dhjetera mijerat e ushtareve te shkences qe kerkojne e botojne gjera qe a) nuk i lexon kush pervec editoreve te revistave profesionale ku publikohen artikujt, b) lexohen nga nje dore njerezish qe punojne ne kete fushe shume te specializuar te shkences c) harrohen po aq shpejt sa edhe botohen (sigurisht ketu do vije ndonje e do me kujtoje indekse citimi e numra publikimi, yep, sisteme genjeshtare).

    Ne morine e madhe te ushtareve te shkences vetem nje minimun i vogel njerezish arrijne te bejne dicka sinjifikative qe eshte e trashegueshme per brezin qe vjen. ME nje fjale: me perjashtim te ketij minimumi qe une e llogaris tek 1% (me shume zemergjeresi e bujari) shkenca eshte jashtemase jospektakulare, eshte nje rutine per te cilen nuk mund te flasesh pa e vene tjetrin ne gjume te thelle.

    Perndryshe, cdo gje tjeter eshte ashtu sic e ke pershkruar ne artikull xhaxha: nje qelize perbehet nga berthama (me kodin gjenetik brenda saj), citoplazma, nje sere organesh qe notojne ne citoplazme dhe membrana. Kjo qelize kudo qe ta marresh, ne Kaukaz, ne Shqiperi, ne Greqi, Serbi apo Honolulu, nuk ka me shume se sa thashe me larte. Nuk dallohet. Mund ta shkembesh e mos ta marresh vesh qe e ke bere. Laj thaj qeliza qelize eshte dhe mbetet edhe kur studiohet nga shqiptari, edhe kur studiohet nga serbi (qe te dy e studiojne ate ne nje laborator te nje vendi te perendimit, e bile nganjehere e studiojne te dy ne te njejtin laborator. Sigurisht ketu do te ishte shume e rendesishme te dihet ne se kjo shkenca eshte e shqiptari apo e serbit).

    Me nje fjale, e verteta nuk ka kombesi. Burokracia dhe burimi i parase (te dyja te detyrueshme te citohen ne fund te nje artikulli) po.

  2. Disa ditë më parë mediat italiane dhanë në faqe të parë, me tituj bombastikë, lajmin e çmimit Nobel për mjekësinë, të marrë nga biologu Mario Capecchi. Pothuajse të gjitha ishin në ekstazë për faktin se çmimi i famshëm iu dha një italiani. Polemikat që vijuan kishin të bënin më shumë me paaftësinë e shtetit italian për të financuar trurin vendas në kërkimet e ndryshme shkencore.
    Në të vërtetë çmimi Nobel që u mor nga Capecchi nuk ka asgjë italiane. Studiuesi i njohur e ka ushtruar veprimtarinë e vet shkencore në laboratorët amerikanë, të cilat i kanë dhënë besim fillimisht e financime më pas. Atëherë ç’është gjithë kjo vetëkënaqësi kolektive për Nobelin? A thua të ketë lidhje me krizën a besimit që ka pllakosur shoqërinë italiane? Po një paralelizëm, a mund ta bëjmë me vendlindjen tonë, Shqipërinë?

  3. Pishak, a nuk mendon ti se ka nje ndryshim midis cmimit Nobel dhe te marrurit e nje diplome Master ne nje universitet ne “ti-verja-emrin” ne Perendim?

    Ti e di kush eshte Aleksander Moisiu apo jo? A eshte normale qe nje njeri i cili vetem sa ka lindur ne Shqiperi, qe nuk ka lene asnje gjurme ne kulturen tone, te kete nje prani kaq disproporcionale ne viset tona? Rruge, bulevarde, emer universiteti, cmime… C’eshte kjo thagme nuk e kuptoj.
    Kupton ku ta ngas llafne?

  4. Mua më duket se ndryshim në thelb nuk ka. Ndryshon vetëm prestigji i çmimit. Tek e fundit edhe vetë çmimi Nobel një lloj diplome është, pavarësisht se shoqërohet me ceremonira e para në dorë. Por po të kemi parasysh nga cili pikëvështrim e pamë problemin atëherë të dyja gjërat më duken njëlloj. Diploma i takon personit, por edhe strukturës, kontekstit ku ai e mori. Natyrisht mund të mburren edhe komshinjtë ose kushërinjtë e katërt, por këtu ndërhyjnë mekanizma të tjera. Madje edhe unë vetë mund të mburrem me arritjet e shkencëtarit italian, si arritje të një qenie njerëzore që i përket kategorisë sime. Kjo do të më ngushëllojë pak e do të m’i lehtësoje vuajtjet që shpeshherë injoranca ime më shkakton. Por sa kohë do të vazhdoj t’u hedh hi syve të mi? Në vend që t’i futem punës me seriozitet e të “marr” çmimin Nobel edhe në restorantin ku punoj?

  5. Cmimi nobel per paqen, nuk ka merita kombetare, pasi paqa kuptohet ne rang global, ku entitete te mbyllura si kombi, shteti, qyteti, lagja nuk kane kuptim. Cmimi nobel ne mjekesi etj shkenca, sic edhe u ngul kemb me lart nga xhaxhai dhe selfmaderadio eshte po ashtu brenda kufinjve te shkences ne fjale, por jashte entiteve te mbyllura te permendura me lart. I vetmi cmim nobel, per te cilin do kishte hare e gezim shqiptari, do ishte ai i letersise, pasi kandidati i vetem shqiptar per ate titull, mund te interpretohet se ka punuar per kombin. Dhe kjo me kusht qe, rezultatet e punes qe ka bere per kombin, te manifestohen ne menyre paqesore. Diktati nordik eshte diktat paqeje dhe neutraliteti qe prej me se nje shekulli. T’a kuptosh vleresimin e ketij diktati me ngjyra kombetare do te thote te mos kuptosh neutralitetin, mungesa e te cilit ka si rrjedhoje mungesen e paqes.

  6. natyra eshte mjaft e ndotur ne kosove keshtuqe ne kerkojme nga shteti te na pastroje pak. edhe pse edhe ne e ndotim tjera here do te kujdesemi per te.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin