I formuluar nga Mike Godwin në 1990, ligji i Godwin-it thotë:
Sa më shumë që të zgjatet një diskutim në Internet, aq më shumë shtohet probabiliteti që dikush të përdorë një krahasim me nazistët ose Hitlerin.
Ligji ka të bëjë më tepër me përdorimin e argumenteve të fryra dhe hiperbolike në debate të hapura, por nuk vepron në rast se debatet lidhen drejtpërdrejt me nazizmin, Hitlerin, genocidin, ose tema të tjera të ngjashme.
I ngjashëm me ligjin e Godwin-it, është i ashtuquajturi reductio ad Hitlerem (formuluar nga Leo Strauss), i cili zakonisht merr trajtën e mëposhtme:
Hitleri ishte në favor të X, prandaj X është e dënueshme/e keqe/e papranueshme.
Natyrisht, për diskutimet në forumet shqiptare në Internet ligji i Godwin-it ose reductio ad Hitlerem duhen riformuluar, për të marrë parasysh atë lloj argumenti i cili e shkatërron menjëherë debatin.
Unë do ta formuloja si vijon:
Sa më shumë që të zgjatet një diskutim mes shqiptarësh në Internet, aq më shumë rritet probabiliteti që dikush ta reduktojë argumentin e kundërshtarit në shembull flagrant të propagandës serbe, greke, ose edhe serbo-greke.
Në disa kontekste, i njëjti efekt synohet të arrihet me akuzën që i bëhet tjetrit, ose edhe më shpesh familjes ose fisit të tjetrit, për komunizëm. Efekti sipëran përftohet atëherë kur “vërtetohet” se prapa komunizmit shqiptar qëndrojnë serbo-grekët.
Komentatorët e ligjit të Godwin-it kanë shpjeguar se e keqja e krahasimit vend e pa vend me nazizmin dhe Hitlerin ka të bëjë me atë që, për tema të caktuara ose specifike ky krahasim qëndron dhe ia vlen të bëhet; me fjalë të tjera, abuzimi me argumentin nazist rrezikon ta zhvlerësojë argumentin vetë.
Njëlloj, askush nuk do ta përjashtonte implikimin armiqësor të fqinjëve në historinë ose bashkëkohësinë shqiptare; por pikërisht ngaqë kjo është çështje madhore, nuk mund të shpërdorohet duke iu ngjitur etiketa e “të shiturit te serbo-greku” kujtdo me të cilin nuk na pajtohen mendimet.
Në një videogame që kam pasë luajtur dikur, heroi kishte në arsenal edhe një të ashtuquajtur “bombë serioze”, e cila, kur përdorej në fushë të betejës, i vriste menjëherë të gjithë kundërshtarët e pranishëm.
Sa herë që dëgjoj dikë, në diskutimet tona, të akuzojë kolegun se “po bën politikën e grekut”, ose “këtë duan edhe serbët”, mua ajo bombë më kujtohet; instrument paniku, por edhe formë simbolike e pranimit të humbjes në debat.
Nuk është e rastit që, në forume diskutimesh dinjitoze, filli i një teme konsiderohet i mbyllur sapo dikush fillon të përmendë nazizmin dhe Hitlerin. Mirë do të ishte ta mbanim edhe ne parasysh diçka të tillë, tha; sado që pikërisht ashtu do t’u realizohej ëndrra serbo-grekëve.
Ligji i Godwinit: http://xkcd.com/261/
Ka njefare bezdie “shqiptarce” kundrejt diskutuesit qe e mendon ndryshe; variacjonet mbi epitetin “komunist” jane nga me te rendomtat e mberrijne deri ne histeri; kesisoj, nderlidhja e Hitlerit e hitlerizmit me “shitjen ke serbo-greku” me duket mjaft e qelluar. Ndoshta te dyja anet e krahasimit jane shenjues te nje traume psiqike kolektive, njefare mjeti iluzionar vetembrojtjeje, nje tip “thirrje e te pareve” nga ato qe ushqimin e gjejne vetem ne permasa miti. Cdo diskutuesi shqiptar, ndergjegjshem apo jo, i del perpara keshtu njelloj kapercimi transhendental (te dale menjane komunizem-serbo-greqizmit si baze “argumentative”) qe duhet te beje, dhe, ne rast se nuk e ben, gje qe ndodh edhe me shpesh sesa me rralle, diskutuesi hipotetik do perplaset gjithnje ne ate pengese, ne ate mur, packa urtesise se popullit te tij shprehur thjeshte ne “murit me koke nuk i bihet.”
Tha Xha Xhai:
“Sa më shumë që të zgjatet një diskutim mes shqiptarësh në Internet, aq më shumë rritet probabiliteti që dikush ta reduktojë argumentin e kundërshtarit në shembull flagrant të propagandës serbe, greke, ose edhe serbo-greke.”
Nuk ka intelektual shqiptar që shkruan ndershëm, që të mos jetë bërë subjekt i kësaj praktike, i shpifjeve dhe i denigrimeve.
E mira e kësaj së keqeje është se në botën shqiptare shumica dërrmuese janë indiferentë, për arsye që dihen dhe janë shtjelluar, prandaj dhe aktivistët e “çështjes shqiptare” janë shumë të paktë, aq të paktë, ndoshta, se dhe ndriçimtarët, prandaj dhe të sëmurët rëndom shtrëngohen e shkruajnë me pseudonime; e kam fjalën për në shtyp.
Është prapambetje debatore, do të thoja, që postues të tillë të fëlliqin projekte të denja, si ky yti, Xha Xha. Ja mendo dy vjet nga sot, të këqyrësh statistikat me numra dhe të pranosh se kush dhe sa ka postuar. Në blogun tim, shumë të vogël krahasimisht, më kanë dërguar (të njëjtit postues) postime jashtë teme, mbushur me frymën e sipërshënjuar, prandaj dhe kanë përfunduar në spam. Më mirë jo komente, sesa lehje e lehje të njëjta.
Në botën greke, në të kundërt, sivëllezërit e këtyre shqiptarëve që na pagëzojnë shpesh siç duan për pasojë të mos honepsjes, nuk përfillen fare në projekte serioze, prandaj dhe e gjejnë hapësirën pikërisht në vete.
Është në dorën tonë t’iu kushtojmë vëmendje në debat atyre që përçojnë veç urrejtje.
E vertete.Disa njerez kur lodhen nga nje bisede e tejzgjatur mbase ose kur e shohin se nuk kane nje argument bindes , hedhin sakaq nje mendim ku godasin apo thumbojne objektin e bisedes apo menyren e bisedes.Kjo eshte nje orvatje e deshperuar mbase per te nxjerre veten te drejte apo te lare ne ate diskutim , pa u vene re se nderkohe po sabotohet mesazhi qe do ajo teme te sjelle.Si e tille eshte krejtesisht qesharake dhe mediokre per mendimin tim.
Kokeshiniket (te tille ne Shqiperi i gjen me duzina?!) kur nuk argumentojne dot mendimet e tyre me debatet qe bejne me “kundershtarin”, patjeter qe do t’u veshin nje “rrobe te zeze” atyre (te tjereve) me qellim qe t’i mundin apo t’i vene poshte. Dhe jane jo vetem mjerane ne kete orvajtje qesharake, por, njekohesisht, te vegjel nga mendja sa ngjajne me njerez krejt ordinere. Zene dhe skuqen, cirren duke e ngritur zerin disa oktave (sikur theresin “majekrahu?!”) se, gjasme, keshtu e bindin auditorin se “nervoziteti i tyre” eshte jo vetem shkencor, por ca me shume: p a t r i o t i k?!!! Se “kjo qe po thote zoteria a zonja (ndodh dhe me femra, pra!) jo vetem qe nuk i sherben vendit, por i sherben grekeve, serbeve ne nje kohe-kete ngule ne koke mire!-kur po afron”pavaresia e Kosoves!”. Argumente me te bukura nuk ke ku gjen. Qesh se nuk qan dot.
Shume dakord Xha Xha.
Mendoj se nuk ka njeri serioz ne diskutim te mos kete mbet i pa prekur prej kesaj sjellje. Per mendimin tim kjo ehte sjellje e te paafteve dhe te deshperuarve, te cilet kane si arme te fundit infliktimin e ketyte “komplekseve” te kundeshtari per ta kthyer ne viktime vecanerisht kur e sheh veten qe nuk ka te drejte apo po i oshetine injoranca e vet.
Me vjen ndermend thenia e dikujt i cili thote “Nuk kam debatuar me ndonje te ditur vec kam “fituar” dhe nuk kam debatuar me injorant (te paditur) vec se kam humb.”
Mendoj se debati nuk duhet te jete i perqendruar vetem ne terma ngadhenjimi te mirefillte. Debati duhet te jete per te kuptuar me teper apo per te perfituar, sepse gjate debatit, cuditetrisht, dalin realizime shume te papritura dhe sqaruese.
PS. Leo Strauss kam pershtypjen meriton teme diskutimi me vete. Para pak kohesh pash nje emision i cili permendete edhe kete si “arkitektin apo ideatorin e Neo Konservatorizmit.” Mes te tjerash permendete nje thenie te tij e cila ne vija te trasha thoshte se “bota e perendimore e ka faren e shkaterrimit brenda.” E gjithe kjo sepse kishte zhvelesuar shume prej vlerave te cilat deri me pare ishin dinamika e kesaj shoqerie.
…kjo semundje, qe (ne bindjen time te plote, te shprehur haptazi edhe me pare) per moderim teper liberal u la te shnderrohej ne epidemi, coi praktikisht ne zvjerdhjen e shume mendjeve te hapura nga nje prej forumeve me interesante dhe pa dyshim me simpatiku on-line, AlbClub. Me dhemb ne zemer tek e shoh ne agoni ate panair fantastik idesh, kulture, dije, humori…
Meqë ra llafi, Ps. ng. H., unë vetë u largova nga AlbClub-i jo se nuk kisha çfarë të thoshja atje, as se kuvendi nuk ishte si vendi, por se xixat e risimeve ndonjëherë ishin të tepërta para zjarrit të oxhakut shqiptar.
Jo se në AlbClub lëshoheshin pa doganë edhe bindje që dëshmojnë ultësirat e shqipeve, por se se atje, brenda “lirisë” dhe “lirshmërisë” kishte baballarë dhe bij, zotër dhe bujtës, një gjë e papranueshme ajo për kënde të tilla.
Ata që nuk kishin se si të ishin në Alb-Club, kryqëzoheshin shtatë herë në ditë, por nëse kritikoje ndonjë nga etërit e atjeshëm, lëshoheshin mesazhe që duhet të isha piktor t’jua riprodhoja: Dhunë!
Xha Xhai ishte ai që është dhe këtu, por problemi i risuesve shqiptarë është konfiguracioni. Lëçitësi ka nevojë për një konfiguracion interlokatorësh, për një prani bashkëjetuesish, që të mundet jo vetëm të flasë e të shkruajë pa e marrë për të marrë.
Dhe këtu, në këtë pikë aspak të padukshme, mendimtarët tanë më të zëshëm sot janë në dilemë, për të cilët nuk kanë folur publikisht.
E keqja Xhaxha, është se shumë e konsiderojnë vehten ‘më katolikë se papa’ dhe shpeshherë e shikojnë vehten shumë më lart se platea e diskutuesve, dhe kjo, natyrshmërisht, ju jep të drejtën Atyre, që të ndihen të padiskutueshëm ose të pacënueshëm, gjë që i çon në paranojën, që edhe sikur shëndet t’ju thuash, plaç ju duket.
Ndoshta këto fenomene që keni trajtuar në artikullin tuaj, janë trashëgim i asaj kulture 50 vjeçare që ju është rrënjosur në gjak atyre personave për të parë armiq nga të gjitha anët dhe me të njëjtën forcë, të gjejnë dhe ‘forcën’ për të goditur armikun e kllasës (së tyre/sipas tyre).
Edrus, ke shumë të drejtë; sepse asnjë diskutim nuk ka kuptim, nëse njëra palë e percepton veten si depozitare të së vërtetës ose autoritetit moral absolut!
PNH, gëzohem jashtëzakonisht që të shoh të komentosh këtu; sepse ke qenë një nga interlokutorët më të vyer në Alb-Club, i domosdoshëm për krijimin e asaj fryme të debatit kolektiv, që, sic thotë Bizantini, na pasuronte të gjithëve. Shpresoj të lexoj më shpesh prej teje…