Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Media / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (IV)

Kush nuk e mban mend citatin e shokut Enver, me të cilin duhej hapur çdo temë diplome, çdo referat në konferencë, çdo artikull reviste e çdo disertacion… ?

Edhe sikur tema jote e diplomës të ishte për vaksinimin e bagëtisë të imët kundër sëmundjes së plasjes, përsëri do të gjendej citati i përshtatshëm.

Të kujdesshmit mes nesh i kishin bërë gati citatet prej kohësh, duke i kopjuar me bukurshkrim në skeda kartoni e duke i renditur sipas tematikës, gjatësisë, nënvizimit ose kriteresh të tjera më enigmatike.

Vepra e shokut Enver shpalosej kaq e gjërë e poliedrike, sa ofronte citate për tema nga më të larmishmet: karriket, mjelëset, oborrin kooperativist, Vietnamin, karkalecin, misrin kubik, transportin hekurudhor të mallrave, pastrimin kimik, përdorimin tradicional të dordolecit në arat me grurë, Anatole France-in, antracitin, këngën polifonike labe, ASEAN-in, penicilinën, Haxhi Qamilin, proletariatin britanik, Platonin, Ajatollah Khomeinin, vetadministrimin jugosllav, malarjen, vlerat medicinale të uthullës, mësymjen, higjienën personale, provincën frënge, prapashtesat, tradhtinë kombëtare, opiumin, sizmografinë, shtypshkrimin, Kont Uranin, Voskopojën, pelikanin si pasuri natyrore, tigrat prej letre.

Përvetësimi i realitetit objektiv konsistonte, në thelb, në çiftëzimin e një fakti çfarëdo me citatin përkatës. Citati jo vetëm që i ofronte mbështetje strategjike tezës që do të formulohej, por edhe e vinte atë tezë në lidhje me teza dhe pohime të tjera brenda ligjërimit publik.

Duke filluar nga vitet 1970, referimi ndaj një citati prej Enver Hoxhës ishte fjalëkalimi për ta futur tekstin në qarkullim; pavarësisht nga përmbajtja e tekstit ose e citatit.

Tekstet e cituara të Enver Hoxhës i shërbenin kështu legjitimimit të ligjërimit publik; njëlloj si vula në një dokument zyrtar, ose në një pasaportë.

Sa më shumë që përsëriteshin këto citate, aq më shumë zbrazeshin nga kuptimi fillestar; një citat i tillë si “cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha…” shërbente vetëm si justifikim ose autorizim për një denoncim publik të tipit të fletë-rrufesë.

Kuptimi funksional i citatit ishte riprodhimi i pushtetit totalitar ndaj teksteve; meqë duke cituar, autori ia dorëzonte sovranitetin krye-autorit, ose udhëheqësit suprem.

Për nga natyra e vet, citati është thënie e nxjerrë nga konteksti i vet fillestar (e dekontekstualizuar) dhe e përsëritur në kontekste të tjera, nga përdorues të tjerë, të cilët kujdesen t’ia specifikojnë autorësinë si burim prestigji, autoriteti dhe vërtetësie. Duke u cituar, autori sillet si palë e tretë në komunikim, në aleancë me palën që e ka cituar.

Nëse komunikimi shtjellohej në trajta të debatit, atëherë të sjellët atje e një citati nga shoku Enver mund, madje ndonjëherë duhej të shoqërohej me arrestimin e palës tjetër, në fund të mbledhjes.

Përsëritja dhe nxjerrja nga konteksti (dekontekstualizimi) ishin dy mënyra themelore për të shprehur vazhdimësinë në ligjërimin publik; vazhdimësinë si riprodhim mekanik të strukturave abstrakte të ligjërimit, por edhe të pushtetit vetë.

Përndryshe, i parë jashtë kornizës pragmatike, citimi do të çonte detyrimisht në absurditete të tipit:

Shoku Enver Hoxha ka thënë se “Nëntoka shqiptare është e pasur me minerale.”

Meqë përdoruesi i një citati të tillë e kishte të qartë se shoku Enver Hoxha nuk kishte ndërmarrë ndonjë studim gjeologjik të pasurive nëntokësore të Shqipërisë, atëherë citati mund të përligjet vetëm me nevojën për ta përfshirë ligjërimin publik individual (në këtë rast, një disertacion në lëmin e industrisë minerare) në ligjërimin publik total(itar).

Citimi i detyruar nga klasikët (Enver Hoxha, Lenini, Stalini) funksiononte si referencim për tekstin.

Edhe sot e kësaj dite, kur totalitarizmi politik i përket historisë, ende ka mbijetuar nevoja për referencim të ligjërimit, nëpërmjet citimit autoritativ.

Po të lexosh komente e kolona editorialesh në shtyp, menjëherë do të vësh re se, në më të shumtën e rasteve, citatet orientohen dhe organizohen sipas modelesh të kapërcyera.

Prandaj dëgjon ndonjëherë absurditete të tipit:

Siç e ka thënë edhe Ismail Kadareja, shqipja është gjuha më e vjetër e Evropës.

Meqë ra fjala, kur përgatitja temën time të diplomës për disa fjalëformime prapashtesore në shqipen moderne (temë që ma kishin imponuar praktikisht me forcë), një nga preokupimet e mia kryesore ishte për të gjetur një citat të përshtatshëm për ta ekspozuar në hyrje; meqë shoku Enver Hoxha nuk dihej të kishte thënë gjë konkrete për prapashtesat e shqipes (ose kishte thënë, por mua më kishte shpëtuar; ose e kishte thënë në ndonjë mbledhje me dyer të mbyllura; ose e kish shkruar në ditarin e vet, i cili ende nuk ish botuar i tëri).

Të gjithë më pyesnin: si po të shkon tema? Dhe pasi merrnin përgjigjen përkatëse (“mirë”, “shtyje”, “hiq e mos e këput”, “cila temë?”) vijonin: e ke gjetur citatin? Jo, akoma. Jam duke kërkuar.

Natyrisht, mundesha gjithnjë të përdorja një citat më të përgjithshëm, për detyrat e gjuhësisë shqiptare, ose më tej, të shkencës shqiptare, në një kohë kur i gjithë populli shqiptar, masat punonjëse, fshatarësia kooperativiste…

Diçka të tipit: “Studimet tona gjuhësore duhet t’i qëndrojnë pranë gjuhës së popullit, pasurive të pashtershme të traditave tona popullore dhe kombëtare, duke iu ruajtur intelektualizimeve të tepruara, formalizmit, ose shkëputjes nga realiteti punonjës dhe mbylljes në kullën e fildishtë mikroborgjeze.”

Mirëpo unë nuk kisha arritur të gjej dot as edhe një citat të tillë. Prandaj e preva mendjen ta lë temën e diplomës pa ndonjë citat në krye të dhomës së burrave; duke u shpjeguar të gjithë kritikëve imagjinarë se shoku Enver, që kish mbi supe hallet e gjithë popullit tonë punëtor e të mrekullueshëm, nuk kish pse të merrej me punë të tilla minore, si prapashtesat e nomina agentis në shqipen moderne.

Ata: po krejt shkenca shqiptare buron prej mësimeve të Partisë dhe të shokut Enver!

Unë: kjo është jashtë çdo dyshimi. Por nuk dua të përdor një citat të përgjithshëm, sepse pastaj më akuzojnë për megalomani; ose mund të dukem sikur po e përdor citatin pa vend, gjë që është edhe më keq sesa të mos përdor citat fare.

[Prokurori imagjinar: nëpërmjet citatesh të keqpërdorura e të nxjerra nga konteksti i tyre ideologjik, i pandehuri është përpjekur të maskojë indiferencën, madje apolitizmin e tij flagrant; sepse ashtu të metat e veprës së tij do t’i visheshin vijës së Partisë, revolucionit, klasës punëtore.]

Si përfundim, tema ime e diplomës mbeti pa citat, por nga ana tjetër, ishte kaq e mërzitshme në vetvete, sa nuk e lexoi kush, me përjashtim të daktilografistes…

Jam rritur në një qytet i cili më fliste nga të gjitha anët me thënie të mumifikuara: ekspozuar në fasadat e ndërtesave, në hyrje të tregut fshatar, në këndin e kuq, në dyqanin e këpucarit, në tabelën e nderit, në mjediset e shkollës së lirë ushtarake, te ambulanca e lagjes (“Shëndeti i popullit është detyra numër një e mjekësisë shqiptare”) në shpatin e kodrës, në banderolat e varura mbi rrugë, në stadium, në terraca të ndërtesave kryesore, në korridore të zymta të institucioneve, deri edhe brenda në klasë ku bëhej mësimi. Citate krejtësisht pa vend kishte edhe në muret e sallës së Teatrit të Operës e Baletit, të cilat mbeteshin nga Kongreset e radhës, dhe nuk i hiqte kush, deri edhe kur luhej në skenë, bie fjala, “Traviata”, ose baleti “Giselle”.

Po cfarë ishin këto mumje kaq kërcënuese, nëmos idhuj ligjërimorë të rreshkur e paganë, që e mbikëqyrnin e mbarështonin publikun si bagëtinë, në emër të gostive e të orgjive të Zotave në Olimpin politik total?

Të gjitha ligjërimet publike fortifikoheshin me citate – që nga të detyrueshmet nga shoku Enver, deri te citatet nga Stalini, Lenini, e më rrallë Marksi ose Engelsi, të cilat rezervoheshin për ideologët kryesorë të shtetit. Stalinin zakonisht e preferonin komisarët e sertë të orës politike; Leninin pedagogët tinzarë të Shkollës së Partisë; Engelsin estetët buzëhollë.

Disa studiues të ligjërimit totalitar në Lindje kanë hedhur tezën se e shumta e përdoruesve të këtyre “konservave” ideologjike-gjuhësore e bënin këtë sa për sy e faqe, sepse vetëm ashtu do t’ju legjitimohej normaliteti i përditshëm.

Me fjalë të tjera, një citat i shokut Enver për plotësimin e kuotave të djathit kaçkavall, do të siguronte lirinë e nevojshme për të parë një film danez pak erotik te “dyshi i sllavit” në darkë.

Ka edhe studiues të tjerë, të cilët mendojnë se, në raste përdorimesh të tilla, nuk ka kurrfarë rëndësie psikologjia e përdoruesve, por efektet e përdorimit vetë; dhe pikërisht riprodhimi i sistemit totalitar, nëpërmjet riprodhimit të disa super-klisheve ideologjike, ose formulave të ngrira ligjërimore, të cilat energjizonin figurën e diktatorit suprem si palë të tretë në komunikim.

Sa kohë që regjimi angazhohej aktivisht në shndërrimin social dhe ekonomik të vendit, fjalët e udhëheqësit e ruanin një farë marrëdhënieje me realitetin (“t’u qepemi kodrave dhe maleve…” shoqërohej vërtet nga një lëvizje nga fusha në drejtim të malit, zakonisht me kazmë ose shat në sup, si “Vullnetarja” e Zef Shoshit); por duke filluar me vitet 1970, kur i vetmi qëllim politik pragmatik i regjimit ishte mbijetesa, atëherë edhe ligjërimi zyrtar erdhi duke u zbrazur nga kuptimi, e duke iu referuar vetvetes gjithnjë e më shpesh.

Që nga ajo kohë, e cila pak a shumë koincidoi me një damblla të lehtë në kokë të regjimit, pjesa më e madhe e fjalimeve publike të udhëheqësve të Partisë e të Shtetit, që nga Enver Hoxha vetë, nuk kishin kuptim tjetër, përvecse të theksonin “vazhdimësinë”, ose qëndrueshmërinë e vijës.

I vetmi kuptim madhor i ligjërimit publik mbetej kështu vetëreferimi, ose përsëritja e formulave nga ligjërime të mëparshme – meqë kjo garantonte edhe njëfarë imuniteti ndaj kritikave.

Citatet nga fjalimet dhe veprat e Komandantit sinjalizonin se jo vetëm kjo apo ajo ligjëratë publike përfshihej në riprodhimin e strukturave të pushtetit totalitar, por edhe se vetë autori i ligjërimit ia dorëzonte vullnetin e vet individual diktatorit, për t’u folur prej tij.

Shprehnin njëkohësisht solidaritet dhe gjunjëzim; arrogancë dhe përgjërim; rreptësi dhe frikë. Në të vërtetë, e vetmja mbrojtje që ofronte citati ndaj dhunës totalitare kundër individit ishte aftësia për ta bërë këtë individ të padukshëm, për ta fshehur pas maskës së mumjeve ligjërimore nxjerrë nga kontekste të tjera.

Pa përmendur pastaj që citatet vetë, për nga struktura tekstuale dhe sintaksore, por edhe nga leksiku i përdorur dhe stili i shprehjes ose fryma retorike, shërbenin si modele për ligjërimin publik në të gjitha nivelet.

Kësisoj, ligjërimit vetë i shtohej një përmasë absurditeti; sepse disa gjëra që mund të tingëllonin normale në gojë të Enver Hoxhës, shndërroheshin në drejtpërdrejt komike, kur i dëgjoje nga sekretari i partisë së shkollës, që mund të qëllonte të ishte mësuesi i punës me dru, ose ndonjëherë edhe portieri veteran që ende e ruante fanatikisht në pulpë një copë shrapneli nga beteja e Torviollit.

Si themele të ligjërimit publik totalitar, citatet siguronin karakteristikën kryesore këtij ligjërimi – zhveshjen e ligjëruesve nga individualiteti.

6 Komente

  1. Komicitetin e gjuhezimit dhe ligjerimit te diktatures, m`u kujtua, e pershkruan dhe nje episod tek “Koha e Shkrimeve” e Kadarese te cilin shumekush mund ta mbaje mend. Iliri, qe s`kishte mesuar asgje, mezi po priste qe mesuesi t`i thoshte “tani lidhe nje cike…” sipas zakonit e detyres qe demagogjia komuniste kerkonte, duke krahasuar “te tashmen e begate te kohes se partise” me te kaluaren “e mjeruar.” Meqe lenda ishte biologji dhe tema mbi asimilimin klorofilian, Iliri ja fillon duke belbezuar se “ne te kaluaren asimilimit klorofilian nuk i jepej rendesia e duhur…” duke revoltuar mesuesin. Episod fantastik!

    Edhe ne shkolle fillore, mbaj mend, ne oren e gjuhes, kur mesuesja na jepte nje fjale ose togfjalesha per te krijuar fjali, kuptova se po te fusje ne ate fjali fjalet parti, enver, diktatura e proletariatit e cdo fjale tjeter te xhargonit parullor, merrje automatikisht noten dhjete. Ne ate kohe im ate me kishte thene dhe premtuar, cuditerisht si ndonje kapitalist i regjur, se do me jepte nje dhjeteleksh per cdo dhjete qe do merrja ne shkolle. Por pas njefare kohe, meqe ai ishte punetor i thjeshte dhe nena invalide qe para lindjes sime, nuk ja tregoja me dhjetat, as ai nuk e permendi me ate gje…

  2. ne nje mbledhje te zgjeruar te kolektivit punonjes te ndermarrjes poligrafike, tirane, nje prej diskutanteve te pranishem duke rreshqitur frikshem ne nje crescendo mazokiste ne lidhje peshen dhe rolin e shtypshkronjesve ne elektrifikimin mendor te popullates, u gjend paksa bosh para te deleguarve nga lart, dhe… ia plasi si ajo nusja shtatzane per penxheres se trenit-SE SICH THOTE EDHE STALINI I MAATH, TIPOGRAAFET JANE MINATOORET E MBITOOKES!!!! (ovacione, rropama,rritje temperature ne timpana prej perplasjes se njekohesishme te disa qindra lekureve me kallo te defave te haremit te punetorise prezente ne salle)

    kolektivi punonjes duket se ia arriti permes nje zeri te vetem t’i komunikonte udheheqjes se ishte tejet i ndergjegjshem per misionin e vet, bile jo vetem per kete, po edhe per diferencen e madhe te pages se tyre me te minatoreve.

    …i mbytur ne djerse dhe nen trokitje rituale kameratike ne supet joerogjene, te cilat kryhen ne grupe meshkujsh me doren e djathte miratuese, cituesi tipograffilik i stalinit po ulej pak nga pak ne toke dhe po shquante ngjyrat e para me rreshtim zbrites prej te kuqes all, kur ja! te paren fytyre qe lidh e lidhi me ate te nje prishesi te njohur dasmash, i cili pa te keq i ben nje pyetje te drejtperdrejte ballore-ne cfare vepre e ka thene Stalini kete shprehjen me tipografi? (personazhi dasmaprishes, mesa duket nga erseka, kishte reputacionin e zi qe kishte lexuar GJITHE librat e shtypur ne 2 dekada e gjysem poligrafike, pune qe e kishte bere gjate orarit te punes pa iu dridhur qepalla nen decibel, po ama duke iu dridhur e troshitur i tere kurrmi peshtetur ne tezgjahun e tij librashtypes te markes se njohur te nje vendi ende moter.)

    citatthenesi u mpi. e gjitha salla ovacionale iu rikthye si gjygj me dyer te hapura. pyetja mori kuraje nga shtangia: he mo ku e ka te shkruar shoku Stalin, ne cilen veper, kete shprehje?
    -po jo cdo gje qe ka thene shoku stalin eshte regjistruar ne libra!
    thuhet (per mos ta lene aktin te zgjatet e mbushet me mornica viktimash te fjaleve te veta) se nje bir i thjeshte i rrugicave baltempiksura te Tiranes u fut ne valle pa dashje duke u perpjekur te nxjerre tjetrin nga vallja e mornicave.-

    kanalet iniciatike per percjelljen e testamentit oral te stalinit rezultuan te dyshimta dhe pa lidhje me minatoret, tashme te nentokes se spachit.
    duke shtyre te llangosur vagonat mbushur me nje mineral te panjohur (komanda e burgut e kishte shpallur te ndaluar emertimin e tij ), te dy tipografet u perpoqen qe ta kthejne parabolen e stalinit permbys, me qellim qe te lehtesoheshin pak nga barra, po ama ekuacioni nuk po u funksiononte: -minatoret jane tipografet e nentokes! nc nc, nuk ecen.ne kete krah nuk paska fare kuptim.

  3. Përdorimi i citateve, ose tejpërdorimi i tyre, mund të ketë të bëjë edhe me burimet e komunizmit shqiptar, me atë që është studiiuar mbi sistemin bolshevik, i cili u ngjiz mbi një simbolikë religjioni: kulti i Njëshit, kulti i byrosë (i apostujve), mosgabueshmëria e Partisë (e kishës), shpallja e dëshmorëve (e shenjtorëve), autokritika (pendesa dhe rrëfimi), qëndrimi gatitu (lutja), “çseksualizimi” i njeriut, imponimi i martesës për të gjithë, fotot (ikonat), monumentet publike (kishat, kryqet), e shumë e shumë të tjera, pa harruar përdorimin e një gjuhe mirëfilltas liturgjike, aq sa na e ka bërë të pamundur sot t’i përkthejmë tekstet teologjike krejt në shqipen e sotme, pikërisht se shumë fjalë tingëllojnë banale (i lavdishëm, i pamposhtur, etj).

    Përdorimi i citateve, dua të them, duket si një zëvendësim i përdorimit të citateve biblike e liturgjike, të cilat shumë herë justifikohen në përdorim vetëm nëpërmjet një interpretimi, ose, se janë nga Zoti (në këtë rast, Zeusi shqiptar).

  4. Këto që thotë Bizantini këtu, për burimet e totalitarizmit si sistem i organizimit të pushtetit dhe të komunikimit, meritojnë vëmendje të posaçme, sepse i shkojnë në rrënjë atij sistemi. Mbaj mend kur, ende gjimnazist në vitet 1970, dëgjova një ditë në radion italiane një klerik të lartë që, duke folur për Shqipërinë, tha se atje mbyllja forcërisht e institucioneve fetare dhe ndalimi i ritualeve publike të kultit ishin vetëm efekt anësor i shndërrimit të shtetit vetë në objekt adhurimi fetar – ose i shndërrimit të ideologjisë komuniste në religjion. Për mua atëherë ky pohim ishte çelësi për t’i interpretuar shumë nga ato gjëra që deri atëherë më ishin dukur të çuditshme, e që i përmend më lart Bizantini: “kulti i Njëshit, kulti i byrosë (i apostujve), mosgabueshmëria e Partisë (e kishës), shpallja e dëshmorëve (e shenjtorëve), autokritika (pendesa dhe rrëfimi), qëndrimi gatitu (lutja), “çseksualizimi” i njeriut, imponimi i martesës për të gjithë, fotot (ikonat), monumentet publike (kishat, kryqet), e shumë e shumë të tjera, pa harruar përdorimin e një gjuhe mirëfilltas liturgjike.” Natyrisht, totalitarizmi shqiptar jo vetëm e kish marrë të gatshëm këtë sistem nga Bashkimi i Madh Sovjetik, por edhe ishte kujdesur të përgatitte në shkollat e atjeshme kalorësit e “urdhërit” komunist, që do ta përhapnin kultin në Shqipëri. Më pas do të mësoja edhe një tjetër të vërtetë zbulimtare: që Stalini, ose arkitekti i sistemit burokratik-totalitar në Bashkimin Sovjetik, kishte studiuar, në të ri, në një seminar fetar ortodoks në Gjeorgji… Duket të jetë e vërtetë, nga ana tjetër, që ortodoksët shqiptarë (e kam fjalën për “qytetarët” shqiptarë, jo shqiptarët etnikë) e mbështetën komunizmin më shumë sesa shqiptarët e feve të tjera; për arsye të njohura historike, natyrisht; por ndoshta edhe pse panë atje, te komunizmi i stilit sovjetik, ndoshta një formë, sado perverse, të ortodoksisë bizantine; por ky është vetëm një spekulim, sa kohë që unë nuk flas dot për ortodoksinë, sepse nuk e njoh.

  5. Që Stalini studioi në seminar është më se provuar, kaq madje saqë s’ka nevojë ta gjejmë se kush e ka thënë. Atje pastaj llind pyetja psikologjike, se çfarë mund t’i ketë ndodhur në semirar që e bëri t’i kthehet kundër sistemit me të cilin kishte rënë në dashuri, dhe pastaj ta shpërfytyronte atë sistem për ta purifikuar, por duke ia ruajtur tiparet. Shkolla e lartë e Partisë, për shembull, ishte një shkollë me tipare fetare. Unë kur takoj ndonjë ish-mësues të Marksizëm-Leninizmit e ngacmoj duke e quajtur “koleg”, sepse zanati i njëjtë ishte, pavarësisht se çfarë. Kujtoni pastaj komisarët (predikatorët), mënyra se si flisnin. Po “bindja e masave”, a harrohet?

    Ishte kaq e fortë ajo ideogji saqë na tejkalon të gjithëve dhe vetëm dorëzimi dhe studimi do të na çlirojnë, duke na imponuar rishikimet në shprehje e në formulime. Në të kundërt, shquani vetë se si shkruajnë intelektualët shqiptarë. Tek lexova një libër mbi At Stath Melanin, shkruar nga pozita partizane mbas fillimviteve 90, thuhet ndër të tjera se ai “i bindi masat”. E të tjera xhevahire.

  6. Kjo puna e citateve më kishte krijuar dikur bindjen se, sikur të humbasi vepra e E. Hoxhës ndonjëherë, ajo mund të rindërtohet me anë të citateve të shpërndara nëpër veprat e të tjerëve. Diçka si Bibla.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin