Lexoj sot në lajmet që Partia Popullore Zvicerane, më e madhja në Zvicër, paska propozuar një plan legjislativ për imigrantët i cili parashikon dëbimin e krejt familjes në rast se fëmijët gjenden fajtorë për krime të rënda, krime të lidhura me drogën, ose mashtrime me përfitimet e sigurimeve shoqërore.
Presidenti i kësaj partie, Ueli Maurer, u deklaroi gazetarëve sa vijon: “Ne besojmë se prindërit mbajnë përgjegjësi për edukimin e fëmijëve të tyre. Nëse nuk e kryejnë këtë edukim si duhet, atëherë le të përballojnë pasojat.”
Sipas statistikave që citon Maurer, imigrantët e huaj në Zvicër, që tanimë përbëjnë rreth 20% të popullsisë, kryejnë përpjesëtimisht katër herë më shumë krime sesa vendasit.
Fushata për të siguruar miratim të opinionit publik për një politikë të tillë shoqërohet me një pllakat ku tri dele të bardha dëbojnë një dele të zezë nga vatha, në emër të “sigurisë”. Nëse propozimi në fjalë miratohet me referendum, atëherë shteti zviceran do t’u dërgojë kamionin te dera familjeve të të gjithë atyre imigrantëve që gjenden fajtorë për krimet për të cilat akuzohen.
Kritikët e kanë përqasur propozimin e kësaj partie me praktikën naziste famëkeqe të “Sippenhaft” (ose përgjegjësisë familjare), e cila kërkonte ndëshkimin edhe të të afërmve të kujt shkelte ligjin e Gjermanisë hitleriane. Të tjerë kanë përmendur praktika të ngjashme të zbatuara në Bashkimin Sovjetik në vitet e spastrimeve staliniste, ose në Kinën e Revolucionit Kulturor.
Ne shqiptarët nuk kemi nevojë për krahasime të tilla, sepse qëkur ekzistojmë si kombësi nuk kemi njohur ndonjë formë tjetër drejtësie, përveç asaj farefisnore – edhe sot e kësaj dite, gazetat u bëjnë biografitë të gjithë atyre që kanë fatin e keq të jenë objekt kritikash.
Nuk komentoj dot shumë për realitetin në një vend që e njoh fare pak, si Zvicra; madje të dhënat e mësipërme vetëm i kam përshtatur nga lajmet e agjencive që gjeta poshtë e lart në Internet. Dua vetëm të tërheq vëmendjen për një aspekt të politikës së propozuar që ndoshta u ka shpëtuar komentatorëve.
Mua më duket se propozimi për të rikthyer praktikën e “Sippenhaft”, ose të përgjegjësisë familjare/fisnore, më shumë sesa me praktikat e ngjashme të nazistëve dhe të stalinistëve, ka të bëjë drejtpëdrejt me multikulturalizmin dhe politikat e identitetit.
Prej kohësh e majta evropiane ka luftuar për të mbrojtur identitetet e grupeve të perceptuara si minoritare: imigrantët, homoseksualët, minoritetet fetare. Shpesh identitetet e këtyre grupeve janë mbrojtur më me pasion e me zjarr sesa të drejtat e individit. Sipas filozofisë që frymëzon këto politika të majta, të drejtat e grupeve minoritare kanë përparësi ndaj individëve që bëjnë pjesë në këto grupe minoritare.
Nuk kalon ditë pa lexuar ose dëgjuar në mediat se ky apo ai grup janë “fyer” ose “lënduar” nga ky apo ai përcaktim, ose batutë, ose rregullore, ose politikë.
Nëse është kështu, atëherë nuk ka asgjë për t’u habitur që edhe përgjegjësia për veprimtari kriminale të fillojë të rrëshqasë nga individi drejt grupit ku ky individ bën pjesë; sa kohë që shumë individë në grupet minoritare e ndiejnë veten krejtësisht të tuteluar nga politikat e identitetit.
Me fjalë të tjera, nëse ti nuk i prezantohesh shoqërisë pritëse si individ i pavarur, por si përfaqësues i grupit tënd (tribusë sate, fisit tënd, krushqisë, minoritetit tënd etnik, kulturor, fetar ose seksual), atëherë nuk ke pse të indinjohesh kaq shumë kur faji për krimin tënd t’i vishet edhe grupit me të cilin ti identifikohesh kaq shumë.
Natyrisht, nuk mund të bëhen me faj imigrantët për politikat e dështuara multikulturaliste; sepse këto politika janë promovuar prej kohësh nga elitat, për t’ua ruajtur të pacenuar pakicave statusin prej qytetarëve të dorës së dytë e të tretë, në mos skllevërish.
Paradoksi është se për politikat populiste-fashiste që i dëgjon sot të propozohen andej-këtej në Evropë si zgjidhje problemesh reale të jetës qytetare, përgjegjësia do t’i mbetet multikulturalizmit të së majtës anti-fashiste…
Politikat e identitetit çojnë ose në shpërbërje të shoqërisë, ose në fashizëm. Zgjidhni e merrni, multikulturalistë!
Ky lajm na kujton se çfarë ndryshimi të madh (konceptual) ka midis politikave të Evropës perëndimore dhe të Amerikës së Veriut mbi emigrantët. Zëra të tillë mund të ketë edhe këtej, por janë kaq të mekur saqë nuk mund të dëgjohen. Evropa vuan ende nga filologjia e rrënjëve, e hierarkive, e familjes.
Kjo më kujtoi politikën e diktaturës në Shqipëri mbi arratisjet, sidomos në jug. Më kujtohen vitet 89-90, kur me dy-tre shokë në fshat mendonim të arratiseshim drej Korfuzit (kujtoni vargjet që u përhapën atëherë ndër ne, “U hap rruga ndërkombëtare, Çukë-Korfuz me kamardare”), na dridhej mishtë ta bënim sepse e dinim se ku do të përfundonin familjet tona me internimet e atëhershme.
Vertet shume despote kjo si zgjidhje.Asnjehere zgjidhjet e tilla te shpejta,te shkurtra dhe me veti pergjithesuese nuk kane dhene rezultat dhe per me teper kane shkaktuar vetem dhimbje.Nuk thone kot se Evropa eshte kontinent i plakur, duket qe nga mendimet:(
Mgjth Amerika eshte histori me vete , ka shume gjera te tjera negative keshtu qe nuk mund ta lavderoj shume edhe nese eshte me elastike ne kete aspekt..
shkrimit i mungon korniza.
Ps: për ta varur në mur.
Nuk e dija qe qenkam nazist.