Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (III)

Një nga efektet e fortifikimit të ligjërimit publik me parrulla gjithfarësh ka të bëjë me kontrollin e folësit, cilitdo folësi, ndaj ligjërimit të vet. Të shprehesh “beso e kontrollo, ka thënë Stalini” do të thotë t’ia lësh Stalinit kontrollin ndaj ligjërimit tënd; po cili shqiptar do të guxonte pastaj të hynte në debat publik me Stalinin? Me fjalë të tjera, nuk ishte folësi që e kontrollonte ligjërimin, por ligjërimi që kontrollonte folësin; dhe akti ligjërimor (ose thëniezimi, siç e quajnë në gjuhësi) publik shpesh shndërrohej në një instancë të riprodhimit të pushtetit totalitar – sa kohë që e bënte subjektin e këtij pushteti subjekt të thëniezimit; çka mund të parafrazohet edhe kështu: individin e fliste pushteti, duke e asgjësuar në proces e sipër.

Natyrisht, dobësimi i individit si subjekt – folës dhe jofolës – ishte një nga synimet themelore të pushtetit totalitar. Kjo nuk ishte e thënë të realizohej vetëm nëpërmjet dhunimit të ligjërimit me parrulla që i referohen autoritetit; meqë tradicionalisht ka edhe mënyra më të thjeshta për ta dobësuar subjektin; nga të cilat më e thjeshta është duke evituar vetën e parë njëjës në ligjërim.

Shpesh e në shenjë modestie ose pasigurie kjo zëvendësohet me vetën e parë shumës: “unë” bëhet “ne”, edhe pse subjekti mbetet njëjës.

Në ligjërimin publik të kujt e shihte veten si mishërim ose instrument të pushtetit totalitar, veta e parë njëjës do të shmangej për arsye specifike. Shpesh individët e përdornin këtë lloj këmbimi përemëror për t’u fshehur prapa kolektivitetit të grupit, edhe pa ua dhënë kush mandatin që ta përfaqësonin atë grup:

Ne nuk mund të pajtohemi me qëndrime të tilla.

Nëse thënie të tilla i drejtoheshin autoritetit, atëherë ishte veçanërisht e pëlqyeshme që kjo “ne” t’i referohej, sipas rastit, kolektivit punonjës, masave punonjëse, klasës punëtore, fshatarësisë kooperativiste, rinisë shkollore, veteranëve, e të gjitha grupeve dhe shtresave të tjera sociale të miratuara nga regjimi.

Përemri “ne” në ligjërimin publik totalitar do të meritonte studim të posaçëm – meqë sipas rastit do të shprehte një identifikim me grigjën (kopenë), entuziazmin e bagëtisë, dëshirën për ta shpërndarë përgjegjësinë, frikën ndaj autoritetit, arrogancën e kujt e ndiente veten krenarisht gozhdë të çizmes totalitare, vullnetin për t’u konformuar me çdo kusht…

Kalimi nga “unë” në “ne” do parë vetëm faza e parë, ose gjysmake, drejt asgjësimit të subjektit. Megjithë natyrën kolektive dhe solidare, “ne” mbetej i hapur për interpretime të ndryshme; krahasoni, për shembull, nuancat e këtij përemri në thënien e mëposhtme:

Ne i thamë shoku-shokut se kishte ardhur koha për t’u hedhur në veprim

Në tekstin e librit “Kur lindi Partia”, me nuancat e të njëjtit përemër, në të njëjtën thënie:

Ne i thamë shoku-shokut se kishte ardhur koha për t’u hedhur në veprim

Në deponimin e të pandehurit Llambi Ziçishti, në gjyqin politik përkatës.

Faza tjetër e këtij procesi, ishte zëvendësimi i “ne” me një emër kolektiv detyrimisht të vetës së tretë:

Partia nuk mund të pajtohet me qëndrime të tilla.

Populli ynë ua ka dhënë përgjigjen me kohë këtyre provokatorëve.

Plenumi e denoncon me forcë veprimtarinë e këtij qeni besnik të imperializmit ndërkombëtar.

Klasa punëtore i thotë “jo” burokratizmit.

Fraza të tilla mund të përdoren edhe në mënyrë thjesht denotative; por ai përdorim që më intereson mua këtu, ka të bëjë me ato kontekste ku emra kolektivë si Partia, Populli, Masat Punonjëse, Rinia jonë heroike zëvendësonin përemrin vetor të vetës së parë njëjës, unin tinëzar.

Kujt nuk i ka bërë përshtypje, në atë kohë, këmbëngulja e Udhëheqësit për ta quajtur veten “Partia”? Unë jam pothuajse gati të besoj se, të paktën vitet e fundit të jetës, edhe vetë Enver Hoxha nuk bënte dot më dallim midis “unit” të vet dhe Partisë si organizatë politike individësh.

Në gojën e udhëheqësit suprem, ky zëvendësim do të tingëllonte ndoshta grotesk e hipokrit; por ende jo absurd; sepse në fund të fundit Enver Hoxha ishte kryetari i asaj organizate, prandaj edhe mund të fliste në emër të saj.

Absurditeti fillonte kur ky lloj zëvendësimi i subjektit nxirrte kokë në ligjërimin e të gjithë atyre të cilët nuk e kishin, në fakt, autoritetin, për të përfaqësuar vullnetin, ose identitetin e subjekteve të thënieve të tyre…

Të thuash se të gjithë këta njerëz i fliste Enver Hoxha nuk mjafton; sidomos në kontekstin e një analize që kërkon të jetë gjuhësore, jo politike.

Nga pikëpamja gjuhësore, dobësimi i subjektit individual në ligjërimin publik shoqërohej nga një lëvizje në drejtim të kundërt, pothuajse kompensuese: zbrazjen kuptimore, ose përemërzimin e subjekteve kolektive.

Të thuash “unë nuk kam frikë nga provokacionet e hrushovianëve” është një gjë; të thuash “populli ynë heroik nuk ka frikë nga provokacionet e hrushovianëve” është një gjë tjetër. Në fjalinë e dytë “populli” nuk ka asnjë kuptim, përveçse t’i referohet autorit të ligjërimit si subjekt me identitet pothuajse të kolektivizuar; me ç’rast njëjtësohet për nga funksioni me përemrin vetor, i cili nuk ka kuptim tjetër përveçse të tregojë, si të thuash, “me gisht” autorin e thënies.

Gjuhësisht, një përemër vetor si “unë” nuk ka ndonjë kuptim të mirëfilltë përtej funksionit që kryen në fjali; përkundrazi, një emër si “populli” e ka një kuptim, që nuk lidhet fare me funksionet që mund të kryejë ai emër në thënie të ndryshme.

Teza ime këtu është se dobësimi i detyruar i subjektit individual në ligjërimin totalitar bëri që një numër i madh emrash kolektive të zbrazeshin nga kuptimi (denotativ) dhe të përfundonin të përdorur me funksione përemrash vetorë.

Disa nga këta emra do të ishin:

Populli, klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste, masat punonjëse, rinia, kolektivi, proletariati, borgjezia ndërkombëtare, revizionistët, titistët, bijtë e nënave, djemtë dhe vajzat e popullit, komunistët, Partia, gruaja (si emër kolektiv, ose si tërësia e grave), shqiptarët, qytetarët, e plot të tjerë si këta.

I vetmi aspekt kuptimor i fjalës që do t’i shpëtonte procesit zbrazës ishte konotacioni; meqë fjalë si “populli” dhe “klasa punëtore” në thënie si:

Klasa punëtore u gëzua pa masë nga plotësimi para afatit i Planit VI Pesëvjeçar…

Populli kërkon që këtyre armiqve t’u jepet ndëshkimi i merituar

do ta ruanin megjithatë ngjyrimin e fortë pozitiv, meqë gëzonin përkrahjen e pakushtëzuar të autoritetit moral të udhëheqësit.

Më në fund, asgjësimi i subjektit individual nëpërmjet shumëzimit në “ne” dhe pastaj zëvendësimit nga emra kolektivë kuptimisht të zbrazët do të shoqërohej edhe nga një efekt tjetër njëlloj i ngjethshëm: akte arbitrare, të frymëzuara nga frika, ambicja, paranoja, inkompetenca, urrejtja, lakmia, idiotizmi ose megalomania e këtij apo atij udhëheqësi, do të paraqiteshin si dukuri natyrore, po aq të pashmangshme sa edhe shiu, gjumi ose pjekja e rrushit në hardhi.

Kësisoj, totalitarizmi do të perceptohej si i mishëruar në thelbin e sendeve, jo në vullnetin e një klike; dhe historia si produkt i vullnetit pothuajse mistik të një qenieje kolektive supreme e moralisht të pagabueshme, jo i dëshirave dhe i kllapive të pak individëve agresivë, diabolikë e të gjithëpushtetshëm.

Megjithatë, tema e totalitarizmit si një formë e përçudnuar e Kishës meriton të trajtohet veçmas.

1 Koment

  1. Së pari, do të thoja kalimthi se përdorimi i një fjalordhi fetar nga diktatura, u “natyralizua” lehtë sepse gjatë asaj periudhe gjuhësore nuk lëvrohej shqipja fetare. Kjo, në mënyrë heshtëse, e ndihmoi diktaturën të rrënjoste në mendjet tona terma e shprehje të fuqishme. Sepse nëse ekzistonte shqipja “paralele”, ajo e fesë, siç ekziston sot, diktatura do ta kishte shumë të vështirë të përdorte atë terminologji, aq fetare në përdorim.

    Së dyti, shqipja totalitare ishte dhe është aq e fuqishme në kulturën shqiptare, saqë sot ka ngritur pengesa shumë të mëdha në shqipen ortodokse, fjala bie. Termi “i lavdishëm”, për shembull, përdrohet nga Kisha ende si “i lavdëruar”, me toskërishten artificiale të Kristoforidhit, kur ky mbiemrë ka tjetër kuptim në shqipen e sotme.

    Diktatura ra, por fuqia e saj ekziston ende si shtypje e pamohueshme në shqipe.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin