Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

SHQIPJA TOTALITARE (II)

Një tjetër mënyrë për të parë korruptimin e gjuhës nga totalitarizmi është të konsiderosh shkallën e lirisë në gjuhë. Duke e shtjelluar mendimin tim këtu më poshtë, unë do të përpiqem t’i rrij larg zhargonit teknik, me aq sa të mundem.

Kur duam të themi diçka, jemi të lirë të zgjedhim disa elemente të thënies, ndërsa të tjera elemente nuk i zgjedhim dot. Për shembull, mund ta quajmë barin të gjelbër ose të blertë; ose në vend të mbiemrit i gjelbër të përdorim një folje e të themi bari gjelbëron. Nga nënsistemet e gjuhës, leksiku është ai që lejon shkallë më të madhe të lirisë – i vetmi kufizim pak a shumë i detyruar është që duhet të përdorim fjalë të cilat i njeh edhe bashkëbiseduesi (ose që të paktën duhet t’i njohë, normalisht).

Më pak liri na jep gramatika; sepse gramatika i ka rregullat të rrepta dhe shpesh na detyron t’i themi disa gjëra patjetër; për shembull, një emër jemi të detyruar ta përdorim në njëjës ose në shumës; madje edhe atëherë kur ky dallim nuk ka shumë kuptim; ose kur e përshkruajmë një veprim nëpërmjet foljes, shpesh jemi të detyruar të japim edhe koordinatat kohore se kur ka ndodhur.

Liria praktikisht reduktohet në zero kur vjen fjala te sistemi fonetik, meqë në atë sistem mundësitë tona për të zgjedhur praktikisht nuk ekzistojnë – sa kohë që kodi gjuhësor zakonisht nuk na jep të drejtë të shpikim, bie fjala, një tingull të ri; as t’ia ndryshojmë shqiptimin një fjale qëllimshëm (këtu nuk dua të diskutoj variantet dialektore të shqiptimit, ose disa regjistra “fëminorë”, që përdorin ndonjëherë të rriturit kur u drejtohen fëmijëve).

Nga ky parashtrim shumë skematik mund të mendohet se, duke lëvizur në një vijë që niset nga fonetika për të shkuar drejt leksikut, liria e përdoruesit të gjuhës vjen duke u shtuar; dhe se përtej leksikut do të pritej një liri edhe më e madhe, siç edhe zakonisht ndodh me të gjitha gjuhët; ku mundësitë e kombinimit të fjalëve në fjali janë të panumërta; por edhe më të panumërta janë mundësitë e kombinimit të fjalive në blloqe më të mëdha teksti.

Kjo i ngjan deri diku një loje si shahu; ku rregullat për lëvizjen e gurëve janë të pandryshueshme dhe nuk u lejojnë lojëtarëve kurrfarë lirie; dhe lojërat individuale ngjajnë me njëra-tjetrën në krye, por pastaj vijnë secila duke u shtjelluar në mënyrë individuale, sidomos kur lojëtarët e kapërcejnë fazën e hapjes për të hyrë në meslojë.

Tani, për t’u kthyer te raportet e gjuhës me totalitarizmin, duket logjike që ndërhyrjet e totalitarizmit në gjuhë (dhe në ligjërim) të kërkohen pikërisht në ato aspekte të gjuhës (dhe të ligjërimit) ku edhe shkalla e lirisë është më e lartë – meqë totalitarizmi rron duke u ushqyer me lirinë e individit. Për ta ilustruar këtë, dua të sjell shembullin e të ashtuquajturave klishe ose fraza të gatshme.

Në poezi, një shprehje si pëllumb i shkruar është klishe; nëse unë e përdor, shumëkush do ta dallojë referimin ndaj vargut të njohur të Naimit nga “Histori e Skënderbeut”, madje edhe pa ia ditur kuptimin mbiemrit i shkruar në këtë kontekst.

Klishetë i trajton retorika dhe stilistika; mua më interesojnë këtu vetëm si shembull i një kombinimi fjalësh që nuk ka natyrë idiomatike (si për shembull vë re, ose të merr më qafë ose ta pish në kupë), as gramatikore; meqë sa herë që një klishe përdoret tale quale, liria e ndërtimit të thënies ulet disi. Mes llojeve të ndryshme të klisheve, nga më interesantet janë proverbat.

Të gjithë e dimë se ç’janë proverbat; por më pak e vrasim mendjen për mënyrën se si përdoren në ligjërim. Zakonisht një proverb e hasim të përdorur në një kontekst pak a shumë të tillë: “ti mor djalë mbaji sytë hapur këtej e tutje, sepse siç e thotë edhe fjala, uji fle hasmi s’fle.”

Tani, është e qartë se, kush flet kështu, e merr përsipër vetë pjesën e parë të thënies (“ti mor djalë mbaji sytë hapur këtej e tutje”), por pjesën e dytë ia delegon një autori anonim, ose popullit; sepse proverbi është gjithnjë citim, ose përsëritje të cilën folësi e bën për të shfrytëzuar autoritetin e kujt i atribuohet autorësia e thënies vetë; duke u fortifikuar, si të thuash, pas urtësisë së një autoriteti suprem.

Proverbi bart edhe një ideologji rudimentare që mund të artikulohet pak a shumë kështu: populli është mësuesi më i ditur dhe e vjetra vlen për të kuptuar të renë. Nga ana tjetër, proverbi sjell me vete edhe një lloj autoritarizmi në ligjërim; sepse proverbin folësi nuk e prodhon si pjesën tjetër të thënies, por e riprodhon; si të ishte fjala për ndonjë formulë magjike ose ritual gjuhësor, forca e të cilit buron pikërisht nga besnikëria e përsëritjes.

Nëse ju ka qëlluar të kaloni kohë në shoqëri ose në prani të dikujt i përdor shumë proverbat, do ta keni ndier bezdinë që ka të bëjë pikërisht me atë që, në një farë mënyre, përdoruesi i proverbave po përpiqet të vendosë mbi ju njëfarë autoriteti duke përdorur autoritetin anonim të proverbave vetë. Proverbi i sjellë në ligjërim nuk kundërshtohet lehtë; kush do të guxonte të hapte një debat kundër, bie fjala, “uji fle hasmi s’fle”?

Ndonjëherë ky lloj të foluri me proverba mund të jetë edhe shenjë e demencës nga pleqëria, por më shpesh tradhton dëshirën e folësit për t’u paraqitur si bartës, ose i deleguar i pushtetit shpirtëror të traditës. Gjithashtu, ka mundësi që përdorimi i proverbave nga bashkëfolësi të na irritojë pikërisht për shkak të zhvendosjes që i bëjnë proverbat identitetit të personit që po e prodhon thënien. Mundësia për identifikim të palës tjetër në komunikim është kusht që komunikimi të kryhet normalisht.

Tani, totalitarizmi lëshoi në ligjërimin publik frazat e veta proverbiale, po aq anonime dhe autoritare sa proverbat e mirëfillta, por që i referoheshin jo aq urtësisë popullore tradicionale, sesa urtësisë së klikës në pushtet; ose të udhëheqësit suprem.

Ja disa shembuj frazash të tilla, që sipas rastit janë quajtur parrulla, ose slogane:

Nuk ka kala që s’e marrin komunistët.

Vdekje fashizmit liri popullit.

Shqipëria është fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut.

Ne në gojë të ujkut hedhim valle.

T’u qepemi kodrave dhe maleve e t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat.

Në njerën dorë kazmën, në tjetrën pushkën.

Mësojmë, punojmë, kalitemi.

Më shpejt, më lart, më larg.

Partia është maja e shpatës e klasës punëtore.

Jemi shërbëtorë të popullit.

Beso e kontrollo (ka thënë Stalini).

Feja është opium për popullin.

Parti-Enver, jemi gati kurdoherë.

Armiku na ka në grykë të pushkës, por ne e kemi në grykë të topit.

Socializmin e ndërtojnë masat, Partia i bën ato të ndërgjegjshme.

Ç’thotë populli bën Partia, ç’don Partia bën populli.

Nuk kanë lindur akoma ata burra që të frikësojnë shqiptarët.

Lart frymën revolucionare!

T’i pastrojmë (këto mbeturina) me fshesë të hekurt.

Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha…

Jemi të gjithë ushtarë të Partisë.

Me popullin për popullin.

Këtyre mund t’u shtosh edhe disa klishe ose vese të rëndomta të ligjërimit, që nuk e kanë autonominë e proverbave, të tilla si gjaku i dëshmorëve, (armiqtë) do të lënë kockat, amaneti i të rënëve, grusht bashkuar, si një trup i vetëm, mësimet e pavdekshme (të Iliçit), djemtë e nënave, bijtë e shqipes, malet tona kreshnike, jap kushtrimin, ngre popullin në këmbë, të thërret detyra, kufitarët syshqiponjë, e kemi barutin thatë, sup më sup si malet, pilulë e sheqerosur, lakra në kokë, gju më gju me popullin, kjo tokë e larë me gjak, populli ynë punëtor e i mrekullueshëm, shqipja dykrenare, duart me kallo etj.

Të inkorporuara në ligjërim, klishetë, parrullat dhe pseudo-proverbat kryesisht konfirmonin në publik besnikërinë e folësit ndaj pushtetit; në një kohë që autorësia e tyre zakonisht i atribuohej, sado turbullt, udhëheqësit suprem ose Partisë vetë. Kjo ishte nga ato instanca kur autori vjen e shkrihet në një me autoritetin; në kuptimin që folësi i sjell parrullat në ligjërim për t’u shpjeguar folësve, sipas rastit dhe kontekstit, se ai është bartës e ndoshta titullar i autoritetit totalitar; ose thjesht vegël e bindur e atij autoriteti (kjo varej nga nëse folësi po i drejtohej shokut Rita, apo mjelëses Rita të kooperativës).

Kush ka pasur rast të dëgjojë biseda të atëhershme midis kuadrove të larta ose të mesme të regjimit totalitar, do ta ketë vënë re se këta gjithnjë do t’i mbyllnin bisedat e tyre gjysmë-publike me ndonjë formulë të tipit “të rrojë Partia”; edhe pse në shumicën e rasteve ekzistenca e Partisë kurrsesi nuk ishte vënë në dyshim në ndonjë moment të bisedës. Për shembull:

Sofokliun e emëruan kryetar dege në Ersekë. Hajde të rrojë Partia!

Shoqja Jorgjie sapo fejoi të bijën. Të rrojë Partia, të rrojë shoku Enver.

Urime, Sofokli, për ngritjen në përgjegjësi. [Sofokliu:] Të rrojë Partia!

Sofokli, kemi vendosur të të qarkullojmë në bazë. [Sofokliu:] Të rrojë Partia!

Nga ana tjetër, për të kuptuar më mirë sesi roli i këtyre parrullave në bisedë është të riprodhojnë nga njëra anë autoritetin e regjimit totalitar, nga ana tjetër frikën viscerale ndaj atij regjimi, po sjell anekdotën e mëposhtme.

Një mëngjes, drejtori i ndërmarrjes hyn energjikisht në oborr të ndërmarrjes, takohet me punonjësit, u thotë mirëmëngjes, pastaj përfiton nga rasti për t’u treguar një barcaletë të vogël të rastit. Të gjithë qeshin, me përjashtim të njërit prej të pranishmëve. Drejtori i ndërmarrjes e sheh në sy dhe e pyet: “Po ti pse s’qesh?” “S’jam i kësaj ndërmarrjeje,” i përgjigjet tjetri…

Këtu reagimi i punonjësve ndaj barcaletës që u tregoi drejtori i shërben riprodhimit të marrëdhënieve të autoritetit; meqë vetë barcaleta, si tekst, nuk ka funksionuar (i vetmi person i pacenuar nga marrëdhëniet e autoritetit nuk qeshi). Historia e mësipërme shembëllzon më së miri përdorimin e ligjërimit si instrument për riprodhimin e hierarkive; aq më tepër tradicionalisht shakatë dhe barcaletat kanë më sukses kur rrëfehen nga persona me autoritet.

Nga pikëpamja funksionale, barcaletat kanë njëfarë ngjashmërie me proverbat; sepse gjithnjë ritregohen, dhe rrëfimtari nuk ka dhe aq liri për ta ndryshuar fillin narrativ (edhe pse mund të bëjë ndryshime në rrafshin e kallëzimit).

Edhe një shprehje e tillë si “nuk ka kala që nuk marrin komunistët”, në gojë të një aparatçiku të komitetit të Partisë së rrethit në takim me punonjësit e një kooperative të konsumit nuk funksiononte në nivelin denotativ (meqë nuk kish rëndësi nëse kish apo nuk kish komunistë mes të pranishmëve), por në nivelin e kërcënimit për të gjithë ata që mendonin se mund t’i rezistonin sado pak vullnetit totalitar.

Shprehje si ato që përmenda më lart, ose të tjera që gjenden me shumicë në dokumentet e asaj kohe, sillnin diçka mesjetare e skolastike në ligjërim; ose dëshirën, sado hipokrite, të individit folës për t’u shkrirë, ose për t’u bërë transparent në raport me autoritetin qendror, nëpërmjet formulash gjuhësore. Në një farë mënyre, evokimi i autoritetit të padiskutueshëm pas këtyre shprehjeve kishte edhe një efekt bllokues të dialogut, ose në përgjithësi të bisedës.

Tek e fundit, sloganeve të tilla mund t’u përgjigjeshe publikisht vetëm me slogane të mëtejshme; ose me një ortek të pandalshëm klishesh:

Nuk ka kala që s’marrin komunistët!

Mirë e the! Të lumtë ajo gojë! Të rrojë Partia!

Të rrojë shoku Enver! Marrtë nga ditët tona!

Rroftë sa malet! Iu bëftë dita njëmijë! Hajde mor ta lumsha!

Rroftë populli ynë i mrekullueshëm e punëtor!

Rroftë rinia jonë heroike! Rroftë uniteti!

Armiku të na marrë të keqen!

Rroftë Shqipëria…

Ndonjëherë nga ky qorrsokak mund të dilej vetëm nëpërmjet duartrokitjesh frenetike, ose degradimit të mëtejshëm të ligjërimit në ulërima korale të tipit “Parti-Enver”…

1 Koment

  1. Në njërën dorë kazmën, në tjetrën dorë pushkën

    I am looking for this song to use it for a film I made in the Enver Hodxa period in Albania.
    Can you provide me an MP3 file?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin