Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

Militarizëm me stil

 

Filmi “300” niset të ritregojë historinë, sa të dhimbshme aq heroike, të një grushti spartanësh që, të prirë nga mbreti Leonida, i bllokuan për ditë me radhë hordhitë pushtuese persiane të Kserksit në grykën e Termopileve; por e bën këtë në mënyrë brutalisht vizuale e groteske, për një publik të stërvitur me dhunën eksplicite dhe skemat narrative foshnjore të videolojërave. Mund të kish qenë edhe film për fëmijë; vetëm se sot lexuesve të vegjël të sagës së Harry Potter-it nuk mund t’u flasësh me një gjuhë kaq naive, as t’ua metaforizosh dramën nëpërmjet çurgjeve të gjakut që rrjedhin nga ekrani në sallë; prandaj më mirë ta quash film për kë nuk e ka arritur dot pjekurinë etike dhe estetike, por ka mbetur viktimë e një adoleshence autoerotike, ndoshta vetvetiu shpërblyese.

I mbështetur mbi një roman vizatimor të Frank Miller dhe Lynn Varley, filmi është magjepsës për syrin; por efektet speciale të panumërta, që nga skema e ngjyrave e deri te koreografia e betejave masive, i japin njëfarë natyre hiper-reale, ku cilësitë materiale të sendeve kullohen e kthjellohen deri në atë shkallë sa të shkëputen nga sendet vetë. Obsesioni me imazhin, ose stilizimi i skajshëm i informacionit vizual e shtyn ngjarjen vetë në plan të dytë; meqë organizimi i këtij informacioni nuk ka shumë lidhje me mesazhin e thjeshtë që kërkon të përçojë filmi – që liria fitohet dhe mbrohet me gjak. Ky kumt i vjetër dhe i lodhur ndoshta ka vlerë për ato shoqëri ku individët dhe grupet e shohin lirinë e tyre përnjimend të kërcënuar; por për impaktin e tij ndaj publikut perëndimor mund të diskutohet.

Kush ulet ta shohë “300” me shpresë se do të gjejë atje kompleksitetin dramatik të “Gladiatorit”, ose dhe ambiguitetin kaotik të “Aleksandrit”, e ka të garantuar zhgënjimin; meqë filmi nuk vuan nga ndonjë dilemë ose pasiguri etike – të mirët janë këtej, të ligjtë andej; të mirët duan të bëjnë vetëm mirë, të ligjtë keq; të mirët janë heronj, të ligjtë frikacakë; të mirët luftojnë për të mbrojtur lirinë, të ligjtë për t’i skllavëruar, e kështu me radhë. Megjithatë, autorët kanë hedhur edhe një hap më tutje se ç’i lejon manikeizmi konvencional, për të shtjelluar vizionin e tyre të një shoqërie macho-militariste si Sparta, ku ushtari profesionist përkthehet automatikisht në hero; dhe ku heroizmi është produkt pothuajse i detyruar i përkushtimit ndaj “lirisë”. Garda mbretërore e Leonidës është kombinim djallëzor i fëminores me autoritaren; çka ndoshta shpjegon edhe përbuzjen e hapur të këtyre heronjve njëpërmasorë për dobësitë, dritëhijet dhe nuancat e jetës civile gjetiu.

Nuk mund të pritet nga një roman vizatimor që të reflektojë antropologjikisht për shoqëritë e lashta; por filmi “300” është megjithatë një nga të rrallët produkte të Hollywood-it që ia bëjnë haptazi apologjinë racizmit. Deri edhe shkëlqimi ushtarak dhe lavdia e Spartës shpjegohet edhe si fryt e eliminimit, prej spartanëve, të fëmijëve sakatë e të pashëndetshëm; ose asaj politike primitive për seleksion e përmirësim të racës që më pas do të entuziazmonte edhe maniakë të tjerë në histori (Hitleri kishte admirim të veçantë për Spartën). Burrat muskulozë të Leonidës janë atletë të përsosur, mendje të shëndosha në trupa të shëndoshë, qytetarë të virtytshëm që duan gratë dhe fëmijët e tyre, respektojnë prindët dhe të moshuarit, janë gati të japin jetën për liri e “lavdi”; thuase se pastërtia e tyre gjenetike ua përcakton njëfarësoj kthjelltësinë morale.

Përballë virtytit spartan kaq monolitik dhe të mërzitshëm, bota e persianëve të Kserksit është një kazan shtrigash, ku gëlojnë e ziejnë të gjitha veset, devijimet, rrëgjimet dhe shëmtitë njerëzore. Vetë mbreti Kserks, arketip i pervertit seksual, si karakter i përket më tepër kabaresë gjermane në kohën e Republikës së Weimar-it sesa një faqeje të historisë së lashtë; pa përmendur tmerret e tjera të oborrit mbretëror, ose cirkun e kërcimtareve lesbike (të detyruara në kësi mjedisesh), përbindëshave gjysmanjerëz, super-zezakëve të majmur, aradheve të “të pavdekshmëve” me maska të argjendta, rinocerontëve… Beteja e Termopileve nuk rrëfehet kështu vetëm si betejë midis grekëve që kërkojnë të mbrohen, dhe persianëve që kërkojnë t’ua marrin tokat e t’ua skllavërojnë “gratë e fëmijët”; por edhe si përleshje epokale midis qytetërimit dhe barbarisë, virtytit dhe vesit, “Europës” dhe Azisë, Perëndimit dhe Lindjes.

Këtë temë madhore, të nxjerrë drejtpërdrejt nga doktrinat aq bashkëkohore të Huntington-it, filmi “300” e shtjellon me dorë të rëndë, çka nuk mund të mos e jetërsojë atë segment të publikut që përnjimend shqetësohet për vlera të tilla tradicionalisht “perëndimore” si shoqëria e lirë, të drejtat e njeriut dhe respekti për diversitetin. Megjithë simpatinë që kurdoherë e përcjell Davidin në dyluftimin e tij aq të pabarabartë me Goliathin, qytetari në Perëndim e ka të vështirë të identifikohet me spartanët që i falen kultit pagan të militarizmit dhe dehen psikopatikisht në orgji dhune të pabesueshme në fushë të luftës. Vetë autorët e filmit duken kaq të rrëmbyer pas baletit ushtarak që kanë vënë në skenë, sa nuk ia shmangin dot absurditetin e përgjithshëm rrëfenjës së tyre.

Edhe pse merr shkas nga një ngjarje epokale në historinë e Greqisë së lashtë dhe megjithë njëfarë patosi sa nietzschean, aq edhe të qepur me penj të bardhë, për rolin vendimtar të qytetërimit grek në ngjizjen e Perëndimit modern, etika dhe filozofia e filmit “300” pak kanë të përbashkët me çfarë na ka përcjellë historia. Grekët e atëhershëm vërtet flisnin rëndom për barbarë e barbarizma, pa e vënë kurrë në diskutim epërsinë e gjithanshme të qytetërimit e të kulturës së tyre; por filozofia greke e lashtë për konfliktin dhe rolin e tij në histori nuk ka kurrfarë gjëje të përbashkët me ç’i serviret publikut të filmit “300”. Më një anë, kjo ndoshta ka të bëjë me faktin se etika e një shteti ushtarak dhe patriarkal si Sparta e dikurshme nuk pajtohet dot me konceptet moderne për qytetërimin, organizimin politik të shtetit dhe të drejtat e individit; pavarësisht nga avazi propagandistik i “luftës për liri” që e shoqëron filmin edhe më mërzitshëm se kolona zanore pseudo-orientale. Më anë tjetër, e sidomos, kjo lidhet me mënyrën e portretizimit të armikut.

Kush e ka njohur qoftë edhe vetëm shkarazi epopenë homerike të “Iliadës”, nuk mund të mos jetë mahnitur me predisponimin e Homerit ndaj trojanëve, ose armikut kundër të cilit luftojnë grekët e Agamemnonit, Akilit, Odiseut, Ajaksit e Menelaut; sepse është e pamundur t’i dalësh në krye asaj poeme pa u identifikuar dot me Hektorin, ose pa ua ndier dhimbjen Andromakës, Kasandrës dhe plakut Priam. Krahasuar me etosin e poemave të Homerit, “300” duket sikur vjen prej një kulture të vrazhdë e gjakpirëse: sepse persianët e Kserksit dalin atje si krijesa të përçudnuara e monstruoze, skllevër të veseve të tyre, më të ngjethshëm e të çnjerëzuar se edhe një koloni insektesh jashtëtokësore. Hordhitë e mutantëve që derdhen valë-valë kundër murit spartan në Termopilet duken sikur janë marrë, pa shumë ndryshime, nga makthet e marshimit të orkëve të “Zotit të unazave”; por orkët e Tolkien-it e të Peter Jackson-it ishin krijesa të llucës, shëmti thirrur mbi dhé për t’ia kthyer pushtetin absolut së keqes, qenie të një universi tjetër, të papajtueshëm me Tokën e Mesit; të huaj po aq armiqësorë ndaj njeriut sa edhe një armatë e ndërkryer akrepësh. Duke i portretizuar persianët si qenie të përtejme, autorët e “300” duket sikur kanë dashur të përligjin një etikë të konfliktit që dhunën e shtyn deri në shfarosje; meqë përballë një armiku kaq grotesk e të lemerishëm masakra masive vjen e bëhet etikisht më e pranueshme – njëlloj e pranueshme sa edhe e tartabiqeve, ose e karkalecave, ose e mushkonjave në kënetë.

Ushtarët profesionistë të Leonidës, megjithëse ngjajnë si futbollistë të vajisur të Bundesligës, janë profesionistë të vrasjes; madje mbreti i fismë i spartanëve nuk ngurron as të hedhë në pus kasnecin që i kish dërguar Kserksi për bisedime – një gjest aq i vrazhdë e aq kotësisht mizor sa do të kish lënë gojëhapur deri edhe Homerin e para 3,000 vjetëve. Djemtë, baballarët dhe bashkëshortët aq shembullorë të Spartës nuk e kanë për gjë të ekzekutojnë sistematikisht, pas betejës, persianët e plagosur; madje edhe pa i parë as në sy e duke thumbuar ndërkohë shoku-shokun në punë e sipër e me një shpengim e përçmim për të vrarët që nuk kanë qenë kurrë tipar i grekëve të lashtë, as i qytetërimit që i ka rrënjët atje; meqë ky qytetërim gjithnjë e ka nderuar vdekjen dhe ka parë tek armiku i vdekur alegorinë e hidhur të vetvetes. Krahasimi me etikën e konflikteve të sotme në Lindjen e Mesme nuk mund të shmanget; por kumti i filmit për palët e përfshira në atë konflikt është kumti dëshpërimtar i kujt shpreson se mund ta ruajë epërsinë morale nëpërmjet demonizimit total të kundërshtarit, si prelud të shfarosjes.

E vetmja mënyrë për ta mbrojtur e ndoshta shpëtuar filmin “300” nga akuza të tilla, është të pranosh se i drejtohet asaj pjese të publikut që tanimë e ka bërë të vetën ideologjinë e së djathtës ekstreme fashistoide, kudo në Perëndim. Kjo ideologji themelohet e tëra mbi paranojën e frikës ndaj “Tjetrit”; frikë që është gati të marrë, sipas rastit, trajtat e cilitdo armik të perceptuar si kërcënues me hordhitë e veta në horizont. Pas maskës së imazheve mjeshtërore dhe dinamikës së pashembullt të veprimit; pas efekteve prej cirku të habitshëm foshnjor dhe thjeshtësisë çarmatosëse të rrëfimit, “300” kërkon të përcjellë një mitologji parazitare e demagogjike, prej së cilës qytetërimi perëndimor përndryshe duhej të ishte shkëputur prej kohësh.

[2007]

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin