ARTI I TMERRIT (II)

Pyetje: Keni pasur ndonjë pikëpamje të kundërt me atë që të hynte literaturë?
Përgjigje: Unë kam deponuar në hetuesi, deponoj edhe këtu se midis neve të gjithëve që jemi këtu dhe midis ish anëtarëve të pleniumit të KQ dhe kuadrove kryesorë të aparatit të Ministrisë nuk ka pasur asnjë kundërshtim parimor për çështjen e literaturës. Ka pasur çështje kush të drejtojë marrjen.
Pyetje: Në dosje ndodhet një informacion që i ka bërë Ilo Prifti Beqir Ballukut. Je në dijeni të këtij relacioni?
Përgjigjje: Jam në dijeni.
Pyetje: D.m.th. ideologjinë marksiste-leniniste ta shartosh me atë revizioniste?
Përgjigje: Pikërisht në këtë qëndron edhe pikëpamja ime antiparti.
Pyetje: Këto citate të shokut Enver, përse u duheshin juve, a ka ndonjë qëllim?
Përgjigje: Jo, nuk ka asnjë qëllim.
Pyetje: Ç’duhen citatet e shokut Enver në librin që ka adoptuar Muhamet Mërkuri, autori i së cilës ka qenë Millovidovi?
Përgjigje: Ne atë libër e kemi konsideruar, dhe detyra kështu na është vënë, që ne të bëjmë një libër tonin, duke shfrytëzuar materialet tona bazë, pastaj duke marrë nga ai material gjëra që ne shikonim se shkonin. Unë atë e kam konsideruar libër të adoptuar, të bërë nga ne duke shfrytëzuar materialet tona, duke marrë edhe nga libri sovjetik.
Pyetje: Libri revizionist u botua dhe plus kësaj, për të gënjyer miletin futen dhe citate të shokut Enver. A mund të jetë kështu kjo që ju, jo vetëm keni marrë literaturë revizioniste dhe e keni futur kontrabandë këtu, në ushtrinë tonë, por edhe e keni falsifikuar apo jo?
Përgjigje: Ajo e keqe ndodhi, dhe unë jam dakord që dilet me atë konkluzion, deri sa dilet në konkluzionin, dhe unë tani jam dakord dhe kam reaguar, se deri sa libri ishte revizionist, s’ka punë të futen citate të shokut Enver. Unë atë libër e kam vlerësuar jo revizionist.
Pyetje: Në Moskë nuk sundon revizionizmi?
Përgjigje: Në Moskë sundon revizionizmi. Tek ai libër revizionist unë gjeja elementë të klasicizmit në fushën ushtarake edhe eksperiencë në pikëpamje të përgatitjes ideologjike, politike gjeja eksperiencë, dhe mua më dukej se mundet diçka të merrja nga kjo gjë.
Pyetje: Nga kush do merrje?
Përgjigje: Nga ai libër.
Pyetje: Libri i kujt ishte?
Përgjigje: Libri ishte i ushtrisë revizioniste sovjetike.
Pyetje: Po mirë, eksperiencën revizioniste do merrnim ne?
Përgjigje: Eksperiencën revizioniste e merrnin revizionistët.
Pyetje: Pra, ti e more si revizionist?
Përgjigje: Unë nuk e mora si revizionist, por nga ato pikëpamje….
Pyetje: Kush e merr sot eksperiencën revizioniste?
Përgjigje: Ata që janë revizionistë, ata që janë revizionistë.
Pyetje: Po ti çfarë je që more këto?
Përgjigje: Unë për ato pikëpamje që më kanë thënë, janë pikëpamje revizioniste.
Pyetje: Ju keni marrë dynjanë e librave, qindra kopje të shpërndara në ushtri?
Përgjigje: Po të mos kishim pikëpamjet revizioniste e po të mos predominonin në ato drejtime, që kemi marrë pikëpamjet revizioniste mbi pikëpamjet e Partisë tonë mbi formimin tonë, nuk do ta bënim këtë gjë.
Pyetje: Kush do të ishte i pari që do të luftonte kundra këtyre pikëpamjeve?
Përgjigje: Unë.
Pyetje: Çfarë ndikimi pati poshtë?
Përgjigje: Ndikimi është se deri sa u jep gjithë këto materiale me gjithë këto helme revizioniste, pa marrë parasysh se ç’thonë këta, nga ne të pandehurit, ai është helm revizionist.
Pyetje: Po këtë helm revizionist e dije ti dhe këta të tjerët?
Përgjigje: I nisur nga ato koncepte revizioniste që u thashë më përpara, e kam marrë dhe e kam përdorur ashtu siç më akuzon Partia. Nuk kam patur këtë shkallë reagimi që kam tashti për rrezikshmërinë e kësaj pune. Mua më është dukur sikur mund të merrej.
Pyetje: Kush tha që mund të merrej?
Përgjigje: Më tha ai koncepti antiparti, revizionist.
Pyetje: Në këtë rast ju jeni nisur si armiq apo si miq?
Përgjigje: Deri sa është bërë punë armiqësore, pasojat janë armiqësore, koncepti është armiqësor, nuk pyetet më se çfarë predispozicioni kam patur.
Pyetje: Çfarë predispozicioni mund të kesh patur ti përveç atij armiqësorit?
Përgjigje: Unë kam patur atë predispozicion të atij koncepti.
Pyetje: Ti vetë pranon që në vitet 1958-1960 ke arritur në konkluzione armiqësore dhe u bëre revizionist, kur ti pranon shuarjen e luftës së klasave, ke marrë eksperiencë nga revizionistët në fushën ideologjike, politike, ushtarake, pra je nisur nga pozita armiqësore që ke bërë veprimtari armiqësore. Nuk erdhe aksidentalisht në këto pozita?
Përgjigje: Unë kam deponuar në hetuesi, e deponoj edhe tani, që unë kam patur të kristalizuara që në atë kohë ato koncepte, pastaj këto më ushqyen me këtë literaturë edhe me shoqërinë ku rashë, dhe u vazhdua kjo punë armiqësore.

Deponimi i Hito Çakos në gjykatë, nxjerrë nga Tirana Observer, dt. 12 gusht 2007 (theksimi është imi).

As Ionesco nuk do ta kish shkruar më mirë. Kush tha që Shqipërisë i mungojnë talentet e mëdha letrare.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: