Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

QYRKU I FAJIT

Prej kohësh kam shkruar se problemi kryesor me sistemin e sotëm politik në Shqipëri është se elitat e pas 1990-ës e importuan e adoptuan të gatshëm nga Europa, duke shpresuar se përparimi, mirëqenia dhe mbarësia sociale do të vinin vetvetiu, ose si me magji.

Sikurse kam thënë edhe se shembulli i Shqipërisë vërteton se demokracia liberale nuk mund t’i imponohet një vendi nga lart ose duke hartuar e votuar një kushtetutë të mirë, sidomos kur vendit i mungojnë institucionet e shoqërisë civile, kultura liberale, kultura qytetare dhe tradita e respektit për të drejtat e njeriut.

Këto i kam thënë e përsëritur jo si zbulime madhështore, por si konstatime elementare, të cilat mund t’i bëjë kushdo që shpenzon sado pak kohë duke reflektuar për situatën politike në Shqipëri.

Lexoj tani një debat të hapur tërthorazi midis Mustafa Nanos në gazetën “Shqip” dhe Kastriot Myftarajt në gazetën “Sot”.

Në përgjigje të një mendimi të Mustafa Nanos se shoqëria shqiptare ka dështuar, Myftaraj shkruan:

Mustafa Nano gabon kur e përcakton shoqërinë shqiptare si shoqëri të dështuar. Shoqëria shqiptare thjesht ka dështuar të zbatojë një model të shtetit, atë liberal demokratik. A mund të quhet shoqëria shqiptare e dështuar se nuk arriti që të kishte sukses duke realizuar modelin shtetëror komunist. Jo, sepse modelet shtetërore janë mjete dhe jo qëllime në vetvete. Dhe mjetet janë në funksion të qëllimeve dhe jo e kundërta. […] Ky model shtetëror i demokracisë liberale me ndarje pushtetesh na dha Sali Berishën, Fatos Nanon, Edi Ramën, Ilir Metën, Skënder Gjinushin, Lufter Xhuvelin, por edhe Theodhori Sollakun, Thimio Kondin, Fehmi Abdiun, Gjergj Saulin. Atëherë ka dështuar sistemi që prodhon njerëz të tillë të veshur me pushtet dhe jo shoqëria. Shoqëria duhet të ndryshojë sistemin, ashtu siç kanë bërë dhe vende të tjera, shumë më të zhvilluara se ne në kohë krizash.

Altin Lame, në gazetën “Shqip” duket se i jep të drejtë sado tërthorazi Myftarajt:

Në Republikën tonë paqësore, ka ende në duart e njerëzve sidozot nja 200.000 armë, që do të thotë që po të përfshijmë edhe familjarët e të njohurit, në çdo 3 shqiptarë, njëri o ka një armë të fshehur, o di ku ka një armë të fshehur e kush e ka. Në Republikën tonë legale, kemi ndërtuar sidozot nja 100 a 200 mijë ndërtime pa leje: shtëpi e pallate, hotele e dyqane, vila e stërvila. E përkthyer në njerëz, kjo do të thotë se në çdo 4-5 shqiptarë, njëri ka një pronë pa leje. Dhe e pastë shëndoshë. Në Republikën tonë ligjore, shifrat thonë se nja 50% e biznesit është informal. E thënë troç, kjo do të thotë se në çdo dy biznese, njëri është i paligjshëm.

Meqë demokracia liberale nuk mund të ekzistojë pa shtetin ligjor.

Ja edhe Kiço Blushi, te “Gazeta Shqiptare”:

Erdhën udhëheqësit e rinj të demokracisë, njëri më i shquar se tjetri, hiçanaku ish provincial u transformua brenda një nate në udhëheqës gojëbrisk e karizmatik që premtonte e premton ç’i vjen në gojë, ndaj edhe quhet më i suksesshëm se ai që porsa u përmbys… Gënjeshtra e demagogjia, sipas traditës, sërish kanë fituar e marrë pushtetin e ne vazhdojmë të ushqehemi me premtime të rreme, derisa së fundmi udhëheqësi në fjalë të ketë thyer përfundimisht kokën që ne të themi: Pu, pu, sa keq paskërkemi qenë! Dhe rezultati…zi e më zi! Ne biem poshtë e më poshtë…E prapë rezistojmë, për të mos thënë, se në mjerimin tonë ngjajmë edhe “ca si të lumtur”!.Ku ishim, ku jemi, ku po shkojmë? Ky quhet tranzicion! Qysh kur u formua shteti shqiptar ne kemi kaluar nëpër disa tranzicione/theqafje të tilla të pafundme, sa absurde, aq edhe marroke!

Teza e Blushit është se Shqipëria e pas 1990-ës nuk ka pasur kurrë demokraci të vërtetë liberale, por vetëm një karikaturë të saj, ose një maskë karnevalesh që i ka lejuar pushtetarët t’i fshehin çatallet e derrit prapa buzëqeshjesh të vizatuara…

Nga ana tjetër, Mustafa Nano, përsëri në “Shqip” e duke iu përgjigjur Myftarajt, shpjegon:

[Nëse] ndokush mund të më thotë se Shqipëria e demokracia liberale nuk mund të kuptohen së bashku, nëse dikush mund të më thotë se duhet të zgjedh midis Shqipërisë e demokracisë liberale (është absolutisht trillane kjo situatë, ngaqë askujt nuk do t‘i duhet në fakt ta bëjë këtë zgjedhje), unë do të zgjedh pa frikë demokracinë liberale. Nuk ka ç‘më duhet Shqipëria e sunduar nga një despot. Preferoj më mirë të jem i lirë në një botë pa Shqipëri, sesa një shqiptar i skllavëruar në një botë të lirë. Është më së pari dinjiteti, që i jep identitet qenies sonë humane (pa liri nuk ka dinjitet human). Kombi vjen më pas (nëse vjen). Do të më quani antishqiptar? Aq më bën.

Me të drejtë Nano këtu e lidh çështjen e demokracisë liberale në Shqipëri me çështjen tjetër: a mund të mbijetojë Shqipëria si demokraci liberale?

Kjo është çështje reale, e cila duhet të mundojë klasën e sotme politike në Shqipëri.

Unë vetë mendoj se Shqipëria, si demokraci liberale, sot po mbahet në këmbë vetëm ngaqë Europa dhe SHBA nuk i duan ato ndërlikime të situatës që do të shkaktoheshin nga një prononcim autoritar në Tiranë, ose, edhe më keq akoma, nga trazira si ato të vitit 1997.

Shteti i sotëm në Shqipëri mbahet në këmbë po aq artificialisht sa edhe i sëmuri terminal që nuk lihet të vdesë prej mjekëve zelltarë dhe aparaturave gjithfarësh, në një spital ultramodern.

Unë gjithashtu mendoj se, po të mos vepronte faktori ndërkombëtar në Tiranë, Shqipëria “demokratike” e pas 1990-ës do të kish përfunduar e ndarë midis Greqisë dhe Italisë, pas një vargu trazirash të papërballueshme, nga poshtë dhe nga lart.

Klasa e sotme politike në Tiranë është stërvitur e përzgjedhur, që prej ndoshta 20 vjetësh, për t’u shërbyer sa më mirë interesave të Europës dhe organizmave ndërkombëtare që veprojnë në rajon.

Është një skotë skllevërish, që prodhon skllavëri.

Dilema e madhe ekzistenciale mund të formulohej kështu: Shqipëria sot, si entitet pak a shumë sovran, do të mbijetonte më mirë si demokraci liberale apo si diktaturë “e ndritur”?

Pavarësisht nga kundërshtitë mes tyre, edhe Nano edhe Myftaraj dhe ndoshta shumica e shqiptarëve duket se besojnë se sistemi demokratik-parlamentar në Shqipëri tashmë ka dështuar.

Dallojnë mes tyre vetëm në interpretimin që i bëjnë këtij dështimi: njëri shpjegon se është shoqëria shqiptare që ka dështuar; tjetri mendon se sistemi politik i adoptuar nuk u tregua i përshtatshëm për vendin.

Myftaraj, si edhe herë të tjera, i referohet institucionit të “diktatorit” në Romën e lashtë, i cili thirrej për ndihmë nga senati republikan në rrethana të jashtëzakonshme krizash. Është një argument që meriton vëmendje.

Unë do të shtoja këtu edhe faktin që pushtetarët e sotëm në Shqipëri janë të detyruar t’i shpenzojnë të gjitha energjitë mendore dhe shpirtërore për të mbetur në pushtet e për t’u mbrojtur nga kundërshtarët; aq sa nuk u mbetet më fuqi për të administruar vendin…

 

18 Komente

  1. Pash ne nje bisede Prec Zogaj, i forcuar pas zgjedhjes se presidentit, me beri pershtypje shprehja e tij, qe ne thelb qe, ”opozita duhet te gjej vetveten si e majte e te kemi dy pole nje i majte e nje liberal-demokrat”. Si ish-mbeshtetes i te djathtes, me beri pershtypje shprehja, ”liberal-demokrat” dhe jo e djathte.

    Per mendimin tim kjo shprehje, jo vetem gabim, le liberal = i majte, po tregon jo pergjegjesine qe ka politika e ketij krahu per te perfaqesuar e mbrojtur interesat e krahut te cilen kane thene se perfaqesojne.

    Liberal-Demokrat ne gojen e Precit qe nje shprehje qe nen-kuptonte ”qe ne do bejme ca te duam”, pa respektuar asnje parim, elektorat etj, e duke mbrojtur vetem interesat tona te vogla , duke bere politik edhe me te majte, edhe me te shitur te greku, po prape do jemi brenda termit ”liberal” qe ne kete le kuptimin ”pa pike pergjegjesie”.

    Per mendimin tim kemi pasur dy shete.
    Ai i Zogut qe qe nje shtet Monarksist – Kapitalist. Dhe pas ketij kemi pasur nje shtet te modelit komunist per 50 vjet.

    Per 17 vjet nuk kemi me shtet. Kemi nje amulli e demogagji, prandaj termi ”liberal-demokrat” u shkon per te futur rumpallen e shtetit te pas 90tes.

    Ne nuk kemi pasur shtet pas 90tes.

    Ne nuk ishim gati si shoqeri per demokraci.

    Disa klane komuniste e ish komunistesh fshrytezuan momentin, e qenien prane qeverisjes, e moren pushtetin per arsye thjeshte te egos personale. E perdoren pushtetin vetem per te pa pasur asnje lidhje me popullin, e duke u mbeshtetur ne militantet qe i sherbenin me nje pjes nga vjedhja e madhe.

    Lexova sot ne nje gazet nje shkrim te Kadarese, qe do qe mire ta vinit dhe ketu, Gazeta Panorama, ”qe shqiperia rezikonte te behej si kuba ne 90 prandaj ika”.
    Vertet ?!
    Intelektuali me i madh shqiptar dhe e perserit kete pas 17 vjetesh ?!

    Jo ky nuk qe reziku. I kanaqepsuri i regjimit qe per ego te vogla kalove ne ekstrem, si shume ato vite te kesaj shtrese, qe i hodhen benzin zjarrit, e nuk drejtuan popullin me nje llogjike te ftohte.

    Reziku qe renia e keqe e shtetit, e njerez te rastesise te shfrytezonin situanten, te shkateronin cdo gje e vidhnin cdo gje pa pike pergjegjesie as te shtresa e ishkomunisteve, as te ishpersekutuarve e te djathtes as te populli ne pergjithesi.

    Dhe kjo ndodhi.

    Sot kemi ne fuqi nje parti qe e kane votuar 20% te votuse shqiptare, fitoi nga dushku, mori me pak vota se e majta ne pergjithesi, e votuam si te djathte, e ben politiken me te majte se politikat me te majta te PSse, e eshte me e shitur te greku se koha me e keqe e PSse, e eshte me veshmbyllur ndaj problemeve te popullit……..U PO HAROVA PRECIN……DEMOKRACI LIBERALE….DO BEJME CA TE DUAM.

    Mendoj se pas fitores se 2005 e proves se dyte te Berishes, nje gje e mire, qe cdo njeri mund te reflektoj, e shoqeria ne pergjithesi, dhe per te gjetur zgjidhje.

    Personalishte analistet si Mustafa Nano, Myftaraj, e ca kallap si keta, nqs shoqeria eshte e trazuar, keta nuk ta kthjellojne si analsit, po keta ta perziejne dhe me keq, dhe e bejne akoma me te komplikuar e me rremuje.

    Ka plot analiste etj qe kane mendie me te qete, e ecin hap pas hapi, e mbajne llogjiken me vete, e hap pas hapi jani zgjidhje konkrete e vizione te drejta, e nuk humbin ne pellgje rremuje , urrejtje e allogjike si keta.

  2. Demokraci Liberale = ( ne nen-kuptimin e politikes sone) do bejme ca te duam pa pyetur per popullin, vendin, e pa patur asnje pergjegjesi, e jemi prap brenda termit ”liberal”.

    Ironi goxha e bukur ??!!

  3. Mendoj se nuk ka deshtuar , shteti demokratik, se ne nuk vendosem shtet te tille pas 90.

    Ku qe ky shtet qe deshtoi ??!!

    Perendimi u nxitua te bente permbysjen e kaq qe puna, revolucione i bukur, sic e kemi pare ne jugosllavi ku u permbys gjasme Miloshevici e u vu Kostunica, e shume raste deri ne vitet e fundit te ajo e Irakut.

    Medoj ketu erdhem se ne 90ten nuk u be nje shtet demokratik, po pjese te komunizmit shfrytezuan momentin e moren pushtetin per qellime personale.

    Ca shtet demokratike do ndertonin keta ish-komunist kur vet te paret shkelen mbi zgjedhjet, nuk zbatuan parimet demokratike ne parti e shoqeri, e krijuan nje kult te ri individi si ishkomunistet dikure.

    Keta njerez nuk qene idealist demokracie, as e njihnin ate e as donin te zbatonin ate po vetem te vilnin pushtetin, e te liruar nga cdo pergjegjesi qe partia e dikurshme komuniste kishte te shtresat e saj e ne pergjithesi ne popull, ose per te ruajtur nje ombrelle demagogjike , pra shpetuan nga kjo e vodhen cdo gje.

    Kastriot Myftaraj e ca qe thone , duhet nje dore e forte, e per kete lene te kuptojne gjith-fuqizimin e Sales, harojne se e njejta gje u tha dhe u be ne 96 e jo vetem Saliu nuk vuri drejtes, ne ato vite drejtesia qe teresisht e korruptuar, administarate etj e partia sherbente mbi shperblimin e vjedhjes, e ata qe reklamuan pas 92, per me fuqi te te ”ndershmit” Sali, qe te vinte shteti, dhe ja hariten ta kishin kete, DESHTUAN ATA DHE SALIU DESHTOI TA BENTE KETE. Madje sqe ky qellimi, te vinte shtetin qellimi qe pushtet i pakontrolluar personal, gje qe solli deshtimin, se rrjedhimisht ne fund u be shume ke keq.

    Shteti demokratik vihet, kur te respektohet vota e shqiptareve , ligjet e vendit, prona , etj

    Nuk eshte bere nje perpjekie e qarte te vihej ky shtet demokratik pas 90tes, e nuk po shohim te behet.

    Ka shume vende qe qofte per aksidente a rethana historike te keqia jane vene ne nje gjendje te tille te mos-shtetit e jo-qendrushmeri qe ka zgjatur me dekada.

    Shqiperia , eshte as i pari as i fundit.

    Gjeja e pare qe une besoj eshte qe te iki ky brez politik 17 vjecar qe mbajne peng vendin, ne sistemin e tyre te remujes.

    Megjithese demet qe i jane bere vendit ne keto 17 ne pronen, burimet njerezore, ne shkollimin e njerezve me kapacitet te vendit, do ndihen nje kohe shume te gjate.

    Edhe kur u vendos komunizmi, u vrane me pak, u shperngulen me pake, e humben pronen dhe demet e humbieve personale me te vogla se te ketyre 17 viteve.

    Nuk ka zgjidhje te arta.

    Do kohe.

    Gjerat do ecin hap pas hapi.

    E te perpiqemi ti shohim ato drejte e sic, jane, pa u ngateruar nga propoganda, fillozofira te kota , ku shume gjera duken lakuriq.

    Faktori shqiptar do jete shume i fuqishem ne ballkan.

    Shqiptaret do ta rigjenerojne vetveten e rilindin zgjidhjet.

    Duhet te vendosim shtetin demokratik, se akoma se kemi bere, e te bazuar me gjithe parimet e kolonat sesi ai funksionon shume mire ne vendet e tjera, e shume gjera nga tradita jone pozitive qe jane lene ne harese gjithe keto vite amullie, e fallciteti te marsianeve-europian, pa lidhje me realitetin e eksperiencat pozitive e traditen pozitive te meparshme shqiptare.

  4. Myftaraj, si edhe herë të tjera, i referohet institucionit të “diktatorit” në Romën e lashtë, i cili thirrej për ndihmë nga senati republikan në rrethana të jashtëzakonshme krizash. Është një argument që meriton vëmendje

    Me se dakort me ju nje ‘hegjemon dashamires’ eshte i vetmi qe mund ti shkule parazitet ‘gjenetikisht te modifikuar’ te Evropit.

    Sot u skandalizova kur lexova nje citat teper pak te cituar te Milton Friedman

    …Milton Friedman’s recent admission that he regretted advising countries released from the Soviet Bloc to “privatise, privatise, privatise” “I was wrong. It turns out that the rule of law is probably more basic than privatization”

  5. Ja një strofë e mrekullueshme nga William Butler Yeats, që duket sikur e ka shkruar duke profetizuar për Shqipërinë…

    Turning and turning in the widening gyre
    The falcon cannot hear the falconer;
    Things fall apart; the center cannot hold;
    Mere anarchy is loosed upon the world,
    The blood-dimmed tide is loosed, and everywhere
    The ceremony of innocence is drowned;
    The best lack all conviction, while the worst
    Are full of passionate intensity.

  6. Demokracia parlamentare në Shqipëri ka dështuar tashmë jo aq sepse shqiptarët nuk ditën ç’të bënin me demokracinë përveçse ta përdornin për të plaçkitur pasurinë publike, sesa për mungesë të institucioneve e në përgjithësi të shoqërisë civile në shoqërinë e atjeshme. Kjo lidhet drejtpërdrejt me problemin e autoritetit. Edhe kur diskutohet, hipotetikisht, për një diktaturë të ndritur ose të pandritur, çështja është: cilit autoritet mund t’i besohet kjo diktaturë? Në vende të tjera, disa institucione si ushtria, ose Kisha Katolike, kanë një autoritet ndonjëherë edhe më të vjetër e të rrënjosur se institucionet parlamentare. Senati, i propozuar nga Sabri Godoja, nuk do të ishte ide e keqe, për të themeluar një autoritet disi më të mbrojtur nga vulgariteti parlamentar ose cirku i partive. Vras mendjen të gjej se cilit institucion i ka mbetur tani autoritet në Shqipëri; por nuk di ç’të them. I vetmi autoritet alternativ ndaj atij të përcaktuar me kushtetutë ushtrohet në realitet prej ambasadorëve të huaj dhe përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare; prandaj në kushtet e Shqipërisë kam frikë se dështimi i sistemit të tanishëm po e çon vendin më shumë drejt protektoratit ndërkombëtar, ose të OKB-së; sesa drejt ndonjë diktature çfarëdo.

  7. Është kollaj që të zbulosh ‘ujin e nxehtë’ dhe të arrish në konkluzionin se shoqëria shqiptare ka dështuar, sepse në atë shoqëri, në mungesë të Rregullit,Disiplinës dhe Moralit politik(pikërisht për shkak dhe të mungesës së Autoritetit), çfardo lloj ideollogjie është e destinuar të dështojë.
    Demokracia liberale në Shqipëri është akoma më utopi se vetë komunizmi, që me gjithë propogandën dhe autoritetin (dik. prol) nuk arriti që të bënte atë për të cilën qe nisur të bënte.

    Ideja e `dorës së fortë` nuk është dhe aq “skandaloze” (dhe s’kam nevojë që të shkoj në Romën e lashtë për të gjetur shembuj) duke parë Rikthimin e Autoritetit të Rusisë në skenën botërore, pas eksperiencës së anarshisë liberal/demokratike të Jeltsinit, me marrjen në dorë të situatës nga Putin.
    Nuk pretendoj se Rusia e sotme është shembulli që duhet adoptuar i demokracisë, por Ajo dora e fortë, mënjanoi atë vënd nga ‘eliminimi’ prej skenave ndërkombëtare që po e çonte anarshia dhe korrupsioni i pakontrolluar.

  8. Edhe kete here M. Nano nuk ka dale aspak jashte natyres se vete prej skllavi te zellshem e te mbarsur me vetkenaqesi, gjithnje e me shume i bindur qe nuk eshte pjese e ketij deshtimi apo nuk ka pergjegjesi per te. Habitem si nuk u dhembin veshet a syte robve prej tij dhe “analisteve” fotokopje te tij.

    Lehteism i madh ne kete shkrim eshte dallimi mes deshtimit te klases politike dhe deshtimit te shoqerise shqipetare ne pergjithesi. Dhe me vjen mire edhe pse nuk arrin te shquhet mire vija ndarese. Gjithesesi ka qene gjithnje e qarte se klasa politike ka qene nen nivelin e intelektualeve te vertete. (jo intelektualeve me gjasme, si pershembull Kico Blushi & co)

    Me vjen ndermend fjala e dikujt qe thoshte se “ne shqiperi te poshtrit jane pak, vetem zerin e kane te larte”.

  9. Ideja e diktatures se ndritur besoj se eshte me e mira per Shqiperine, por ndoshta e parealizueshme per shkak te nderkombetareve. Shqiperia nuk eshte si me 1924 kur vendosja e nje diktature te tille e shpetoi nga anarkia dhe lejoi funksionim normal te shtetit per 15 vjet. Evolucioni i natyrshem i shoqerise se atehershme do te conte ne nje monarki kushtetuese gjithmone e me liberale, te ngjashme me monarkite e tjera evropiane, nese rrethanat e jashtme do te kishin qene pak me te favorshme. E them kete sepse edhe ata qe e ndertuan dhe qeverisen ate shtet ishin shqiptare, pra eshte zor te themi qe ne s’ngreme dor shtet normal (aman mos me thoni se “Zogu vodhi arin” pra s’kemi cfare te mesojme nga ajo periudhe).
    Nejse, s’ma merr mendja qe nderkombetaret te lejojne nje “diktature te ndritur” ne Shqiperi, vec ne gjetshin ndonje formule per gjendje te jashtzakonshme. Nga ana tjeter edhe ideja e protektoratit qe thote Xha Xhai duket me e realizueshme sepse i huaji eshte sot burimi me i madh i autoritetit. Mirepo ajo kerkon nje lloj justifikimi, qe nuk di si mund te sajohet.
    Shkurt, nje regjim autoritar vullnetmire do qe rruga e vetme e shpetimit.

  10. Ashtu si eshte Shqiperia nuk i prish pune askujt pervec shqiptareve vete. Askush nuk ka te drejte te sugjeroje nje forme tjeter qeverisjeje ( e kam fjalen per shtetet e tjera) per sa kohe e kemi kete qe eshte. Pra pare nga ky kend, mendoj se mjetet dhe rruget per te dale nga gjendja e palevizeshme jane lene ne dore vete drejtuesve te zgjedhur me voten e lire te cilet njihen mire se perse ndodhen ne krye.

    Kushtetuta dhe baza ligjore, ashtu si jane e te cilave partite politike ju drejtohen shpesh sa here qe ka ndonje impasse, nuk mund te lejoje vendosjen e nje diktature te ndritur. Pastaj diktaturat gjithnje kane mbeshtetjen e shtreses se larte te nje shoqerie ne nje shtet sado i varfer qofte ky, shtrese e cila Shqiperise edhe sot pas 17 vjetesh i mungon akoma. Nese kjo shtrese sot do te ishte krijuar ndoshta i gjithe ky diskutim qe bejme sot nuk do te ishte zene n’goje fare. Nuk po permendim ketu qe do te duheshin edhe nja tre-kater gjenerale me disa trupa me autoritet te plote per te bere zap Lazaratin, Mamurrasin, dhe Bathoren qe bllokojne rrugen kombetare te Instituti me nje fjale goje te Shaban Memise.

    Protektorati do te ishte zgjidhja me elegante por si ide eshte pak si e vjeteruar dhe zor se e merr ndonje persiper. Dhe ku?! Ne Shqiperi.

    MB

  11. Po mua më duket shumë serioze e shqetësuese të thuash për një vend se atje nuk ka se kush të vërë diktaturën. Jo se kam ndonjë shpresë të madhe te diktaturat, por zakonisht është edhe frika e diktaturës që i bën njerëzit ta duan e ta vlerësojnë demokracinë që kanë fituar… Po kam frikë se shumë shqiptarë nuk janë në gjendje të fitojnë dot asgjë tjetër përveç parave; të tjerat jua jep bota.

  12. Perseri mendoj se situata eshte shqetesuese per ne qe nuk jetojme atje ndersa per ata qe jetojne atje cdo gje kthehet ne normalitet ne momentin qe vijne dritat dhe fillon te pikoje uje nga rubineta. Pra thene ndryshe rehatia e tyre prishet ne momentin qe mungojne keto dy elemente shume te rendesishem per jeten e perditshme. Mendimi i diktatures bredh vetem ne mendjet tona. Nese zbret ne Sheshin Skenderbej dhe pyet 100 vete per nevojen e vendosjes se nje diktature atje kam frike se te gjithe pa perjashtim do te thone:- Ne mezi e hoqem qafe ate dhe ti dashke te na e sjellesh mbrapsht. Pastaj diktatura, e ndritur ose jo, vendoset nga nje grup shume i vogel njerzish qe kane shume mjete ne dore dhe kur rruget demokratike jane ezauruar atehere zbret ne fushe Cizmja. Me sa di une ne nuk kemi akoma Cizme te vertete per ta bere kete pune.

    Perpara cdo kaosi diktatura eshte zgjidhja me e mire por duhet qe fillimisht te gjithe duhet te pranojne qe kaosi ekziston dhe pastaj te shihen mundesite praktike per te vendosur ate. Askush atje nuk e kupton qe kaosi ekziston si ne vitin 1997 dhe qe ka pas ekzistuar te pakten per 17 vjetet e fundit. Rendi dhe forca e ligjit nuk shkon me poshte se Kombinati dhe Lapraka bile edhe ne keto dy periferi ushtrohet kur eshte puna per te penguar zbritjen nga furgonet e mitingasheve ne Skenderbej.

    MB

  13. Une do isha kurioz te dija mendimin e Xha Xhait mbi vendosjen e nje diktature nacionaliste. Mbi kete argument, jam i hapur te bejme debat.

  14. Sistemi politik i tanishëm në Shqipëri mbështetet mbi shkallën më të ulët të mundshme të vullnetit dhe të pjesëmarrjes së konstituencave; në një kohë që krejt veprimtaria politike në majat manifestohet si politikë kuadri, duke filluar që nga zgjedhjet, të cilat duken të kenë zëvendësuar zgjidhjet. E gjithë energjia e atyre në pushtet shkon në përpjekjet për të qëndruar në pushtet; e gjithë energjia e atyre në opozitë shkon në përpjekjet për t’ia rrëmbyer shumicës pushtetin. Arsyeja e qëndrueshmërisë së këtij sistemi, përndryshe të falimentuar fund e krye, është mungesa e alternativës. Çdo sistem tjetër do të kërkonte një përpjekje më të madhe nga ana e të gjithëve, për t’u realizuar e për t’u mbajtur në këmbë. Sikur të ekzistonte edhe rreziku më i vogël real i një grushti shteti, vendosjes së një diktature, ose pushtimit prej një fuqie të huaj, shqiptarët do të kujdeseshin më shumë për mirëmbajtjen e sistemit politik që u kanë dhuruar rrethanat ndërkombëtare. Diktatura nacionaliste do të mund të përligjej, edhe para vetvetes, në rast se Shqipërisë do t’i kërcënohej ndonjë katastrofë a luftë shkombëtarizuese; ose në rast se një pakicë etnike merrte nën kontroll pushtetin politik ose ekonomik (ose u paraqitej njerëzve në atë mënyrë). Mirëpo edhe diktatura nacionaliste do të kërkonte, përveç mbështetjes së nacionalistëve, edhe figura nacionalistësh të shquar e të respektuar, që t’u imponoheshin njerëzve me autoritetin e tyre. Të tillë ndoshta edhe ka, por unë nuk i njoh, përveç atyre që kanë përfunduar tashmë në statuja shesheve e parqeve; dhe unë nuk i njoh këta të sotmit sepse askush nuk i njeh. Prandaj do t’i kthehem mendimit tim të mëparshëm: është e trishtueshme që sot të ulemi e të flasim, qoftë edhe vetëm teorikisht, për diktaturën si zgjidhje ndaj krizës ku e ka shpënë Shqipërinë papërgjegjësia “demokratike”; por është edhe më e trishtueshme të konstatosh se Shqipëria e sotme nuk ka asnjë forcë të brendshme me autoritetin e nevojshëm për t’u konsideruar si protagoniste e këtij skenari hipotetik. Përndryshe, në qoftë se kjo krizë vjen e thellohet deri atje sa njerëzve t’u shkojë thika në kockë e të dalin rrugëve, unë nuk shoh zgjidhje më të pranueshme se protektorati ndërkombëtar; meqë kantonalizimi do ta linte Jugun tepër të ekspozuar ndaj ndikimit grek, ndërsa Veriu herët a vonë do t’i bashkëngjitej Kosovës kompakte.

  15. Eshte me te vertete nje analize reale e gjendjes se tanishme ne Shqiperi.
    Vertet burimet e brendshme jane te mbyllura dhe te kufizuara. Ne fakt, qofte perciptazi eshte vene ne pikepyetje pavaresia e plote e Shqiperise dhe shqiptareve. Shikojme komponentet perberes: Klase politike e atrofizuar, popull qe ka humbur besimin ne politike dhe ne veten e tij (kjo e dyta eshte shume here me e keqe se e para). Edhe zgjidhja me lehte e pranueshme eshte nje protektorat. Ne terma me te drejtperdrejte mund te quhet pavaresi e kufizuar. (nese jo korigjomeni)

    Ndersa elementi nacionalist , eshte nje kah qe duke u nisur nga rrethanat, ia vlen te investosh. Investim ne rradhe te pare intelektual dhe me vone politik. Mua me shqeteson jashte mase zeri i humbur i Shqipes ne arenen nderkombetare. Tani kur duhet te ishim pjesemarres ne ceshtjen e Kosoves, shikojme reagimet amatoreske te shtetareve shqiptare. (deklarata e ish ministrit te jashtem, inercia e komponenteve te sotem politike, ne pergjithesi kjo perkthehet si frike se mos bejne ndonje hap te gabuar qe do i conte ne humbjen e mbeshtetjes se nderkombetareve).

    Te elita mediatike shikoj nje coroditje te vazhdueshme dhe te hedhur ne te gjitha drejtimet e mundshme. Edhe keto jane kahu evropian, ai liberal demokrat, akoma dhe e djathta progresiste. Ne fakt gjithe keto energji mund te derdhen drejt nje synimi te vetem te madh: Rimekembjen e ndergjegjies kombetare. Jane shume te qarta shkrimet ketu, shikohet regresi i vazhdueshem i shqiptareve ne dem te kesaj ndergjegjie (flamuri I BE-se ne betimin e presidentit, Dalja ne foto me revista te huaja, ekzaltimi nga nje dokument i firmosur prej presidentit te SHBA-se, duke nenvizuar se e ka shkruar me doren e vet).
    Edhe brenda ketij provincializmi te theksuar amatoresk nderkombetar une shikoj vec regres te vetedijes kombetare. Shikoj mungese vullneti dhe deshire per vetvendosje.

    Ndersa nacionalistet per mua jane ne faze testimi. Nepermjet blogeve, materialeve neper media, forume etj mund te matesh ne menyre cilesore dhe sasiore ekzistencen e tyre. As une nuk i njoh, por me mjetet e mundshme po bej testimin e nje ideje te tille.
    Eshte e qarte nje levizje nacionaliste duhet te perballet me shume sfida. Eshte njesoj si te hapesh nje kuti te re Pandore. Brenda, nacionalizmi mbart nje romantizem te tepert te panevojshem dhe aspak praktik. Shume e perdorin si ide radikale duke hedhur poshte cdo qendrim deri diku racional qe nuk perkon me idene themelore te tyre.
    Shume te tjere e shohin si ide te dale jashte mode nen flamurin e globalizmit. Ka akoma qe zhvishen prej ndergjegjies dhe zakoneve shqiptare duke u hedhur me koke drejt Evropes per te kapur lirite e ofruara nga sistemi perendimor.
    Sfida tjeter qe duhet te perballoje nacionalizmi jane stigmat e te kaluares. Korelacionet perballe termit nacionalizem shembellejne me shume me nje burre gjerman me mustaqe, kur ne fakt duhet te identifikohen me rilindjen kombetare.
    Ajo epoke e rilindjes me kohen e sotme moderne, nuk jane shume te ndryshme.
    Dhe ne vija te pergjithshme rendi skllavopronar i p.k nuk eshte shume i ndryshem me kete te sotmin kapitalist.
    Rishikim fjalori. Skllavi I djeshem, eshte nigeriani I sotem ne vendin e vet. Eshte indiani, afrikani, irakiani.
    Shteti inekzistent i atehershem shqiptar me kufij te panjohur boterisht, eshte ky i sotmi me kufij te njohur dhe qeveri inekzistente.
    Karakteristika qe ka evoluar me shume ne kete shekull eshte padyshim propaganda, reklama.

    Duke pare eliten, behet dy here me shume e veshtire analiza e gjendjes reale gjithashtu gjetja e zgjidhjes reale.
    Tani shenjat – i perdorur si term apokaliptik, jane te veshtira per tu kapur. Nese me perpara udhekryqi kishte dy alternative, tani ka 10 fish me shume.
    Tani ndikimet ne kete vend te vogel ballkanik kane me shume ngjyra se vete ylberi.

    Pse nacionalizmi?

    Ne rradhe te pare eshte gjeja e vetme e perbashket qe ndajme te gjithe si komb. Gjithe te tjerat I kemi te ndryshme, ose ne nivele te ndryshme. Nese beni nje studim te gjithe historise, do te vini re se ne themel te cdo shteti te qendrueshem qendron kompaktesia e tij.
    Ne rradhe te dyte, deshtimi i nje sistemi demokratik liberal nuk eshte i kushtezuar vetem prej menaxhimit te keq, por dhe nga rrethana gjeopolitike.
    Lidhja e afert territoriale, eshte lidhur ngushte me lidhjen ekonomike qe kemi me fqinjet. Vetem nje politike konservatore, kufizuese ndaj kesaj lidhjeje do bente te mundur qe te mos kthehej ne vartesi politike (nese nuk eshte kthyer).
    Nje demokraci liberale nuk ofron dot kushtezimin e nje lidhjeje te tille.
    Shikojme te gjejme rrugen pra qe nga province te kthehemi ne faktor politik, te pakten ne gadishullin e Ballkanit.

    Ne rradhe te trete, ndergjegjia kombetare lidhet me ndjenja te tjera atdhedashurie qe shume here kushtezojne zhvillim. Nacionalizmi te shihet si memedhembje. Shihet si ideal mbi te cilin ndertohet e ardhmja. Ne nje gjendje si kjo e sotmja, vetem dashuria per kombin mund te shnderrohet ne shtyse zhvillimi.
    Shembull me te bukur se ndertimi I shtetit izraelit nuk mund te gjej.

    Dhe ne fund duke verejtur kushtet e sotme te politikes nderkombetare, nacionalizmi do te sherbente per tu vetpercaktuar si faktor ne Ballkan. Per kete kam parasysh rimekembjen e Rusise si force e madhe, dashurine e fshehur te grekeve dhe serbeve per “babushken” dhe nevojen amerikane per te patur nje Shqiperi te forte per te sherbyer si kundrapeshe.

    Por edhe nese si ide organizimi politik nuk do te kishte sukses, nacionalizmi do te sherbente per te rimekembur identitetin e humbur dhe te neperkembur shqiptar.

  16. Shkrim i mire, cuditerisht (pa deshire) e gjej veten ne te njejten ane me Myftaraj, idete e te cilit me duken shpesh te pagelltitshme. Nejse, demokracia tek ne heperhe ka deshtuar keshtu qe diskutimet teorike se c’lloj demokracie na nevojitet jane te kota.

    Fatmirsisht/fatkeqsisht ndodhemi tashme ne nje lloj protektorati, ate te BE-se. Keta te huaj, me te cilet/pa te cilet s’mund te jetojme na mbajne gjalle, mbajne nen fre ata qe jane vetcaktuar per te na udhehequr dhe bejne te mundur ato pak perparime ne fushen shoqerore (mbi individin) ne vendin tone. Shyqyr qe i kemi 🙁

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin