Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Totalitarizëm

YPI NË TUSHEMISHT

Edison Ypi ka marrë këtë herë rrugën e Tushemishtit, buzë liqenit të Ohrit, për t’u takuar me banorët e këtij fshati ku, 30 vjet më parë, u xhirua filmi i njohur, por propagandistik “Zonja nga Qyteti”.

Shkrimi, të cilin mund ta lexoni këtu, flet për nostalgjinë e madhe të banorëve të fshatit për periudhën e vjetër të komunizmit, sidomos kur e krahasojnë me jetën e tyre të sotme. Ypi rrëfimtar, natyrisht, indinjohet nga kjo, dhe me këtë rast u kujton bashkëbiseduesve tmerret e totalitarizmit: izolimin, dhunën, varfërinë, kooperativizmin, maskarallëkun.

Më kot. Askush nuk do t’ia dijë për argumente të natyrës intelektuale. Banorët e Tushemishtit nuk mallëngjehen shumë për liri e për demokraci, për standarde evropiane, për NATO e për integrime.

Banorët e Tushemishtit i merr malli për filmin “Zonja nga Qyteti”; jo për ta parë filmin vetë, as për të ripërjetuar kohën kur xhirohej filmi; por për ta parë veten ashtu siç duken në film – të hareshëm, të shkujdesur, të sigurt për vendin e tyre në univers.

Ypi nuk futet në diskutime të thella për shkaqet e këtij obtuziteti metafizik të katundit shqiptar; edhe pse askush më mirë se ky shëtitës i palodhur i djerrinave të Shqipërisë post-komuniste nuk e ka vënë re që fshatarët shqiptarë të varfër, të vuajtur, të harruar e të shkatërruar tanimë i paska marrë malli për Udhëheqësin.

Kjo temë ia vlen të diskutohet.

Ekonomia e fshatit, bie fjala, mbështetet në pronën private dhe në marrëdhënien e fshatarit me tokën. Si mund të ketë fshatari nostalgji për një regjim që ia mori tokën e bagëtinë, për t’ia zëvendësuar me një regjim skllavërues të mëditjes, me një mensë toksike të kooperativës e me një dyqan artikujsh të përzier në qendër të fshatit?

Të jetë kjo e ngjashme me atë që bënë dikur skllevërit e liruar të Jugut amerikan, kur shkuan t’u kërkojnë pronarëve të dikurshëm t’i pranonin përsëri për skllevër, se ashtu, të lirë, nuk po ia dilnin dot?

Nga ana tjetër, ndryshe nga qyteti, i cili vetvetiu është i përfshirë në histori, fshati e ka jetën ciklike – ditës ia zë vendin nata, dimrit vera, verës dimri. Të mbjellat shndërrohen në të korra, të korrat përsëri në të mbjella.

Këtë farë thelbi ciklik unë ia mbaj mend edhe jetës në totalitarizëm, ku sistemi vetëm kujdesej për të riprodhuar vetveten në mënyrë aritmetike; dhe ku çdo interferencë ndaj ciklit konsiderohej si vetvetiu armiqësore.

Në një rrafsh më abstrakt, cikli përthyhet si rregull; që këtej edhe logjika e atyre që i merr malli për rregullin e atëhershëm; ose rregullsinë e së përditshmes; ose parashikueshmërinë. Jeta në shoqëri më të lira mund të jetë edhe ajo përpjekje për të futur njëfarë rregulli në kaosin e eksperiencës; por kjo lloj përpjekjeje kushton. Aq më tepër kur, në një shoqëri materialiste si kjo e sotmja në Shqipëri, liria perceptohet si liri për të fituar para ose për t’i prishur.

Përndryshe, në kushtet e ekonomisë së tregut ciklimi nuk mund të manifestohet veçse si riciklim. Katundari e përjeton qenien e vet si një lloj orvatjeje shpesh të dëshpëruar për rekuperim mbeturinash.

Dua të them që, në kushtet e sotme, nuk mund të jesh edhe i lirë, edhe katundar. Gjëja e parë që bën sot katundari i lirë, në Shqipëri, është të ikë nga katundi, për ta realizuar vetveten gjetiu, atje ku lulëzon paraja.

Liri apo rregull? Tushemishtasve të Ypit nuk iu shkon mendja të vetërregullohen, duke sekretuar rregull pikërisht nëpërmjet ushtrimit të lirisë. Meqë cilësia e jetës nuk është kapital qarkullues, nuk ka rrezik që Shqipëria e nesërme grabitqare të shkojë e t’ia rrëmbejë lumturinë Tushemishtit…

Por për këtë më parë duhen ulur të gjitha antenat e dylbitë e drejtuara drejt Tiranës.

Një tjetër arsye spekulative për nostalgjinë do të ishte izolimi i fshatit shqiptar, në përgjithësi, nga zhvillimet përreth. Ky izolim ishte veçanërisht i shprehur për Tushemishtin, i cili i nënshtrohej regjimit të rreptë qarkullues për zonat kufitare.

Fshatarët e atjeshëm, shumë-shumë, e krahasonin jetën e tyre me të banorëve në fshatrat përreth, dhe ndiheshin të kënaqur, meqë jetonin më mirë.

Më kujtohet një pasazh nga një libër udhëtimi i André Gide: “Retour de l’URSS” (1936): kur një grup sindikalistësh të majtë nga Franca vizitojnë një qytet industrial sovjetik dikur në vitet 1930, kolegët e tyre vendas i ngushëllojnë: “Një ditë socializmi do të triumfojë edhe në Francë, dhe ju do të keni tramvaje njëlloj si ne këtu.”

Sot, përkundrazi, Tushemishti dhe çdo katund tjetër (sikurse edhe çdo qytet industrial ish-sovjetik) nuk vetëkënaqen dot më, sepse mjetet e komunikimit dhe mediat i kanë shtyrë pamëshirshëm në periferi të gjithçkaje.

Mund të thuhet se, teksa njerëzit qarkullojnë gjithnjë e më dendur, dhe teknologjia e komunikimit publik arrin në çdo skutë të Shqipërisë, katundarët e atjeshëm dhe kudo gjetiu nuk ndihen dot më të kënaqur me çfarë kanë e me çfarë mund të bëjnë – meqë asgjë e tyrja nuk krahasohet dot me shkëlqimin e qendrës.

Liria individuale dhe teknologjia e komunikimit masiv befas i dhanë Tushemishtit një vetëdije të re, të të qenit skaj i humbur province, i një vendi si Shqipëria që është vetë skaj i humbur province, ku çdo arsye e djeshme për krenari ushqen sot nostalgji të pikëlluara.

Teknologjia prodhon mjerim; duke ua rrasur qendrën si shtupë në fyt periferive, por edhe duke ua rikujtuar njerëzve ëndrrat që do të donin t’i kishin harruar.

Por ka edhe më: regjimi i Hoxhës hiqej diktaturë e proletariatit; por në të vërtetë proletariat Shqipëria nuk kish pasur kurrë – dhe e vetmja diktaturë e mundshme që mund të prodhonte vendi ishte ajo e fshatit ndaj qytetit.

A nuk ka qenë “fshati të rrethojë qytetin” një nga sloganet më agresive të maoizmit?

Hoxha e fshatarizoi qytetin shqiptar, jo thjesht duke i sjellë njerëzit nga mali në fushë e duke u dhënë në duar çelësat e pushtetit; por duke i imponuar jetës shqiptare frymën asfiksuese të jetës në katund – ku etika e marrëdhënieve sociale themelohet mbi kontrollin e dyanshëm dhe vigjilencën.

Sot kamerat e kudogjendura në hapësirat urbane përçojnë kontrollin total që shteti korporativ ushtron ndaj publikut blerës; por fshati shqiptar i ka pasur kamerat prej kohësh, në sytë e plakave në dritaret.

Nëse liria e jetës qytetare themelohet mbi anonimitetin, totalitarizmi shqiptar u themelua mbi njohjen e të gjithëve kundër të gjithëve. I kujt je ti në Pekin, e pat pyetur Pal Vata specialistin kinez në Va të Dejës.

Megjithatë, Tushemishti ishte gjithnjë provincë; ndërsa super-katundi i Bllokut të Udhëheqjes në mes të Tiranës gjithnjë qendër. Nga kjo pikëpamje, totalitarizmi e çmësoi provincën shqiptare të prodhonte ose të krijonte politikë rishtas; në kuptimin që nga provinca nuk mund të pritej kurrfarë angazhimi publik, përtej amplifikimit mekanik.

Që na sjell përsëri tek cikli, përsëritja dhe riprodhimi.

Prandaj Tushemishti i sotëm, të cilin natyra përndryshe e ka bekuar, nuk po prodhon dot gjë tjetër veç nostalgjisë.

Është e hidhur ta mendosh, e më e hidhur akoma ta thuash se vetëm vdekja do të sjellë njëfarë ngushëllim për këtë lloj katastrofe – por vdekja e kujt? E brezave që pluskojnë në të shkuarën; e Tushemishtit vetë; apo e krejt provincës shqiptare që tanimë kërkon të rrokulliset drejt Tiranës?

10 Komente

  1. Ajo qe kemi prodhuar ne pas 90, fjale pa fund, e intelektualeve si Ypi etj.

    Kuptohet sistemi ka nderuar po nuk u nderua ekonomia vetem LLAFE …. JAP JAP JAP dhe YUP YUP YUP.

    Jam merzitur me shkrime artikujsh ne forume, edhe une e ndjej ate qe kur veja ne fshat te njerezit e mi kishte jete, kurse tani eshte cdo gje e djere e fshatare qe punojne ne greqi, si argat te tjetri.

    Pse erdhi kjo.

    Ka shume arsye perse ekonomia fshatare dhe fshati qe ka pasur nje tradite te shkelqyer ne te kaluaren parakomuniste, te mbijeteses dhe punes, nuk u vu ne brazdat e zhvillimit e aty do ringrihej shqiperia, si gjithe vendet kapitaliste ku fillon nga buqesia, me e lehta, ka lindur industria e lehte etj zhvillimi.

    Ka shume gjera po ti shikosh me kujdes qe jane bere pas 90 qe fshati eshte ne kete gjendje.

    Shume artikuj me shume nga ngaterojne se sa te sqarojne,

    Megjithese kritikon komunizmin, vazhdon me stilin komunist, qe u thoshte fshatareve ”pse nuk ndiheni mire” ”te ndiheni mire se keshtu arsyetoj une”, ne vend te shikosh pse ata ankohen.

    Mendimi im personal, eshte deshtimi i shqiperise pas 90, eshte nga SHKATERIMI I FSHATIT, nuk kemi as kooperativat qe rane me komunizmin, e nuk kemi as nje fshat kapitalist ose si ai parakomunist.

    Kishte mundesi per zgjidhje shume te mira, per te ringjallur te fshatari ate shpirtin e parakomunizmit, te mbijeteses, punes, familjes, te ekonomise se vogel qe fillon ne fillim me pake me nje lope a dele e me disa fruta etj e qe ritet pak e nga pak, ne fillim siguron mbijetesen e ushqimin e ne vitet qe vin e rit e krijon fitim.

    Nuk eshte gje SHKENCORE, A TEPER INTELEKTUALE, eshte teper e thjeshte e eshte bere ne shekuj, e behet perdite dhe sot.

    Po qene shume gjera qe e prishen kete.

    Qe nga mos terheqia e prodhimit ne fillim.

    Mbushja e tregut me prodhime te huaja, se qeveritaret mirnin perqindjen ne dogana.

    Hapja masive e nje kultuar anti-fshat duke dekurajuar brezin e ri dhe fshataret te perkushtoheshin ne pune, po ne vend te saj te emigronin jashte a ne qytete a te pushtonin toka kudo ku qene.

    Problemi i tokes, nuk ju dha pronareve qe e kishin blere ne shekuj me pune, ose ju dha njerezve pa pike kondite e ata e lane te djere po duke dhe e djeguar nga qe qe e tyre dhe se punonte me njeri.

    Shteti ti jipte prone atij qe ta punonte, nqs e punonte ndryshe e mirte tjetri.

    Ose e punove 10 vjet ke te drejte ta maresh, keshtu kur tjetri punon 10 vjet i futet puna ne gjak.

    Industria e lehte u shkaterua totalisht, ajo qe mirte shume produkte nga fshati, e ne vend te saj edhe produkte banale na vinin nga jashte qe ne i benin ne vend, e shume keto prodhime nga jashte kishin cilesi te dobet per shqiperine.

    Kjo u be qe politikanet te vidhnin ne dogana.

    Po ajo qe po e mbyll eshte asnje perpjekje per te motivuar njerezit te punonin, jetonin, martoheshin e benin familje e zhvillonin fshatin e tyre.

    E pash fimin ”Zonja nga Qyteti” po edhe pse shteti komunist e coi ne ekstrem ate qe ”te jetosh ne fshat”, po ne nje pikepamje tjeter te besh filma, programe etj etj qe te motivosh njerezit te jetojne e punojne ne shfat kjo ska asnje gje te keqe.

    Ndoshta ne pas 90 ne cuam shume larg kriktiken nga Komunizmit pa ditur te dallonim te rezonim ate qe qe ekstreme e keqe, po te mos sulmonin e godisnim ate qe eshte ne cdo shtet normal, ne te njejten kohe qe kishim kritikuar tejkalimet komuniste, TE RUANIM SENSIN E MASES.

    Ne nje fare menyre, kritika jone intelektualeske, nga kafet e Tiranes, qe pa lidhje fare me realitet, e papergjeshme, e me teper te bente buje, e te shkateronte si ne stilin komunist regjimin qe shkoi, pa qene konstruktive si te ndertojne nje jete te re.

    Fshataret kane te drejte , e nuk eshte te besh krahasime ofenduse, po te kapesh ate pse jeta ne fshat, qe ka qene baza e shqiperise , e ska pse ofendohesh se vendet me te zhvilluara kane buqesi me te zhvilluar e njerez te perkushtuar ne te, e nga buqesia e kane filluar zhvillimin kapitalist.

    Pra te kuptosh pse ne nuk kemi zhvilluar fshatin pas 90.

    Nuk po diskutoj ketu procese si ajo e ”Bathores” , qe tamam teoria e komuniste fshati rrethon e shkateron qytetin, ka gjetur zgjidhje me te mire e te pakrahasushme dhe me monizmin ku qetetet kishin nje pamje urbane qytetare.

    Te shikojme realitetin e kuptojme ate e njerezit, te respektojme ata e mendimin e tyre, e jo nje menyre arsyetimi mare nga ca vende europiane, ku NE ELITA DO MENDOJME SI DUAM NE , E ARSYETOJME SI DUAM NE, E PO NUK NA DOLI ARSYETIMI NE TEREN, FAJIN E KANE NJEREZIT.

  2. …Bledi, në një plan të parë, ti cek çështje që janë reale dhe shtron probleme, për zgjidhjen – për fat të keq në të shkuarën – e mundshme të të cilëve, ato që propozoni, duken butësisht të arsyeshme dhe përherë, në një vështrim të parë, si funksionale. Fakti që duhet të kishin ndodhur – meqë historia nuk ta jep dorën dy herë – është jo dhe aq shkaku i asaj të vërtete që Xha Xhai e sheh si katastrofë – nostalgjia helmuese dhe paralizuese, dhe vdekja si shpëtim – por gjymtyrë e binomit të saj.
    Unë e lexova dhe mbrëmë shkrimin, dhe më ka kapi, paraliza që më kap përherë kur përpiqem të përfytyroj dhe kuptoj sesi janë shqiptarët, nëse ka ndonjë sekret që është për ne i veçantë dhe karakteristik, ndonjë cilësi spjeguese apo ndihmëse, ndonjë gjendje organike apo faktor themeltar që ende nuk është përmendur, hulumtuar, apo zbuluar.
    Unë mendoj se shkrimi i Xha Xhaxhait, më shumë sesa një tekst që hedh dritë mbi arsyet e mjerimit aktual, duhet ndoshta të shihet si një teoremë, vërtetimi i së cilës duhet të angazhojë një antropologji më radikale. Ashtu siç shkrimi sipërfaqsor dhe deskriptiv i Ypit, i shërbeu Xha Xhait për analizat dhe hipotezat e veta.
    Mund të vihet re, jo me shumë mund, se mjerimi intelektual dhe shpirtëror i shqiptarëve, është eventual jo vetëm për fshatin shqiptar, por për masat e shqiptarëve kudo që janë nëpër botë.
    Çështjet për të cilat unë e kam fjalën – dhe më vjen keq që nuk e kam lexuar ende gjithë materialin e këtushëm – ngrihen poetikisht në një shkrim tjetër, “Caqet e metaforës“. Një lexim mjaft i rëndësishëm për mendimin tim.
    Ekziston një humnerë e gjerë midis asaj që shqiptarët përpiqen të kujtojnë se janë dhe asaj që të tjerët kujtojnë në, rastin më të keq dhe nuk dinë, në rastin më të mirë, se si ata janë. Shqiptarët nuk duken sa kanë një identitet të
    dëshifrueshëm dhe të përshkrueshëm për ata vetë. Të vetmet cilësi me të cilat ne krenohemi më kot, janë ca nocione abstraktë të ushqyer me dhunë, por aspak të kapshëm, si mikpritja, bujaria, trimëria, besa (kjo e fundit qamet ironike) të cilat mund të shërbejnë si motive të ndonjë himni kombëtar, por nuk janë fare pjesë e ndonjë qasjeje të ndershme dhe “dialektike” për të ta parë veten në pasqyrë. Kush jemi ne? Prej nga vërtetë vijmë? Çfarë vërtetë na përfaqson? Kush është historia jonë e vërtetë?
    Nëse është e vërtetë se një popull fiton vetëdije kombëtare kur ajo masë njerëzish identifikon një armik të përbashkët, çfarë do ishte sikur me këtë premisë të hulumtohej mundësia teorike se; shqiptarët vetë kanë qenë më shumë se shpesh, armiqtë historikë të vetes së tyre?
    Nëse është e vërtetë se në përfaqsojmë një lloj ekzoticizmi radikal, edhe për shkak të pozicionit gjeografik, çfarë mundësish reale ekzistojnë që shqiptarët ta përqafojnë atë imazh? Pjesë thelbësore e atij ekzoticizimi do ishte rishikimi tërësor i historisë, të hidhej dyshim i thellë mbi tezat gjithësesi të dyshimta – aktuale që përkufizojnë vlerat e lëvizjeve kombëtare të çdo periudhe, të pohoeshin së pari difektet, mangësitë, të këqiat, problemet, fajet, shëmtitë. Kjo jo si ndonjë formë autokritike e si apologji, por me një gjakftohtësi kirurgësh dhe pasion mesianik.
    Fshati që ju e mbiemërzoni si parakomunist, ai imazh idilik dhe psikolirik krijuar me aq dashuri dhe stil nga Kuteli dhe ndonjëherë e me më pak efikasitet, nga Trebeshina, ka shkuar dhe varë njëherë e mirë, Kadareja e ia lau bojrat ia zgjidhi strukturën, njëherë që ky imazh është zhbërë, edhe thirrja për të është e pazëshme, e për atë shkak, çdo reformë për rikrijimin e tij e kotë.
    Shqiptarët së fundi i ka kapur një patriotizëm prej Rilindësish dhe heronjsh sporadikë të poezive të Nolit, natyrisht vetëm në retorikën e tyre, studentë, ish-oficerë, pensionistë, njerëz me moshë dhe përkatësi të dyshimta, evangjelistë, të tjerë të gënjyer keqas dhe të shprishur nëpër universitete publike të Amerikës apo gjetiu…të cilët fantazitë e tyre i ngrenë mbi të njëjtat premisa iluzive që zhgënjyen shqiptarët këta 17 vjet…por meqë pasioni i këtyre është ashquajtshëm i mirëinformuar, zhgënjimi kësaj rradhe mund të ketë pasoja dramatike, kjo do nënkuptonte një Shqipëri që do precipitonte gradualisht në fashizëm, sado absurde të duket si hipotezë.
    Mua më duhet të çohem, por lutem që ky koment që vetëm hedh ndonjë ide refraktare dhe nuk përmban asnjë spjegim të mirfilltë, të mos shihet së paku si ndonjë lloj provokimi, i sofistikuar ose jo, gjithë sa përmendet shkarazi më lart, është prodhim më së shumti i dëshpërimit për të gjetur përgjigje sesa ndonjë ideologji radikale që unë hamendshëm mund të duket se përfaqësoj, pyetjet janë të mirëpritura.

  3. Qe te mos zgjatem .

    Pas riparies se filmit ”Zonja nga Qyteti” , motivi i tij te motivoj njerezit te jetojne ne shat.

    Hiq teprimet komuniste.

    Sot kemi 17 demotivim njerezve qe jetonin ne fshat e punonin aty, qofte te brezit te ri aty, ti perkushtoheshin fshatit, e buqesise si gjeja nje e ekonomise kombetare.

    E kam pare filmin tani pas kaq vitesh me nje sy pozitiv.

    Nuk kam pasur kurre ndonje simpati per ekonomine komuniste, po zevedesusja e saj nuk eshte anarkia e toka e djegur, po gjithnje kam pelqyer ate fshat qe ka qene dhe ne tradite tone me jete e me pune, me familjet e te afermit etj etj e ka nje bukuri.

    Deshtimi i shqiperise pas 90 per mendimin tim ka filluar nga deshtimi ne buqesi, e demotivimi masiv i njerezve, ne shume drejtime, per te punuar e jetuar ne fshat ka qene fatal per vendin.

  4. Xhaxhai thote: “Të jetë kjo e ngjashme me atë që bënë dikur skllevërit e liruar të Jugut amerikan, kur shkuan t’u kërkojnë pronarëve të dikurshëm t’i pranonin përsëri për skllevër, se ashtu, të lirë, nuk po ia dilnin dot?”

    Dhe e kishin gabim ata qe nuk po ia dilnin dot, “ashtu, te lire”? A nuk e kuptonin dot ata qe ajo lloj lirie nuk i bente dot te lire? Nuk dua te keqkuptohem sikur me kete dua te sugjeroj qe keta te kene qene te “pa emancipuar” apo skllever “nga natyra” (kjo do ishte idiote) qe nuk e kuptuan dot vleren e lirise se sapofituar. Perkundrazi, me interson me shume te ve ne pyetje se c’lloj lirie mund te ekzistoje pa pranine e nje zoti, e nje “master-i” te cilit mund t’i falesh a falenderosh. Per shume nga ata qe s’gjejne dot nje lloj perendie te tille ne jeten e tyre te brendshme (intlektuale-emocionale), nje fare feje, nje Enver Hoxhe a Fidel Castro, nje tiran mbetet i domosdoshem.

    In other words, I thought that was an excellent reference to bring up, and a complex topic on its own. But you don’t seem to take it anywhere. In his introduction to a completely different piece of writing (Story of O), the French intellectual Jean Poulhan references the same example from relatively recent history in order to bring across to the reader the urgent need to take the “Story” seriously, politically even (because the erotic is political).

  5. Kjo është një temë që më intereson veçanërisht, prandaj i mirëpres po aq veçanërisht komentet tuaja. Jam i vetëdijshëm se me shkrimin tim vetëm sa e kam gërvishtur një prej çështjeve më kritike të realitetit post-komunist në Shqipëri.
    Shpresoj që së bashku t’i rikthehemi shpesh.
    Unë e kam jetuar realitetin totalitar drejtpërdrejt, prandaj kur ulem të flas për të nuk u shmangem dot elementeve personale, pothuajse autobiografike. Filmi “Zonja nga qyteti”, bie fjala, sot mund të duket madje i këndshëm dhe fluturak, por në kushtet kur qarkullimi i kuadrove (intelektualëve) në fshat, dhe emërimet e detyruara, përsëri në fshat, të studentëve të sapodiplomuar, eksperienca e të parit të atij filmi e humbte pafajësinë, për t’u shndërruar në ankth.
    Fshati, nga njëra anë, i kish hipur qytetit në zverk tamam si ata alienët në romanin “The Puppet Masters”, të Robert A. Heinlein; por nga ana tjetër fshati ishte edhe ferri, ose Tjetërkundi me të cilin kërcënoheshin qytetarët orë e çast.
    Këtu nuk ishte fjala për të çuar njerëz atje, ose për të kontrolluar lëvizjen e popullsisë nëpërmjet pasaportizimit të detyruar; por kryesisht për atë që, duke të dërguar në fshat, regjimi të bënte të ditur se ti nuk kishe kurrfarë lirie individuale, ose të drejte për të zgjedhur.
    Prandaj “Zonja nga qyteti” ishte (dhe për mua mbetet) një film që glorifikonte skllavërinë totalitare.
    Mirëpo Bledi vë në dukje një të vërtetë të madhe, kur e shpjegon krizën e sotme shqiptare si krizë të kapitalit social. Edhe unë, në shkrimin tim, e cek shkarazi se tushemishtasit, nëse përnjimend shqetësohen për të ardhmen, duhet të përpiqen ta restaurojnë sado pak kapitalin social, duke u mbështetur më shumë te njëri-tjetri, e pa shpresuar që këtë restaurim t’jua bëjë qendra, si në kohën e Enverit.
    D. nga ana tjetër, i ka shumë ndriçuese fjalët e veta, dhe gëzohem vërtet që e gjen kohën për të komentuar këtu.
    Vërejtja e XA, që nuk e kam shtjelluar më tej paralelizmin midis fshatit shqiptar të sotëm dhe skllevërve të penduar dje më bëri gjithashtu të mendoj; por edhe më duket se vetë XA ka thënë gjëra me shumë vlerë atje, sidomos në lidhje me nevojën e njeriut për Zot (ose Master), që t’ia heqë udhën.
    Ky argument do të na sillte edhe temën e marrëdhënieve të ndërlikuara midis fesë, fshatit shqiptar dhe provincës shqiptare në përgjithësi; meqë kapitali social mund të ripërtërihet fare mirë nëpërmjet lëvrimit të përmasës shpirtërore, qoftë edhe në kundërvënie me modelin e shëmtuar, materialist të parasë, që kultivohet në Tiranë.

  6. XA thote:

    “In other words, I thought that was an excellent reference to bring up, and a complex topic on its own. But you don’t seem to take it anywhere.”

    Eshte shume normale qe shkrimi nuk te nxjerr kurkund, por kjo, per vete specifiken e problemit dhe kontekstin shqiptar i cili i le problemet ne nivel fonemash. Ne rastin me te mire ato munden te formojne nje fjale, por kurre nuk arriten te formojne nje fjali e cila do te lejonte ndonje forme me te kuptueshme te problemit apo sindromave. Jo se kihet dyshim per shemtine e piktures se pergjithshme, por edhe e shemtuara ka forme.

    Ypi te le pershtypje sikur ka menyre shkrimi gjysem te gatshme. Kurre nuk kam arritur ta lexoj deri ne fund, me ndonje perjashtim te vogel. Rralle kam pare prej tij te shtronte ndonje zgjidhje problemi.

    Duket se ambjenti i tille e frymezon per pjekjen finale.

    Xha Xha thote:

    “Liria individuale dhe teknologjia e komunikimit masiv befas i dhanë Tushemishtit një vetëdije të re, të të qenit skaj i humbur province, i një vendi si Shqipëria që është vetë skaj i humbur province, ku çdo arsye e djeshme për krenari ushqen sot nostalgji të pikëlluara.”

    Plotesisht dakord.

  7. Edhe mua me duket me vend analogjia me sklleverit e liruar te Amerikes, dhe kjo analogji mund te shtjellohet me tej. Ceshtja themelore eshte ajo se cfare eshte kjo liria e fituar, a dime ta perdorim dhe cfare mund te bejme me te. Per mua liria eshte ne rradhe te pare pjesemarrje, dmth qe personi ta ndjeje veten te afte te marre pjese apo te ndikoje ne fatin e bashkesise.
    Masa e lirise mendoj se percaktohet pikerisht edhe nga madhesia e asaj bashkesie edhe nga aftesia per te marre pjese: Robinsoni ne kete kuptim s’ishte i lire (pavaresisht se mund te bente c’te donte) sepse s’kish bashkesi, ne regjim totalitar jam i lire vetem ne familje, pastaj ne demokraci jam supposed te jem i lire ne shkalle komuniteti apo vendi, por duhet edhe te jem i afte. Aftesia pikerisht mesohet me kohe dhe ketu qendron ndryshimi midis nje demokracie te zhvilluar dhe nje demokracie fillimtare ose emergjente. Pra sa me shume shtetasit ta ndjejne veten pjesemarres, aq me te lire jane. Demokracia eshte nje aparat i nderlikuar qe nuk mesohet me nje dite. Pra zezaket e liruar dhe fshataret shqiptare nuk dine c’ta bejne ose perse ta perdorin lirine e fituar, thjesht ngaqe s’kane pasur pervoje, keshtu eshte me afer mendjes qe ta perdorin keq. Por kjo mund te thuhet per per te gjithe shqiptaret, jo vetem per fshataret, perkatesisht tushemishtasit. Nje diktature e ndritur do te ishte mjaft e dobishme, bile zgjidhja me e mire, per vende te tilla si Shqiperia, sepse do te na e mesonte gradualisht ate te bekuar makine demokracie. Ketu qendron nje nga krimet me kobzeza te komunizmit tek ne: nderprerja e dhunshme e nje zhvillimi natyral te shoqerise civile, te “polity” etj.
    Edhe demokracite e zhvilluara nuk u bene te tilla menjehere, dhe ketu mund te diskutohet shume rreth llojeve te ndryshme te kufizimeve te pjesemarrjes ne bashkesi (vende) te ndryshme.

  8. i dashur xhaxha,
    pergezime per stilin,
    nipi
    ps
    vetem disa tema qe dalin nga shkrimi dhe nga komentet:
    liria, diktatura, anarkia;
    fshati dhe qyteti;
    meli dhe ollga: dmth kinematografia shqiptare;
    komunizmi dhe kooperativa;
    fshati parakomunist, malarja, analfabetizmi, vdekshmeria foshnjore;
    na e futi enveri apo ia futem vetes dhe po ia fusim akoma me keq;
    shteti dhe individi dhe paraja;
    qetesia shpirterore vetjake dhe familjare;
    cilesia e jetes, niveli i jetes dhe mbijetesa ne shqiperine e djeshme dhe te sotme;
    globalizimi, liria e individit: paraja dhe… emeigracioni; liria dhe anarkia; demokracia e Zogut I dhe shitja e Shqiperise tek Italia;
    oskidentalizmomania e shqiptareve dhe braktisja e shqiperise nga oksidenti tek lindja komuniste;
    thirrjet “a doni qumesht” dhe qumeshti i tanishem (a e dini se lopet hollandeze me pare peshonin 350 kg, tani 700, jepnin 25-30 litra dhe tani japin 50 litra ne dite, por jetojne nga 12 me pare ne shtate tete vjet tani; dhe se qumeshti eshte tjeter qumesht dhe jo si qumeshti i lopeve te sekretarit te ollges); thirrja dru me pre dhe erresira, se s’ka drita;
    kontrolli dhe superkontrolli i individit nga parate qe i jepen, nga makina qe ka, nga menyra se si vishet, nga zona ku banon, nga perdorimi i kartes se kreditit, dhe kryesisht nga…
    perdorimi i fjales…
    alvi

  9. Me duket se qe te jesh i lire dhe te dish c’te besh me lirine parakupton qe me pare e dije qe nuk ishe i lire, e vuaje mungesen e lirise, aspiroje te cliroheshe, enderroje se c’do beje me lirine sikur ta kishe. Kjo me duket se u mungon fshaterve te Tushemishtit dhe gjithe atyre te tjereve qe nuk gjejne dot veten ne situaten e re post-komuniste.

    Tjeter eshte te vuash mungesat ekonomike, padrejtesite e vogla/te medha dhe te jesh i pakenaqur; e krejt tjeter te kuptosh e te ndjesh se ato ne fakt jane cikerrima ne krahasim me mungesen e madhe te lirise.

    Numri i njerzve (shqiptare/skllever/cfaredo tjeter kategorie) qe jane ne gjendje te bejne kete lloj dallimi nuk eshte shume i madh, mesa kuptohet. Dhe nuk duket as se po rritet, ne rastin tone. Keq-menazhimi qe po i behet lirise dhe demokracise eshte prova.

    Asnje lloj zgjidhje e tipit levizje politike/sociale/ekonomike/reformative/elitare etj. etj. nuk me ngjan se do mund te rrise numrin se afermi. Ndofta nje kombinim i tyre i shtrire ne kohe edhe mundet.

  10. Do ta drejtoj komentin ndaj artikullit qe nisi kete diskutim. Nuk e kuptoj si mund te shahet nje film si Zonja nga Qyteti me nje stil te tille dhe te quhen “budallenj”, “hutaqe”, “derdimene” banoret e Tushemishtit. Por kete me se e pret nga i ashtuquajturi gazetar Edison Ypi, i djathti ekstremist dhe ne fakt shume mendjengushte. Teksti i tij eshte i njeanshem dhe i mbushur me genjeshtra, jo filmi.
    Per mendimin tim “Zonja nga qyteti” eshte nje pasqyre reale e jetes si ne fshat, ashtu edhe ne qytet, me gjithe zbukurimet qe permban. Filmi vlente si shembull edukativ, dhe pse qenka e gabuar te ngrihet ne piedestal puna, qofte ajo ne fshat, dhe te goditen ambiciet e tepruara per pozita ne qytet, transferime, ngritje ne detyre, etj?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin