nga Ardian Vehbiu (botuar në “Shekulli”)
Nuk është e para herë që, me të ardhur vera, plazhet e Sarandës shndërrohen në teatro të vogla të zemëratës publike, teksa turiste të shpenguara kapen gafil duke u shullyer në diell gjysmë lakuriqe. Incidenti i lajmëruar ndodhi rregullisht edhe këtë vit, e njëlloj rregullisht u përcoll nga mediat, së bashku me reagimet tanimë standard: më një anë moralistët, të indinjuarit, mbrojtësit e “fëmijëve” e “të moshuarve” nga degradimi dhe pornografia; më anë tjetër liberalët e ithtarët e të drejtës njerëzore për t’u zhveshur.
Se ç’i shtyn turistet, shqiptare ose të huaja, të zhvishen në ranishtet ende patriarkale të Shqipërisë, kjo vështirë të shpjegohet me një arsye të vetme: mundet ashtu të jenë mësuar, ose kanë pasur vapë, ose i ka porositur gjinekologu, ose kanë kujtuar se nuk po i sheh kush, ose kanë dashur të provokojnë provincën ballkanike, ose të emancipojnë shoqërinë mikpritëse… Ndërkohë opinioni reagon ndaj kësaj lakuriqësie duke kombinuar hipokrizinë standard me shqetësimin e sinqertë për fyerje të ndjeshmërisë publike.
Tek e fundit, shoqërisë shqiptare i duhet tashmë njëfarësoj të përballet me erotizmin pamor në mediat; kultin që i thuret seksualitetit nga elitat; abuzimin e përditshëm me trupin vajzëror në spektaklet televizive e në fotografitë e gazetave e të revistave; balerinat e kudogjendura klubeve të natës e në diskot; promovimin e modave të tilla të veshjes për femrën urbane që t’i shpalosin syrit anonim kodrina e lugje përndryshe intime; përhapjen e sëmundjes ngjitëse të tatuazhit dhe shpim-manipulimeve të tjera estetike-erotike të lëkurës; shumëzimin e kalesave thjesht pornografike në letërsi e gjetiu…
Duket sikur kundërvënia nyjëtohet midis masës së prapambetur patriarkale e tradicionaliste, që refuzon çdo lloj lakuriqësie publike; dhe elitës së ndriçuar, që sheh te lakuriqësia transgresionin ndaj normave të ngurta dhe provinciale, ose edhe dyfytyrësisë të kujt zvetënimin lakmon ta shijojë privatisht vetëm. Madje edhe argumenti i të gjithë atyre që përfushjen publike të hireve femërore e përjetojnë si revoltë a kryengritje ndaj një sistemi social që gruan kërkon ta mbajë larg jetës publike e të ndryrë brenda mureve të pushtetit të burrit, mund të kundërshtohet me argumentin tjetër se, në të vërtetë, pikërisht objektifikimi i femrës ose abuzimi me instinktin mashkullor masiv për t’u tërhequr verbërisht pas një gjiri të zbuluar, kërthize, ose lakoreje të rrëpirtë janë shenja të një poshtërimi të papranueshëm që gjysma e shoqërisë po ia bën gjysmës tjetër ditën për diell. Lakuriqësia nuk e përjashton sofistikën.
Si edhe herë të tjera të ngjashme, leximi që po i bën kultura shqiptare zhveshjes flet më shumë për mekanizmat që sundojnë kulturën vetë, sesa për domethënien e afishimit të lëkurës në Shqipërinë e sotme; edhe pse opinioni publik, në qytet e në fshat, në qendër e në provincë, i stërholluar e i pagdhendur qoftë, duhej të ishte në gjendje të bënte dallim, të paktën, midis lakuriqësisë si tipar të ekzistencës njerëzore më një anë, dhe aktit të zhveshjes, lëkurës dhe ekspozimit, trupit dhe erotizmit më anë tjetër.
Ndërkohë, vetëm pak kilometra larg plazheve të nxehta të Sarandës, kremtohej këto ditë Festivali Ndërkombëtar i Butrintit me pjesëmarrje trupash teatrore nga anë të ndryshme të botës. Ky festival, tashmë i shndërruar në traditë për dashamirësit e teatrit bashkëkohor, është edhe kontekst i përshtatshëm për eksperimentime me estetikën e shfaqjeve skenike, të cilat priten zakonisht me entuziazëm nga të gjithë ata që arrijnë t’i kuptojnë, t’i përvetësojnë e t’i shijojnë.
Ja si e përshkruante pjesën “Fjalët e Dionisit” gazetari anonim në faqen online të Gazetës Shqiptare:
Kjo vepër […] jep pamjen e fshatit, ku banorët çdo vit dalin jashtë tij në një vend të shenjtë. Për të treguar adhurimin bëhen shumë rite dhe vajzat zhyten në joshje, në eros. Kjo është joshja e fillimit që mbaron me një tragjedi të madhe. […] Ndërsa ato që ndjenin pasionin ishin kori i vajzave. Një kor që në ndryshim nga një tjetër i tragjedisë antike, është veprues e ndezës i ekstazave.
[këtu e më poshtë theksimi është imi, AV].
Blerina Goce, e gazetës “Metropol” shkruante për të njëjtën shfaqje:
Eros, ekstazë dhe dramë e shkaktuar nga instikti. Ai është perëndia e verës dhe ahengut, kurse nga pas e ndjekin adhurueset. Epshore, joshëse, të zhveshura duke treguar kurmin e tyre ato janë provokative dhe thjesht njerëzorja. Pasi dëshira nuk mund të shmanget…
Në skenën avangardiste të amfiteatrit të Butrintit zhveshja perceptohet, me të drejtë, si bartëse mesazhi artistik; ku trupi femëror, nëpërmjet aftësisë së natyrshme për të gozhduar vëmendjen e voyeur-it, funksionon si shenjues i domethënies së veprës. Çka mund e duhet diskutuar, është nëse ky efekt estetik e ruan veprimin edhe mbi atë segment të publikut që, përndryshe, revoltohet e thërret policinë kur ndesh në turisten topless te plazhin përbri.
Nga ana tjetër, gjuha e imazhit duket sikur është universale; por vetëm sepse nyjëtohet ndryshe nga gjuha verbale. Besimtari i devotshëm mysliman ose hebre ka të ngjarë ta marrë për pornografi deri edhe një kryevepër të pikturës evropiane si Maya Desnuda, meqë atje ku evropiani liberal sheh art të kulluar, ky tjetri do të shohë vetëm riprodhimin publik, moralisht të censurueshëm e idhujtar, të trupit të zhveshur femëror. Deri edhe prokurori i përgjithshëm John Ashcroft dha urdhër, në 2002, që t’i mbuloheshin gjinjtë gollomesh prej alumini statujës “Shpirti i Drejtësisë,” që hijeshonte një nga sallonet e departamentit federal amerikan të Drejtësisë.
Lakuriqësisë së vajzave në skenën e teatrit të Butrintit do t’i jepen kuptime të ndryshme nga segmente të ndryshme të publikut – për shembull, turistë skandinavë të bartur me traget nga Korfuzi do ta lexojnë si mishërim të pafajësisë pagane; ndërsa imigrantët kukësianë të fshatrave përreth do të ngacmohen fizikisht prej saj; dhe kjo pavarësisht se nudoja në artin evropian ka një histori të vetën që nis që me referimin rilindas ndaj artit klasik grek dhe romak, ose me sfidën humaniste ndaj Mesjetës së krishterë…
Nuk dua të them me këtë se, para se të ngresh zërin kundër zhveshjes turistike në plazhet shqiptare, ose edhe të strippers-ve në lokalet e natës, duhet të kesh kryer një kurs të plotë të historisë së arteve figurative evropiane. Është normale që, teksa lakuriqësia në skenë të amfiteatrit të Butrintit të joshë turizmin kulturor, gjoksi i zbuluar i një vajze buzë detit të skandalizojë qytetarët përreth, madje edhe duke i eksituar ata seksualisht. Çka nuk është ende normale, ka të bëjë me vështirësinë e kulturës shqiptare për t’u mësuar me këtë diferencim leximesh e funksionesh që i jepen të njëjtit objekt – trupit lakuriq.
Mund të pyetet se çfarë i vlen më shumë kulturës së sotme në Shqipëri: provokacioni seksual ose thyerja e tabusë së trupit lakuriq; apo mbrojtja e asaj tradite që lakuriqësinë e toleron vetëm në mjedise private. Kësaj pyetjeje s’i jepet dot përgjigje, pa marrë parasysh rolin krejt të ri që ka marrë moda e të veshurit në mjediset urbane post-totalitare, si reaksion i kuptueshëm, por gjithsesi absurd, ndaj sterilitetit veshmbathës imponuar nga regjimi i vjetër. Nga ana tjetër, derisa tregu e pikas që lëkura e zbuluar e femrës shitet mirë – si e tillë ose e riprodhuar në imazhe e në fjalë – qëndresa ndaj këtij agresioni do të shpërfillet gjithnjë si efekt i një patriarkalizmi të vjetër e tashmë të kapërcyer; edhe pse pak gjë të përbashkët ka midis imazhit të një femre lakuriqe përdorur për të reklamuar cigare ose birrë, dhe dinjitetit femëror promovuar nga liberalizmi perëndimor.
Dihet edhe se veshja shpesh shenjon kufirin midis publikes dhe privates; ose pikërisht atë dallesë mbi të cilën ngrihet shumëçka sublime që e dallon qytetërimin nga egërsia, ose kulturën nga primitivizmi. Në shoqëritë tolerante të Perëndimit, transgresioni është pjesë e lojës, po aq shoqërisht e rregulluar sa edhe norma më tradicionale të sjelljes në publik; por edhe artistët më foshnjorë e kuptojnë se sulmi ndaj një tabuje ka vlerë e do të tërheqë vëmendje, sa kohë që tabuja mbetet e gjithëpushtetshme. Paradoksalisht, mund të thuhej se vetëm ajo shoqëri që i njeh dhe i respekton rregullat e veta, mund të mbijetojë duke mbetur shoqëri e hapur, tolerante dhe e qytetëruar; dhe në këtë aspekt, shoqëria shqiptare nuk ka qenë, as është gati të përballojë agresionin prej kulturës komerciale, të mbështetur në shfrytëzimin monetar të instinktit.
Më kujtohet se si shumë vite më parë, kur kalonim pushimet në plazhet e Himarës, na ndaluan në rrugë një grup vendasish zemërakë, për të na qortuar se baritnim të veshur vetëm me brekë (banjoje) sokakëve të fshatit. Aso kohe episode të tilla ma konfirmonin nevojën për t’i sfiduar normat “e mykura” të bashkëjetesës provinciale; sot më tregojnë, përkundrazi, se për t’i thyer këto norma në kontekste e rrethana të caktuara, duhet t’i mbrojmë e t’i ripërtërijmë gjetiu. Që publiku art-dashës i Francisco Goya-s të shijonte bukurinë e Majës lakuriqe, duhej që gruaja spanjolle të mbetej e veshur dhe ta ruante lakuriqësinë xhelozisht për në dhomë të gjumit; që aktoret greke të zhvishen sot në skenën e amfiteatrit në Butrint, duhet që turistet bregdetare të Sarandës t’i mbajnë mbuluar hiret mahnitëse të gjoksit.
Me fjalë të tjera, transgresioni është tepër i vyer e tepër i shenjtë, për t’u shpërdoruar plazheve publike.
[Një diskutim agresiv, por interesant të këtij artikulli do ta gjeni këtu]
I them bk qe te shohe qofte vetem nje shfaqe te vetme nga Butrinti dhe pastaj te flase. Po injorante si puna jote normal qe nuk arrijne dot te prekin dhe kuptojne imazhin e nje festivali te permasa europiane. Une kam qene spektatore e festivalit pevit dhe jo vetem e kutuar cdo shfaqe te performuar ne Butrint por edhe e kam vleresuar se tepermi. Te pakten medo qe nga butrinti 2000 te vine 300- 400 te huaj ne vit dhe jo njerez anonim por artiste me vlera vine dhe njihen me nje vend te humbur si Shqiperia dhe per me teper e vleresojne ate. Une jetoj jashte dhe e di mire se cfare opinioni kane te huajt per ne. Mundohu te perdoresh arsyen me shume shoku B.K!!!!
E dashur Z., me kë e ke pikërisht? Kush është ky B.K.-ja që e paske vënë në shënjestër?