Ardian Vehbiu, në “Shekulli”, dt. 22 korrik 2007
Tani që shkruaj Republika shqiptare e ka më në fund presidentin e vet; edhe pse motit politik do t’i duhen javë të kthjellohet nga dyshimet, akuzat, kundërakuzat, insinuatat, hipotezat, thashethemet, kërcënimet, mallkimet, thirrjet, ofshamat dhe indinjata e përgjithshme që zakonisht i shoqëron ciklone të tilla.
Megjithatë, këtë shkrim e pata nisur kur palët ende s’ishin marrë vesh për ndonjë kandidat të votueshëm e kur opinioni publik në Shqipëri e gjetiu mes shqiptarëve kudo në botë ndihej përditë e më i fyer që klasa politike në Tiranë s’po ia siguronte dot frytshmërinë e duhur procedurës zgjedhore.
Mediat gjithashtu, të cilat sa e krijuan aq edhe e shfrytëzuan lodhjen e publikut me procedurat zgjedhore e parlamentare, i dhanë hapësirë të tepruar denoncimeve populiste kundër klasës politike shqiptare, edhe pse shumë prej ankimtarëve dukej sikur nuk e kishin të qartë as ç’rol i jep presidentit kushtetuta shqiptare, as që atë figurë e zgjedh parlamenti, jo populli. Nuk munguan as thirrjet për ta ndryshuar kushtetutën…
Një nga akuzat më të rëndomta ndaj klasës politike të përfshirë në negociatat ishte se kësisoj vetë procedura e kërkimit të marrëveshjes po shndërrohej në “pazar” politik, ose shkëmbim lëshimesh, favoresh e privilegjesh midis palëve. Në kontekste të tilla, termi pazar rregullisht vjen me ngarkesë negative, sepse sjell me vete “allish-verishe”, “afera”, “matrapazllëqe”, “pazarllëqe” e “llëqe” të tjera; çka do të jetë trashëguar prej periudhës kur etika e tregut haptazi përbuzej nga komisarët stalinistë me çizme.
Mirëpo qëllimi i negociatave rreth emrave të kandidatëve e që u kurorëzuan me votimin përfundimtar pro Bamir Topit ishte pikërisht që të gjendej një kompromis çfarëdo midis pozitës dhe opozitës; dhe kompromisi s’arrihet veçse nëpërmjet lëshimesh të dyanshme, në situatën ku asnjëra palë s’i imponohet dot tjetrës me forcën e dhunës numerike.
Madje jo vetëm negociatat për emrin e presidentit, por krejt procesi politik në Shqipëri është njëfarësoj i shtrënguar të respektojë këtë etikë “pazari”, ku palët të shkëmbejnë kundërtí për të arritur kompromise; sepse kështu funksionon politika në shoqëritë pluraliste, sado e shëmtuar të duket kjo në momente të caktuara, sidomos kur prej politikanëve kërkohet veprim jo “llogje”.
Një i tillë keqkuptim u rëndua edhe nga acarimi stinor i disa plagëve të vjetra të infrastrukturës publike; sepse vendi ende nuk ka rrugë e hekurudha, qytetarëve nuk u sigurohen dot edhe shërbimet më elementare të dritës, ujit, telefonisë me tel, shëndetit, e mbrojtjes së mjedisit; investuesit e huaj ende nuk po duan të rrezikojnë dhe Shqipëria mbetet ende larg standardeve evropiane në shumë fusha; pavarësia e Kosovës nuk është aq e sigurt sa ç’u duk gjatë vizitës së presidentit amerikan Bush e kështu me radhë.
Në të vërtetë, pyetja drejtuar rëndom politikanëve prej shumë zëdhënësve të opinionit publik gjatë këtyre javëve ishte: si ka mundësi që ju, në këto rrethana, s’po doni ta merrni vesh se vendi ka përparësi të ndryshme nga ç’po duket t’u mundojë juve?
Natyrisht, vendi ka halle e përparësi të tjera; sikurse strukturat që duhet të merren me zgjidhjen e tyre janë të tjera nga strukturat që kanë në ngarkim procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Mirëpo një pjesë e madhe e opinionit publik, edhe pse mërinë e kishte me ekzekutivin, ia shprazi lirisht legjislativit; thuase parlamenti e paskësh fajin për ndërprerjet e furnizimit me drita dhe ujë, ose për agoninë e spitaleve publike në Shqipëri.
Pse ndodh vallë një ngatërresë e tillë?
Pse ta ketë opinioni publik kaq zor të mësohet me pushtetet e ndara; ose me idenë se, brenda sistemit pluralist, politika është kërkim i pandalshëm kompromisesh midis palëve të kundërvëna?
Një arsye do të ishte se opinioni publik është lodhur tashmë me dështimet e klasës politike, me premtimet parazgjedhore, gënjeshtrat, dredhitë, prapaskenat, akuzat banale të liderëve ndaj njëri-tjetrit, pështymën, personalizimin e politikës, protagonizmin e krerëve, krahinizmin, pompozitetin, paturpësinë, dyfytyrësinë, zvetënimin, korrupsionin, prostitucionin e politikës ndaj interesave të biznesit të madh dhe të mafias.
Një tjetër arsye do të ishte se opinioni publik është zhgënjyer edhe me profilet morale dhe intelektuale të atyre burrave dhe grave që kanë dalë në krye të jetës politike në Tiranë; meqë shumë syresh janë e mbeten mediokër edhe kur nuk janë të korruptuar; por më tepër sepse shumëkush atje poshtë ende shpreson që sistemi demokratik të përftojë një klasë të tillë udheqëse, që të shkëlqejë edhe nga pikëpamja intelektuale.
Mirëpo e vërteta do kërkuar edhe më thellë.
Nuk është vetëm publiku që e shpërfill ndarjen e pushteteve dhe i kërkon, bie fjala, parlamentit t’i japë dum çështjes së plazheve e të ujërave të zeza, ose presidentit të dalë me “program” të vetin para popullit; meqë edhe klasa politike në Tiranë e nëpërkëmb këtë parim rregullisht, sa kohë që edhe kreut të ekzekutivit s’iu drodh zëri, në rolin e protagonistit të pamirëpritur, gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për president.
Pleqtë i kanë pasë shpjeguar këto me thënien e urtë se peshku qelbet nga koka.
Me fjalë të tjera, jo vetëm opinioni publik ende nuk e ka të qartë si funksionon sistemi politik në Shqipëri, por edhe vetë klasa politike, që është produkt i këtij sistemi, nuk ia përfill parimet themelore.
Tek e fundit, qytetari mëson për shtetin e vet jo duke lexuar natë e ditë kushtetutën, as duke e mbajtur gazetën zyrtare nën jastëk; por duke e përjetuar politikën si spektakël, sado të improvizuar. Natyrisht, ky spektakël nuk mund të përvetësohet drejtpërdrejt, ose nga poltrona e të ftuarit në sallat e politikës së madhe; por vetëm të përgjohet tërthorazi, falë ndërmjetësimit bujar të mass mediave.
Duke e i hapur publikut vend virtualisht në çdo forum apo event institucional, e duke i shndërruar politikanët në yje të kulturës pop, teknologjitë e reja të komunikimit praktikisht i rithemeluan demokracitë perëndimore. Duke u bërë e tejdukshme jeta politike, publiku tani mund të ndjekë drejtpërsëdrejti shumë procedura që u paraprijnë vendimeve politike, ligjore ose administrative, e me efekt kombëtar ose lokal; por kjo nuk është gjithnjë në të mirë të demokracisë e të funksionimit të institucioneve të saj.
Mënyra si u përcollën prej mediave fazat e ndryshme të procesit të zgjedhjes së presidentit mjafton për ta shembëllzuar këtë të vërtetë të hidhur. Me javë të tëra, në mos me muaj, faqet e para të gazetave dhe minutat hyrëse të emisioneve të lajmeve do të njoftonin rregullisht për ecurinë e negociatave, propozimet dhe kundërpropozimet, manovrat e ndryshme të partive e të tjera procese anësore, ndonjëherë teknike; si të ishte fjala për ngjarje epokale për shtetin shqiptar, Shqipërinë e madje shqiptarinë.
Ky obsesion i mediave me të rëndomtën, të përditshmen e të rastësishmen mund të shpjegohet edhe me vullnetin për të adoptuar, në lëmë të informacionit, të njëjtat kritere estetike dhe komunikuese komerciale që i nënvendosen një “reality show”.
Po a është etike të trajtohet politika si reality show?
Në vende si SHBA, ku demokracia ka traditë disashekullore dhe ndërveprimi i mediave me proceset politike u nënshtrohet rregullisht analizave dhe hulumtimeve nga kritikët, politikanët prej kohësh e kanë kuptuar se politika si teatër kërkon veç protagonistë aktorë.
Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të ish presidentit Ronald Reagan ka rrëfyer, tani së voni, se sjellja publike e atij presidenti përgatitej e planëzohej në hollësitë më triviale; jo vetëm fjalimet, shakatë dhe shprehja e fytyrës; por deri edhe vendet ku presidenti duhej të shkelte kur ecte, të cilat i shenjoheshin në dysheme, me shkumës të bardhë.
Mirëpo klasa politike në Shqipëri ende kujton se mund të admirohet prej publikut vetvetiu, ose pa ndërmjetësinë e ndonjë regjie profesionale; çka lidhet me megalomaninë spontane të liderëve në një shoqëri tradicionalisht të sunduar nga bajraktarë e agallarë; por edhe me shkallën skandaloze të improvizimit që karakterizon marrëdhëniet e shtetarëve tanë me publikun, ose sjelljen e tyre përballë kamerave.
Nuk e kam të qartë nëse fushata për zgjedhje presidenciale i mbizotëroi mass mediat e Tiranës për shkak të trysnisë që u bëjnë këtyre mediave politikanët vetë, të cilët ndoshta edhe riprodhohen duke konsumuar imazhet e vetvetes; apo nëse ishin mediat, të pakënaqura me mediokritetin e klasës politike, që vendosën t’ia nxjerrin kësaj të palarat sheshit, për t’u thënë njerëzve: ja, këta janë liderët që keni zgjedhur e që i paçim me jetë!
Në sondazhet që bëhen rregullisht me publikun amerikan, Forcat e Armatosura dalin gjithnjë në krye të institucioneve më të respektuara; të ndjekura nga Gjykata e Lartë; ndërsa Kongresi dhe Presidenca mbeten gjithnjë andej nga fundi i tabelës së vlerave. Vëzhguesve nuk u ka shpëtuar që Forcat e Armatosura dhe Gjykata e Lartë as zgjidhen me votë të lirë nga qytetarët, as i nënshtrohen detyrimit për tejdukshmëri që kanë institucione të tjera.
Përkundrazi, në Shqipëri institucionet ende janë duke e përftuar një vetëdije të vetën; mediat duke u orientuar ndaj proceseve pluraliste; politikanët duke u stërvitur me rutinat e mërzitshme të artit skenik; e publiku duke përtypur të vërtetën e hidhur se demokracia prodhon shëmti, njëlloj sikurse totalitarizmi gjak dhe autoritarizmi myk.
Nga ky proces i zgjatur i zgjedhjes së presidentit të ri askush nuk doli i larë: politikanët, partitë politike, parlamenti, mediat, vetë opinioni publik. Të metat e procesit ishin edhe të metat e demokracisë shqiptare; prandaj nuk duan quajtur të kapërcyera vetëm ngaqë palët këtë herë e arritën disi kompromisin e duhur dhe ia dhanë republikës presidentin.
Megjithatë, është e vështirë ta heqësh nga mendja dyshimin, sado keqdashës, se jemi ende larg ditës kur sistemi demokratik-pluralist dhe shteti ligjor do të arrijnë të përftojnë, në Shqipëri, palë të denja për t’i riprodhuar, interpretuar e mishëruar me dinjitet.