Çfarë ndodh kur u jep shqiptarëve çfarëdo liri dhe demokraci të plotë në lëmin e ligjërimit publik?
E njëjta gjë që ndodh me ata që fitojnë llotarinë: vlera të çmuara, por të pamerituara, shpërdorohen me shpenzime qesharake, ose investime të çmendura.
Me këtë dua të them që keqpërdorimi që i bëhet lirisë së fjalës në të ashtuquajtura forume “publike” tregon se një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në këto forume e trajtojnë lirinë e fjalës si ta kishin gjetur në rrugë.
Për shembull, diskutohet një çështje nga më madhoret e kritiket për historinë e kombit shqiptar në Ballkan: pavarësia e Kosovës. Debati publik në forume interneti nuk është se do të ndihmojë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, por të paktën mund të ndihmojë pjesëmarrësit dhe lexuesit për t’i kuptuar më mirë problemet, konfliktin e interesave, të drejtën ndërkombëtare.
Mirëpo forumet e pamoderuara kanë logjikën e tyre, që nuk ka të bëjë me arsyen, siç e tregojnë edhe komentet e mëposhtme ndaj lajmit të BalkanWeb për disa vështirësi të reja në lidhje me statusin e Kosovës.
[Raca islame]
Lideret kosovare qarte duhet te tregojne se nuk kane qellime islamike. Duke qene popullsi islamike, serbet e kane kollaj te prishin cdo plan per Kosoven, prandaj nuk duhet mbylle goja sepse keshtu bota ka frike nga islamiket. Islamiket jane rrace e keqe dhe prandaj kosovaret duhet te distancohen. E them kete per te miren e Kosoves, sepse jane vellezer, pavaresisht se ata u dorezuan te turku.
[Shqipëria e madhe]
Tash kemi pervoje ne Lufte dhe nuk jemi te varfer!! Kemi te gjitha mundesit qe prej Pavaresise te realizojme endrren per bashkimin e te gjitha trojeve shqiptare ne nje shtet te quajtur Shqiperija e Madhe!!! Dhe atehere le te pregaditen evropianet qe ti marrin ne mbrojtje Serbet sepse nuk do te kan vend ne trojet e Ballkanit!!!
[Hapni arkivat]
Ju siguroj se edhe injoranti me i thekur e din shume mire se cila eshte historia e vertete e shqiptareve. Ata nuk jane as ortodokse dhe as myslimane. “Pyeteni” Gjergj Kastriotin qe t’ju tregoje per kete. Hapni arkivat te shikoni se si dhe pse pas vdekjes se tij, (Skenderbeut) ne shqiptaret u kthyem masivisht ne “turq”.
[Gishtin në plagë]
Pra harrojme se te zezen me te madhe na e bene turqit, dhe mandej u vume ne fokus te krimineleve ortodokse. Pra i nderuar […], ta kesh te qarte se neve nuk bejme perpara as duke u anetaresuar ne Konferencen Islamike dhe as duke u falur gjate me b….. perpjete.
[Vdekje shpiunave]
E gjith populli shqiptar duhet te bashkohemi e te bejme nje lufte kunder armikut te perbetuar ortodoks t’i zhdukim nga Ballkani kete race te felliqte, vellezer siq po e shifni armiku sone esht serbi greku rusi edhe partia socialiste ne Shqiperi po mundohen qe popullin shqiptar ta zhdukin. Ne duhet te jemi te bashkuar e ti luftojme, se kjo race e flliqur don vetem plumb e barut. Vdekje shpiunave vdekje armiqve. Rroft Shqiperia e madhe me aleatet e saj.
[Lufta e Tretë]
Kosova, ose do jete e bashkuar me Shqiperine ose zjarri qe do ndizet do te ndeze tere boten, kete e dine mire serbet greket dhe ruset, shqipetare behuni gati per lufte te vertete me serbe dhe greke.
[Me gjuhën e fakteve]
Feja s’ka pas rrenje te forta tek shqiptaret. Kosovaret kane qene te pafuqishem dhe ne nje fare menyre u bashkuan nepermjet asaj feje te mallkuar kundra serbit. Fakti eshte qe feja “ortodokse” i ka rrenjet tek jugu i Shqiperise dhe veriu i Greqise qe nga krijimi. Kafshet e Serbise u kthyen me vone nga kisha greke.
[Ibrahimi me kryq]
Serbet jane rrace e keqe dhe mu me vjen keq per kosovaret qe u duhesh te harxhonin kohe me kete fare te keqe. Po çdo kosovar duhet te behet si Ibrahim Rugova, qe t’i tregoje serbeve qe ne e njofim kryqin perpara atyre.
[Papa i Venedikut]
A ju jeni medemek ato katoliket has shqipetar ne Amerikë, qe emrat i keni pothuaj tan amerikan, e ne shtepitë tuaja flitet pothuaj vec anglisht,e qe femijet bejn martesa me rraca te juaja, vec qe na qenkan katolike. Kurse ne Mal te Zi, ska familje katolike qe nuk ka zen kumbari e vllazeri me sllavo-malazias…Po a nuk ishte vet Papa i Venedikut ai qe e la ne balt dhe e tradhtoj Skenderbeun, bile edhe e ka sulmuar, kur e luftonte turkun.
[Le të plasë]
Gati per lufte jam dhe po qe nevoja le te vritem se nuk ka nder me te madh se te derdhesh gjak ne token e Skenderbeut dhe te vdesesh me nder tamam si nipi tij. Le te plasi lufta se inat i kam serbet dhe pastaj do t’u kthehem grekerve.
E kështu me radhë, që të vësh kujën.
Do të më thonë se këta që flasin kështu nuk përfaqësojnë shqiptarët, por vetëm pjesën më ekstreme, më radikale e më të zhurmshme të nacionalizmit shqiptar; ose të rinj axhaminj që kujtojnë se mund të shprehen në publik vetëm duke përqafuar artificialisht pozicione të tilla tepër agresive, ose përçarëse; me fjalë të tjera që kjo nuk është simptomë e ndonjë egërsie kushedi çfarë, por vetëm spektakël i saj; ose një ekzorcizim i shqiptarisë të përjetuar përndryshe si fyerje.
Do të më thonë edhe se ligjëruesit janë veç qyqarë të paditur e robër të atyre pak tipareve kulturore që ia njohin dot vetes, e që i lejojnë të ndihen pjesëtarë të një grupi, ose fisi; njerëz që nuk kanë pasur kohë e mjete e mundësi ta përjetojnë dot shqiptarinë përtej kufijve tribalë të familjes e të katundit në zgrip të malit.
Mirëpo e vërteta është se zëra të tillë po vijnë duke u shtuar krahas me shtimin e numrit të përdoruesve shqiptarë të Internetit, dhe se debate të kësaj natyre (nëse mund të quhen debate) i ndesh në të gjitha ato forume ku komentet nuk moderohen.
BalkanWeb është në pararojë të këtij eksperimenti demokratik me fjalën anonime, por edhe forume të tjera nuk mbeten prapa, si në disa gazeta shqiptare (“Koha Jonë”); ndonëse prirja është që çdo lloj debati i lënë në mëshirë të fatit do të degradojë shumë shpejt në përplasje arketipale mes të mirëve dhe të ligjve, ose gjyqe pompoze ku dënohen simbolikisht e rregullisht me vdekje armiqtë tradicionalë të “shqiptarit” – që sipas rastit janë serbët, grekët, turqit ose të tre popujt së bashku; por edhe e sidomos shqiptarët e tjerë, ata të fshatit tjetër, të krahinës tjetër, të dialektit tjetër, të fesë tjetër; ata që e mbajnë festen të përkulur majtas jo djathtas, ose mustaqet të përdredhura së larti jo së poshtmi; kryqat e synetlinjtë…
Çka më tërheq vëmendjen në këto shkëmbime nuk është aq vulgariteti, as egërsia me të cilën i drejtohen këta njerëz atyre që i perceptojnë si të grupit tjetër; madje as edhe që shqiptarët, pas kolapsit të totalitarizmit në Shqipëri e të utopisë federative të Jugosllavisë së Titos, po koagulohen gjithnjë e më tepër rreth identiteteve fetare. Këto janë gjëra të konstatuara prej kohësh. Përkundrazi, më tërheq vëmendjen që, edhe kur është fjala për një temë me rëndësi kritike për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan, debatuesit menjëherë i hidhen në fyt njëri-tjetrit, si macet kur i fut në torbë.
Një vëzhgues naiv e i paanshëm, për shembull nga Japonia ose nga Paraguaj, do të arrinte në përfundimin që një popull i cili e percepton veten në mënyrë kaq përçarëse ndoshta nuk është gati për të pasur një shtet të dytë në Ballkan.
Një vëzhgues që, përkundrazi, njeh diçka nga historia e vonë e shqiptarëve në Ballkan, do të lejohej të mendonte që një brez që shprehet në këtë mënyrë është brez i gjymtuar mendërisht nga kriza e tmerrshme arsimore që kaploi Kosovën që prej vitit 1980 dhe Shqipërinë që prej vitit 1990; ose një brez i egërsuar sepse askush nuk ka pasur kohë për ta zbutur, për ta ushqyer me dije, për ta shëtitur trevë më trevë, për ta mësuar me art e me bukuri, për t’i treguar dhembshuri e për t’i lënë të kuptojë se nuk është braktisur prej autoritetit dashamirës.
Identifikimi i këtyre të rinjve me fetë është i llojit dëshpërimtar; do marrë më tepër si efekt anësor i alarmit të tyre përballë zhvillimesh në të cilat nuk marrin dot pjesë.
Janë individë nga halli, por në kërkim të përhershëm të një turme së cilës t’i përkasin; prandaj atyre lirinë nuk ua jep dot, sa kohë që janë robër totalë të idhujve të cilëve u gjunjëzohen së bashku.
Janë individë nga halli, sepse e gjejnë veten larg mjedisit të tyre të origjinës e në pamundësi për të komunikuar natyrshëm me shqiptarë të ndryshëm prej tyre; prandaj në gojë të tyre urrejtja s’është veçse një formë e pranueshme e frikës.
Janë individë nga halli, sepse individualiteti i tyre është nënprodukt i vetmisë.
Nuk jam në gjendje t’i jap përgjigje pyetjes nëse Kosova, si shtet i ardhshëm shqiptar në Ballkan, mund të themelohet vërtet për së mbari mbi turma që mendojnë kësisoj; sepse kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh me argumente e fakte historike… Vuajtjet, persekutimet dhe dhuna prodhojnë vërtet viktima e gjymtime; por statusi prej viktime nuk është institucion qytetar.
Do të më thonë përsëri – këta njerëz janë vetëm një pakicë, sado e zhurmshme; sepse të tjerët janë të qetë e të matur, shohin punën e tyre e nuk përzihen me politikë. Pikërisht. Politika dhe pushteti kanë qenë rregullisht çështje të një pakice përkundrejt pakicash të tjera; në dëm të shumicës së heshtur të të gjithë atyre që nuk e ndërpresin rutinën e dasmave, fejesave, mortit, ditëve të pazarit e vajtjeve në kishë e xhami…
E kam fjalën që me turma kaq shkumuese, e vetmja politikë e mundshme është populizmi. Edhe pse Evropa nuk i lejon më zhvillimet autoritare në shtetet e veta as regjimet e kolonelëve, turmat të cilave bujshëm u është dhënë tashmë liria e fjalës kujdesen menjëherë vetë për ta kthyer këtë liri në një karikaturë të vetvetes.
Analizë e përkryer.
Janë paraqitur pasojat,
gjetur dhe shkaqet…….
…propozime për eliminimin e këtij fenomeni???
Sepse është pikërisht kjo liri fjale (ose më mirë të them, mundësia që ofron interneti) që i “lejon” të gjithë të japin sentenca, por pa mundur të japin një zgjidhje.
Pastaj, edhe nëse ndokush ofron një zgjidhje… ndodh si tek “shporta e karavidheve” … 🙁
Edrus, të falënderoj për komentin dhe vlerësimin.
Sa për “eliminimin e fenomenit”, besoj se zgjidhjet do të jenë gjithnjë kontekstuale, ose në vartësi të rrethanave.
Para se të gjenden zgjidhjet, njerëzit duan ndërgjegjësuar se kjo gangrenë e shqiptarisë ka nevojë për bisturi dhe se shfaqje të tilla nuk duhen trajtuar më me mirëdashjen e tipit “hë se janë patriotë, u falet.” Me fjalë të tjera, angazhimi personal në emër të patriotizmit nuk përbën ndonjë arsye shfajësimi. Përndryshe, secili jep zgjidhje në pajtim me rrethanat. Për shembull, në këtë blog, komente të asaj natyre nuk do të afishohen. Atë që të tjerët do ta quanin censurë, unë do ta quaja praktikë kopshtarie. Nëse duam që ara të na japë grurë, duhet ta mbrojmë nga barërat e këqia. E them këtë sepse dukuria është pasojë e respektimit të lirisë së fjalës, por jo shprehje e ushtrimit të kësaj lirie. Nxitja e përçarjes dhe e urrejtjes mbi baza fetare nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës për individin, meqë në atë rast individin e flet grupi; dhe ndryshe nga të tjerë unë nuk besoj se të drejtat e njeriut mund të transpozohen tale quale mbi të drejtat e grupeve. Në të tjera instanca mund të gjenden mënyra të tjera për t’iu kundërvënë shëmtimit — për shembull në arsim, ose në mediat, duke u kujdesur më shumë për kultivimin e individualitetit, e duke e zbutur identifikimin me familjen, fisin dhe grupin. Martesat e përziera mes shqiptarësh do të ndihmonin gjithashtu… Por unë nuk jam në pozicionin më të përshtatshëm për të propozuar zgjidhje; jam i sigurtë se ka njerëz që mund ta bëjnë këtë shumë më mirë se unë.
“zgjidhjet do të jenë gjithnjë kontekstuale, ose në vartësi të rrethanave.”
Këtej nga “anët” e mija, e quajnë “teoria della carota e del bastone” këtë vartësi nga rrethanat 🙂
Një mënyrë për të rritur ‘pjekurinë’ e Atyre që citoje më sipër, është dhe përfshirja e tyre gjithnjë e më shpesh në diskutime.
Dhe jo në diskutime dokudo, por në blogje dhe forume, ku të paktën autorët të kenë mirësinë që në rradhë të parë TË FLASIN SHQIP (dhe përfitoj nga rasti t’ju bëj komplimentet e mija më të sinqerta për gjuhën e përdorur në shkrimet tuaja), dhe së dyti të mos pranohen komente që kanë më pak se tre fjali.
Përsa i përket së parës, janë të detyruar, sepse nuk mund të ç’tjetërsohemi nga ajo që:siç është vëndi, bëhet kuvëndi, dhe e folura e një Shqipe të pastërt, mënjanon dhe përdorimin e ‘harbutërisë’ në diskutime.
Ndërsa përsa i përket së dytës,mund të tingëllojë çuditshëm, por kështu janë “të detyruar” të realizojnë një frazë kuptimplotë ndryshe nga komentet njërrokshe ose të mbushur me banalitete me të cilat janë ‘mësuar’ të shprehen.
Rrugët dhe mënyrat janë të shumta, por edhe këto ‘vogëlsira’ nëse ndiqen me kujdes… japin rezultatet e tyre.
http://bp2.blogger.com/_L2Cw59TqKWI/RbuZpysedbI/AAAAAAAAAHQ/–smBCj8fX4/s1600-h/Report_Page_44.jpg
Ndoshta keta qe ‘bertasin’ nuk jane ‘pakica’ por shumica qe nuk lejohet te flase ndryshe.
http://www.balkan-commission.org/activities/Report.pdf
According to the survey, the breakdown of Macedonia and the establishment of a Greater Albania are two developments that could destabilise the region. The results of the survey show a relatively high acceptance of the idea of a “Greater Albania” among the Albanian populations of both Kosovo and Albania. As a whole, they differ from other groups in the region in their view that a future unification of Kosovo and Albania is both desirable and possible (figure 6). This suggests that the process of nation-building among Albanian communities in the Balkans is still in progress. If the international community fails to offer a convincing European perspective to the region, it might bolster support for a Greater Albania or a Greater Kosovo among Albanians. The international community should send a clear message that Greater Albania or Greater Kosovo is not an option.
“Teoria della carota e del bastone” e ka të njëvlefshmin në shqip prej kohësh, si “teoria e kulaçit dhe e kërbaçit”.
Kushti i tre fjalive më kujtoi një anekdotë:
Do të bëj ç’të duash
Një burrë qe ulur në një bar, për një gotë pas pune, kur atje hyri një femër me bukuri të rrallë. Kaq mahnitëse qe, saqë burri nuk po i hiqte dot sytë prej saj. Bukuroshja e vuri re ngulitjen e syve dhe mori drejt tij.
Para se të shfajësohej për mungesën e taktit, gruaja i thotë, ‘Për 100 euro, do të bëj ç’të duash, çfarëdo qoftë ajo që dëshiron të të bëj , pa pyetur se çfarë do të ishte, por vetëm me një kusht.’
I shtangur, burri pyeti se cili qe kushti.
Zonjusha iu përgjigj, ‘Atë që don të të bëj, të ma thuash vetëm me tre fjalë.’
Burri, për një çast, e mendoi propozimin, nxorri portofolin nga xhepi, numëroi ngadalë pesë kartëmonedha 20 euroshe, që ja ngjiti në dorë zonjushës.
E pa ngultas në sy dhe me qetësi, duke peshuar fjalët tha, ‘Më lyej shtëpinë.’
Nje problem qe kam une me pjesemarrjen neper forume e diskutime politike, eshte fakti qe cdo mendim i arsyeshem e serioz mbytet nga tridhjete te tjere qe deklarojne patriotizmin, besnikerine, fetarine e ku di une cfare-rine tjeter. Tallje dhe fyerje personale jane te rendit te dites dhe behen teper te bezdisura e te pafrytshme sepse e gjen veten ne pozicion mbrojtes, ne vend qe te sqarohesh per ceshtjen qe ke ngritur ose po diskuton.
Prandaj edhe mua me pelqen teoria e “kulacit dhe e kerbacit”.