Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

Bijtë e Spartakut

Temën etër e bij e kam cekur edhe më parë; por është një nga ato tema që janë të dënuara të kthehen përgjithnjë.

Mirëpo ende ka njerëz që të keqen në Shqipëri nuk e shohin veçse si një formë të kamufluar të komunizmit. Disa nga këta njerëz kanë vuajtur, ndoshta janë persekutuar ata vetë dhe familjet e tyre, dhe tani nuk mund ta durojnë dot të shohin fëmijët e persekutuesve të tyre të djeshëm të kapardisen në krye të pushtetit.

Këtyre dua t’u them se as mua nuk më vjen mirë; por njëlloj nuk më vjen mirë të gjykojmë bijtë për gjynahet e etërve. T’u ngarkosh fëmijëve të komunistëve përgjegjësinë për krimet e komunizmit në Shqipëri është shprehje e një mendësie të cilin pikërisht komunistët e shndërruan në metodë shkencore të trajtimit të njerëzve.

Çështja mund të shtrohet edhe kështu: maskarallëku në Shqipërinë e Pasluftës u duhet faturuar i tëri komunistëve, apo mos vallë një pjesë të shëmtisë pushtetarët komunistë e gjetën të gatshme në popull dhe vetëm sa e kultivuan?

Nëse për mjerimin e sotëm politik në Shqipëri bëjmë me faj “trimat” e Enverit, atëherë pse të mos e vazhdojmë arsyetimin dhe, për mjerimin e djeshëm politik në Shqipëri të bëjmë me faj baballarët e atyre trimave?

Pyes: nga vinin komunistët shqiptarë? Sado të përpiqen disa specialistë të racës, një pjesë e mirë e tyre nga Shqipëria vinin; bij familjesh shqiptare, pjellë nga nëna shqiptare. Qytetarë dhe fshatarë të mbretërisë shqiptare, një pjesë madje edhe me shkollë të madhe.

Sidoqë ta rrotullosh, komunizmi shqiptar ishte po aq shqiptar, nga rrënjët e nga bëmat, sa edhe antikomunizmi shqiptar.

Dikur pata hedhur mendimin, gjysmë me shaka, se po të niseshim nga arsyetime biologjike, për të folur për “genin” e keq të komunistit, atëherë do të duhej të pranonim se bijtë e komunistëve të djeshëm sot pas gjase do të jenë më të vendosurit e antikomunistëve – meqë kanë trashëguar prej etërve genin e të ngriturit krye KUNDËR autoritetit familjar e prindëror.

Po kur flas për antikomunizëm, zakonisht nuk kam parasysh pasionin e të gjithë atyre që i urryen komunistët sepse këta nuk i qasën në refene.

Si çdo totalitarizëm, edhe totalitarizmi shqiptar zakonisht i prodhonte armiqtë e vet në seri. Dihet se një shumicë të dënuarish dhe të persekutuarish politikë gjatë atij gjysmë shekulli u bënë armiq të regjimit me vendim gjyqi.

Unë nuk i marr dot seriozisht të gjithë ata që vazhdojnë të luftojnë me mullinjtë e erës të “komunizmit” në Shqipëri. Sot komunizmi nuk përfaqëson ndonjë farë rreziku për atë vend; përkundrazi, rreziku i fashizmit është rrezik real, që meriton vëmendje.

Nuk është çudi që komunistët e djeshëm t’i shohësh sot të kultivojnë ide dhe vizione haptazi fashiste. Nuk është çudi as që fëmijët e komunistëve të djeshëm t’i shohësh sot të përqafojnë ideologji të tjera “korrekte”, ose t’u falen idhujve me ngjyra të tjera nga e kuqja.

Kjo nuk ka të bëjë me komunizmin.

Kjo ka të bëjë, besoj unë, me një “gen” ose predispozitë të angazhimit social dhe politik, i cili ndoshta trashëgohet. Ka njerëz që janë absolutisht të kënaqur të kalojnë gjithë jetën duke kompozuar këngë për fëmijë; të tjerë mendojnë vetëm për paratë që kanë në bankë; ka njerëz që nuk e heqin dot nga mendja futbollin, ose seksin, ose alkoolin. Dallimi kryesor midis një filatelisti dhe një zbutësi luanësh nuk është i natyrës sociologjike ose kulturore; por ka të bëjë me një predispozitë psikologjike e cila është në masë të madhe e trashëguar.

Në këtë kuptim, disa familje e fise janë më të angazhuara se të tjerat në çështje publike; të tjera i përkushtohen biznesit; e të tjera artit. Kjo nuk ka lidhje fare me profilin etik të pinjollëve përkatës, as me natyrën e angazhimit publik.

Mbaj mend të kem lexuar dikur një analizë për Gianfranco Fini-n në një gazetë italiane, në të cilën thuhej se Fini, pavarësisht ngase militonte në një parti të djathtë, ishte në thelb politikan “i kulluar”, dhe njëlloj mund të kishte përfunduar edhe me socialistët e Craxi-t, ose me komunistët e Occhetto-s.

Kam përshtypjen se shumë nga politikanët e sotëm shqiptarë nuk u rrinë dot larg posteve publike, njëlloj sikurse kumarxhiu nuk i rri dot larg kazinosë, ose qejfliu bordellos. Për këtë as i dënon dot, as i lavdëron dot. Bëjnë ashtu sepse nuk bëjnë dot ndryshe.

E ndalon dot lulediellin të ndjekë diellin nga pas në qiell gjithë ditën e Perëndisë?

E kam fjalën që edhe angazhimi në politikë është një lloj heliotropizmi; i ka rrënjët në sistemin limbik, jo në korteks.

Përkundrazi, se çfarë politike bëhet sot në Shqipëri, kjo përcaktohet sa nga rrethanat e sotme, aq edhe nga tradita që na kanë lënë peshqesh xhahilët e djeshëm; ose nga mënyra si përpiqet të funksionojë shoqëria shqiptare në tërësinë e vet.

[2007]

2 Komente

  1. “komunizem” = “laramanizem” = “kameleonizem” = “metamorfoze” = “denatyralizim” i llojit qe te del nje dore nga stomaku dhe nje sy ne shputen e kembes, njefare njolle me “reliev”, pra tre dimensionale, jo njeplaneshe. Njefare gangreni me aftesi mbijetuese dhe riperteritese qe ne i injorojme, tamam sic thate edhe ju, “komunistët e djeshëm t’i shohësh sot të kultivojnë ide dhe vizione haptazi fashiste”. Kryekeput laramanizem i pafytyre.

    Thene ndryshe, te jesh komunist eshte semundje, pra kur degjon dike te thote “Jam komunist.”, duhet pyetur “A kuroheni?” – dhe nese degjon qe thote “Kam qene komunist.” duhet pyetur “A je sheruar plotesisht?”

    Ata femijet e atyre kamunisteve do benin mire per vete te tyre dhe per te tjeret, te mos i ndiqnin gjurmet e prinderve.

    Me ndje Xhaxha, por “dashuria” ime ndaj komunisteve eshte patologjike.

  2. Te mos ishe komunist atehere ka qene krim.
    Te kesh qene komunist atehere sot qenka turp?

    Ka dicka qe nuk shkon.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin