Sa i keni ndjekur historitë e kryqeve të krishtera ngritur maleve e kodrave të atdheut?
Në Kërrabë kryqi ende ka mbetur i patundur, megjithë disa negociata vullnetmirë të komuniteteve përgatëse. Në Sarandë i vunë dinamitin, por kjo papritur u protestua nga “shoqëria civile”, d.m.th. nga gazeta “Koha Jonë”.
Kryqi i Sarandës, lexoj, ishte dhjetë metra i lartë dhe i ngritur në një park kombëtar.
“Koha Jonë” e krahasonte prishjen e kryqeve me fushatën totalitare të vitit 1967. Një tjetër gazetar, u bënte thirrje myslimanëve të përfytyronin se çfarë traume do të ishte për ta sikur t’i vinin dinamitin xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë.
Ç’punë ka kryqi në majë të kodrës?
Në një vend fesh të ndryshme si Shqipëria, përdorimi i simboleve (pseudo)fetare, sidomos kur bëhet në mënyrë jotradicionale, nuk është pa rreziqe. Aq më tepër që simbolet fetare e kanë vendin brenda objekteve të kultit, jo në gjeografi.
Lexoj edhe se praktika e ngritjes së këtyre kryqeve kaba në lartësi dominuese është marrë nga grekët. Mbaj mend që tek-tuk të kem parë ndonjë të tillë në Itali, por në zona të prapambetura, si p.sh. në periferi të Napolit.
Por Shqipëria nuk është as Greqi as Itali. Për mendimin tim, ata që i kanë ngritur kryqet, nuk janë menduar mirë ose, në rastin më të keq, po ua tatojnë pulsin myslimanëve.
Bashkëjetesa paqësore e feve në Shqipëri mbështetet në diskrecionin. Unë nuk mund të kuptoj as tolerimin që i bëhet agresionit akustik të mezanit nga majat e xhamive, por të paktën ky është pjesë tradicionale e ritit, nuk mund të syprimohet pa traumë.
Por kryqet si monumente nuk janë pjesë tradicionale të ritit. Vendimi i administratës për t’i dinamituar është për t’u mbështetur. Deri dje, na zinin sytë simbolet e komunizmit. Me shumë mund, arritëm t’i shqepim, t’i shlyejmë e t’i shembim. Por jo për t’i zëvendësuar me toteme të krishtera a myslimane qofshin.
Të krishterët e devotshëm në Shqipëri nuk kanë nevojë për këtë ndotje të pejzazhit. Kishat i kanë, ligjet që i mbrojnë i kanë. Përndryshe, askush prej nuk mund të kërkojë t’ia varë Shqipërisë kryqin në qafë.[2004]