Në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbanken” në Stokholm të Suedisë përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur. Pas gjashtë ditë traktativash të policisë suedeze me pengmarrësit, kriza u zgjidh kënaqshëm dhe pengjet u liruan të padëmtuar – po të përjashtojmë sjelljen e tyre të çuditshme në ditët, javët dhe muajt pas këtij incidenti. Sepse viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të kusarëve. Psikologët që e studiuan këtë rravgim në dukje absurd, e quajtën “sindroma e Stokholmit”. Menjëherë u vu re se kjo sindromë ndeshej rëndom në situata pengmarrjeje, por edhe në situata të tjera ku njëra palë mund të ushtronte lirisht dhunë ekstreme ndaj palës tjetër: në burgje e kampe përqendrimi, në marrëdhëniet midis shfrytëzuesve dhe prostitutave, ose edhe në familje ku burri keqtrajtonte gruan ose fëmijët.
Sindroma e Stokholmit mendohet se mund të përftohet në rrethanat që vijojnë:
- Një person kërcënohet se do ta vrasë një person tjetër, dhe duket se është në gjendje që ta bëjë këtë.
- Personi i kërcënuar nuk mund të largohet nga kjo situatë, prandaj e percepton jetën e vet si në duart e abuzuesit.
- Personi i kërcënuar është i izoluar nga mjedisi rrethues, në kuptimin që e vetmja perspektivë që ka, përveç së vetës, është ajo e personit kërcënues.
- Personi kërcënues, herë pas here, tregon njëfarë dhemshurie ndaj viktimës.
Sipas disa autorëve, mjaftojnë tre-katër ditë në këtë lloj situate, që viktima të fillojë të ndiejë simpati ose mirëkuptim për xhelatin. Kjo është shpjeguar me adoptimin nga ana e viktimës e një strategjie pothuajse instinktive për të mbijetuar, duke ia bërë qejfin personit që i ka jetën në dorë dhe duke u identifikuar me këndvështrimin e tij ndaj botës. Gjithashtu, në viktimat, frika fillestare nga xhelati shndërrohet gradualisht në mirënjohje që ky po ua “shpëton” jetën.
o o o
Nuk di të jenë bërë studime mbi dëmet psikologjike të dhunës totalitare ndaj të arrestuarve dhe të burgosurve, ose edhe ndaj popullsisë në përgjithësi, në Shqipërinë e viteve 1945-1990. Por fakt është që katër rrethanat e lartpërmendura që gjenerojnë një përgjigje psikologjike të tipit të Sindromës së Stokholmit kanë qenë tipike për jetën nën regjimin policor të Hoxhës dhe kanë ndikuar në masë të madhe në “dashurinë” e masave për xhelatët totalitarë.
Në mënyrë të veçantë, krijimi i rrethanave të izolimit të plotë nga mjedisi i jashtëm dhe të reduktimit të kontakteve ndërpersonale në një njeri të vetëm: hetuesin, kanë qenë tipike gjatë marrjes në pyetje të personave të arrestuar për motive politike. Siç është vënë në dukje në mënyrë të përsëritur nga të gjithë ata historianë që kanë studiuar dhunën totalitare në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 30, një pjesë e të arrestuarve për motive politike kanë pranuar të nënshkruajnë deklarata të rreme inkriminuese të shokëve, familiarëve e të afërmve thjesht të bindur për “nevojën” e akteve të tilla, ose “dobinë” e tyre për kauzën e madhe të revolucionit.
Mes të marrëve në pyetje, do të ketë pasur edhe raste qëndrimesh të forta dhe heroike përballë dhunës personale dhe institucionale. Por këto do të kenë qenë raste të veçanta, përjashtimore, në individë psikologjikisht refraktarë ndaj presioneve, ose me një profil moral eksepsional, ose me vullnet jashtëzakonisht të fortë, ose psikopatë. Metodat e torturës psikologjike dhe fizike, të kolauduara prej shekujsh, kanë për synim pikërisht të thyejnë individë psikologjikisht normalë, të cilët përbëjnë shumicën. Në kushtet e terrorit totalitar, të arrestuarit mbërrinin në hetuesi të dëmtuar dhe pothuajse të bindur se ç’i priste; prandaj nuk është për t’u habitur që një pjesë e mirë e tyre nuk u rezistonin dot presioneve të gjithanshme. Nuk kam të dhëna për ç’ka ndodhur në Shqipëri, sepse nuk janë kryer studime, as kërkime arkivore; por mund të them me siguri – nga literatura – se në Bashkimin Sovjetik shumica dërrmuese e të hetuarve në gjyqet e mëdha politike të viteve 30 zbatuan verbërisht vullnetin e hetuesve të tyre, duke u sjellë në mënyrën më absurde dhe më të pabesueshme deri edhe në sallën e gjyqit.
Aktet e heroizmit dhe të sfidës ndaj persekutorëve do të kenë qenë më tipike në vitet e para të Pasluftës, kur të arrestuarit ndiheshin ende “të garantuar” përballë xhelatëve dhe kujtonin se do të respektoheshin të paktën si njerëz, pa e kuptuar ende mirë cinizmin e skajshëm të komunizmit në pushtet. (Një gjë e tillë pohohet se ka ndodhur në situata të ngjashme, në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve 1917-1930, ose të fazës së parë të terrorit totalitar). Më pas, për fat të keq e megjithë dëshirat e mira fëminore që mund të kemi sot, shqiptari u gjymtua psikologjikisht – dhe u gjymtua pikërisht sepse ishte krejt normale që të gjymtohej. Shndërrimi i një pjese të popullatës në hafije dhe raportues nuk duhet të na e zhvendosë vëmendjen nga një tjetër dukuri më thelbësore: raportimi si akt i riprodhimit të indit social – në kuptimin që shoqëria totalitare ekzistonte në atë masë që elementet e saj raportonin njëri-tjetrin. Duke pasur këtë parasysh, mes gjymtimeve psikologjike të tilla si paranoja, mania e persekutimit, krizat e ankthit e krizat histerike, i duhet bërë vend edhe sindromës së Stokholmit, ose përgjërimit të viktimave ndaj xhelatëve të tyre.
[2004]
Dje shikoja ne tv, nje emision rreth Natacha Kampusch, eshte austriakia 19 vjecare qe u rrembye perpara 8 vjeteve dhe vetem vjet mundi te arratisej nga tutori.. Sigurisht nese flasim per sindromen e Stokholmit rasti i saj eshte mese konstant..ajo qe me beri pershtypje ishte se ajo akoma mendonte per tutorin( megjithese ai kreu vetvrasje)ne cdo moment kur binte nata apo ndodhej ne erresire!!!Pyetjes nese ka arritur te bej miq, iu pergjigj se nuk i interesonin , ndjehej mire ashtu e vetme!!…vetem nje paranteze per rastin e saj me te burgosurit tane politike!! have a nice day..
greetings from berlin
Kjo eshte e dhe nje nga arsyet qe shqiptaret nuk jane aspak te qendrueshem, biles shumica e tyre, mes tyre edhe “gjenite” jane bere simbol “kameleonizmi”,mendoj.
Fantastike Xha Xha.
Tani e kuptoj pse shoku Kadri thoshte : ” S’ka gje, Partia ime le te me denoje ! “