Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media

Kundërshtimi i imazhit

Në teori, marrëdhënia e opinionit publik me mediat është e dykahshme, jo vetëm ngaqë dy skajet ndikojnë njëri-tjetrin, por edhe ngaqë dy skajet riprodhojnë njëri-tjetrin. Mediat janë pasqyrë e opinioneve të grupeve të ndryshme sociale, por edhe krijuese të këtyre opinioneve. T’i referohemi një rasti konkret: pasqyrimit të refugjatëve dhe në përgjithësi emigrantëve shqiptarë nga mediat evropiane. Meqenëse këtij rasti konkret mund t’i ndiqet ecuria kronologjikisht, nuk ka pse të lodhemi t’ia aplikojmë teorinë, në një kohë që mund ta shpjegojmë në mënyrë faktuale. Kur shqiptarët u shfaqën në portat e Evropës në vitet 1990-1991 nuk mund të thuhet së ekzistonte ndonjë lloj opinioni për ta. Shqipëria simbolizonte një vend hermetikisht të mbyllur ndaj Perëndimit, një mister të qendrueshëm dhe relativisht të merzitshëm. Izolimi i Shqipërisë kishte bërë që figura e shqiptarit, në atë masë që evokohej nga opinioni i gjerë, t’i bashkëlidhej një imazhi krenarie patologjike, në mos paranoide. Edhe kancelaritë evropiane nuk kishin ndonjë interes të veçantë që të flitej për Shqipërinë. Në të vetmin rast në vitet 1980 që kjo temë i pushtoi faqet e para të gazetave – kur vdiq Enver Hoxha në vitin 1985 – u duk haptas se e vetmja gjë që Evropa e qytetëruar i uronte Shqipërisë ishte status quo-ja. Ose vazhdimësia, siç e quajti Ramiz Alia. Raportet e para në mediat për shqiptarët e Shqipërisë erdhën pas ngjarjeve të korrikut 1990, sidomos kur refugjatët e ambasadave u zhvendosën për në vendet perëndimore. Duke vërtetuar një prirje e cila do të shprehej pastaj në mënyrë akute gjatë vitit 1991, “dykorriksat” u analizuan si qenie nga një planet tjetër: gazetarët pothuajse u vunë në garë se kush e kush të kërrente shakanë më të hollë, vëzhgimin më qesharak, batutën më inteligjente. Mirëpo refugjatët e ambasadave ishin pak, dhe u tretën si kripa në ujë. Edhe reagimet e mediave ndaj ngjarjes nuk ishin të tilla që të ndikonin shumë në opinionet e njerëzve. Në teori – po i kthehem përsëri teorisë për një sekondë – opinionet na vijnë nga dy burime të ndryshme: nga përvoja jonë vetjake, e drejtpërdrejtë; dhe nga përvoja e të tjerëve. Në kushtet e sotme të intensifikimit të paparë të komunikimit, shumica e opinioneve e kanë burimin në përvojën e të tjerëve – por që ne e kemi përvetesuar edhe pse i konsiderojmë këta “të tjerë” si të ngjashëm e të përafërt me ne. Është afërmendsh që një banor i Manhattan-it, për shembull, t’i përftojë opinionet e veta duke lexuar “The New York Times” ose “The New York Post,” – ndërsa është jashtëzakonisht e rrallë, në mos e pamundur, që të përdorë për këtë qëllim një tabloid uzbek. Kur vala e parë e refugjatëve e refugjatëve shqiptarë u shfaqën në portat e Italisë në mars të vitit 1991, ishin fare të paktë italianët që përjetuan kontaktin e drejtpërdrejtë më ta. Shumica e italianëve i krijuan opinionet nga ato që panë e dëgjuan në TV ose lexuan në gazeta. Përkundrazi, gjatë valës së dytë të refugjatëve në gusht të vitit 1991, opinioni publik italian tashmë ishte pak a shumë i formuar – prandaj edhe mediat mund të fillonin ta përdornin alibinë e tipit “themi atë që i pëlqen publikut”. Besoj se ky shembull mjafton për të vërtetuar sesi – në rastin e dyndjeve të refugjatëve shqiptarë në vitin 1991 – ishin mediat ato që e krijuan opinionin publik, dhe jo vice versa. Nga ana tjetër, të gjithë ata njerëz në Itali të cilët u gjendën në pozicione pushteti, d.m.th. të detyruar të merrnin vendime me rëndësi jetike për të ardhmën e refugjatëve, u ndikuan prej mediave. Mediat i paraqitën shqiptarët si të egër, primitivë, të paqytetëruar dhe të dhunshëm. Në këtë kontekst, opinioni publik italian e përshëndeti qëndrimin e qeverisë për t’i përqendruar refugjatët në kampe (në mars 1991), ose për t’i mbyllur në stadiume e pastaj për t’i riatdhesuar me dredhi (në gusht 1991). Qeveria u kap e papërgatitur nga vala e refugjatëve, dhe nuk arriti dot ta vërë situatën nën kontroll pa shkelur në mënyrë flagrante të drejtat elementare të të gjithë atyre që kishin kapërcyer Adriatikun me shprese së po i linin pas vetes, një herë e përgjithmonë, tmerret e totalitarizmit. Përkundrazi, edhe në Itali shqiptarët do të gjendeshin ballë për ballë armiqësisë së institucioneve. Më sa duket, ky ishte mallkimi i tyre (yni). Vetë mbyllja dhe më pas braktisja e shqiptarëve në kampe përqëndrimi i shndërroi këta në të egër, primitivë, të paqytetëruar dhe të dhunshëm. Jo vetëm kaq: u dha kohë të organizoheshin në banda meshkujsh më synime pak a shumë kriminale. E më në fund: askush nuk e çau kokën vërtet për punësimin e tyre, derisa këtë e mori në dorë mafia italiane. Gjatë gjithë kësaj kohe, përqindja e italianëve që kishin përvoja të drejtpërdrejta më refugjatët ishte gjithnjë e papërfillshme, në një kohë që opinioni publik mbetej i kushtëzuar, fund e krye, nga mediat. Si përfundim, për shqiptarët u vërtetuan pak a shumë karakterizimet e mediave – por jo ngaqë këto e përshkruan realitetin më besnikëri. Thjesht ngaqë mediat ndihmuan vendimtarisht në krijimin e këtij realiteti.

Tashmë realiteti është i tillë që jo vetëm imazhi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Evropë është i dëmtuar rëndë, por edhe veprimtaria kriminale e elementit mafioz më prejardhje shqiptare e ushqen këtë imazh negativ në po atë masë që izolimi, (për shkak të imazhit negativ në opinionin publik) ua shton shqiptarëve predispozimin për t’u marrë me veprimtari kriminale. Më fjalë të tjera, imazhi është vetëm një hallkë e një sistemi të ndërlikuar, në një kohë që çdo ndërhyrje më qëllim përmirësimi të këtij imazhi duhet të ketë parasysh sistemin në tërësi, jo hallka të shkëputura të këtij sistemi. Pasi të jetë pranuar kjo premisë, atëherë mund të tentohet një afrim konkret ndaj problemit se si të kundërshtohet ky imazh negativ për Shqipërinë në mediat kryesisht evropiane. Shteti shqiptar duhet ta kuptojë që çështja e imazhit të Shqipërisë në Evropë kërkon të trajtohet më përparësi absolute, dhe kjo sepse imazhi publik i Shqipërisë ndikon në mënyrë kritike mbi trajtimin që i bëhet Shqipërisë në forumet politike dhe ekonomike të Komunitetit Evropian dhe gjetkë. Gjithashtu shteti shqiptar duhet të mbajë parasysh se shërbimet sekrete të disa vendeve fqinjë (nuk do të përjashtoja as Greqinë, as Maqedoninë, as Serbinë nga ky qerthull) punojnë aktivisht për ta mbajtur të gjallë këtë imazh negativ, duke shfrytëzuar për këtë qëllim fonde të caktuara ekzistenca e të cilave në ndonjë rast është bërë edhe publike. Arsyeja pse vendet fqinje janë të interesuara ta mbajnë të gjallë imazhin negativ të Shqipërisë nuk lidhet drejtpërdrejt me ndonjë lloj urrejtjeje ose përçmimi folkloristiko-racist që disa elemente ose grupe në këto vende mund të kenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por me interesat ekonomike dhe në përgjithësi strategjike, në këtë periudhe tepër fluide, kur në kanceleritë e Evropës dhe të NATO-s janë duke u përvijuar raportet e forcës në Ballkanin e shekullit XXI, në rrafshin politik, ekonomik dhe ushtarak.

[2001]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin