Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

Komunizmi dhe shoqëria civile

Duke pasur parasysh Shqipërinë e viteve të komunizmit, ka vend të pyetet së cili ka qenë në të vërtetë raporti midis komunistëve dhe shoqërisë civile. Që të flasësh për shoqëri civile në kushtet e totalitarizmit, ose më mirë e më saktë për embrione të kësaj shoqërie, vetë koncepti i shoqërisë civile duhet deformuar pak, për ta bërë të bashkëjetueshme me mungesën e të drejtave themelore të njeriut. Meqë shtetasve të Enver Hoxhës u mohohej e drejta e organizimit përtej “rripave të transmisionit” BRPSH, BPSH dhe të tjera onomatope kësisoj, dhe meqë shumë institucione si universitetet, akademia, teatrot, klubet – që zakonisht konsiderohen si shtylla të shoqërisë civile – ishin tërësisht nën kontrollin policor të Partisë së Punës, duket afërmendsh që embrionet e shoqërisë civile të kërkohen në figurat e disa intelektualëve të shquar, përfshirë këtu edhe veprën e tyre, të cilët vendosnin me publikun e tyre një raport të pandërmjetuar nga mekanizmat e diktaturës. Çfarëdo që të thonë sot detraktorët e tij, Ismail Kadareja ishte një figurë e tillë, i konsideruar nga publiku si alternativë ndaj propagandës shurdhuese të regjimit. Mirëpo regjimi vetë, duke qenë totalitar ose gjithëpërfshirës, ishte gjithnjë i interesuar që t’i integronte këta intelektualë në vete, dhe anëtarësimi në PPSH ishte një nga mënyrat më efikase të integrimit. Këtu vijmë te diskutimi i natyrës së Partisë së Punës, si organizatë politike, si themeli dhe zemra e totalitarizmit në Shqipëri. Fakti që quhej “parti” nuk duhet të na gabojë për natyrën e saj të vërtetë; quhej parti sepse ishte krijuar si parti, ose si organizatë personash të cilët shprehnin interesat dhe opinionet e një pjese të shoqërisë shqiptarë në raport me pjesët e tjera. Më pas, në kushtet e mungesës së partive të tjera politike në Shqipëri dhe të shndërrimit të PPSH-së në mekanizëm kontrolli të të gjitha strukturave të shtetit dhe të pushtetit, nuk ka më kuptim të konsiderohet seriozisht si parti politike. Kemi të bëjmë më tepër me një kastë të privilegjuarish, të cilët e konsideronin veten depozitarë të pushtetit në vend; me fjalë të tjera, një grup i ngjashëm me një urdhër kalorsiak mesjetar, ku frymëzimi fetar-mistik ishte zëvendësuar më një frymëzim ideologjiko-mistik nga doktrina staliniste e komunizmit. PPSH u modelua fillimisht si një lloj masonerie (modeli jugosllav), meqë edhe pas marrjes së pushtetit nga komunistët vazhdonte të mbetej formalisht sekrete deri në vitin 1948, kur u adoptua përfundimisht modeli sovjetik, i përpunuar nga Stalini – ky ish-seminarist ortodoks që huazoi nga kisha sllave disa mënyra themelore të organizimit të jetës shpirtërore dhe të kontrollit të shpirtrave. Kuptohet se PPSH-ja në Shqipëri ishte një e dhënë primitive, fondamentale, një realitet i pashmangshëm e i painjorueshëm, dhe kurrsesi një opcion; çdo lloj përpjekjeje për jetë sociale do të çonte medoemos në ballafaqim më të. Me konsolidimin e diktaturës në vend, të bëheshe komunist donte të thoshte të bëheshe edhe ti pjesë e shtresës së privilegjiuar të atyre që i jepnin formë gjithçkaje që ndodhte në Shqipëri – me përjashtim të tërmeteve dhe të epidemive të shytave. Kuptohet se, sa kohë flasim për forma, kjo i prekte të gjithë komunikatorët (artistë, publicistë, universitarë), pse çdo lloj komunikimi me masën dhe çdo orvatje për ta shndërruar këtë në publik vështrohej si e lidhur ngushtë me propagandën, manipulimin e vullneteve individuale, dhe – tek e fundit – me edukimin komunist. Prandaj edhe PPSH ishte e interesuar të integronte në vetvete të gjithë ata që premtonin se mund të bënin për vete masat, individë me talente të pazakonshme, elitat “pa pushtet”, siç i kanë quajtur. Në këto rrethana, embrionet e shoqërisë civile nuk mund të ekzistonin veçse në simbiozë me militantizmin partiak. Jo më kot totalitarizmi është quajtur i tillë: përfshin gjithçka që mundet, dhe atë çka nuk mund ta përfshijë, e asgjëson pa mëshirë. Në rrethanat e shkatërrimit total të institucioneve fetare, partive të tjera politike, shkollave dhe institucioneve kulturore private, organizatave jokomuniste, etj., shoqëria civile nuk mund të përvijohej veçse në kuadrin e konfliktit, ose të paktën tensionit midis krahut më të moderuar dhe krahut më ekstremist brenda kastës që kishte në dorë fatet e Shqipërisë. Përndryshe, një personalitet mirëfilli disident si Kasem Trebeshina, nuk do të lejohej të komunikonte me masën duke iu mohuar çdo akses në mediat, dhe faktikisht do të zhdukej nga jeta publike – madje edhe sikur të mos kishte përfunduar ndërkaq në Bulqizë, ose në Savër të Lushnjes. Nga ana tjetër, çdo komunikim brenda kanaleve të autorizuara ideologjikisht, medoemos do të konsistonte në dy pjesë pa ndonjë lidhje organike midis tyre: pjesa autentike, e mirëfilltë, dhe pjesa ideologjike, haraçi që do t’i paguhej “sulltanit” – vetëm raporti midis këtyre dy pjesëve do të ndryshonte në përputhje më personalitetin e atij që komunikonte. Limos Disdari mund të shkruante një këngë për gjimnazin e Nexhmije Hoxhës, por melodia ishte në vetvete e bukur, dhe nuk kishte të bënte fare me “vajzat më kordele të kuqe” – dhe publiku, nga ana e vet, mësohej t’i ndante këto dy pjesë të mesazheve, dhe të shijonte autentiken. Vetëm se që të arrije ta nxirrje kompozimin në festival duhej të provoje besnikërinë tënde ndaj pushtetit; kishte mënyra të ndryshme për ta bërë këtë, duke filluar nga puthja e dorës; disa e bënë, disa jo, dhe nuk më takon mua të gjykoj njërën palë dhe tjetrën. Di vetëm se, falë atyre që u munduan të bënin diçka, ta ruanin të bukurën, ta riprodhonin, dhe t’ua komunikonin masave së bashku më plehrat propagandistike, jeta e të gjithëve nën totalitarizëm u bë pak më e pranueshme, dhe nuk përfunduam të gjithë në qen roje të kështjellës së pamposhtur të socializmit në Evropë.[2000]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin