Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

Arbërit në Venedik

Janë të shumta dëshmitë për marrëdhëniet e ndërsjella midis Arbërisë bregdetare dhe Republikës së Venedikut; kjo e fundit duke introduktuar në Arbëri një alternativë joimperiale ndaj ballafaqimit të përhershëm midis Papatit dhe Bizantit, ndërsa Arbëria siç ka vepruar rregullisht në Mesjetë e më vonë duke e furnizuar qendrën venedikase me kapital njerëzor. Të dhënat për emigrimin e arbërorëve në drejtim të Venedikut e të trojeve në Italinë adriatikase (Le Marche) që kontrolloheshin prej Republikës nuk mungojnë, madje janë qëmtuar mirë (Ducellier); dihet edhe se ka pasur një dyndje të vërtetë të arbërorëve në ato treva në periudhën midis shekujve XIV-XVI, të cilën disa e shpjegojnë me motive politiko-religjioze që i referohen invazionit osman, ndërsa të tjerë me motive ekonomike. Në të njëjtën kohë pati edhe një shpërngulje arbërorësh në drejtim të Italisë së Jugut në troje që pak a shumë i përkisnin Mbretërisë së Napolit, sidoqë nuk duhet harruar se kolonitë e sotme të arbëreshëve në Sicili, Kalabri e Pulje i detyrohen më shumë një emigrimi arbëreshësh të Greqisë në drejtim të Italisë – që këtej edhe miti i mirënjohur i Moresë. Fakti që në Jug të Italisë kolonitë arbërore mbijetuan ndërsa në Veri jo është i shpjegueshëm sa me argumente të natyrës së ritit, meqë arbëreshët e Jugut të Italisë, në pjesën më të madhe, e kanë ruajtur deri edhe sot e kësaj dite ritin bizantin, ndërsa arbërorët që emigruan në Venedik ishin të së njëjtës fe me vendasit dhe u ndërmartuan lirisht, aq edhe me prejardhjen sociale të emigrantëve; meqë drejt Italisë së Veriut u zhvendosën më shumë banorë të qyteteve që ishin gjithnjë nën ndikimin politik dhe kulturor të Venedikut; këta edhe u asimiluan më shpejt në mjedisin urban italian; përkundrazi, arbëreshët e Italisë së Jugut themeluan katundet e tyre në troje më të shumtën të pabanuara ose të braktisura.

Rolin që ka luajtur elementi arbëror në jetën e Republikës së Venedikut nuk më duket ta ketë studiuar njeri, përveç atyre historianëve që thjesht kanë gjurmuar depërtimin e arbërorëve në Italinë e veriut për kohën që na intereson; as mund të pritet që këtë lloj studimi ta ndërmarrin universitetet italiane. Nga ana tjetër, thjesht konstatimi i pranisë së një elementi arbëror në Venedik e gjetiu në Italinë adriatikase nuk më duket se ka ndonjë vlerë përtej efektit anekdotik ndër amatorët albanofilë, dhe në përgjithësi në të gjithë ata që e trajtojnë albanistikën si hobby. Përkundrazi, do të ishte vërtet interesante të hulumtohej kontributi i këtij elementi arbëror në kulturën dhe politikën venedikase, madje edhe në atë masë që kjo kulturë dhe kjo politikë dallohen nga të tjera analoge në Mesdhe, por kjo do këllqe e nuk mund të likuidohet me artikuj gazetash; në të njëjtën mënyrë, duke ndriçuar këtë kontribut do të mundemi të mësojmë më shumë edhe për historinë e Arbërisë mesjetare vetë, të cilën aq pak e njohim përtej konsideratave sipërfaqësore e shpesh të pasakta të kronikanëve e historianëve të huaj. Megjithatë, siç e thashë, vështirë të shpresohet se universitetet italiane do ta begenisin këtë ndonjëherë si temë hulumtimesh, a do të japin bursa e do të vënë në disponim fonde për specialistë (shqiptarë). Interesi për albanistikën në Evropën perëndimore ka rënë ndjeshëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë; s’është për t’u harruar edhe se albanistika në Itali rregullisht është kontrolluar nga arbëreshë të Jugut, të cilët nuk duan të kuturisen përtej caqeve të studimeve arbëreshe tradicionale që konsistojnë kryesisht në botime dorëshkrimesh të shekullit XIX, të cilave ua kanë marrë dorën për bukuri.

[2001]

 

1 Koment

  1. Xhaxha, doja t’ju sinjalizoja një blog të dikujt tjetër, që s’është as arbëresh dhe as në Italinë e jugut.
    Personalisht nuk jam në gjëndje që të gjykoj rezultatet e punës së tij, por ndonjë tjetër prej lexuesve të kualifikuar të këtij blogu, që njeh më mirë argumentin dhe referencat që jep autori atje, mund të japë/marrë ndonjë gjë interesante.

    blogu (ku gjendet edhe titulli i librit të autorit) është ky: http://web.tiscali.it/sardoillirica/sardoillirica/

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin