Para disa ditësh asambleja e OKB-së mori në shqyrtim një rezolutë në lidhje me murin që po ngre qeveria e Izraelit për t’i ndarë si të thuash “fizikisht” palestinezët nga izraelitët, në emër të mbrojtjes nga sulmet terroriste.
Siç mund të dihet tanimë, asambleja votoi, me shumicë dërrmuese, në favor të rezolutës, e cila e dënon këtë veprim të qeverisë izraelite. Kjo, megjithëse SHBA, Izraeli dhe një numër vendesh të tjera – nja gjashtë – votuan kundër rezolutës.
Për çudi, Shqipëria këtë herë nuk u bashkua me vullnetin politik të “mikut” SHBA, duke votuar edhe ajo në favor të rezolutës. Arsyeja që u soll, zyrtarisht, për këtë veprim ishte se, për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të përkrahë iniciativat politike dhe diplomatike të këtij institucioni.
Meqë “Evropa” e dënoi Izraelin, thanë shpjeguesit qeveritarë shqiptarë, edhe neve na u desh ta dënojmë. Sovranitet i kufizuar apo oportunizëm? Një vëzhgues i djallëzuar do të mund të nxirrte përfundimin se diplomacia nuk ka ç’t’u bëjë detyrimeve të aderimit në Evropë, përndryshe nuk kish votuar kurrë kundër mikut të madh të oxhakut.
Po është vështirë të nxirret përfundim me një shembull të vetëm.
Sot Denar Biba, funksionar i lartë i legjislativit në Shqipëri, botonte një analizë në “Shekulli” për problemin e dënimit me vdekje në këtë vend. Heqjen e këtij lloj dënimi autori e shpjegon me detyrimet që i rrjedhin Shqipërisë nga nënshkrimi i Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut dhe disa protokolleve të saj, duke shkruar shprehimisht:
“Me aderimin në Statutin e KE-së, Shqipëria mori përsipër, përpos të tjerave, edhe angazhime të karakterit juridik (në zbatim të Rezolutës nr.189, të Asamblesë Parlamentare të KE) të cilat bënin të detyrueshme ratifikimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Protokolleve nr.1, 2, 4, 7 dhe 11 të saj brenda një viti dhe, në vijim (brenda tre vjetësh nga pranimi në KE), të nënshkruante, ratifikonte dhe zbatonte edhe Protokollin nr.6, i cili sanksionon heqjen e dënimit me vdekje në kohë paqeje. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe trevjeçare, të gjitha dënimet me vdekje të dhëna nga gjykatat shqiptare do të “ngrinin”, në pritje të heqjes përfundimtare të këtij dënimi.
Në vitin 1998, populli shqiptar miratoi me referendum Kushtetutën e re demokratike. Ky dokument madhor, në nenin 21 thotë shprehimisht: “Jeta e personit mbrohet me ligj”. Një vit më vonë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në çështjen me objekt: “Papajtueshmëria me Kushtetutën e dispozitave [neneve] të Kodit Penal të RSH, që parashikojnë dënimin me vdekje”, vendosi përfundimisht, me vendim të formës së prerë, “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të dënimit me vdekje në kohë paqeje…”.
Tre vjet kishin kaluar, por politika shqiptare për arsye pragmatiste elektorale ende nuk kishte guxuar të ratifikonte Protokollin nr.6 që e bënte të detyrueshëm heqjen e dënimit me vdekje. Atëherë, përmes disa artificesh ligjore (një variacion modern i larjes së duarve ala Pontius Pilatus), sikundër e thashë, çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila dha vendimin tanimë të njohur, duke arsyetuar bindshëm se heqja e dënimit me vdekje ishte një detyrim madhor i Shqipërisë që buronte nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe nga aprovimi i akteve të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, të cilat ishin bërë automatikisht pjesë e të drejtës së brendshme (pra, njëlloj si të ishin ligje të miratuara nga Parlamenti ynë).”
Pra dënimi me vdekje tanimë është hequr dhe nuk mund të “rikthehet” sepse Shqipëria edhe nga pikëpamja e legjislacionit duhet të ndjekë detyrimet e anëtarësimit në Këshillin e Evropës! Një lexues i djallëzuar i këtij artikulli do të mund të nxirrte përfundimin se Denar Biba vetë është në favor të kthimit të dënimit me vdekje, por ja që ekzistojnë vullnete dhe instanca që e bëjnë këtë të pamundur…
Si në rastin e votimit në OKB, ashtu edhe në lidhje me dënimin me vdekje, unë shoh të tejduket i njëjti mekanizëm arsyetimi, i cili i mbështet veprime të caktuara të shtetit shqiptar (politike, diplomatike, juridike) duke iu referuar instancave mbikombëtare.
Çfarë arsyetimi është ky? Vallë pjesëmarja në këto institucione ndërkombëtare po interpretohet në Shqipëri si ftesë për të hequr dorë nga vetëdija institucionale?
A nuk mund të thuhej, për shembull, se Shqipëria votoi kundër barrierës së Izraelit sepse e konsideron atë barrierë si një shkelje flagrante të të drejtave të palestinezëve? Apo që dënimi me vdekje është hequr nga kodi penal i Shqipërisë sepse shteti nuk mund të vrasë individët, çfarëdo krimi që të kenë kryer këta?
Me fjalë të tjera, pse vallë kujtojmë se edhe thjesht duke e hequr nga shpatullat përgjegjësinë e vendimit dhe duke ia mohuar vetes kapacitetin për arsyetim të pavarur, e kemi shpjeguar atë vendim? Kush i ha këto gjëra?
Shpjegimi ose përligjja e një sjelljeje nëpërmjet referimit te një autoritet, aq më tepër një autoritet mbikombëtar, nuk u ka hije pushtetarëve të një shteti sovran si Shqipëria. Vetë vullneti i qeverive të ndryshme në Shqipëri për të aderuar në organizmat e ndryshme evropiane tregon se këto qeveri pajtohen me parimet e politikës komunitare evropiane (duke përfshirë edhe diplomacinë) dhe me filozofinë e legjislacionit të përbashkët në kontinent (duke përfshirë edhe heqjen e dënimit me vdekje). [2004]