Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Shëndeti privat

Para disa vjetësh, m’u desh të shkoja te mjeku im në NYC për t’u vizituar, për një ngjirje zëri që nuk po më ikte prej javësh. Nuk jam nga ata që u zënë derën mjekëve edhe kur shohin ndonjë ëndërr të keqe, prandaj me atë rast, mjeku im përfitoi nga rasti për të më bërë disa teste “rutinë”, duke më marrë gjak në damar. Nuk më shpjegoi se çfarë testesh do të më bënte pikërisht, por më tha se të gjitha m’i mbulonte sigurimi shëndetësor.

Megjithatë, për një gabim të sekretares së mjekut, fatura e laboratorit m’u dërgua mua, në vend që t’i dërgohej shoqërisë së sigurimit, me ç’rast u hodha një sy edhe analizave (ndërkohë mjeku më kishte njoftuar në telefon se analizat më kishin dalë “mirë”). U habita kur vura re që, midis këtyre analizave, mjeku im më kishte testuar edhe për PSA: test që ndihmon për të diagnostikuar kancerin e prostatës.

Pse u habita? Së pari, sepse sapo kisha mbushur të dyzetat, dhe isha pak si ende i ri për t’u testuar për këtë kancer. Së dyti, sepse kisha shkuar për t’u vizituar për fytin, jo për ndonjë gjë që lidhej njëfarësoj me prostatën. Së treti, sepse nuk isha pyetur nëse isha dakord që të kryhej një test i tillë.

E sjell këtë shembull për të ilustruar çfarë nuk shkon me sistemin shëndetësor amerikan. Për atë test të panevojshëm të paktën janë paguar mjeku im e laboratori që e kreu (tërthorazi edhe kompania që e furnizon laboratorin me reagentët përkatës). Natyrisht pagesën e bëri shoqëria e sigurimit shëndetësor, por edhe në atë kohë unë paguaja rreth 50% të kuotës sime të sigurimit shëndetësor ose rreth $200 në muaj.

Ka edhe më. Sikurse çdo test tjetër diagnostikues, edhe PSA një pjesë të rezultateve i ka të pasakta. Me ç’po shoh tani, 10% e të testuarve dalin pozitivë, dhe duhet t’u nënshtrohen ekzaminimeve të tjera. Kjo do të thotë se në njëqind meshkuj të testuar, dhjetë automatikisht do të detyrohen të vazhdojnë me teste e vizita në specialistë, duke përfshirë edhe biopsi të prostatës e kështu me radhë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, statistikat tregojnë se nga të testuarit pozitivë, 70% hyjnë në kategorinë e atyre që quhen pozitivë të gënjeshtërt (false positive); çka do të thotë se nuk kanë kancer të prostatës, megjithëse testi i nxjerr sikur kanë. Kjo do të thotë që për 100 të testuar, dhjetë vetë do t’u nënshtrohen testeve dhe ekzaminimeve më të kushtueshme, dhe prej këtyre dhjetë vetëve, shtatë do të rezultojnë pastaj të shëndoshë.

Ka edhe më. Për çdo 100 dyzetvjeçarë si puna ime të cilëve u bëhet ky test madje shpesh pa i pyetur fare, 10 qyqarëve do t’u thuhet se “mund” të kenë kancer; dhe nga këta 3 vërtet do të rezultojnë pozitivë. Çështja është: çfarë do të bëhet me këta të tre? Do të operohen? Do ta rrezatojnë tumorin? Do të rrinë e të presin?

Një gjë është e sigurt – jeta e tyre praktikisht do të shkatërrohet nga kjo sëmundje në thelb e shkaktuar nga hiperdiagnostikimi. Edhe nga ata shtatë të tjerët, kam frikë se dy ose tre nuk do të dalin pa lagur nga kjo torturë; sepse vetëm ankthi dhe stresi i analizave dhe i ekzaminimeve të njëpasnjëshme – biopsia, për shembull, kryhet duke futur një gjilpërë në prostatë nëpërmjet rektumit – mjaftojnë për të shkaktuar a keqësuar një neurozë, ose për të precipituar ndonjë sëmundje tjetër, për shembull, kardiovaskulare.

Pyes: kush përfiton vërtet nga këto procedura? Kam frikë se përfitojnë të gjithë ata që kanë të bëjnë me to, me përjashtim të të sëmurit: mjekët që i urdhërojnë, infermieret, laboratorët, fabrikantët e pajisjeve të ndryshme, shoqëritë e sigurimit… Qëllimi i organizmave që i rekomandojnë rutina të tilla mund të jetë në thelb i mirë e të ketë lidhje me dëshirën për të parandaluar mortalitetin nga kanceri i prostatës ose edhe thjesht për të parandaluar shpenzimet nga mjekimi i këtij kanceri kur është në gjendje të avancuar, por rezultati praktik nuk mund të thuhet se u volet pacientëve, ose “konsumatorëve” të shërbimit shëndetësor.

Për fat të keq, sa herë shkoj të mjeku për arsye nga më banalet, bindem se në ç’pikë e ka katandisur korporativizmi shëndetësinë amerikane, pavarësisht nga cilësia e padiskutueshme shumë e mjekëve dhe e strukturave të këtushme. E meqë ra fjala te mjekët vetë, unë besoj se këta luajnë një rol të domosdoshëm aftësues në mekanizmin ekonomik të tregut shëndetësor, i cili po funksionon çdo ditë e më tepër i katalizuar nga frikërat e publikut; por e luajnë këtë rol njëlloj si të gjithë ne të tjerët, që japim ku më shumë e ku më pak kontributin tonë “modest” në lëvizjen e madhe të parasë dhe të kapitalit nga një bankë në tjetrën e nga një kasafortë në tjetrën.

Shëndetësia amerikane e privatizuar është prova më bindëse se privatizimi i sistemit shëndetësor të një vendi është i destinuar të dështojë. Këtu është krijuar një kastë e tërë shushunjash (administrata e shëndetit), e cila po ua shet qytetarëve shëndetin e tyre përkundrejt shumash marramendëse. Një shtet ku sistemi i shërbimit shëndetësor shihet, para së gjithash, si burim fitimesh, nuk është shtet i qytetëruar. SHBA janë ekonomikisht dhe ushtarakisht të fuqishme, me hapësirë të madhe për sipërmarrjen private dhe me një kushtetutë e kulturë politike që i jep frymëzim e shpresë njerëzimit në mbarë botën; por për nga qytetërimi nuk i afrohen Evropës Perëndimore. Unë kam jetuar edhe në Evropën Perëndimore, edhe në SHBA; dhe ju siguroj se nga kjo pikëpamje SHBA janë ende shumë mbrapa, pavarësisht nga sukseset shkencore të pak laboratorëve pararojë dhe klinikave universitare. Hidhuni një sy statistikave shëndetësore krahasimtare; në treguesit minimalë, SHBA i afrohet më tepër një vendi të botës së tretë, pavarësisht nga shpenzimet buxhetore për shëndetësi. Në SHBA kanceri mund të kurohet më mirë se kudo gjetiu (shpesh përkundrejt shumash marramendëse: për shembull, kura njëvjeçare me Avastatin, një medikament kundër kancerit kolorektal, kushton $52,000 dollarë; vetëm $40,000 për preparatin Erbitux; dhe $100,000 për Vectibix); por vdekshmëria foshnjore është më e lartë edhe se në Kubë! Këtë model do t’u sugjerojmë shqiptarëve? Nëse jo, atëherë cilin model? Ejani të kalojmë bashkë gjashtë orë në sallën e urgjencës të një spitali përndryshe ultramodern, me një fëmijë që ulërin me sa ka në kokë, se i dhemb dora që ka thyer kur ka rënë nga lisharësja, po nuk ia var kush, pastaj flasim për privatizim.

Kush i jeton drejtpërdrejt pasojat e këtij privatizimi, si unë dhe të tjerë në SHBA, nuk mund të rrijë e të bëjë sehir sesi këto praktika, të cilat tashmë kanë dështuar edhe këtu, u rekomandohen shqiptarëve në mënyrë, do të thoja, të papërgjegjshme. Adhurimtarëve të privatizimit të shërbimit shëndetësor do t’u këshilloja të shkonin një ditë e t’u hidhnin një sy edhe paradhomave te dentistët në Shqipëri, për të pikasur masën shumëngjyrëshe të shqipove nga Amerika, të cilët nuk i përballojnë dot tarifat e shërbimit të këtushëm privat. Historitë e tmerreve në shërbimin shëndetësor amerikan janë pa fund. Ithtarët e privatizimit të shëndetësisë duhet të bëjnë një përpjekje për ta marrë vesh se ç’don të thotë që kujdesi shëndetësor të jetë i orientuar për nga fitimi. Don të thotë që ti të shkosh tek mjeku për një dhimbje fyti, dhe ai të të analizojë deri edhe numrin dhe vitalitetin e spermatozoideve e të të kallë tubin e lubrifikuar atje ku s’thuhet. Don të thotë që ti të shkosh te podiatri për një dhimbje të themrës, dhe ky të të rekomandojë menjëherë ndërhyrje kirurgjikale. Don të thotë që ti të shkosh tek okulisti për sytë që të lotojnë dhe ky të të rekomandojë kirurgji me laser, e cila për më tepër edhe nuk mbulohet nga shumica e sigurimeve shëndetësore. Don të thotë që njerëzit të shpenzojnë biliona dollarë për t’u kuruar nga sëmundje të cilat u janë diagnostikuar kryesisht në bazë kriteresh pak a shumë artificiale e arbitrare të organizmave mbikqyrëse, si FDA-ja. Don të thotë që medikamentet më të shitura në Amerikë sot të jenë të ashtuquajturat statina, të cilat ulin forcërisht kolesterolin në gjak, edhe pse lidhja e kolesterolit me sëmundjet e zemrës nuk duket të jetë provuar dhe kolesteroli mbi normën, në vetvete, nuk mund të konsiderohet kurrsesi sëmundje. Unë flas nga pozitat e qytetarit që ka nevojë për shërbim shëndetësor cilësor e të përballueshëm, por kam frikë se edhe mjekët janë njëlloj të frustruar nga sistemi; meqë vazhdimisht hyjnë në konflikt me shoqëritë e sigurimit nga njëra anë që duan t’ua diktojnë deri edhe barnat e përshkruara, dhe me pacientët që u kërcënohen t’i hedhin në gjyq nga ana tjetër; teksa tek dera e studiove u rrinë, nga mëngjesi në darkë, përfaqësuesit e parfumuar të firmave farmaceutike, me mostra ilaçesh dhe revista luksoze reklamash në duar. Shëndetësia amerikane sot është në duar të korporatave, dhe korporatat, nuk duhen ngatërruar me atë mjekun privat të tregimeve të Çehovit, të cilin edhe unë e ëndërroj sa herë unë a ndonjë i familjes sime kemi nevojë për një figurë të tillë.

Nga pikëpamja etike, korporatat kanë delikatesën dhe ngashërimin poetik të një krokodili të uritur. Përkundrazi, kur kam jetuar në Itali, kam përjetuar edhe të mirat e bashkekzistencës së privates me publiken, edhe pse të ardhurat i kam pasur të pakëta. Kur mjeku im publik më rekomandoi t’i nënshtrohesha një procedure diagnostike specifike, më thanë se duhej të prisja të paktën dy muaj, që të më vinte radha për ta bërë në spitalin publik; prandaj vendosa t’i drejtohem strukturave private, ku procedurën ma kryen brenda ditës e për një çmim të arsyeshëm në ato kohë (100.000 lireta); madje mjeku ndenji e bëri muhabet me mua edhe për 15-20 minuta, gjë që në SHBA është e padëgjuar. Shërbimi te privati ishte i shkëlqyer, në raport me shërbimin në spitalin publik; por pikërisht sekretarja e mjekut privat atje, rastësisht në bisedë, më tha se para dy muajsh kishte bërë një transplantim të kornesë në spitalin publik Caldarelli… Flas për Napolin, që në shumë drejtime ishte dhe mbetet qytet i botës së tretë; jam i sigurtë se nga Roma e lart cilësia e shërbimeve është edhe më e mirë. Meqë ra fjala, përsëri në Napoli më ka rastisur të takoj shqiptarë të cilët ndiheshin mirë në burgun Poggioreale dhe nuk donin të dilnin; po cili shqiptar do të ndihej vallë mirë në dushet e burgjeve amerikane…? Apo të privatizohen edhe burgjet në Shqipëri, siç po bën Amerika (ku gjenden 25% të të burgosurve të krejt planetit), që i ka kthyer në industri fitimprurëse, jo për të burgosurit vetë, po për kompanitë që i administrojnë dhe qytetet që tani duan t’i kenë se u hapin vende pune?

o o o

Çfarë sistemi shëndetësor i duhet Shqipërisë?

Nëse do të ketë apo jo zhvillim spontan të mjekësisë private atje, kjo varet nga privatët vetë; dhe nuk shoh ndonjë të keqe, për shembull, në qendra diagnostikimi, ose laboratore, ose qendra rehabilitimi etj., e në përgjithësi struktura mbështetëse, ose klinika të tilla si të kujdesit për sytë, ortopedike, të mjekësisë sportive, të kirurgjisë plastike, të humbjes në peshë e të tjera të ngjashme.

Por qëllimi i sistemit shëndetësor në Shqipëri nuk duhet të jetë që të pasurojë privatët, as t’i shndërrojë pacientët në klientë, por t’i mbajë shqiptarët të shëndetshëm e t’i ndihmojë për t’u shëruar kur sëmuren, ose të paktën t’ua lehtësojë vuajtjet, kur sëmundja nuk mund të kurohet.

Sisteme shëndetësore kanceroze, si ky që kemi në Amerikë, priren të prodhojnë masivisht sëmundje dhe pacientë kronikë, për t’ia mjelë shtresës së mesme të ardhurat e për t’i shitur një version post-industrial të “shëndetit” së bashku me iluzionin e vdekjes si “sëmundje” të kurueshme. Asgjëkundi më mirë se këtu nuk vlen thënia se “i shëndetshëm është dikush që nuk ka qenë kurrë tek mjeku”.

Një sistem shëndetësor korrekt dhe etik nuk duhet të prodhojë të sëmurë nëpërmjet hiper-diagnostikimit, por t’i pakësojë; duke u kujdesur për njeriun, jo për paratë e tij.

1. Kjo arrihet në radhë të parë me higjienë dhe profilaksi: duke siguruar pastërti të ujit e pishëm e duke i trajtuar ujërat e zeza dhe plehrat; duke vënë në kontroll mjedisin e duke i detyruar industritë t’i eliminojnë mbetjet kimike sipas rregullave të forta; duke higjienizuar tregun e produkteve ushqimore, duke përfshirë edhe kujdesin për shëndetin e bagëtisë; duke përmirësuar higjienën e shërbimeve publike (restoranteve); duke rritur vetëdijen për sëmundjet seksualisht të transmetueshme; duke garantuar vaksinimin e foshnjeve kundër sëmundjeve më të përhapura; duke përmirësuar strukturën e ushqimit të fëmijëve; duke siguruar monitorim rigoroz të shtatzënisë e kështu me radhë. Këtu nuk është fjala vetëm për të penguar sëmundje të tilla si fruthin, ose helmimet ushqimore, ose hepatitin A, ose parazitët, ose astmën; por për faktin që shumë shqetësime shëndetësore kronike shpesh serioze në moshë të rritur dihet se lidhen edhe me pasojat afatgjata të këtyre infeksioneve e problemeve në thelb banale, sidomos kur nuk janë trajtuar mirë në kohën e tyre.

2. Një pjesë e mirë e ankimeve të njerëzve për punë shëndeti janë triviale: dhimbje koke, çrregullime stomaku dhe intestinale, dhimbje kyçesh, hemorroide, dhimbje të shpinës, impotencë, kollë, neuroza e kështu me radhë. Të gjithë këta të sëmurë nuk kanë nevojë për tomografi aksiale dhe rezonancë magnetike, por kryesisht për vëmendjen e mjekut dhe një fjalë të mirë. Trupi është mjeku më i mirë i vetvetes, në gjendje të shërojë vetvetiu shumicën e sëmundjeve, mjaft të trajtohet me respektin e duhur.

3. Shëndetësia në Shqipëri, sikurse gjetiu, duhet t’i trajtojë çrregullime të tilla si hipertensioni, obeziteti, diabeti, osteoporoza, depresioni etj. në planin social dhe jo thjesht farmaceutik; meqë një pjesë e mirë e tyre ndikohen nga stili i të jetuarit. Kjo ka të bëjë edhe me reformën e të ushqyerit të njerëzve, duke pakësuar mishin, e duke shtuar peshkun, zarzavatet, e të tjera gjëra që të gjithë i dimë; së bashku me kufizimin e duhanit, rakisë, e të tjera drogave më të reja, duke përfshirë edhe ato medikamentoze.

4. Shëndetësia në Shqipëri duhet t’i ruhet kurthit të egërsimit terapeutik, ose të torturës së atyre fatkeqëve që u ka ardhur ora e vdekjes; sikurse duhet t’i ruhet tundimit për të adoptuar doemos teknika ultra-moderne diagnostikimi ose për të kryer ndërhyrje kirurgjikale të rralla e të kushtueshme, që shpesh e shterojnë buxhetin e shtetit, për të kënaqur kapriciot e pak baronëve të mjekësisë kombëtare.

5. Shëndetësisë i bie të bëjë të vetën edhe për t’i ndihmuar njerëzit të vdesin me dinjitet; mundësisht pa dhimbje e të rrethuar nga të dashurit e tyre, jo nga aparaturat miliona-dollarëshe të sallave të terapisë intensive. Një pjesë shumë e madhe e shpenzimeve shëndetësore gjithsej të një spitali shkojnë dëm për këto situata dëshpërimtare, dhe më shumë se në dobi të shëndetit, funksionojnë si sakrifica rituale në altaret e terapeutikës.

6. Nuk më duket e pamundur që barna të tilla të përdorimit të gjerë si antibiotikët, anti-inflamatorët, anti-histaminikët, kortizonikët, beta-bllokuesit e të tjerë prioritarë, të prodhohen në vend; së bashku me materiale bazë për spitalet, të tilla si dezinfektantë, oksigjen, pajisje të tipit usa e getta si shiringat, etj. të konfeksionohen në Shqipëri, mundësisht nga privatët, për t’ia ulur kostot terapisë.

7. Mjekëve shqiptarë u duhet shpjeguar se, për fat të keq, mjekësia amerikane sot sundohet nga çizmja e shoqërive të sigurimit, të ashtuquajturave HMO, dhe korporatave të mëdha farmaceutike, të cilat duan t’i shndërrojnë pacientët në klientë. Për këtë arsye, një pjesë e madhe e zhurmës në revistat dhe botimet e fushës, për preparate të reja dhe sëmundje të reja; si dhe sëmundje të reja që kërkojnë preparate të reja, nuk ndryshojnë shumë, për nga natyra, nga marketingu i produkteve të konsumit të gjerë.

Edhe pse e varfër, Shqipëria përsëri është në gjendje ta mbajë popullin e vet të shëndetshëm pa e rrjepur nga të ardhurat; sepse klima atje është e mirë, dhe pellgu gjenetik i fortë, vital e i seleksionuar natyrshëm. Rreziku më i madh shëndetit të shqiptarit sot i vjen nga babëzia për modernizim: jeta sedentare, ushqimi i zhbalancuar, dyndja drejt qyteteve, stresi i makutërisë, ndotja e mjedisit nga djegia e karburanteve dhe kimikatet e ndryshme, jatrogjenitë, iluzioni për privatizim të shëndetësisë.

Natyrisht mjekët kanë shumë për të thënë në këtë debat, qoftë sepse i shohin problemet nga këndvështrimi i ofruesit të shërbimit, qoftë sepse edhe ata vetë qëllon që sëmuren. Por mjekët kanë edhe interesa private të tyret për të mbrojtur. Një i sëmurë që shkon te mjeku nuk shkon për të fituar para, as shkon me preokupimin se duhet të kursejë para; por shkon sepse ka nevojë për shërbim mjekësor. Mjeku, nga ana e vet, i qaset të sëmurit me vetëdijen e dikujt që është i gatshëm të shërbejë, por edhe me vetëdijen tjetër se kështu do të sigurojë jetesën.

Duhet kujtuar edhe se mjekët janë kategori profesionale; ndërsa të sëmurët jo.

E vërteta është që në vende të zhvilluara mjekët vijnë duke u pasuruar, ndërsa ata që përfitojnë nga shërbimet e tyre duke u varfëruar. Çmimi i shërbimit mjekësor bëhet gjithnjë e më i papërballueshëm për këto që ka nevojë për atë shërbim. Nuk dua të paragjykoj asnjë mjek në veçanti, dhe as më takon ta bëj këtë, por kam frikë se, në përgjithësi, nuk është aq gabim të thuash se kur i shërbejnë pacientit, pjesa më e madhe e mjekëve priret ta trajtojë si të ishte klient. Ka edhe mjekë të mrekullueshëm e vetëmohues, por vetë fakti që këta spikatin e nderohen kaq shumë, tregon se tipike për kolegët e tyre është pandjeshmëria e induktuar nga dëshira për të bërë pará.

Sfidat etike të mjekëve brenda profesionit të tyre vijnë e rëndohen edhe ngaqë raporti mjek/pacient nuk është raport horizontal, por vertikal; ku mjeku vjen e i afrohet rolit arketipal të prindit, ndërsa i sëmuri të fëmijës. Në përgjithësi, i sëmuri nuk mund ta kundërshtojë autoritetin e mjekut përveçse duke u rebeluar, sepse ky autoritet mbështetet mbi një dije pak a shumë “ezoterike”, të plotësuar nga instrumente, teknika dhe mjedise të posaçme në të cilat kryhet ekzaminimi, dhe procedurat e ndryshme diagnostike dhe terapeutike. Kështu figura e mjekut ka dy anë të pandashme: anën profesionale, racionale dhe shkencore, por edhe anën magjike, irracionale, sugjestive.

Në teori, roli i shtetit do të ishte që ta zbuste pak vertikalitetin e këtij raporti, duke i dalë në krah të sëmurit. Kjo është aq më e vërtetë sot; sepse nga një anë Shqipëria është vend i varfër, i prapambetur dhe me një popullsi shpesh pre e teknikave irracionale të njohjes dhe të komunikimit; ndërsa mjekët edhe atje e marrin ushqimin profesional dhe shkencor nga mjekësia e përparuar e moderne. Për të sjellë një shembull: shumë të sëmurë edhe sot e kësaj dite shkojnë të gjejnë shërim te “hoxha”, apo te ndonjë varr “i mirë”, ose me mënyra të tjera magjike; por nuk gjen mjek, bie fjala, që të përshkruajë sulfamide për të kuruar një infeksion banal sa kohë që mund të përdorë antibiotikët, ose t’i trajtojë skizofrenët me shok insulinik nëse mund t’i mjekojë me barna antipsikotike.

Zhvillimet në mjekësinë moderne, megjithatë, diktohen më tepër nga nevojat e tregut, sesa ato të të sëmurëve vetë. Në një kohë që shoqëritë farmaceutike fitojnë biliona dollarë duke shitur barna të tilla si statinat, mungojnë bie fjala fondet dhe interesi për të zhvilluar antibiotikë të rinj, në gjendje që të luftojnë mikrobet rezistente që sot për sot rrezikojnë jetën dhe mirëqenien e miliona pacientëve të shtruar spitaleve – kjo sepse një antibiotik, zakonisht, përdoret vetëm për një periudhë të shkurtër, ndërsa statinat duhen marrë për dhjetëra vjet, praktikisht deri në vdekje.

Për të sëmurët mjekësi moderne do të thotë edhe zhvendosje e vëmendjes së mjekut nga i sëmuri te sëmundja. Mjeku i sotëm kujdeset zakonisht për të vënë diagnozën, e cila s’është veçse një emër i një sëmundjeje të supozuar, në bazë kryesisht të të dhënave laboratorike dhe të dhënave të aparaturave të ndryshme të imazhimit; dhe pastaj për të përshkruar barnat përkatëse, ndryshimet në stilin e të jetuarit, ose një ndërhyrje kirurgjikale. Në këtë mes, shumë mjekëve shpesh u reduktohet roli në autoritete diagnostikuese, sepse sëmundja dikton edhe strategjinë dhe taktikat terapeutike. Mjeku identifikon sëmundjen duke e emërtuar, pastaj lufton me të dhe përpiqet ta vërë në kontroll e ndonjëherë ta shërojë përkundrejt pagesës. E keqja e këtij procesi përndryshe normal ka të bëjë me mungesën e raportit të drejtpërdrejtë të mjekut me të sëmurin.

Qëllim absurd e i pashpallur i biznesit mjekësor në vende të zhvilluara, që janë vënë tashmë nën kontroll të plotë ekonomik dhe politik të korporatave, është në thelb ta shndërrojë popullsinë në pacientë. Kjo është duke u realizuar nëpërmjet medikalizimit të problemeve të ndryshme, sociale dhe psikologjike; por edhe të fazave normale të jetës së njeriut, të tilla si: konceptimi, shtatzënia, lindja, rritja e fëmijës, kontracepsioni, vartësia nga drogat e ndryshme duke përfshirë edhe duhanin, neurozat, depresioni, mbipesha dhe problemet shëndetësore që i bashkëlidhen, plakja, vdekja. Nëse deri dje të sëmurët shkonin te mjeku për të gjetur derman për një dhimbje, ose kufizim fizik, ose çrregullim trupor çfarëdo; sot të sëmurëve u rekomandohet të shkojnë te mjeku për një “kontroll”, dhe atje marrin diagnozën përkatëse, pasi të dhënat e tyre laboratorike krahasohen me disa standarde të përcaktuara nga organizma dhe institucione shëndetësore që praktikisht kontrollohen edhe ato nga korporatat. Për shembull duket krejt normale që dikush të trajtohet për kolesterol të lartë, ose tension të lartë arterial, ose të operohet për një tumor mikroskopik në zorrë ose në prostatë thjesht ngaqë këto gjëra u janë “diagnostikuar” gjatë kontrollit. Në të vërtetë, me pak përjashtime të njohura, askush nuk vuan nga kolesteroli i lartë; të kesh kolesterol të “lartë” do të thotë që ta kesh atë tregues mbi një normë të vendosur nga një komision ekspertësh, e cila ndryshon herë pas here; vetë mjekimi i kolesterolit të lartë – një industri shumëbiliondollarëshe – mbështetet mbi një supozim, ende të pavërtetuar shkencërisht, se kështu do të ulet rreziku i infarktit të miokardit, iskemisë cerebrale dhe sëmundjeve të tjera të zemrës e të enëve të gjakut.

Kuptohet se një konceptim i tillë i shëndetësisë publike u jep mjekëve një rol prominent në politikat sociale, për të cilin rol në thelb mjekët vetë nuk janë të përgatitur. Nuk mund të mohohet as raporti midis medikalizimit të problemeve sociale dhe rritjes së të ardhurave të korporatave farmaceutike, shoqërive private të sigurimit shëndetësor, administratorëve të institucioneve shëndetësore (spitaleve) dhe mjekëve vetë. Edhe mjekët në Shqipëri janë të vetëdijshëm për këtë shans që u jepet për t’u pasuruar e për të siguruar pozicion social prominent; prandaj nuk është për t’u çuditur që, objektivisht, do të përpiqen të ndikojnë, me aq sa munden, që edhe me publikun atje të zbatohen të njëjtat modele si edhe gjetiu në Perëndim. Këto modele parakuptojnë ndërhyrje të vazhdueshme të shtetit, nëpërmjet autoritetit mjekësor, për të “korrigjuar” probleme të ndryshme në thelb jomjekësore, për shembull shtatzëninë e padëshiruar (abortet), fëmijët me ADD, obezitetin ose anoreksinë në mosha të reja, përdorimin e drogave dhe vartësinë prej tyre (duhani, alkooli, drogat e injektueshme, vartësia nga barna psikotrope); dhe sidomos pacientizimin total të popullsisë mbi moshën 40-vjeçare, dhe terapinë intensive të fazave terminale të sëmundjeve të ndryshme (reanimacionin, etj.). Kjo do t’i kërkojë shtetit ose privatëve shpenzime jashtëzakonisht të mëdha sidomos për aparatura të diagnostikimit e të reanimacionit, të cilat në fund të fundit do t’i faturohen publikut vetë. Gjithashtu, vlen të përmendet edhe rritja e shpenzimeve totale për të gjitha ato gra që tash e tutje do të lindin me operacion cezarian, ose për numrin tendencialisht në rritje të shqiptarëve të moshuar që do të vdesin në spitale të rrethuar nga gjithfarë makinash, jo në shtëpitë e tyre të rrethuar nga të afërmit.

Unë besoj se, në kushtet specifike të Shqipërisë, detyrë e autoriteteve publike në lëmë të shëndetësisë është të përpiqen t’i kufizojnë sa të jetë e mundur raportet e të sëmurëve me mjekun; meqë shoqëria shqiptare nuk është të gjendje t’i përballojë, objektivisht, shpenzimet e një medikalizimi të tillë si ai që po ndodh në Perëndim. E kam përmendur tashmë se masa në dukje të thjeshta, si përmirësimi i higjienës publike, sigurimi i ujit të pijshëm 24 orë në ditë e bakteriologjikisht të sigurt, shtimi i sipërfaqes së gjelbëruar, përmirësimi i kushteve të punës (siguria afatgjatë në vendin e punës, mbrojtja nga helmet e kimikatet etj.), imponimi i rreptë i standardeve higjienike në tregun ushqimor (sidomos të produkteve që “prishen”, si mishi, peshku, qumshti etj.), imponimi i standardeve të ngjashme në blegtori (vaksinimi i bagëtisë, i pulave etj.), përmirësimi i kushteve të jetesës në qendrat e banuara ose zbutja e streseve shkaktuar nga ndotja e mjedisit, ndotjet industriale, papunësia, pasiguria etj., edukimi seksual sidomos për t’i mbrojtur të rinjtë nga sëmundjet e transmetueshme seksualisht dhe vajzat nga shtatzëni të padëshirueshme, e më në fund sigurimi i kushteve higjienike minimale në spitalet vetë, do të ndihmonin për të lehtësuar shumë probleme shëndetësore që sot i shkaktojnë kokëçarje të mëdha publikut, shtetit dhe autoriteteve shëndetësore.

Të mos harrohet edhe se problemet e mjekëve janë probleme të mjekëve; ndërsa problemet e shëndetësisë janë probleme të të gjithëve, duke përfshirë edhe mjekët.

Problemi ka të bëjë me përparimet në teknologjitë diagnostikuese; meqë gjithnjë e më shpesh do të jetë e mundur, përkundrejt analizash dhe imazhimesh të komplikuara e të kompjuterizuara, që të pikasen tumore mikroskopike në trup të njeriut. Me fjalë të tjera, teknologjia e diagnostikimit në thelb krijon sëmundje të reja, meqë askush nuk e di se ç’do të bëhet me këto tumore mikroskopike; por nga ana tjetër, shumë mjekë dhe pacientë, për arsye të ndryshme, do të ngulnin këmbë që të ndërhyhej për t’i hequr nga trupi.

Dihet edhe se jatrogjenitë, ose çrregullimet shëndetësore të shkaktuara nga ndërhyrje të papërshtatshme të mjekëve, janë një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në SHBA dhe në vende të tjera të Perëndimit. Për këtë nuk mund të bëhen me faj vetëm mjekët; por kryesisht teprimi me procedurat e ndryshme diagnostike dhe terapeutike. Pa përmendur që për një kategori të sëmurësh, hospitalizimi është baraz me dënim me vdekje, për shkak të sëmundjeve që do të marrin në spitale.

Pyetja ime është kjo: të gjitha ato që etiketohen si “përparime” në mjekësi (diagnostikë, terapi), a janë vërtet përparime të shëndetësisë, apo thjesht përparime të teknologjisë vetë dhe fryrje të llogarive bankare të atyre që përfitojnë nga teknologjitë? Nëse nesër, bie fjala, bëhet e qartë se një prej testeve më universale që bëhet për të detektuar kancerin e prostatës (PSA) është pa vlerë terapeutike, atëherë si do të përligjen bilionat e dollarëve që kanë shkuar dëm për këtë procedurë diagnostike?

[2007]

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin