Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Nobel feminizmit

Nga nobelistja e sivjetshme Jelinek nuk kam lexuar asgjë, por besoj kam të drejtë të them diçka për mënyrën si u përgatit dhënia e çmimit Nobel në letërsi këtë vit.

Prej ditësh shtypi përsëriste se tani u kish ardhur radha grave për ta marrë këtë çmim, madje servirte edhe lista kandidatesh të mundshme.

E vërteta është se ka një bum të jashtëzakonshëm shkrimtaresh gra në Perëndim, sidomos të letërsisë trillimtare (fiction). Siç mund të merret me mend, disa shkruajnë mirë, disa shkëlqyeshëm, por shumica shkruajnë për çikërrima të mërzitshme.

Mirëpo a është arsye për të dhënë çmimin Nobel në letërsi fakti që ka vite që këtë s’e ka marrë asnjë grua? Mua nuk më duket kështu. Shkrimtaret gra duhet ta marrin Nobelin duke e merituar, jo sepse u “takon”.

Prapa arsyetimeve të mediave dhe ndoshta të vetë komisionit Nobel, shprehet një filozofi e tipit multi-kulturalist, e cila mendoj se duhet kundërshtuar.

Kjo është e ashtuquajtura filozofi e “të drejtave” në bazë të identitetit. Sipas këtyre, të drejtat e njeriut ashtu siç formulohen dhe njihen në botëkuptimin perëndimor nuk janë të mjaftueshme. Prandaj edhe flitet për të drejta të grave thjesht ngaqë janë gra, të drejta të fëmijëve thjesht ngaqë janë fëmijë, të drejta të homoseksualëve thjesht ngaqë janë homoseksualë dhe kështu pa fund.

Është një filozofi që shpie në kalbëzimin dhe shkatërrimin e indit social, siç edhe ka shpënë.

Në SHBA, i famshmi diskriminim pozitiv (affirmative action), i cili ka synuar t’u krijojë lehtësi të mëdha minoriteteve etnike e sidomos zezakëve, tanimë ka dështuar. Shumë analistë janë sot të mendimit se gjendja e përgjithshme e minoritetit zezak në SHBA është keqësuar edhe për faj të nxitjes së një ideologjie të titullimit, e cila ka zënë tashmë rrënjë në mendësinë e zezakut, duke shkaktuar ndër të tjera një refuzim total të vlerave të kulturës “së bardhë”. Nga ana tjetër, diskriminimi pozitiv ua zhvlerëson vetvetiu arritjet vetjake dhe meritat të gjithë atyre individëve zezakë që vërtet shquhen në fushat e tyre (me përjashtim të show business e sporteve, ku zezakët janë të mbipërfaqësuar).

Gratë janë një tjetër i ashtuquajtur “minoritet” që meritokan të drejta të veçanta, sidomos në raport me burrat. Feminizmi dhe post-feminizmi kanë bërë shumë zhurmë në këtë drejtim, por mua më duket se rezultatet konkrete nuk kanë qenë më tepër se: vuajtje, izolim, vetmi, neurozë nga shumë prej viktimave të tij.

Nuk ka nevojë të jesh feminist, për të luftuar që gratë dhe vajzat të kenë po ato të drejta që kanë edhe burrat, në shoqëritë ku jetojnë. Përkundrazi. Në format e veta të skajshme, feminizmi synon të mbjellë urrejtje ndër gratë kundër burrave, me pasojat që dihen.

A ka shtypje të femrës në familje? Natyrisht që ka. Po a lidhet kjo shtypje me identitetet seksuale të partnerëve? Natyrisht jo. Marrëdhëniet familjare midis burrit dhe gruas mund dhe duhet të ripërkufizohen me përpjekje të përbashkëta të partnerëve, jo duke i futur këta në luftë me njëri-tjetrin.

Feminizmi është parë prej armiqve të tij tradicionalë (konservatorëve, kishës etj.) si një shprehje e të famshmes “penis envy” – shprehje e Freud-it. Unë vetë mendoj se femra nuk mund t’i kërkojë bindshëm të drejtat që i takojnë si njeri duke adoptuar qëndrime dhe sjellje prej mashkulli.

Femra është femër; përveçse qytetare, është nënë motër dhe grua; krijuese dhe kujdestare e jetës. Çdo lëvizje që kërkon ta spostojë nga këto role, është në kundërshtim me natyrën njerëzore.

Në Shqipëri tradicionalisht femra është mbajtur brenda mureve të shtëpisë, në një kohë që jetën publike e kanë monopolizuar meshkujt. Por nga eksperienca vetjake mund të them se, në shumicën e familjeve që kam njohur, gruaja ka qenë e respektuar dhe shpesh në kontroll të situatave.

Le të mos ngatërrojmë rolet tradicionale, të cilat mund e duhet të ndryshohen gradualisht, me dhunën në familje e cila është gjithnjë individuale.

Nëse femrës tradicionalisht i është dhënë në dorë fshesa, ndërsa burrit çekiçi, kjo nuk do të thotë se femra po nëpërkëmbet. Përkundrazi, një ndarje rolesh gjithnjë do të ekzistojë, në familje dhe në shoqëri, e mbështetur në diferencat biologjike midis sekseve.

Sot në Shqipëri më shumë sesa emancipim shpesh vihet re një objektifikim i femrës, në shërbim të një hierarkie fund e krye falike. Nuk më duket se prostituimi simbolik, ose përdorimi i hireve për të siguruar pozitë sociale, përbën ndonjë hap përpara në krahasim me rolin tradicional të gruas në etikën myslimane ose të krishterë, madje edhe në kanun.

Por njëkohësisht Shqipëria ka prodhuar edhe një brez gra të cilat, instinktivisht, e refuzojnë feminizmin, dhe e kërkojnë afirmimin social në partneritet me burrat – e tyre ose jo. Këto gra kombinojnë mundimshëm rolin e tyre prej nëne dhe shoqeje, me rolin tjetër, modern, të protagonisteve në jetën publike.

Nuk u mbetet shumë kohë për të ulëritur ose mjaullitur kundër burrave.

A mund ta arrinin femrat shqiptare këtë lloj emancipimi, pa bashkëpunimin sistematik të meshkujve partnerë? Dhe vallë nuk është ky bashkëpunim e vetmja mënyrë si femrat dhe meshkujt mund t’i rithemelojnë rolet e tyre në familje dhe sociale, pa çuar kjo në shkatërrim të strukturave?

Është e vërtetë se shoqëria që kemi trashëguar pa na pyetur kush është shoqëri fallocentrike. Por fallocentrik është edhe admirimi që ne meshkujt kemi për femrat, dhe vetë fakti që shumë nga krijimet njerëzore më të mrekullueshme, në art dhe gjetiu, janë bërë të mundura falë përkushtimit sublim të meshkujve ndaj femrave.

Gjithnjë më pëlqen që krejt kulturën ta përfytyroj si sublimim të dashurisë. Burrat ende janë forca lëvizëse kryesore në jetën publike, por kjo forcë, në aspektin e vet pozitiv e krijues, është shpesh e rrënjosur në vullnetin për të kënaqur gratë.

Si mund të përshëndetet një kundërkulturë – feminizmi radikal – që supozohet ta gjejë energjinë në urrejtjen (e grave kundër burrave)?

Them se në format e veta agresive, feminizmi përfaqëson një kërcënim real për mirëqenien sociale. Aq më tepër në Perëndim, ku grave u ka shkaktuar kryesisht vuajtje dhe frustracion. Kurrë ndonjëherë më parë në shoqëritë perëndimore nuk ka pasur një numër kaq të madh femrash që jetojnë vetëm, ose në shoqëri ekskluzive me qen dhe zhapinj. Çfarë dreq alternative është kjo?

Përfshirja gjithnjë në rritje e gruas në jetën publike në vendet e zhvilluara nuk më duket se lidhet drejtpërdrejt me feminizmin. Përkundrazi, feminizmi është një lëvizje politike radikale, që paraziton mbi nevojën e arsyeshme të gruas për t’u përfaqësuar me dinjitet jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri.

Vetë Jelinek besoj do kish qenë artistikisht më e kënaqur sikur mediat të mos kishin folur për dhënien e Nobelit “një shkrimtareje femër”. Është turp që suksesi artistik të varet nga politika divizive dhe dështake.

o o o

Një diskutim për feminizmin natyrisht do të na çonte shumë larg. Nuk e njoh mirë këtë doktrinë nga brenda, as jam i familjarizuar me hollësi të lëvizjes.

Por feminizmi është një doktrinë që nuk mund ta kundroj në mënyrë të çinteresuar, në një kohë që më prek madje korrupton, mua ashtu si shumë të tjerëve, sferat më intime e më të shtrenjta të jetës private – marrëdhëniet familjare.

Më parë se një teori ose botëkuptim, feminizmi për mua është shfaqur si rrezik. Rrezik jo ndaj ndonjë supremacie prej mashkulli – të cilën nuk e kam kërkuar, por ndaj mirëqenies sime intime. Është e hidhur kur dikush që për ty është e dashur dhe e shtrenjtë, të fillojë të të konsiderojë si armik vetëm e vetëm sepse ia kanë shplarë trutë doktrinat feministe ose versionet pop të këtyre doktrinave.

Nuancat në një teori janë gjithnjë më pak të rëndësishme se perceptimi që i bëhet kësaj teorie prej opinionit publik. Unë nuk jam studiues i feminizmit, por në atë masë që më ka shkaktuar probleme personale, e konsideroj veten të kërcënuar prej tij.

Mund të bëhet një krahasim me marksizmin. Askush më mirë se ne nuk mund ta dijë sa versione të marksizmit ka pasur gjatë këtyre 150 vjetëve të fundit. Mirëpo për opinionin publik në vendet e rrezikuara prej komunizmit, këto versione shpesh nuk kanë fytyrë tjetër veç emëruesit të përbashkët: luftë e klasave, proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni, dhuna si mami e historisë, kapitali krijohet nga mbivlera, diktatura e proletariatit etj.

Një versioni të ngjashëm të feminizmit i referohem edhe unë këtu. Pikërisht atij versioni që e gjej, për shembull, në citatin e mëposhtëm:

“Gratë janë një popullatë e skllavëruar – fëmijët janë të korrat tona, shtëpitë janë fushat ku robëtohemi. Gratë shtrëngohen të kryejnë akte seksuale me burra, të cilat e dhunojnë integritetin, sepse feja universale, përbuzja për gratë, ka si urdhëresë të parë që gratë ekzistojnë vetëm si tagji seksuale për burrat.” [Andrea Dworkin.]

Pikërisht mentaliteti që qëndron prapa një citati të tillë – dhe mund të sillen me dhjetëra kësisoj, më duket se nuk i shërben familjes por shkatërrimit të saj; nuk i falet dashurisë por urrejtjes; nuk i vlen marrëdhënies midis sekseve, por izolimit të sekseve. [2004]

 

3 Komente

  1. Femra është femër; përveçse qytetare, është nënë motër dhe grua; krijuese dhe kujdestare e jetës. Çdo lëvizje që kërkon ta spostojë nga këto role, është në kundërshtim me natyrën njerëzore.

    Nëse femrës tradicionalisht i është dhënë në dorë fshesa, ndërsa burrit çekiçi, kjo nuk do të thotë se femra po nëpërkëmbet. Përkundrazi, një ndarje rolesh gjithnjë do të ekzistojë, në familje dhe në shoqëri, e mbështetur në diferencat biologjike midis sekseve.

    Je totalisht gabim me kete arsyetim.Barazi gjinore-e thene shkurt-nuk do te thote shkembim rolesh, as dublim rolesh dhe as barazim rolesh.DO TE THOTE BARAZIM TE DREJTASH DHE PERGJEJGESISH.Femrat edhe ne nje shoqeri te emanacipuar do te lindin sepse keshtu i ka bere Natyra-Zot por kujdesi dhe mirrerritja e femijeve nuk eshte vetem pergjegjesi e gruas por edhe e burrit.
    Ne nje pike te jap te drejte: levizja feministe ne nje shoqeri te pakulturuar ka rrezikun e keqkuptimeve dhe perceptimit si revansh i grave ndaj burrave. Barazia gjinore e kerkuar vetem nga grate dhe ne emr te grave ka rrezikun e demonizimit te meshkujve si burimi i te keqes.
    Ne fakt burimi i dikriminimit te femres eshste strukturor, kulturor , historik dhe social.Ne kete kontekst meshkujt jane vetem mbartes dhe ushtrues te kesaj kulture dikriminuese. Eshte kultura qe e ka zanafillen te forma me e vjeter e ndergjejges shoqerore -religjioni – i cili ka sanksionuar nenshtrimin e femres ne sentencen Biblike: Gruaja e pare-Eva eshte krijuar nga brinja e Adamit.Rrjedhimish ajo eshte si pjesa ndaj se teres, e varur dhe ne funksion te se teres dmth MASHKULLIT!!
    Edhe me shqetsimin se feminizmi (i keqkuptuar dhe perceptuar si revansh prej grave) rrezikon jeten intime dhe raportet familjare eshte i drejte. Mendoj se ne nje shoqeri ku mundesite ebarabarta mbeten vetem slogane dhe ne nje familje me shtrat te forte tradicional, ideologjia feministe ka rrezikun te projktoje frustacione ne mendjet e grave qe marrin kot me kot dhe dhunshem kerkojne te bejne ligjin ne familje.

  2. Edhe une nuk kisha ndonje konsiderate te madhe per kete rryme kulturore, por do te them se pas disa zbulimesh qe bera ne biblotek, opinioni im paraprak nuk u perligj, do te te keshilloja te shikoje kontributet artistike te feminizmit, dhe me pas te lexoje letersine qe kane zhvilluar, ne menyre qe stereotipi mediatik qe ke te turbullohet pikerisht nga “nuancat”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin