Në një bar në Salce, afër Belluno-s, në veri të Italisë, menjëherë pas ndeshjes Gjermani-Argjentinë të çerekfinaleve të Botërorit 2006, ndodhi një incident sui generis: grupe tifozësh të të dy skuadrave u përleshën mes tyre dhe policia shoqëroi në kuesturë disa prej fajtorëve, në një kohë që të tjerë më pak fatlumë përfunduan infermierive. Gjatë këtij simulimi të dhunshëm të takimit të botërorit, interesat e Argjentinës i mbronin të mërguarit prej atij vendi, në një kohë që tifozët e kombëtares gjermane, të përfshirë në zënie, ishin të gjithë shqiptarë. Gazetat e dhanë këtë lajm pa kurrfarë komenti, thuase qenkësh gjëja më e natyrshme që një dorë shqiptarësh në Itali të rrihen për t’i mbrojtur nderin ekipit të Klinsmann-it e superfuqisë së futbollit që përfaqëson ai ekip; por më shumë ka të ngjarë që komentuesit të kenë mbetur gojëhapur para kësaj çudie të re shqiptare, të pashpjegueshme me skemat e klishetë aq të dashura për mediat evropiane, kur vjen puna për të interpretuar sjelljet e mysafirëve prej Lindjes.
Lajme të tilla, megjithatë, nuk kanë habitur kënd mes shqiptarëve vetë. Sa kohë që Shqipëria nuk përfaqësohet dot me ekip të vetin në Gjermani, duket e natyrshme që publiku atje ndahet në fraksione përkatëse, të cilat njëfarësoj pasqyrojnë besnikërisht pasionet planetare të futbollit. Kampionati botëror gjithnjë ka qenë nga ato ngjarje që kanë çuar, sikurse gjetiu, në paralizë të jetës sociale në vend; teksa të gjithë i nënshtrohen vullnetarisht hipnozës së ekranit të vogël dhe ua besojnë forcave të largëta e të padepërtueshme shpresat e veta për ditë më të bardha që paskëtaj të vijnë. Deri edhe kryetotalitarët dikur e toleronin disi magjepsjen kolektive pas topit vallëzues në ekran, pa u trembur dhe aq prej infeksionit kozmopolitan e pa u shqetësuar që publiku do të marrosej pas ndeshjeve të Botërorit edhe për të shprehur, në rrugë sado irracionale, një farë revolte të verbër ndaj izolimit prej botës.
Shqiptarët, nga ana e tyre, gjithnjë e kanë ndier veten ngushtë në Shqipëri dhe vështrimin e kanë mbajtur ngjitur në horizontet. Historikisht, interesi për futbollin botëror nuk mund të ndahet nga bisedat për politikën e madhe ndërkombëtare në klube fshatrash në majë të malit; nga pensionistët urbanë që e nisnin leximin e gazetës “Zëri i Popullit” nga faqja katër, nga fëmijët e tetëvjeçareve të Tiranës që rriteshin me këngët e Modugno-s e të Celentano-s; nga turmat që shtyheshin te biletaria e kinemasë ku gatitej të shfaqej “Trimëritë e Herkulit”. Nuk mund të akuzosh për mungesë patriotizmi njerëz që rregullisht e kanë themeluar identitetin e tyre duke e ngulur Shqipërinë në zemër të planetit e duke u ndier krenarisht pjesë thelbësore e universales. Nëse kjo lidhet apo jo me marrëdhëniet e dikurshme të shqiptarëve me majat e pushtetit në Perandoritë Bizantine e Osmane; apo nëse ka të bëjë më tepër me vullnetin e publikut ndër ne për të mos mbetur në periferi apo në provincë të globit, e vërteta mbetet se për shumëkënd thelbi i të qenit shqiptar konsiston në përqafimin e pakushtëzuar të Tjetrit. Që këtej, edhe lehtësia me të cilën ata shqiptarët e Salce-s vajtën e u rrahën me argjentinasit, për mustaqet e kombëtares gjermane.
Futbolli botëror i erdhi publikut në Shqipëri me televizorët e parë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar. Unë vetë mbaj mend që gjysmëfinalen Portugali-Angli të Botërorit 1966 e kam dëgjuar në radio, ende fëmijë e pa kuptuar asnjë gjysmë fjale, në shtëpi të tim ungji; në një kohë që gjysmëfinalen tjetër, atë legjendaren me shtesë midis Italisë e Gjermanisë në 1970, e kam parë në një dhomë dingas me tym duhani e burra ulur përreth një totemi të vogël sovjetik të markës “Rekord”, me shasi prej druri të latuar. Vitet e Beatles-ave, të bombave amerikane në Vietnam, të Cassius Clay-t, të barrikadave të studentëve në Paris, të hipive e të drogës, ishin edhe vite kur mitologjia e futbollit botëror erdhi e u rrënjos përfundimisht në mendjen kolektive të shqiptarit. Katër ekipe që dolën në finale të botërorëve të 1966-ës e të 1970-ës – Anglia, Gjermania, Italia dhe Brazili – do të ndanin mes tyre edhe besën e shqiptarëve të largët, kaq ekskluzivisht sa edhe sot e kësaj dite relativisht të rrallë janë ata shqiptarë që deklarohen tifozë, bie fjala, të Hollandës, të Francës, të Argjentinës e të ndonjë ekipi tjetër me peshë e prani të pamohueshme në skenën ndërkombëtare. Si çdo mitologji tjetër, edhe kjo e futbollit do të buronte nga nevoja psikologjike e papërballueshme për t’i riorganizuar eksperiencat emocionale në trajta rreptësisht etike; duke ndërthurur dëshirat dhe iluzionet e publikut me stereotipet folklorike për kulturat e vendeve përkatëse.
Kështu, te Gjermania (aso kohe vetëm Perëndimore) rregullisht do të admirohej energjia e pashtershme, atletizmi dhe ndershmëria mashkullore; superioriteti pothuajse arian, fizikaliteti i kulluar dhe hiperkinetizmi; madje edhe simbolizmi i së bardhës në fanellat. Anglia do të imponohej, përkundrazi, si mishërim i burrnisë dhe i traditës aristokratike; ose përfaqësuese e një futbolli romantik që kërkonte ta ruante klasin e pashoq duke i mbetur besnike origjinës dhe vlerave të vjetra të sportivitetit britanik. Brazili, perceptuar si skuadër “jevgjish” ose zezakësh, do të përfaqsonte futbollin e kthyer në art; vetvetishmërinë e elegancës ose të sambas së lojtarëve në fushë; talentin në “gjak”, ose fitoren si improvizim yjesh dhe individualitetesh; e më në fund lojën të konceptuar si një shfaqje cirku ose apoteozë të zbavitjes e të haresë nëpërmjet virtuozitetit të pafre; njëfarë revanshi intuitiv të varfërisë dhe të rrugës, ndaj disiplinës shkencore pothuaj ushtarake të shkollave evropiane. Italia, last not least, ishte trashëgimtarja e vetme e frymës mesdhetare të Uliksit, ose të fitores me stratagjemë e dredhi; ambasadore e një futbolli detyrimisht inferior, të mbështetur në fatin, takticizmin e tepruar, teatrin viktimist, lojën e rëndë në mbrojtje dhe goditjen me kundërsulm pas shpine. Përfytyrime të tilla, krijuar pikërisht në ato vite kur shqiptarët për herë të parë nisën t’i ndjekin në ekran ndeshjet e Botërorëve, u kanë mbijetuar dekadave dhe gjëllijnë për bukuri edhe sot e kësaj dite, paçka se tani pak po u përgjigjen realiteteve në fushë.
Karakteristikat që u atribuohen shkollave futbollistike përkatëse duhet ta kenë prejardhjen nga stereotipet folklorike për popuj të ndryshëm amplifikuar rëndom edhe prej mediave, e që në Shqipëri zakonisht kanë depërtuar prej kulturash të tjera. Në prag të gjysmëfinales së këtij Botërori, midis Gjermanisë dhe Italisë, shumica dërrmuese e komentatorëve parashikonin një lojë të shtjelluar sipas modelit mitologjik që e kërkonte Gjermaninë hedhur në mësymje të papërballueshme dhe Italinë mbyllur trishtueshëm në mbrojtje, njëlloj sikurse edhe e famshmja gjysmëfinale e 36 vjetëve më parë në stadiumin Azteca. E vërteta futbollistike e lojës në Dortmund pak do të ndikojë në rishikimin e këtyre modeleve, të cilat sot ushqehen më tepër nga nevojat emocionale të publikut në mbarë botën për teatër të llojit etik, sesa nga konsiderata teknike të mirëfillta. Si dukuri e psikologjisë së turmës, tifozllëku në futboll do ta ruajë gjithnjë një përmasë mistike e irracionale, ku dy ekipe që luajnë topin sipas rregullash pak a shumë arbitrare e sidomos thjesht për të zbavitur veten e publikun shndërrohen në mishërime sublime të së mirës dhe së keqes; së bardhës dhe së zezës; dashurisë dhe urrejtjes. Askush nuk mund të presë që shqiptarët, popull mes popujsh e publik mes publikësh, të bëjnë përjashtim.
Megjithatë, çka na dallon ne shqiptarëve prej të tjerëve nuk është aq personifikimi etik i superfuqive të futbollit botëror, as fraksionimi i publikut nëpërmjet identifikimit me këtë apo atë skuadër; por intensiteti i këtij përkushtimi, ose pasioni me të cilin futbolli i një Botërori shndërrohet në një alegori sa të thjeshtë, aq edhe universale, të forcave etike elementare të jetës së përditshme. T’ia faturosh një psikozë të tillë beninje izolimit të Shqipërisë gjatë gjysmë shekulli totalitarizëm, sa kohë që edhe vende të tjera, si Armenia, Lituania, Moldavia, Azerbaixhani, Gjeorgjia e plot të tjera kanë qenë ndoshta njëlloj të izoluara sa edhe Shqipëria, kur ka qenë fjala për kontakte me Perëndimin. Marrosja pas futbollit ndërkombëtar në shqiptarët do shpjeguar më tepër me kombinimin, vërtet djallëzor, të vullnetit totalitar për izolim me pozicionin gjeografik dhe virtual të Shqipërisë në zemër të kontinentit evropian, në udhëkryq të trafikut kulturor, në kullën e vrojtimit. Pikërisht ky dyzim i pagjasë midis afërisë dhe distancës, përmbytjes së kulturës shqiptare nga mediat perëndimore dhe memecërisë së imponuar me dhunë ndaj shqiptarëve vetë prej kryetotalitarëve të Hoxhës, dëshirës për të qenë kudo dhe pamundësisë për të qenë qoftë edhe në shtëpinë tënde, mund të shpjegojnë disi edhe investimin grotesk, paradoksal, madje absurd të publikut dhe të mediave në Shqipëri, por edhe të shqiptarëve kudo në planet, ndaj një evenimenti të tillë objektivisht kaq të largët për ne, si Botërori i Futbollit.
Vitet e rinisë sime, madje krejt edukimin tim sentimental, i grish në kujtesë gjithnjë përshkuar tej e ndanë nga ankthet, gëzimet, trishtimet, tërbimet dhe indinjimet për ngjarje të ndryshme futbollistike – nga ato minoret të kampionatit tonë Tirona-Partizoni, tek ato të kampionatit italian përcjellë në radio prej të paharruarve Enrico Ameri e Sandro Ciotti e më në fund për ato momente kur krejt historia vinte e kondensohej verbueshëm në javët e ndeshjeve të Botërorit. Ndarë në grupe sipas simpative përkatëse e duke zbuluar, sipas rastit, solidaritete, aleanca strategjike, interesa të përbashkëta të përkohshme e armiqësi të papajtueshme në shokë e miq me të cilët deri dje kishim ndarë bukën, muhabetet, frikërat politike dhe sekretet seksuale, i përjetonim ato ndeshje si të ishin drama alegorike e sakrale të fatit tonë, vendosur rreptësisht gjetiu e krejt jashtë kontrollit të arsyes. Nuk di nëse edhe sot e kësaj dite, brezat e rinj në Shqipëri i përjetojnë ndeshjet e Botërorit në trajta të tilla metafizike; as jam në gjendje të them nëse hapja e Shqipërisë ndaj botës e ka ripërmasuar, njëfarësoj, edhe pritjen e futbollit ndërkombëtar nga publiku i atjeshëm. Megjithatë, si çdo kulturë tjetër romantike dhe e pastabilizuar, edhe e jona gjithnjë ka nevojë t’u referohet entiteve mitike e transhendentale, të shtjelluara në një kohë dhe në një hapësirë që pak gjëra kanë të përbashkëta me hapësirën dhe kohën e ekzistencës së shqiptarit anonim të rrugës. Vorbull pasionesh të papërmbajtshme dhe elektriciteti kolektiv të një energjie të pamatshme, futbolli mbetet xehe e përsosur mitesh të tilla morale e ngushëllimtare.
[2006]