Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Do ta blesh gazetën?

Nuk di ç’mendojnë kolegët për çështjen e çmimit të gazetave në Shqipëri, të cilën doemos do ta kenë ndjekur të paktën në Internet. Disa komentatorë që kam lexuar, e konsiderojnë imponimin me ligj të një çmimi bazë si shkelje të rregullave të konkurrencës së lirë dhe të ekonomisë së tregut. Ka edhe nga ata që përmendin raste të shoqërive perëndimore, ku ndonjëherë gazetat jepen edhe falas.

Duke perifrazuar Orwell-in në “Animal Farm”, problemi mund të përmblidhej pak a shumë kështu: gazetat janë të barabarta para blerësit, por disa gazeta janë më të barabarta se të tjerat. Ato gazeta që kontrollohen nga firma të mëdha komerciale, ose që marrin subvencione të veçanta, mund ta përballojnë deri edhe shitjen nën kosto; çka mund të çonte në falimentimin e të tjerave, që nuk i kanë këto mundësi.

Unë jetoj në New York City dhe mund të them se shtypi i këtushëm është në gjendje të mjeruar. Tabloidë si “The New York Post” dhe “The Daily News” shiten vërtet lirë, madje jashtëzakonisht lirë; ka madje të tillë si “The Village Voice” që jepen falas në Manhattan. “The New York Times”, që është gazetë më serioze, shitet pak më shtrenjtë; njëlloj si edhe gazeta elitare të tipit “The Wall Street Journal”.

Tregu është i diferencuar sipas interesave të lexuesve. Tabloidët e tipit “The New York Post” janë të mbushur me plehra dhe propagandë të trashë (vetë “The New York Post” është e djathtë pothuajse fashistoide, ndërsa “The Daily News” populiste manipulative). “The New York Times” don të hiqet si gazetë intelektualësh, por kohët e fundit ka pësuar fiasko pas fiaskosh, sidomos për gënjeshtrat qeveritare që ka tellallisur në lidhje me luftën në Irak.

Megjithatë, kurthi për lexuesin është i plotë; sepse shumë nga ata që neveriten me pisllëqet e “The New York Post”, i falen pastaj “The New York Times” me shpresë se po emancipohen kulturalisht (duke lexuar gjepura për restorantet e qendrës ose artikuj infomercialë për kartat Ethernet ose funksionin Bluetooth), nëse nuk i bind e nuk i ngop “The Village Voice” (të cilën e blejnë ata që nuk impresionohen shumë nga fotografi ballore poetësh pak homoseksualë lakuriq e në moshë të thyer).

Përshtypja ime është se në Evropë, ku çmimet e gazetave më duket se janë njëfarësoj të rregulluara, cilësia e informacionit është shumë më e lartë. Deri edhe një gazetë provinciale në Spanjë e kam gjetur dikur më informative dhe më interesante se prestigjiozen “The New York Times”. Pa përmendur gazetat italiane, të cilat i lexoj edhe sot e kësaj dite, me shumë interes; madje edhe për shumë gjëra që ngjasin në Amerikë lajmin e marr fillimisht nga “La Repubblica”.

Ndoshta mediat nuk mund të trajtohen nga shoqëria njëlloj si të ishin këpucë ose makina fshirëse; vërtet konkurrenca në treg është faktor pozitiv, por kur vjen fjala për informacionin koncepti i vlerës së përdorimit nuk është aq linear sa për pastën e dhëmbëve ose shampot. Kjo edhe sepse informacioni ka vetinë të shumohet praktikisht pa shpenzime. Unë mund të ta jap ty një ide pa e humbur unë vetë, por kjo nuk mund të ndodhë me një karamele.

Me fjalë të tjera: për mua komercializimi total i mediave është i papranueshëm. Shoqëria duhet gjithnjë të ndërhyjë, me kujdes dhe paanshëm, në mënyrë që të sigurojë e mbrojë edhe cilësinë e informimit, edhe pluralizmin e zërave. Kontrolli i çmimit bazë mund të ishte një mënyrë për ta bërë këtë; por mund të ketë edhe mënyra të tjera, për shembull nëpërmjet financimit.

Në Shqipëri ka tanimë disa gazeta të cilat kanë fituar një leximtari besnike, të cilën duhet ta respektojnë, dhe jo vetëm nëpërmjet çmimit të shitjes. Mirëpo dukuri të tilla si ajo që ka ndodhur, për shembull, me një gazetë si “Koha Jonë”, e cila është kthyer në një telenovelë të aventurave prokatolike të shefit të vet, nuk tregojnë ndonjë respekt për lexuesin. Edhe identifikimi i fundit i pozicioneve të “Shekullit” me interesa të caktuara në raport me debatin e plehrave, nuk i shërben shëndetit të mediave.

Kush jeton në Shqipëri mund të japë sqarime të mëtejshme për këtë problem. Unë vetëm mund të them që kjo që shoh në New York si pseudorezultat i një politike liberale çmimesh – por në të vërtetë efekt i kalkuluar një fushate propagandistike pothuajse shkencore – nuk është ndonjë model për t’u lakmuar, as për t’u zbatuar në Shqipëri.

Në një editorial botuar në “Shekulli” në lidhje me çmimet e gazetave në Shqipëri, Artan Fuga, i cili shprehet kundër ndërhyrjes së shtetit dhe sidomos të parlamentit në përcaktimin e një çmimi “dysheme” për gazetat, ndër të tjera shkruan:

“Cilido vendim arbitrar në këtë fushë do ta zëvendësonte rolin e tregut në formimin e çmimeve me ndërhyrjet politiko-administrative. Ekonomisti dhe filozofi amerikan Hayek thotë bukur se duke mos ia lënë tregut të vendosë për shpërblimin e profesioneve të ndryshme ne kujtojmë se shmangim padrejtësitë që ky treg mund të krijojë. Por, shton ai, në këtë rast, ne harrojmë se kështu i japim politikës, shtetit, të drejtën për të vendosur arbitrarisht se çfarë vlere ka puna e një mësuesi, një infermiereje, një avokati për njerëzit që përfitojnë nga shërbimet e tyre. Për ta ditur këtë, shteti duhet të zëvendësojë qytetarin dhe këtu ai rrezikon të nisë të bëhet autoritar dhe i padrejtë.”

Unë nuk e njoh ekonomistin dhe filozofin amerikan Hayek, prandaj do ta komentoj këtë citat vetëm në kontekstin ku e ka futur Fuga. Jam kurioz se si do ta përligjte Fuga diferencën e humnershme midis rrogave mesatare, ta zëmë, të një mësuesi dhe të një avokati në SHBA; ose të një profesori të shkencave politike në universitet dhe dentistit të atij profesori ose mjekut të qenit të tij. Sepse një ekonomi “tregu” që i vendos, bie fjala, mësuesit në bazament, ndërsa avokatët në krye të piramidës së rrogave, ka nevojë urgjente për ndërhyrje nga shteti. Një situatë e atillë tregon se shoqëria shqetësohet më pak për edukimin e brezave, sesa për të rregulluar kafshimet që i bënë reciprokisht çakejtë (ose dentistët) njëri-tjetrit.

Ekonomia e tregut – si shumë po i bien këtij avazi, nga të gjitha anët. Po ku është kjo ekonomi tregu, përtej pazarit të gjësë në Këlcyrë dhe/ose Igumenicë, xhanëm? Çmimet e gazetave në New York mund t’i detyrohen shumë faktorëve, por vetëm ekonomisë së tregut jo. Dihet botërisht se “The New York Post” shitet me humbje të mëdha, me qëllim që të fitojë terren ndaj konkurrentes së saj direkte “The Daily News”. Në një ekonomi tregu të kulluar, “The New York Post” nuk do të mund të shitej aq sa shitet, do të kishte falimentuar me kohë. Ekonomistët mund të më shpjegojnë sa i përgjigjet skemës teorike të një ekonomie tregu shitja sistematike nën kosto , duke pasur parasysh edhe se gazetat manovrohen nga interesa të mëdha politike, përveç atyre ekonomike.

Përveç kësaj: mediat lidhen drejtpërdrejt me lirinë e mendimit, lirinë e fjalës dhe të shprehjes, pluralizmin politik dhe të ideve. Pse u dashka të na bëhet kaq vonë për ekonominë e tregut dhe parimet e saj, në raport me të parat? Thuhet se ka një lidhje midis demokracisë dhe ekonomisë së tregut, por kjo lidhje nuk është kaq e pandërmjetme, as e tejdukshme. Opinionet e njerëzve nuk shiten as blihen, dhe sipas logjikës së ekonomisë së tregut, pakicat duhej të falimentonin; në një kohë që demokracia e vërtetë nuk mund të kuptohet pa garantimin e tyre në “tregun” e ideve politike dhe kulturore.

Na mbytën filistinët. Ku kishin qenë gjithë këta, është e habitshme. SHBA mund të tolerojë një aradhe mësuesish mediokër dhe të papërgatitur, sepse kuadrot e larta dhe shumë të larta i përgatit në shkolla private të elitës ku pagesat janë krejt të tjera, ndërsa kuadrot e mesme i importon me lehtësi të madhe nga Bota e Tretë. Edhe marifetet e këtushme (në SHBA) me çmimet e gazetave nuk i kanë shërbyer aspak rafinimit demokratik dhe ndriçimit të publikut; pse edhe sot e kësaj dite nuk di sa përqind e amerikanëve besojnë se atentatet e 11 shtatorit i organizoi Saddam-i – kryesisht për faj të televizionit, që ka arritur nivele rekord idiotizimi, por edhe gazetat kanë pjesën e tyre.

Për t’u kthyer tek idetë e Hayek që e paskan magjepsur Fugën: pse vallë u dashka supozuar se ekonomia e tregut mund të vendosë më drejt sesa shteti, edhe për probleme që kanë të bëjnë sa me ekonominë aq edhe me kulturën a ideologjinë? Ose më saktë: pse duhet t’u bëjmë temena efekteve të forcave të verbra të tregut dhe të nënvleftësojmë aftësinë e njerëzve për t’ia përmirësuar strukturën shoqërisë ku jetojnë? Pse qenkan gjithnjë “arbitrare” orvatjet që synojnë të rregullojnë këto efekte? Ç’rol kaq special kanë qytetarët në ekonominë e tregut, të cilin rol ua turbulloka shteti me ndërhyrjet e veta? Më në fund, pse u dashkan ndarë kaq prerë qytetarët nga shteti? A nuk është shteti i qytetarëve?

o o o

Ja një shembull flagrant sesi në disa raste ekonomia e tregut meriton të quhet më mirë ekonomi e tregtarit.

Shumëkush ndoshta ka dëgjuar për skandalin e kompanisë bioteknologjike ImClone, i cili e çoi në burg fytyrën e njohur televizive Martha Stewart. Më pak do ta dinë se ImClone prodhon një bar antikanceroz, Erbitux, i cili i përket një brezi të ri barnash, të quajtur “të shënjestruar” (targeted), meqë këta sulmojnë dhe shkatërrojnë vetëm qelizat kanceroze, jo qelizat e tjera të trupit.

Deri këtu mirë. Shkenca në shërbim të njeriut.

Më pak akoma e dinë se një kurë me Erbitux kushton, sot për sot, $17,000 në muaj (zerot janë në rregull: shtatëmbëdhjetë mijë dollarë në muaj, për ta thënë shqip). Po a ka vallë kufi në shpenzime, kur është fjala për të shpëtuar jetë njerëzish?

Ndoshta ka, ndoshta jo.

Erbitux përdoret për mjekimin e kancerit të kolonit, një sëmundje që mendohet të prekë rreth 106,000 vetë në vit vetëm në US. Natyrisht, tha, është më mirë të jesh president i Erbitux, sesa klient i rregullt i ImClone.

Shpëton vërtet jetë Erbitux? Patjetër. Në 10% (dhjetë përqind) të pacientëve, mjekimi me këtë bar ka çuar në tkurrjen e tumorit. Kur kombinohet me një bar tjetër – Irinotecan, por mos më pyesni sa kushton – kjo tkurrje vihet re në rreth 20% të të sëmurëve.

(Në ekonominë e tregut, një televizor ose preservativ ose makinë rroje që punon vetëm 10-20% të rasteve kur ndizet, nuk ka të ardhme.)

Enti amerikan që miraton tregtimin e barnave, FDA, e ka të ndaluar me ligj të marrë në konsideratë çmimin e një bari që i propozohet për shqyrtim.

Po cili faktor e përcakton vallë çmimin? Tregu vetë?

Jo, tregtari.

Askush nuk e din me siguri se pse Erbitux kushton kaq shtrenjtë. Zakonisht kompanitë farmaceutike shpjegojnë me durim se çmimet e larta shërbejnë për të mbuluar koston e kërkimit shkencor dhe të testeve klinike (për mua, një gënjeshtër konveniente).

E vërteta është se Erbitux është në thelb një antitrup që bllokon një sinjal kimik i cili urdhëron qelizat të shumëzohen dhe antitrupat janë më të kushtueshëm për t’u prodhuar sesa barnat e zakonshme. Vetëm se kjo diferencë në kosto është e vogël dhe, siç pohojnë ekspertët, teknologjia që qëndron pas Erbitux dhe të tjerave barna të asaj kategorie mund të replikohet në çdo laborator universitar biologjie.

Me fjalë të tjera: Erbitux i kushton sot prodhuesit një grusht dollarësh për hapje, por ky e shet të paktën njëqind herë më shtrenjtë.

Po kujt ia shet vallë? Gjyshes së Britney Spears?

Ndoshta. Por kryesisht ua shet planeve të sigurimit shëndetësor (të cilat ende e mbulojnë mjekimin e kancerit derisa t’i mbulojë kanceri ato vetë) dhe – meqë kanceri i kolonit prek një numër të madh pensionistësh – programit Medicare, për të cilin paguajmë të gjithë, edhe pse pritet të falimentojë së shpejti.

Këshilla ime falas: hani fruta dhe zarzavate dhe bukë të zezë, dëgjoni Mozart-in, jetoni në ajër të pastër, larg streseve dhe sarafëve dhe tempujve të parasë.

o o o

Në SHBA numri i të pasiguruarve ka arritur shifrën 43 milion. Këtyre u duhet ta blejnë shëndetin e tyre si frëngu pulën, dhe të paguajnë për një kurë kanceri po aq sa edhe Donald Trump ose Steven Spielberg. Janë po këta që shkojnë të mjekojnë gripin në sallat e urgjencës dhe që borxhet që u kanë spitaleve ua lënë trashëgim fëmijëve të tyre, madje edhe nipave e mbesave.

Natyrisht, ruajna zot nga egalitarizmi. Sipas logjikës së ekonomisë të tregut, ca do të blejnë Erbituxin-ën e Martha Stewart, ndërsa ca të tjerë do të provojnë Dervish Hatixhenë. Vlerat e përdorimit, si në një rast, si në tjetrin, nuk janë dhe aq të ndryshme.

Meqë jemi tek egalitarizmi, këtë shteti amerikan e zbaton për bukuri kur vjen puna, për shembull, në gjobat. Si Ivana Trump, ashtu edhe pastruesja e zyrës sime, paguajnë të njëjtën gjobë për kundërvajtje trafiku. Kuptohet se, në rrethana të tilla, funksioni parandalues ose pre-emptiv i gjobës nuk është i njëjtë.

Më kujtohet si dikur, në Shqipërinë e viteve 80, kishin nxjerrë një ligj që ndalonte përdorimin e bordurave të dyqaneve për t’u ulur. Një polic i ri në rrugën e Durrësit e kish marrë ligjin fort për zemër, dhe e kalonte pasditen duke gjobitur halabakët që uleshin bordurave, te vetshërbimi afër legatës kubane.

Njëri syresh, me baseta të gjata dhe këpucë bërë me porosi nga ato me takë të lartë, ishte dashuruar vërtet pas bordurës dhe nuk dëgjonte të largohej. Iu afrua polici dhe i vuri 50 lekë gjobë (të vjetra). Halabaku u ngrit, dhe i tregoi policit një 50 lekëshe që mbante të fshehur nën kofshë. Pastaj u shty pak më tutje, u ul përsëri në bordurë, nxori një 50 lekëshe tjetër të zhubrosur nga xhepi, dhe e vuri poshtë të ndenjurave.

Morali? Krejtësisht imoral.

Nëse nuk gabohem, në Finlandë gjobat e trafikut i paguajnë sipas të ardhurave: me përqindje. Kështu një kundërvajtje u kushton njëlloj edhe kryeavokatit të Nokia-s, edhe pastrueses së ambasadës shqiptare.

[2004]

 

2 Komente

  1. A mund te na thoni nese keni lexuar a degjuar, apo ju ka rene ne nje menyre a nje tjeter, per termin farmakoekonomi?
    Dhe meqenese jemi aty ne nje togfjalesh tjeter qe lidhet me kete term: studime farmakoekonomike?
    Po ju marr pa kohe, duke supozuar paraprakisht qe nuk keni fort dije ne kete lemi.

    Studimet farmakoekonomike jane ato qe ndermerren per te hetuar, nese bari i caktuar X me vlere fillestare ne blerje xx.000 Dollare eshte ne fund te fundit me “ekonomiqar” se bari Y i blere me vleften fillestare x0 Dollare.
    Ne te tilla studime farmakoekonomike, te ndermarra nga institucione serioze si NICE ne UK, ose Karolinska Institute ne Suedi, merren ne hesap, pervec kostos fillestare dhe kostot e tjera dytesore te lidhura me secilin bar.

    Bari X ($ xx000) eshte krahasohet ne disa parametra me barin Y ($x00). C’kuptojme me ate se Bari X eshte me efikas se Y?
    Ky efikasitet perkthehet ne: me pak dite hospitalizimesh (pra me pak kosto te lidhura per dite qendrimi ne spital); cilesi me te mire jete (pacienti ato 3 muaj nuk i kalon ne spital, po shkon hidhet nga Llogaraja me deltaplan, apo shkruan memuaret), me pak efekte anesore, helbete i shenjestruar, edhe per pasoje me pak ilace(lexo:kosto) per te mbuluar keto efekte; dhe c’eshte me rendesishme, bari efikas X jep me shume dite e muaj jete, qe eshte me shume sigurime shendetesore te paguara, tatim-taksa te derdhura, etj etj. ( Po var gozhden e Nastradinit ketu: shih termin QALY)
    Pra, qe ta perfundoj idene, po ti vesh ne kandar barin X dhe Y ( me shume efekte anesore, me dite hospitalizimesh, me ilace per te korregjuar efektet anesore, cilesi te jetes se ulet, mbijetese te ulur etj etj) ka shume mundesi te dale qe bari i shtrenjte X, megjithe vleften e madhe fillestare te blerjes, te na rezultoje me i lire, ne fund te fatures, sesa bari Y me nje vlefte te vogel blerjeje fillestare.

    Sigurisht, nese behet fjala per xhepin e pacientit kjo llogari bie, pasi nje analize e tille eshte e leverdisshme te behet dhe duhet te behet vetem nga shteti, ne te cilin, pacienti eshte banor.

    Kontrollet mbi cmimet nuk i ben EMEA, apo FDA. Cmimet e ilaceve (sidomos ketyre te shenjestruara) rregullohen dhe studiohen nga te pakten 2 autoritete serioze ne Evrope: NICE ne UK dhe Karolinska Institute ne Suedi. Keta te dy, nxjerrin linjat guide te tyre, natyrisht jo detyruese, por fortesisht keshilluese, nese bari i ri X eshte ose jo i leverdisshem, eshte ose jo “farmakoekonomik”.
    Keto studime duhen marre parasysh dhe pergjithesisht merren parasysh ne vendet ku ndergjegjesimi per jeten e pacientit eshte pergjithesisht i madh.

    Ne Shqiperi kemi te tjera halle. Ne e kemi te qarte, qe meqenese jemi “shtet i varfer”, per 2-3 muaj jete me shume, asnje qeveritar nuk e lodh trurin te marre pershembull nga 50 cent nga cdo pakete cigare qe blihet dhe te krijoje Fondin e ilaceve kunder Kancerit te mushkerive. Ne Shqiperi, njeriu psh nuk ka luksin te marre kemoterapi nga goja (qe eshte sigurisht me e shtrenjte), por vjen hallemadhi nga Hasi, nga Kuksi, nga Saranda, le femije e katandi dhe vjen rri 1 jave duke bere cikle, me ilace xhenerike. Dhe flasim ketu per njerez qe mund te ishin kuruar ndryshe. E mund te kishin jetuar ndryshe.

    Ne Shqiperi, fatkeqesisht, njerezit e pushtetit i bejne ende llogarite me kalem, sikur bejne pazarin ne supermarkate. Ne Shqiperi, ministri i shendetesise vendos nese “nga keta te kancerit”, “sa” do te rrojne. Andaj po te ndodhe te jesh, te themi, i 16 apo i 17, nuk kurohesh, sepse keto “ilacet e shtrenjta” per kaq veta i kemi blere.

    Mire qe justifikohen me fondet (kemi thagma kryeminishtrash qe japin 300.000 dollare : po, po, e ke lexuar tamam, per ndeshje futbolli; kemi kryeministra qe harxhojne 3 milion dollare tek Ashley & Holmes per fushaten publicitare te pritjes se Bushit); pra mire qe justifikohen me ate qe nuk kemi fonde, por nuk krijojne as facilitete a marreveshje me spitale regjionale ne itali, turqi etj, ku te shkojne keta hallemedhenj e t’ua lehtesojne kurimin.

    Ne listen e barnave te rimbursimit nuk ka asnje medikament onkologjik.

    Perkundrazi.

    Jane rreth 103 ilace (nder te cilet per efekt publicitar perfshijne alkoolin borik dhe aspirinen). Te gjithe barna te lire indiane, kineze, vjetnameze a ku e di une se cfare. Sigurisht qe robi do zhdepet me Baktrimen kineze qe kushton 30 leke dhe nuk do te marre Ceftriaksonin gjerman qe kushton 450 leke, sepse ky i fundit nuk rimbursohet. Do zhdepet do zhdepet do zhdepet edhe prape bajamet sa nje arre.
    Qeveria jone sqimatare eshte shume e vemendshme karshi shpenzimeve.

    kerkoj ndjese qe ju mora kohe, por kur vjen puna per ate qe: “ajt te bejme llogarine atij tjetrit sa fiton” nuk jam dakord.
    Mua si pacient, me intereson te marr ilacin me efikas. Ate qe me zgjat me shume jeten.
    E do trokas tek dera e atij ministrit te shurdhet, derisa te me behen kycet cope. Se jam ajo qe kam dy femije rrugeve. Se jam ai qe kam punuar ne minierat e shtetit gjithe jete. Se kam punuar gjithe jeten ne nje pune ku kam paguar sigurimet shendetesore, e ku kam mbajtur te tjere me keto sigurime.
    Mua nuk me intereson sa fiton kompania e Erbituxit.
    Me kete pune, duhet te merret shteti im, duke realizuar studime farmakoekonomike qe te mbroje veten e tij nga batakcinjte.
    Mua nuk ka pse m’i ben damaret cope me barin e lire kinez, ne menyre qe leket qe i kam dhene une ne trajte tatim-taksash, ti beje postera e fletushka per presidentin e ardhshem te Sh.B.A.-se.

  2. Nuk mendoj keshtu se ka nje rendesi te madhe cmimi per gazeten jo jane parimet me te cilat nise te shkruhet cdo nate nje gazete dhe nga drejtohet kjo gazete.

    Shume njerez ankohen per numrin e madhe te gazetave qe jane ne tregun shqiptar me mendimin se ato jane kthyer ne biznese vetem per fitim por kjo eshte dicka e shendetshme ne nje demokraci dhe shoqeri te konsumit dhe nuk perben problem numri, uroj qe nese mundemi cdo njeri nga ne te botonte nga nje, besoj se problemi si nje lexues i rregullte i gazetave eshte cilesia e dobet e fleteve te cilat ndryshojne ngjyre nga njera flete ne tjetren por edhe bojerat jo cilesore qe te mbushin duart me njyrat e gazetes kjo mbase edhe per faktin se te ardhurat e nje gazete shume here jane ose te reklamave qe jane fare te pakta ne tregun shqiptar(zakonishte AMC dhe VODAFONE) edhe kompensimi i humbjeve nga pronari i cili mund te kete biznese te tjera por ka edhe gazeta te cilat financohen nga korporatat e shtetit te cilat kontrollohen nga qeveria edhe nga tenderat te cilet shpallen neper gazeta te cilat i vendos qeveria dhe kete nuk e bene ne menyre te barabarte por selektive,kjo persa i perket anes se jashtme.
    Shume here kur lexon gazeta te ndryshme kupton se ato kane te njejtin lajm me gazeten e meparshme dhe lajmin te cilin e ke lexuar ne internet ne nje site italian por qe tani e kane perkhtyer per te mos folur pastaj per cilesine tmerresisht skkandaloze te disa gazetareve te cilet dashje apo pa dashje bejne gafa te medha si me perdorimin e termave qe shume here jane ne dem te vendit ose gabime per shkak te njohurive te pakta te gazetarit 23 vjecar i cili pranon te paguhet me pak per te mbuluar shpenzimet e shkolles apo gazetar qe bejne gjithcka duke fyer genjyer vetem per te bere buj,rralle gjen gazeta serioze ne shqiperi ku gazeta lexohet dhe kontrollohet nga njerez profesionist para se te dali ne treg dhe ku keta profesionista paguhen aq sa u takon te tilla mendoj se jane vetem gazeta SHQIP e cila ka edhe te met at e vetma pasi si pjese e TOP-MEDIA jep lajmet qe Top-channel transmeton naten por qendron me lart se te tjerat sebashku me Gazeten shqiptare,Albania dhe STANDARTI i dikurshem i Henri Cilit por qe tashme eshte gazeta qe lexon cdo mengjex berisha me qejf por edhe keto jane te nje niveli shume te ulet me simotrat e tyre ne evrope,une mendoj se gazetat ne shqiperi jane fare amatore dhe kane nevoje per investime te medhaja private per te rritur cilesine ne menyre qe tirazhi te shtohet ne shifrat e dikurshme dhe jo sic behet sot ku tirazhin e shtojne vetem lajmet-skandale fallco te krijuara nga vete gazetaret.
    Cmimi pastaj nuk eshte ndonje problem i madhe ai qe ka mundesi e blene ai qe ska blene nje me te lire apo falas si AGON.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin